leoni

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

Bashkimi Demokratik vlerëson se Qeveria me legjitimitet monoetnik rrezikon të ardhmen e vendit

Në fjalimin e tij të sotëm para Këshillit  së Përgjithshëm të partisë, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, theksoi rëndësinë e respektimit të legjitimitetit dhe vullnetit të qytetarëve, duke i bërë thirrje qeverisë dhe faktorit politik që të mos injorojnë rezultatin e zgjedhjeve të fundit.

“Në radhë të parë do të doja t’ju falënderoj dhe bashkarisht të ndajmë gëzimin e fitores, fitore të dyfishtë,
si në zgjedhjet presidenciale ashtu dhe në zgjedhjet parlamentare,” tha Ahmeti.

Ai vuri në dukje se ndonëse elektorati ka të drejtë të kërkojë përgjigje dhe më shumë mobilizim, është e rëndësishme që të vazhdohet me përkushtim për realizimin e platformës politike dhe kombëtare të BDI-së. “Ashtu siç kemi qenë dalzotës të vërtetë të platformës tonë, asaj politike dhe kombëtare, të vazhdojmë po me të njëjtin përkushtim edhe në të ardhmen,” shtoi ai.

Ahmeti kritikoi vendimin e VMRO-DPMNE për të formuar qeveri me partitë humbëse shqiptare, duke deklaruar se kjo qeveri “nuk ka legjitimitet etnik.” Ai theksoi, “Ne kontestojmë dhe do të demonstrojmë pakënaqësinë tonë, revoltën tonë, me vendimin e tyre jo të drejtë, që nuk respektuan legjitimitetin e fituar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.”

Duke theksuar rëndësinë e legjitimitetit dhe stabilitetit politik, Ahmeti tha, “Për ne me rëndësi është legjitimiteti… Ne kemi dhënë prova që nuk jemi të lidhur për grada e ofiqe, por jemi të interesuar për procese të mirëfillta që vendin e çojnë përpara, krijojnë stabilitet politik dhe etnik.”

Ahmeti vuri në dukje rreziqet dhe ndikimet destabilizuese në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se, “Nuk jemi në komoditet që ne të bëjmë politika ditore. Ne nuk kemi politika akoma të qëndrueshme me fqinjët… Rrethanat në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë goxha të ndjeshme dhe kërkohet zgjidhje.”

Duke theksuar rëndësinë e ndryshimit të kushtetutës, Ahmeti tha, “Ndryshimi i kushtetutës është më se i domosdoshëm sepse të gjithë qytetarët përfitojmë, përfitojmë në përshpejtimin e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.”

Në lidhje me ndikimet e zgjedhjeve dhe përfaqësimin e shqiptarëve, Ahmeti deklaroi, “Ne shqiptarët këtu në republikën e Maqedonisë, dhe në tërësi të ish-Jugosllavisë, jemi dëshmitar nga të zgjedhurit arbitrarë e vazalë, të cilët na i zgjidhnin të tjerët, na i përfaqësonin të tjerët… shqiptarët nuk pranojnë si tërësi vazalitetin dhe të shndërrohen në gati hyzmeqarë të tjetër kujt. Kohërat kanë ndryshuar, shqiptarët në Maqedoni, nëse nuk e dinë, i kanë 3 universitete në gjuhën e vet. Shqiptarët në Maqedoni janë shtetformues dhe mbajnë llogari dhe përgjegjësi për shtetin e tyre.”

Duke përmendur se BDI-ja ka propozuar ligj për vetingun, Ahmeti theksoi, “Ne ka 4 vjet që kemi propozuar ligj për vetingun. Ai po zverdhet në arkivat e parlamentit. Dhe sot jemi të gatshëm që këtë ligj ne ta mbështesim. Le të fillojë vetingu, unë nuk kam kërkuar as nga Kristijani të fillojë, as nga Zorani, as nga ky i fundit Kovacevski, le të fillojë nga unë vetingu.”

Ahmeti përfundoi fjalimin duke theksuar se “Çdo vonesë në këtë drejtim mund të ketë kosto të lartë… Përse ne të dalim në zgjedhje, kur dikush ne na i zgjedh përfaqësuesit tanë dhe nuk respektohet vullneti ynë i shprehur në zgjedhjet e lira dhe demokratike.”

Në fund, Ali Ahmeti bëri thirrje për respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe legjitimitetit që buron nga vota e lirë, duke theksuar se vetëm kështu mund të arrihet stabiliteti i qëndrueshëm dhe përparimi euro-atlantik i vendit.

Në shtojcë e gjeni fjalimin e plotë të kryetarit të BDI, z. Ali Ahmeti:

Në radhë të parë do të doja t’ju falënderoj, edhe pse nuk e kam zakon që të falënderoj njerëzit që punojnë në arën e vet. Por, kështu e kanë lënë traditë, unë veç doja t’ju them punë të mbarë gjithmonë paçi, ashtu siç kemi pasur deri më tani, dhe do të doja të gjithë bashkërisht të ndajmë gëzimin e fitores, fitore të dyfishtë, si në zgjedhjet presidenciale ashtu dhe në zgjedhjet parlamentare.

Edhe pse nga elektorati ynë, nga votuesit tanë, me të drejtë shtrohet një pyetje, që ne edhe duhet t’i japim përgjigje, por dhe duhet që të rrisim nivelin e mobilizimit dhe të organizimit. Dhe, ashtu siç kemi qenë dalzotës të vërtetë të platformës tonë, asaj politike dhe kombëtare, të vazhdojmë po me të njëjtin përkushtim edhe në të ardhmen. Të vazhdojmë në jetësimin e realizimin e platformës dhe të qëllimeve tona të drejta e fisnike. Qëndrimin që e mori VMRO, ne nuk e kontestojmë legjitimitetin e tyre.

Ne kontestojmë dhe do të demonstrojmë pakënaqësinë tonë, revoltën tonë, me vendimin e tyre jo të drejtë, që nuk respektuan legjitimitetin e fituar nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Fronti, si anëtarë, pjesëtarë, që bashkërisht e bëmë fushatën dhe bashkërisht regjistruam fitoren e radhës.

Kjo Qeveri nuk ka legjitimitet etnik. Dhe, ne do të bëjmë punën tonë për t’i shpjeguar edhe opinionit, si atij shqiptarë, ashtu dhe maqedonas, se ky shtet ka ardhmëri dhe perspektivë duke respektuar votën e lirë, duke respektuar legjitimitetin që buron nga sovrani. Ne kemi fituar zgjedhjet. Para 18 vitesh ky gabim është bërë. Brenda 15 muajsh u organizuan zgjedhje të parakohshme. Në ato zgjedhje të parakohshme fitoi Bashkimi Demokratik për Integrim dhe filloi reflektimi në drejtim të respektimit të votës së lirë.

Ne, pa dashur që të bëj arsyetime, nuk jemi të lidhur për pushteti. Për ne me rëndësi është legjitimiteti, sepse në një moment kur VMRO-DPMNE kërkoi që të bëhet pjesë e procesit për zgjidhjet e problemeve dhe për ndryshim kushtetutës, kushtëzoi shumicën e atëhershme parlamentare që Bashkimi Demokratik për Integrim të braktisë ekzekutivin. Akoma pa u mbyllur konferenca për media e z. Kristijan Mickovski, përgjigja ishte flakë për flakë, aty për aty. Në momentin që ju votoni ndryshimin e kushtetutës, ne paraqesim dorëheqje kolektive. Me rëndësi për ne është ndryshimi i kushtetutës. Ne kemi dhënë prova që nuk jemi të lidhur për grada e ofiqe, por jemi të interesuar për procese të mirëfillta që vendin e çojnë përpara, krijojnë stabilitet politik dhe etnik, sepse ky vend ka ardhmëri duke qenë në harmoni dy komunitetet më të mëdha, ai maqedonas dhe shqiptar. Sigurisht që, pjesë ndihmëse janë edhe komunitetet e vogla, si turqit, boshnjakët, romët, vllehët, serbët, por përgjegjësia bie mbi shpatullat e këtyre dy komuniteteve.

Zgjidhjen që ka bërë z. Mickovski, nuk është zgjidhje e drejtë dhe e mirë që prodhon stabilitet etnik dhe qëndrueshmëri në shtet, sepse nuk jemi në komoditet që ne të bëjmë politika ditore. Ne nuk kemi politika akoma të qëndrueshme me fqinjët, si me grekët ashtu dhe me bullgarët. Rrethanat në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë goxha të ndjeshme dhe kërkohet zgjidhje. Është problemi i pazgjidhur Kosovë-Serbi. Problem e probleme të pazgjidhshme në Bosnje, dhe tentativa për destabilizim edhe në Mal të Zi. Ndikimet ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë goxha aktive. Rusisë nuk i intereson një Ballkan stabil, një Ballkan i integruar tërësisht në NATO e në Bashkimin Europian. Prandaj, në vendin tonë duhet pasur parasysh të gjitha këto rrethana dhe nuk duhet shtuar vështirësitë e pakënaqësitë brenda komunitetit. Të mos respektosh vullnetin e shumicës së qytetarëve të komunitetit të dytë më të madh, me automatizëm nuk e ndihmon paqen, stabilitetin dhe sigurinë, po edhe proceset euro-atlantike. Ne, kemi qenë shumë të hapur dhe të sinqertë, ndryshimi i kushtetutës është më se i domosdoshëm, sepse të gjithë qytetarët përfitojmë, përfitojmë në përshpejtimin e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Çdo vonesë në këtë drejtim mund të ketë kosto të lartë, ashtu siç paguajtëm kosto me palën greke, mund të paguhet kosto të lartë edhe me palën bullgare. Por këtu më, kostoja mund të jetë edhe më e lartë sesa me atë greke. Njerëzit kanë nevoja të përditshme. Numri me nënshtetësi bullgare dita ditës po shtohet. Mund që pakoja për anëtarësim në BE nëse ne nuk bëjmë hapat e duhur, edhe të ndryshojë. Shqipëria të hap negociatat drejt anëtarësimit dhe ne të mbesim pas dhe Shqipëria mund të anëtarësohet dhe ne do të bëhemi shtet me dy popuj me shtetësi, njëra pjesë e komunitetit me shtetësi bullgare dhe tjetra pjesë e komunitetit me shtetësi të Shqipërisë. Andaj, duhet këto llogari mirë të mendohen para se të flitet dhe të veprohet. Përsëri po them, që VMRO-DPMNE më këtë akt i ka poshtëruar dhe ndjehen të poshtëruar shqiptarët, sepse për çdo ditë shtrohet pyetja, përse ne të dalim në zgjedhje, kur dikush ne na i zgjedh përfaqësuesit tanë dhe nuk respektohet vullneti ynë i shprehur në zgjedhjet e lira dhe demokratike.

Për çfarë demokracie dhe zgjedhje të lira flitet kur të tjerët na i zgjedhin përfaqësuesit. Ne shqiptarët këtu në republikën e Maqedonisë, dhe në tërësi të ish-Jugosllavisë, jemi dëshmitar nga të zgjedhurit arbitrarë e vazalë, të cilët na i zgjidhnin të tjerët, na i përfaqësonin të tjerët edhe pse VMRO-ja i ka bërë hesapet keq në këtë drejtim, sepse shqiptarët nuk pranojnë si tërësi vazalitetin dhe të shndërrohen në gati hyzmeqarë të tjetër kujt. Kohërat kanë ndryshuar, shqiptarët në Maqedoni, nëse nuk e dinë, i kanë 3 universitete në gjuhën e vet. Shqiptarët në Maqedoni janë shtetformues dhe mbajnë llogari dhe përgjegjësi për shtetin e tyre.

Me përgjegjësi i kemi kryer të gjitha detyrimet dhe obligimet ndaj shtetit. Nëse 7 vite kanë bërë propagandë se shtetin e kanë marrë shqiptarët, ne nuk kemi marrë shtet të huaj, ne për aq sa na ka takuar, me përgjegjësi të lartë kemi kryer detyrimin tonë, obligimet tona karshi qytetarëve të cilët na kanë besuar. Nëse ju kujtohet, kur ne ishim në partneritet me VMRO-në, vitet 2014-15, LSDM-ja s’pushonte duke bërë propagandë se Bashkimi Demokratik për Integrim na është shndërruar në patericë të VMRO-së.

Ne dhe mund të braktisim, asokohe institucionet, po të shihnim interesat tona partiake e ditore. Mund të rrisnim mbështetjen e sondazhet të shkonin lart e më lart, por ne vendosëm interesat e përgjithshme të shtetit dhe të qytetarëve të mos rrezikojmë as shtetin, as stabilitetin, por të jemi kontribues me ekipet tona, me njerëzit që kishin përgjegjësi mbi supet e tyre që të jenë në krye të detyrave, dhe të kontribuojnë që vendi të mos devijojë dhe të shndërrohet në një anarki e zallahi të pafund. Mbi këtë moto rriti autoritetin LSDM.

Tani 7 vitet e fundit, gjërat u kthyen ndryshe, se shqiptarët na e morën shtetin, se LSDM nuk është më ajo që drejton por është Bashkimi Demokratik për Integrim, se selia apo Qeveria është në Reçicë të vogël e jo aty ku e ka vendin. Sigurisht ka qenë një propagandë dhe një terror psikologjik mbi qytetarët, dhe VMRO regjistroi rritje në elektoratin maqedonas, sepse duhet pranuar, ne jemi të ndarë mbi baza politike e ideologjike akoma. Akoma jeni të organizuar në parti politike me përkatësi të ndryshme. Pjesa dërmuese e shqiptarëve votojnë për parti shqiptare, ato maqedone votojnë për parti maqedone. Por jo ama të shfrytëzohen dhe të shkelen ato të drejta të pakontestueshme të Marrëveshjes paqësore të Ohrit. Margjinalizohet pjesa dërmuese e shqiptarëve.

Ne kemi fituar mbi 60% me 8 maj, këtë fitore e kemi edhe në zgjedhjet presidenciale dhe nëse VMRO përpiqet që përmes vazalëve, përmes atyre që nuk e kanë legjitimitetin, të forcojë pozitat e veta në shtet e ka shumë gabim. Mund përkohësisht të bëjnë ndonjë veprim, por ama mirë as për shtetin as për qytetarët nuk është që ato të arritura që i kanë shqiptarët tani në emër të shumicës që ka fituar tek pala maqedonase, të abrogojë, të reduktojë institucionet drejtuese, dikastere të ndryshme në shtet, do që do e ketë shumë gabim.

Nuk e di çfarë ndodhi në kampin të quajtur opozitarë, sepse opozitar asnjëherë nuk kanë qenë, gjithmonë kanë qenë të veshur me pushtet për 22 vite, dhe ju atë gjithë e dini. Se çfarë i shtyri të bëjnë këtë gabim, këtë përgjigje duhet ta japin ata. Oreksi për pushtet, oreksi për rahati, a për çfarë tjetër. Nëse gjithë kohën janë marrë se BDI është forcë e kriminalizuar, ne ka 4 vjetë që kemi propozuar ligj për vetingun. Ai po zverdhet në arkivat e parlamentit.

Dhe sot jemi të gatshëm që këtë ligj ne ta mbështesim. Le të fillojë vetingu, unë nuk kam kërkuar as nga Kristijani të fillojë, as nga Zorani, as nga ky i fundit Kovacevski, le të fillojë nga unë vetingu. Por njëherë e përgjithmonë ta varrosim dhe ta groposim propagandën se ky është i korruptuar e ai është i kriminalizuar.

Unë nuk them nuk ka korrupsion e nuk ka kriminalitet, por le ta miratojmë ligjin dhe vetingu le të bëhet edhe me përfaqësues ndërkombëtarë, si nga Brukseli ashtu dhe nga Uashingtoni, në ekipet e punës me profesionistë të dëshmuar të dy këtyre qendrave, si të BE-së ashtu dhe të Uashingtonit, që njëherë e përgjithmonë, t’ua mbyllim gojën të gjithë atyre llafazanëve dhe politikanëve, që përmes propagandës shpifjes, e lajmeve të rrejshme, krijojnë hapësira për veprim.

Të nderuar të pranishëm, ky takim është thirrur edhe për t’u përcaktuar edhe për hapat e ardhshëm që duhet të ndërmarrur, BDI deri në vendosjen dhe respektimin e legjitimitetit, duke i përcaktuar detyrat tona, si në planin kombëtarë edhe në planin ndërkombëtarë.

Faleminderit që më dëgjuat!

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …