Presidenti Bill Klinton udhëhoqi aksionin e komunitetit të shteteve demokratike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj kundër barbarisë së makinës ushtarake serbe në Kosovë. Lexuesi shqiptar ka mbi 20 vjet që ka në dorë librin “NE LUFTËN, JU PAQEN”, mesazhe, artikuj, konferenca shtypi, intervista dhe fjalime për Kosovën të presidentit amerikan Bill Klinton, të cilat i përgatiti për botim gazetari i mirënjohur Lutfi Dervishi. Kanë kaluar vite dhe ky libër tingëllon aktual dhe është në qendër të vëmëndjes së mediave të shkruara dhe elektronike. Nga ky libër me 195 faqe janë marrë vetëm pjesët më interesante, më të goditura, më të forta, më të bukura, më thelbësore dhe më të qënësishme të tij.
12 tetor 1998. Deklarata e Presidentit Klinton
( Nga zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë.) Këto javët e fundit, të përballur me një krizë të rrezikshme në Kosovë, që sa vjen e thellohet, Shtetet e Bashkuara kanë punuar për të ndaluar dhunën dhe represionin dhe për ta vënë popullin e Kosovës në rrugën e paqes. Muajin e kaluar, nëpërmjet rezolutës Nr.1199, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kërkoi që presidenti Millosheviç të zbatonte ndalimin e zjarrit, të tërhiqte forcat e dërguara kohët e fundit në Kosovë dhe pjesën tjetër ta fuste në kazerma, të lejonte refugjatët të ktheheshin në fshatrat e tyre, t’u jepte mundësi hyrjeje të menjëhershme agjensive të ndihmave humanitare të emergjencës si dhe të binte dakord për një grafik kohor për negociatat mbi autonominë me shqiptarët e Kosovës. Presidenti Millosheviç ende nuk ka vepruar në përputhje me kërkesat e Bashkësisë Ndërkombëtare. Duke pasur parasysh kokëfortësinë e tij, të 16 anëtarët e NATO-s sapo kanë votuar për t’u dhënë komandantëve tanë ushtarakë kompetencën për të kryer goditje ajrore kundër Serbisë. Bashkësia Ndërkombëtare tani është përgatitur për të vepruar. Ne parapëlqejmë ta zgjidhim krizën paqësisht dhe jo nëpërmjet veprimeve ushtarake. Kjo është arsyeja pse unë dërgova Ambasadorin Riçard Hollbruk me mision për t’ia bërë të qartë presidentit Millosheviç se çfarë veprimesh prêt bota prej tij, në mënyrë që të shmangen goditjet ajrore të NATO-s. Por më lejoni të shprehem edhe më qartë: zotimet janë tjetër gjë nga përmbushja. Varrezat e Ballkanit janë mbushur plot me premtimet e shkelura të presidentit Millosheviç. Sëbashku me partnerët tanë të NATO-s ne do të çmojmë në se presidenti Millosheviç i pason fjalët me vepra. Dhe nëqoftë se këtë herë z. Millosheviç nuk do t’i kthejë zotimet në realitet, ne do të mbetemi në gatishmëri për të marrë aksione ushtarake. Amerika ka një interes të drejtpërdrejtë për ta ruajtur paqen në Europë, përpara se aktet e izoluara të dhunës të kthehen në luftra në shkallë të gjerë.
13shkurt 1999. Pse paqja në Kosovë ka rëndësi për Amerikën.
(Presidenti Klinton në fjalimin e së shtunës në radio.) Amerika nuk mund të ishte kurrë e sigurtë në qoftë se e ardhmja e Europes do të ishte e dyshimtë. Në këtë dekadë, konfliktet e dhunshme etnike në ish-Jugosllavi kanë kërcënuar stabilitetin dhe të ardhmen e Europës. Gjatë katër vjetëve, Bosnja u bë epiqendra e luftës më të përgjakshme gjatë këtij gjysmëshekulli në Europë. Por Bosnja na dha një mësim: po nuk e mposhtëm dhunën në këtë rajon të brishtë, ajo do të çojë në një dhunë edhe më të madhe, të cilën do të na duhet ta mposhtim me një kosto më të madhe. Këtë mësim duhet ta kemi parasysh edhe për Kosovën. Në vitin 1989 , Serbia i hoqi Kosovës autonominë. Një vit më parë, forcat serbe ndërmorën një shtypje të egër kundër shqiptarëve etnikë të Kosovës. Luftimet dhe mizoritë erdhën duke u intensifikuar dhe qindra-mijëra njerëz u shpërngulën nga shtëpitë e tyre. Në qoftë se konflikti vazhdon, ka shumë të ngjarë të shkaktohen humbje të jashtëzakonshme në jetë njerëzish, por edhe dyndje masive të refugjatëve në qendër të Europës. Ekziston një rrezik serioz që armiqësitë të shpërndahen në demokracitë e reja fqinje, në Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe të rindizet konflikti në Bosnjë. Ai mund të përfshijë madje edhe aleatët tanë të NATO-s, Greqinë dhe Turqinë. Koha për ta ndaluar luftën është pikërisht tani.
24 mars 1999. Ne do t’i japim fund tragjedisë.
(Fjalim i Presidentit Klinton, drejtuar kombit amerikan, për goditjet ajrore të NATO-s.) Sot Forcat tona të Armatosura, së bashku me aleatët tanë të NATO-s morën pjesë në goditjet ajrore kundër forcave serbe, të cilat janë përgjegjëse për brutalitetin e ushtruar në Kosovë. Ne po i ndërmarrim këto veprime për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga një ofensivë ushtarake në rritje. Ne po i marrim këto veprime për të asgjësuar një fuçi baruti në zemër të Europës, e cila më parë ka shpërthyer dy herë gjatë këtij shekulli, me pasoja katastrofike. Sonte do flas për tragjedinë në Kosovë, por edhe se pse është e rëndësishme për Amerikën që ne të punojmë së bashku me aleatët tanë për t’i dhënë fund tragjedisë. Kosova është një krahinë në mes të Evropës Juglindore, 160 milje në lindje të Italisë. Popullsia e saj përbëhet kryesisht nga shqiptarë etnikë, shumica myslimanë.Në vitin 1989, udhëheqësi i Serbisë, Sllobodan Millosheviç , po ai udhëheqës që, në dekadën e fundit, filloi luftrat në Bosnjë e Kroaci, të cilat shkaktuan një çerek milioni të vrarë dhe më shumë se 2 milion refugjatë dhe ndërmori veprime edhe kundër Sllovenisë, i hoqi Kosovës autonominë kushtetuese, që gëzonte populli i saj, duke i mohuar kështu të drejtën për të folur gjuhën e tij, për të pasur shkollat e tij, për të drejtuar jetën e tij të përditshme.Për vite me radhë , kosovarët kanë luftuar paqësisht për t’i rifituar të drejtat e tyre.Kur Presidenti Millosheviç dërgoi trupat dhe policinë për ta shtypur atë popull, lufta mori përmasa të dhunshme. Javën e kaluar udhëheqësit kosovarë e nënshkruan marrëëveshjen e Rambujesë. Edhe pse ajo nuk u jep atyre gjithçka që ata duan, edhe pse populli i tyre vazhdonte të masakrohej, ata e kuptuan se një paqe e drejtë është më e mirë se një luftë e gjatë dhe e pamundur për t’u fituar. Kurse udhëheqësit serbë nuk pranuan as të diskutonin disa elementë kyçe të marëveshjes. Ndërsa që kosovarët i thanë “po” marrëveshjes së paqes, Serbia vendosi 40 000 trupa dhe 300 tanke në Kosovë e përqark Kosovës, në përgatitje për një ofensivë më të madhe, në kundërshtim të hapur me zotimet që kishte bërë. Tani serbët kanë filluar të lëvizin nga një fshat në tjetrin, duke bombarduar civilët e duke u vënë zjarrin shtëpive në Kosovë. Ne kemi parë sesi ata marrin njerëz të pafajshëm nga shtëpitë e tyre duke i detyruar të ulen në gjunjë për tokë e duke i grirë me plumba, burra kosovarë që i marrin zvarrë duke i ndarë nga familjet, duke i vënë baballarët e djemtë në një radhë e duke i pushkatuar me gjakftohtësi. Kjo nuk është luftë në kuptimin tradicional. Ato janë sulme me tanke e artileri kundër njerëzve të pambrojtur, udhëheqsit e të cilëve tashmë e kanë dhënë miratimin e tyre për paqen. Dhënia fund e kësaj tragjedie është një imperativ moral.Ne duhet të veprojmë që, ajo që ndodhi në Bosnjë, të mos ndodhë edhe në Kosovë.
Gjatë muajve të fundit ne bëmë gjithçka që mund të bëhej për ta zgjidhur këtë problem paqësisht. Sekretarja Ollbrajt ka punuar pa u lodhur për arritjen e një marrëveshjeje me bisedime. Por zoti Millosheviç nuk pranoi. Të dielën, unë dërgova ambasadorin Hollbruk në Serbi për t’ia bërë edhe një herë të qartë në emër të Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve tanë të NATO-s, se ai duhet t’i respektojë angazhimet e veta dhe ta ndalojë represionin, përndryshe do të ndodhet përballë aksioneve ushtarake. Por ai përsëri nuk pranoi. Sot së bashku me 18 aleatët tanë të NATO-s, ramë dakord të bënim atë që kishim thënë, atë që duhet bërë për të rikthyer paqen.Të frenojmë një ofensivë edhe më të përgjakshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë dhe nëse është e nevojshme të dëmtojmë seriozisht aftësinë ushtarake të Serbisë, për të pamundësuar dëmtimin e njerëzve në Kosovë. Në këto çaste, vendosmëria jonë është e vetmja shpresë për njerzit e Kosovës, që ata të mund të jetojnë në vendin e tyre pa pasur frikë për jetën e tyre. Të mos harojmë : u kërkuam atyre që ta pranonin paqen dhe ata e bënë, u kërkuam të na premtonin se do t’i ulnin armët dhe ata ranë dakord. Kështu që tani nuk mund t’i lëmë të zhgënjyer. Tashmë forcat serbe kanë kryer inkursione plaçkitëse në Shqipëri, prej nga kosovarët kanë marrë mbështetje.
28 mars 1999. Do të ndalojmë barbarinë.
(Fjala e Presidentit Klinton përpara nisjes për në Camp David.) Të gjithë amerikanët duhet të jenë shumë krenarë për aftësinë dhe guximin e ushtarakëve amerikanë, që morën pjesë në operacionin e shpëtimit dje në Kosovë në misionin e NATO-s. Unë e mbështes fuqimisht vendimin e djeshëm të Sekretarit të Përgjithshëm, Solana, për të kaluar në një fazë të re të fushatës sonë të planifikuar ajrore. Gjatë 24 orëve të fundit, unë kam qënë në kontakt të ngushtë me aleatët kryesorë të NATO-s, përfshirë Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin D’Alema. Të gjithë ata ndajnë vendosmërinë që kemi edhe ne për t’iu përgjigjur fuqimisht fushatës së vazhduar të barbarisë e të dhunës nga ana e zotit Millosheviç kundër popullit shqiptar të Kosovës.
31 mars 1999. 50 milion USD shtesë për refugjatët kosovarë.
( Njoftim i Shtëpisë së Bardhë.) Presidenti Klinton ka autorizuar një shtesë prej 50 milion USD për të ndihmuar refugjatët e konfliktit të Kosovës, bëri të ditur Sekretari i Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Xhou Lokhard, në njoftimin për gazetarët. Paratë do të përdoren për furnizimin me çadra, ilaçe, mjete transporti e strehë për refugjatët, tha ai. Ky brutalitet i tmershëm që po ndodh në Kosovë nga forcat e Millosheviçit kundër shqiptarëve është përsëritje e asaj që ndodhi jo shumë kohë më parë në Bosnjë. Është vërtet një realitet i trishtuar që në prag të mijëvjeçarit të ri ka ende njerëz që çrrënjosin masivisht civilë të pafajshëm nga vatrat dhe shtëpitë e tyre dhe i vrasin në masë, tha Klinton.
5 prill 1999. Të vazhdojnë goditjet ajrore të pamëshirshme.
(Fragmente nga transkripti i Shtëpisë së Bardhë.)Dua të flas sot për disa momente mbi situatën në Kosovë.Fushata ajrore po vazhdon. Ne jemi duke goditur fuqishëm makinerinë serbe të dhunës, ndërkohë që po bëjmë përpjekje të kujdesshme që të minimizojmë dëmet tek njerzit e pafajshëm. Forcat serbe , në anën tjetër, vazhdojnë sulmet e tyre të vetëdijshme dhe sistematike kundër civilëve në Kosovë , të cilët nuk janë për asgjë tjetër fajtorë përveç se që janë shqiptarë. NATO-ja do ta vazhdojë fushatën ajrore. Ajo do të jetë e plotë, e vazhdueshme dhe e pamëshirshme. NATO-ja duhet të jetë e vendosur për t’i prerë naftën Millosheviçit. Ajo do t’i shkaktojë dëme të atilla, që ai të ndryshojë llogaritë e tij, Nato-ja do ti zvogëlojë aftësitë e tij për të mbajtur dhe imponuar kontrollin e tij mbi Kosovë. Sa i përket sulmeve ajrore ne jemi të përgatitur për rrugë të gjatë.Plani ynë është që të ngulim këmbë derisa të dalim fitues. Para se të fillonte ofensiva serbe, ne ndamë 36 500 tonë ushqime në rajon, e mjaftueshme që të ushqehen një gjysëm milioni njerëz për tre muaj.Ne jemi zotuar për 50 milionë dollare të tjerë, mbi 100 milionë dollare që ne i kemi siguruar para krizës aktuale. Gjithashtu, me urgjencën tonë, NATO-ja ka vënë në punë 11 000 trupa në Maqedoni për tu marrë me krizën humanitare. NATO është duke planifikuar që të vendosë disa mijra trupa në Shqipëri, jo vetëm për të siguruar ushqim, por edhe për të ofruar siguri për operacionet e ndihmave. Ne kemi filluar të dërgojmë 500 000 racione ditore për refugjatët në Shqipëri, i pari nga të cilët ka arritur në Tiranë dje. Qëllimi ynë imediat është që t’u sigurojmë ndihmë. Qëllimi ynë afatgjatë është t’u japim atyre të drejtën për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.
15 prill 1999. Në Kosovë vendoset e ardhmja e shekullit të ri.
(Fragmente nga komentet e Presidentit Bill Klinton drejtuar Shoqërisë Amerikane të Reporterëve të Gazetave lidhur me situatën në Kosovë.) Sot në Beograd gazetarët e pavarur persekutohen. Këtë javë u vra një redaktor i guximshëm.Ndërkohë shtypi i drejtuar nga qeveria i thotë popullit serb se ushtarët serbë nuk kryejnë mizori në Kosovë. Tragjedia në Kosovë është pasojë e një sulmi të parapërgatitur me kujdes dhe të menduar gjatë kundër një populli të tërë, thjesht për arsye të përkatësisë etnike e fetare të tij. Pikërisht këtë ka bërë Millosheviçi që kur filloi shpërbërja e Jugosllavisë në vitin 1989. Gjatë një dekade, ai është përpjekur të ndërtojë një Serbi të Madhe, duke përdorur forcën ushtarake. Këtë ka bërë ai në Kroaci, e në mënyrë të tmerrshme edhe në Bosnjë, dhe këtë po bën edhe tani në Kosovë. Vitin e kaluar ai dëboi qindra-mijëra njerëz nga shtëpitë e tyre në Kosovë, duke i detyruar të qëndronin nëpër male në kushtet e ngricës, tani është i vendosur ta kthejë Kosovën në një shkretëtirë pa jetë. Por është e rëndësishme të kujtojmë se ne nuk kemi asgjë me popullin serb, ai ishte aleati ynë në Luftën e Dytë Botërore, ai ka qënë shpesh aleati ynë. Në një kuptim, edhe ai është viktimë e tragjedisë. Ne, së bashku me aleatët tanë të NATO-s ndodhemi sot në Kosovë sepse duam të ndalojmë masakrën dhe spastrimin etnik, sepse duam të ndërtojmë një Europë të qëndrueshme, të bashkuar, të begatë, që të përfshijë Ballkanin dhe fqinjët e tij, pa urrejtje etnike, racore e fetare. Ne nuk mund të rrijmë e të bëjmë sehir se si qindra-mijëra njerëz trajtohen barbarisht, vriten, përdhunohen, dëbohen me forcë nga shtëpitë e tyre, se si shuhen historitë e familjeve të tyre në emër të krenarisë e të pastërtisë etnike. Sikur të kishim qëndruar mënjanë, barbaritë në Kosovë do të vazhdonin, shqiptarët kosovarë do të ktheheshin në një popull pa atdhe, në një barrë për vendet mikpritëse dhe një terren për luftra të pa fundme në Ballkan. Nato-ja, po se po, do të diskretitohej që bëri premtime që nuk i mbajti, vlerat dhe vizioni i saj për Evropën do të dëmtoheshin rëndë. Strategjia e z. Millosheviç është ndërtuar mbi synimin për të përfunduar spastrimin etnik e pastaj për të përçarë unitetin e NATO-s. Jemi të vendosur t’i vazhdojmë e t’i forcojmë sulmet derisa forcat e z.Millosheviç të largohen nga Kosova dhe refugjatët të kthehen nën mbrojtjen e një force ndërkombëtare ose derisa ushtria e tij të dobësohet deri në atë pikë sa ai të mos jetë në gjendje ta mbajë Kosovën si në darë. Ndërkohë veprimet e z. Millosheviç nuk e kanë shkatëruar qëndresën e armatosur të kosovarëve. Madje, numri dhe vendosmëria e tyre po rritet.
Ne ndodhemi në Kosovë sepse kujdesemi për të shpëtuar jetët e njerëzve, kujdesemi për natyrën e botës multietnike pas Luftës së Ftohtë. Kush do ta mbrojë të ardhmen e kësaj pjese të botës ? Kush do ta ofrojë modelin se si njerëzit që kanë dalë nga komunizmi të mund t’i zgjidhin problemet e tyre legjitime? Do të jetë ky Millosheviçi, me makinën e tij propagandistike dhe me gangsterët e tij paraushtarakë, që u thonë njerëzve të largohen nga vendi i tyre, nga historia dhe toka e tyre ose përndryshe do të vdesin.
28 prill 1999. Do ta ndalim tërbimin e Millosheviçit.
(Komentet e Presidentit Klinton mbi bisedimet për Kosovën me një delegacion të Kapitol Hillit, Shtëpia e Bardhë, Zyra e Sekretarit për Shtyp.) Koordinatori ynë për punën humanitare, Brajën Atud, i cili sapo është kthyer nga rajoni i Ballkanit na tregoi për një grua të moshuar shqiptare, të cilën e kishte takuar në një kamp jashtë Tiranës. Ajo kishte parë se si autoritetet serbe kishin mbledhur tok meshkujt e familjes së saj, së bashku me shumicën e burrave të fshatit, si i kishin lidhur, si u kishin hedhur vajguri e si u kishin vënë zjarrin përpara syve të familjeve të tyre. Kjo politikë e Milosheviçit duhet asgjësuar dhe do të asgjësohet. Ky ishte edhe mesazh i qartë i samitit të NATO-s. Çdo ditë fushata jonë ushtarake po i shkakton humbje të rënda makinerisë represive të Serbisë.
4 maj 1999. Do t’u kthejmë të drejtat shqiptarëve.
(Komentet e Presidentit Klinton përpara nisjes për në Gjermani.) Kërkesat e miratuara nga të gjithë aleatët përfshijnë tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e një force sigurie, bërthama e së cilës të përbëhet nga NATO-ja. Vetëm atëhere refugjatët do të kenë besim të kthehen, gjë për të cilën po punojmë. Vetëm atëhere UÇK-ja do të ketë nxitje të çmobilizohet.Me Kancelarin Shrëder do të shkoj në një qendër pranimi refugjatësh në Ingelhajm. Atje do të dëgjojmë dëshmitë e njerëzve që kanë ikur nga fushata e spastrimit në Kosovë. Do t’i sigurojmë ata edhe një herë për vendosmërinë e për qëndrimin tonë të patundur për t’i parë ata të kthehen në siguri dhe vetëqeverisje. Pikërisht kjo përbën thelbin e të gjitha përpjekjeve tona për Kosovën. Atyre duhet t’u krijohet mundësia të kthehen në vatrat e tyre të qetë e të sigurt. Kancelari Shrëder dhe unë e kuptojmë se ajo që iu kanë bërë juve, fëmijve tuaj e atdheut tuaj, nuk mund të zhbëhet. Por duhet ta dini se ju nuk jeni as të harruar , as të braktisur. Z. Millosheviç nuk mundi ta shuante identitetin tuaj nga faqet e historisë dhe nuk do të mundë të shfarosë praninë tuaj nga trualli i prindërve e i gjyshërve tuaj. Fushata jonë ajrore ka shkatëruar ose dëmtuar një të tretën e automjeteve të blinduara serbe në Kosovë, gjysmën e artilerisë së Serbisë, pajisjet e saj për të prodhuar municione, gjithë kapacitetin e saj për të rafinuar produkte nafte, e duke i shkaktuar edhe një dëm kolosal sektorëve të tjerë të ekonomisë. Megjithëse ka dëbuar me qindra-mijëra shqiptarë kosovarë nga shtëpitë e tyre, ai nuk e ka eliminuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Madje radhët e saj po shtohen dita ditës, ajo ka filluar të ndërmarë ofensiva kundër forcave serbe, të cilat fshihen skutave për t’u shpëtuar goditjeve ajrore të NATO-s.
27 maj 1999. Ju do të ktheheni ne Kosove dhe Miloshevicin e prêt Haga
(Radiomesazh per popullin e Kosoves dhe deklarata e presidentit Klinton mbi aktpadine e Miloshevicit me 27 maj 1999) Ju do te ktheheni ne shtepite tuaja ne Kosove dhe Kongresi yne sapo aprovoi 700 milion dollare, qe ju t’i beni balle nevojave dhe kerkesave tuaja kur te ktheheni ne shtepite tuaja.
E mirëpres vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte për të paditur Sllobodan Millosheviçin dhe katër udhëheqës të tjerë të rëndësishëm për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte. Kjo do t’i sigurojë viktimat e mizorive të Beogradit në Kosovë dhe do të pengojë krime të tjera në të ardhmen. U bëj thirje gjithë kombeve të mbështesin vendimin e gjykatës dhe të bashkëpunojnë me përpjekjet e saj në kërkim të drejtësisë. Ne do t’i vazhdojmë përpjekjet tona deri sa të arrijmë objektivat tona: refugjatët kosovarë duhet të jenë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre në siguri dhe vetëqeverisje, forcat serbe duhet të largohen nga Kosova dhe një forcë ndërkombëtare sigurie me NATO-n në krye duhet vendosur në Kosovë.
31 maj 1999. Kosova, vendi ku u trazua ndërgjegja jonë.
(Fragmente nga fjala e Presidentit Klinton, në kremtimin e ‘’Ditës së Përkujtimit’’.) Sot ne ndodhemi përpara një sfide të re në Kosovë. Ne të gjithë kemi parë me qindra-mijëra burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm të dëbuar nga shtëpitë e tyre, duke marrë rrugët, mijëra prej tyre teksa shtegtonin, viheshin nën shënjestrën e vdekjes. Kemi dëgjuar rrëfimet e tyre për përdhunime e shtypje, për plaçkitje, grabitje e akte barbare. Sllobodan Millosheviçi u bë bastioni i fundit kundër një Europe të lirë, të bashkuar e paqësore kur u hoqi kosovarëve brutalisht të drejtat e tyre për të qeverisur vetveten. Në Kosovë shikojmë disa ngjashmëri me ato të Luftës së Dytë botërore, pasi qeveria e Serbisë, sikundër edhe ajo e Gjermanisë naziste, u ngrit në pushtet, veç arsyeve të tjera, edhe ngaqë arriti t’i bënte njerëzit të përçmonin njerëzit e një race dhe etnie të caktuar , si dhe të besonin se ata nuk kishin vend në trojet e tyre, madje as të drejtën për të jetuar. Ne i themi ‘’jo’’ spastrimit etnik, ne i themi ‘’jo’’ kasaphanës së njerëzve, vrasjeve të tyre. Është e rëndësishme të dini se për mizoritë në Kosovë bota tha ‘’jo’’. Nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara, ose vetëm 18 aleatët tanë të NATO-s. Bashkë me to janë popujt e të gjitha kontinenteve, arabët e izraelitët, protestantët e katolikët, grekët e turqit, afrikanët, aziatikët e latino-amerikanët, që po dërgojnë ndihma në Kosovë. Sa na ka hije neve (amerikanëve) që iu kundërvumë fuqishëm spastrimit etnik.
10qershor 1999. Ne fituam.
(Fjalimi i Presidentit Klinton drejtuar kombit për Kosovën.) Bashkëkombasit e mi amerikanë, për herë të parë pas 79 ditëve, sonte hapësira qiellore në Jugosllavi është e qetë. Ushtria dhe policia serbe po tërhiqen nga Kosova. Një million burra, gra e fëmijë,të dëbuar nga trojet e tyre, po bëhen gati për t’u kthyer në shtëpi. Kërkesat e shtruara nga një Bashkësi Ndërkombëtare, e indinjuar dhe e bashkuar, u përmbushën. Unë mund t’i njoftoj popullit amerikan se fitoren e arritëm për një botë më të sigurtë, për vlerat demokratike dhe për një Amerikë më të fortë. Pilotët tanë janë kthyer nëpër baza. Sulmet ajrore u pezulluan. Agresioni kundër një populli të pafajshëm u frenua dhe po tërhiqet mbrapsht. Dhuna ndaj së cilës reaguam në Kosovë ishte kulmi i një fushate 10- vjeçare të ndërmarrë nga Sllobodan Millosheviçi, i cili për të krijuar një Serbi të Madhe shkaktoi vdekjen e më shumë se një çerek milioni njerëzve. Bota e pa me sytë e saj se pasojat e tmerrshme te kësaj fushate në Kroaci, Bosnjë dhe tani në Kosovë çuan në djegien e 500 fshatrave, vrasje e pushkatime dhe vdekjen e mijëra e mijëra djemve të rinj, burrave, grave , të moshuarve dhe fëmijve, që janë groposur në varre masive, mijëra gra e vajza të përdhunuara nga gangsterët e Millosheviçit, një popull i detyruar me dhunë për t’u larguar brenda disa orëve nga trojet e tyre. Kjo e tronditi ndërgjegjen tonë dhe vuri në provë vendosmërinë tonë. Z. Millosheviç, i kurdisi gjëra të tmerrshme popullit të Kosovës, por ne qemë të vendosur për ta zmbrapsur.
Jemi të kënaqur se gjatë fushatës ajrore të Natos ne nuk humbëm në luftime as edhe një ushtar të vetëm. Tani në Kosovë duhet të vendoset siguria, ku do dislokohen rreth 50 000 trupa nga afro 30 vende, nën komandën dhe kontrollin e NATO-s dhe në punën e tyre këto trupa do të zbatojnë rregullat e vendosura nga NATO-ja. Aleatët tanë europianë do të sigurojnë shumicën dërrmuese të tyre. Amerika do të kontribuojë me rreth 7000 trupa. Ndërkohë, Kombet e Bashkuara do të organizojnë një administrim civil si parapërgatitje për kohën kur kosovarët do të vetëqeverisen e do ta ruajnë rendin vetë, Nato-ja do tu japë pergjegjësi gjithnjë e më të mëdha, duke tërhequr ndërkohë forcat e saj.
21 qershor 1999. Ju i treguat botës se keni shpirt të madh.
(Deklarata e Presidentit Klinton drejtuar popullit të Shqipërisë.) Dëshiroj që në emër të popullit amerikan t’ju shpreh juve, popullit të Shqipërisë, mirënjohjen tonë për qëndrimin e guximshëm që mbajtët për paqen, tolerancën dhe lirinë në Europën Juglindore. Këtë pranverë, kur z. Millosheviç ndërmori fushatën e tij gjakatare të spastrimit etnik në Kosovë, asnjë vend tjetër nuk mbajti një peshë kaq të madhe sa Shqipëria dhe asnjë vend tjetër nuk bëri më shumë për të ndihmuar fitoren e humanizmit. Ju ua hapët qiellin tuaj avionëve të NATO-s, që i dhanë fund këtij makthi. Ju ua hapët portet dhe aeroportet tuaja trupave dhe punonjësve të ndihmave për refugjatët. Por më e rëndësishmja është se ju ua hapët shtëpitë dhe zemrat tuaja më shumë se 300 000 viktimave të spastrimit etnik, duke u dhënë strehë, ushqim dhe shpresë, megjithëse vendi juaj vazhdon të përballet me sfida të jashtëzakonshme. Historia do të regjistrojë se njëri prej akteve më të mëdha të barbarisë, që ka parë Europa në këtë shekull, u mund me ndihmën e një prej akteve më të mëdha të zemërgjerësisë që kemi parë ndonjëherë. Ne duhet të punojmë së bashku për t’i kthyer refugjatët kosovarë të sigurtë në shtëpitë e tyre. Gjatë muajve të fundit, admirimi i botës për Shqipërinë është rritur pa masë. Nëse do të qëndroni në rrugën që keni zgjedhur, ne do t’ju rrimë pranë.
22 qershor 1999. Këtë ditë do ta mbaj mend sa të jem gjallë.
(Fjala e Presidentit Klinton në kampin e refugjatëve në Stankovec.) Së pari, ne jemi të angazhuar jo vetëm për ta bërë të sigurtë Kosovën, por edhe për të ndihmuar njerëzit të rindërtojnë jetën e tyre, për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur, të bazuar mbi respektin ndaj të drejtave njerëzore të të gjithë njerëzve. E di se shumë njerëz mezi presin të kthehen në shtëpi. Por ju e dini se ka shumë mina në tokë, në rrugët brenda Kosovës dhe në shumë prej komuniteteve.Ne po dërgojmë njerëzit më të aftë në botë për t’i larguar këto mina.Kjo është një punë e vështirë, është një punë e rrezikshme. Unë dua që asnjë fëmijë të mos plagoset, nuk dua askënd tjetër të humbasë një këmbë apo një krah. Prandaj ju lutem të keni durim. Na jepni disa javë të tjera për të larguar minat, sepse ju do të jeni në gjendje të ktheheni në mënyrë të sigurtë. Dua të siguroj që të ktheheni të lumtur. Ju më keni dhënë mua dhe familjes sime një ditë që ne do ta mbajmë mend për sa të jemi gjallë.
23 nëntor 1999. Ne luftën, ju paqen.
(Fjala e Presidentit Klinton në Ferizaj gjatë vizitës në Kosovë.) Dua të filloj duke ju falënderuar për pritjen e mrekullueshme. Falënderoj Ramadanin për prezantimin e tij që më bëri. Falënderoj edhe Luljetën për prezantimin e saj po aq të mirë të Sekretares Ollbrajt, të cilën e di që e njihni, sepse e pritët aq mirë, ajo ishte avokatja më e fortë e qëndrimit që ne morëm në Kosovë. Dua të falënderoj të gjithë anëtarët e forcave tona të armatosura dhe aleatët tanë, të cilët po shërbejnë këtu me OKB-në dhe ata që ishin këtu më parë në fushatën e NATO-s. Dhe do të doja të prezantoja komandantin e të gjitha forcave tona të NATO-s, Gjeneralin Clark pwr çfarë ka bërë. Zoti Millosheviç donte të mbante Kosovën nën kontroll, duke ju eliminuar të gjithë ju dhe ne thamë, jo. Tani ai e ka humbur Kosovën dhe ju jeni kthyer. Ne i detyrohemi fëmijve në Kosovë një të ardhme më të mirë. Ju brohoritët për ne kur erdhëm sepse kur ju po shtypeshit ne ju qëndruam pranë. Dhe ne ushtruam fuqi ushtarake për të mundur agresionin e z. Millosheviç. Ne fituam luftën. Por dëgjoni : vetëm ju mund të fitoni paqen. E ardhmja për të cilën ne luftuam është t’i shohim fëmijët tuaj të qeshur, të lumtur dhe plot jetë. Populli amerikan ka qënë i nderuar të qëndrojë me ju dhe ne do qëndrojmë me ju në çdo hap të rrugës. Faleminderit dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve.