Ahmet Qeriqi: Dhënia e betimit të ushtarëve të UÇK-së

Ahmet Qeriqi: Dhënia e betimit të ushtarëve të UÇK-së

Në mesditë, nisemi  të organizuar për në Shtabin e Pjetërshticës. Atje është paraparë të zhvillohet ceremonia e dhënies së betimit, për të gjithë ushtarët tanë. Pas ceremonisë së dhënies së betimit në Pjetërshticë, betimi para flamurit do të organizohet edhe në Blinajë, te hoteli, të cilin tanimë e kanë vënë nën kontroll forcat tona ushtarake.

Edhe pse bën vapë e padurueshme, edhe pse nga të gjitha anët dëgjohen shpërthimet e furishme të armëve të armikut, ne do ta kryejmë ceremoninë e betimit.

Rreshtimi i më shumë se pesëdhjetë ushtarëve është bërë para shtëpisë shtab, në Lagjen Fylli në Pjetërshticë.

Atje, është vendosur shtylla ku do të bëhet ngritja e flamurit.

Në ceremoninë e dhënies së betimit po marrin pjesë shumë banorë të Krojmirit, të Pjetërshticës, Carralevës të Zborcit dhe të fshatrave të tjera.

Në orën 13.00 derisa  komandant Shukri Buja urdhëron ushtarët të rrinë gatitu, Elez Durmishi me një ushtar tjetër, fillon ngritjen e flamurit. Ushtarët të armatosur kryesisht me kallashë, por edhe  me pushkë klasike dhe me ndonjë karabinë, rrinë gatitu, me seriozitet dhe përkushtim.

Ata përsërisin tekstin e betimit, të gjithë njëzëri, sikur ta kishin ushtruar sa kohë më parë. Parakalimin në nderim të ushtarëve e bëjnë komandantët e njohur, Musë Jashari, i cili gjatë luftimeve në Prekaz më 5.6 dhe 7 mars ka humbur 12 anëtarë të familjes,  dhe Fatmir Limaj.

Ceremoninë kemi arritur ta incizojmë me kamerën, të cilën ka e ka dhuruar nipi i Sylës, Shaip Mujota. Përnjëherë pas kryerjes së ceremonisë ishte paraparë që ushtarëve  t’iu jepet  një alarm i rrejshëm. Brofja e tyre e papritur, më bën  përshtypje të veçantë. Ata tregohen shumë të shpejtë dhe të zhdërvjellët për të hipur në vetura dhe për të vozitur si gjithnjë me shpejtësinë maksimale që e përballon terreni me gropa e kthesa të një pas njëshme.

Pas ceremonisë, disa nga ushtarët dhe komandantët  nisen për në Blinajë, meqë edhe atje sot organizohet betimi i ushtarëve të kësaj ane të pozicionuar te Hoteli.

Akti i betimit më bën përshtypje të veçantë. Edhe pse nuk e shpreh haptas, tani ndiej një brengë të thellë në shpirt, sepse më duket se tani e tutje, në luftime do të bien ushtarë të sapo betuar. Deri tani nuk kemi pësuar asnjë humbje, por kjo situatë nuk do të vazhdojë gjatë.

Në hyrje të lagjes Qeriqi kam takuar, Ismail  Sylën, ish i burgosur, i cili jeton në Kizhrekë. Ismajli ka ardhur te një mik i tij dhe kërkon t`i mundësohet të depërtojë në Blinajë, për ta shkruar pastaj një reportazh. Ndërkohë takojmë edhe Ramiz Qeriqin i cili nxjerrë nga goja disa qyfyre të ndragëta dhe të pahijshme. Ismajlit  i premtoj që sapo të krijohen kushte së bashku do të shkojmë në Blinajë meqë as unë ende nuk kamë qenë atje…

Ritmi dhe dinamika e zhvillimeve, më bëjnë përshtypje shqetësuese. E hetoj, se askush nga ne nuk arrin të kontrollojë zhvillimet. Koha po para rend. Nuk e arrijmë dot edhe po të shumëfishojmë angazhimin edhe po të mos flemë as për një çast..

Në orët e pas ditës vjen Faruku, Ai është tej mase i emocionuar.

Është dobësuar.

Tregohet i papërmbajtur dhe veç sa nuk shpërthen në vaj. Ndihet i shpëtuar, por nuk mund të pajtohet me padrejtësinë që mendon se iu ka bërë. Flet shkurt dhe shpreh emocione të forta. Por mbi të gjitha vërehet gëzimi i papërmbajtur te  të gjitha ata të cilët kanë qenë të brengosur për fatin  e tij.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …