‘’Ligji duhet të shkulë veset, e të mbjell virtyte’’ (Cicreoni)
(Ibrahim Kadriu: VESE NË PESHOJË, roman, botoi KOHA, Prishtinë, 2024)
Fabula e romanit
Ukë Durmishin e godet një xhip duke kaluar rrugën në zebër dhe e lë të vdekur në vend. Shoferi ikën, e le xhipin në rrugë. Pas hetimeve të policisë, konstatohet se xhipi ishte marrë nga agjensioni ‘Renta car’. Por, agjensioni nuk kishte informata se kush ka qenë shoferi, pasi ai e kishte paguar çmimin e kishte marrë letërnjoftimin.
Njerëzit flitnin gjithfarë variantesh, gjoja se Uka i paska pasur një borxh shoferit dhe ai me qëllim e paska shkelur.
Në vorrimin e Ukës kishin marrë pjesë shumë njerëz, edhe asi të cilët Uka i urrente si njerëz të korruptuar, të cilët e kishin kapur shtetin, gjoja për merita të luftës, ndonëse shumë sish kurrë armë në dorë nuk kishte pasur! Një shoku i Ukës e lexoi fjalimin mortor, në të cilin shprehi mllefin që kishte pasur Uka sa ishte gjallë, për padrejtësitë, korrupsionin, uzurpimet e pronave shoqërore, sjelljet idioteske dhe që të gjitha këto mbetën pa ndëshkuar.
Uka kishte lënë pas vetes gruan Edliren dhe djalin njëzetvjeçar Murrlanin. Ata nuk e dinin kush e kishte përplasur Ukën me automjet. As policia nuk e dinte.
Ndërkaq, fajtori (Zeqir Gola), djali i tregtarit të madh, katër muaj nuk kishte dalë prej shtëpie. Vetmia e shkatërronte. Një natë e kishte shkruar një letër të cilën e kishte dërgua me dorë në adresën e familjes së viktimës. Në letër iu tregon se ky ishte fajtori dhe iu shpreh ngushëllime e kërkon falje.
Edlira kishte një shoqe të ngushtë, Vjollcën, së cilës ia kishin vrarë burrin forcat serbe në vitin 1999. Vjollca kishte një djalë (Endriti), i cili po studjonte arkeologjinë në Lion të Francës, dhe një vajzë (Noren) e martuar në Lushnje për një kosovar, i cili merrej me narkotikë dhe me prostitucion, ku thoshin se e kishte futur edhe Noren. Me qenë se burrin e Norës e kishte dënuar një gjykatë italiane me 10 vjet burgim, Nora kishte shkëputë martesën dhe ishte kthyer në shtëpi të prindërve.
Hajdar Goli, tregtari më i madh në qytet, e kishte ndihmuar Endritin të studjonte jashtë vendit, jo pa sherr, meqë shpesh e vizitonte Vjollcën.
Tregtari (Hajdar Goli) kishte vetëm një djalë 19 vjeçar (Zeqiri, Ziki), ndërsa gruaja i kishte vdekur në një aksident komunikacioni, kur edhe vet ishte lënduar.
Hajdar Gola kishte raporte të shkëlqyera me kryetarin partisë dhe të pushtetit, të cilit ia plotësonte të gjitha kërkesat, për të siguruar favore në zgjerimin e tregtisë, duke hapur vetëshërbime në vendet më të mira të qytetit. Ai flirtonte me një grua të martuar (Dritën), e cila ishte aktiviste e Partisë. Në një rast të thirrjes në telefon, burri i Dritës, Zymber Duraku, merr vesh për takimin e Dritës me Hajdarin, në zyret e Partisë së Ecjes Përpara. Merr revolen dhe shkon për t’i vrarë të dy, por ndërhyn kryetari dhe e bindë Zymberin të ndahet prej gruas, me kusht që Hajdari t’ia sigurojë Dritës një banesë. Drita kërkonte të bashkëjetonte me Hajdarin në shtëpinë e tij, ndërsa banesën ta lëshonte me qëra. Hajdari nuk e dëshironte këtë variantë, derisa një ditë e kishte bindur (detyruar) kryetari që ta pranonte.
Hajdar Gola në biseda me kryetarin për zgjidhjen e problemit të Zikit, merren vesh që atij t’i sigurohet një diplomë nga universitetet private dhe të dërgohet në detyrën e konsullit në një shtet të vogël Zenzidan. Për këtë të mirë që po i bënte, kryetari kërkon nga tregtari t’ia ndërtojë një vilë të bukur në Malin e Pishave, larg syve të njerëzve, për mysafirët (zyrtarë e privat) dhe ndonjë mikeshë.
Në atë vend që kishte pikasë kryetari për vilën e tij, që prej dy vjetësh ishte një bari (Selim Daja) me kopenë e deleve, krejtësisht i izoluar nga takimi me njerëz, sa gati e harroi të folurit, pasi ‘bisedonte’’ vetëm me qenin e tij të sharrit. Duke ndejur vetëm me delet, gati i mori tiparet e dashit, apo të fillonte të blegërinte si delet. Historia e atij bariu ishte interesante. Në fshatin ku kishte jetuar më parë, një mbrëmje kur ishte kthyer prej mali, e kishte gjetur në shtrat Kapadaiun e fshatit me gruan e tij, dhe që të dy i kishte prerë sakicë, e kishte djegur shtëpinë e vet dhe kishte ikur. Fshatarët mendonin se shtëpia u është djegur kur këta ishin fjetur, prandaj eshtrat e gruas dhe të atij kapadaiut i vorrosin në një varr të përbashkët, ku i shkruajnë në tabelë emrat: Selim dhe Sofije Daja.
Tregatari Gola me arkitektin, pas bisedës me kryetarin, shkojnë dhe e bindin bariun që ai t’i shet delet, e këta do t’ia siguronin një banesë sociale në qytet dhe punën e rojtarit në vetëshërbimin e tregtarit Gola. Bariu bindet dhe pranon propozimin, vjen në qytet dhe vendoset në banesë, punësohet, ndërrohet bëhet tjetër njeri.
Selim Daja kurrë nuk e tregoi historinë e tij të vërtetë, por kishte trilluar se quhej Zef Lugu, që vinte nga Mirdita e Shqipërisë, prej nga kishte ikur, gjoja se burrat e fisit e kishin caktuar që ky ta vriste një njeri për të marrë hak. Me qenë se nuk kishte asnjë dokument identifikimi, kryetari përmes administratës i siguroi dokumentin e identifikimit: Zef Lugu, nga Mirdita, i ikur për shkak gjakmarrje!
Në vendkullosen e kopesë së Zef Lugut, tregtari Gola e ndërtoi vilën e bukur për kryetarin..
Kështu, në bazë të interesave reciproke midis tregtarit Gola dhe kryetarit, u zgjidh problemi i vendosjes së Dritës në shtëpinë e tregtarit; Ziki u përcoll për konsull në Zenzidan; kryetarit iu ndërtua vila larg syve të njerëzve; bariut Selim Daja, as.Zef Lugu iu sigurua banesë sociale dhe puna në vetëshërbimin e tregtarit. Po në atë vetëshërbim iu sigurua puna edhe Norës, shitëse e tekstilit, e cila u martua me bariun Zef Lugu.
Një natë Zefi shkoi në ish-fshatin e tij, e gjeti vorrin e gruas, dhe nga tabela fshiu emrin e vet (Selim Daja) dhe shkroi: Kapadiu i fshatit!
***
Kjo është fabula e romanit më të ri të shkrimtarit Ibrahim Kadriu, titulluar: VESE NË PESHOJË. Dhe nuk është romani i vetëm i këtij shkrimtari kundër veseve ‘tona’, sepse pothuajse në të gjitha veprat e tij ai i damkos veset, ndërsa në një mënyrë të veçantë, humoristike këtë e bënë në romanin NJËMIJË E NJË NET TONA.
Në romanin ‘Veset në peshojë’, në kontekst të ngjarjeve dhe personazheve të trilluara, përmend vese të shumta që kanë kapluar dhe po e brejnë shoqërinë, si: mito me të cilën të hapen dyertë (fq.21); blerja e votave për njerëzit që i duhen partisë (25); blerja e diplomave të fakultetit (34); emërtimi në pozita (konsull, 37); plotësimi hireve dhe kërkesave të udhëheqësve edhe në uzurpimin e pronave shoqërore, në emër të meritave të luftës (si vila e kryetarit, 40); mania e përuljes para udhëheqësve (48); lidhjet e njerëzve të pushtetit dhe politikës me njerëzit e pasur (49); apatia e fëmijëve të njerëzve të pasur, pa inisiativa të veta, por që presin prindët t’u hapin rrugë duke u blerë diploma e siguruar pozita (72-74); sigurimi i dokumenteve të rrejshme të identifikimit (76); koka të rruara që vizllojnë si prapanica (79); mendjemadhësia e udhëheqëve të partive e të pushtetit (98); servilizmi dhe duartrokitja e njerëzve edhe për veprime të gabuara të udhëheqësve (99); droga dhe prostitucioni (100); gënjeshtrat dhe thashethemet (105), etj. Një nga veset më të rënda është atakimi në moralin personal apo atë familjar, nga kushdo e me çfarëdo shkaku a motivi që bëhet.
Përvijimet fabulative të romanit ‘Veset në peshojë’ lidhen me personazhet kryesore të trilluara: Ziki, Hajdar Gola, Kryetari, bariu, po edhe me personazhe tjera dytësore.
Romani nuk është ndarë në kapituj e tituj të veçantë, por në tablo të veçanta të ngjarjeve e personazheve, dhe ato tablo përvijohen e ndërthuren mirë njena me tjetrën në kompozicionin e tërësishëm të romanit, si bie fjala gjendja psikologjike dhe situata e Zikit, apo ndryshimet jetësore dhe identitare të bariut, portretizimi i kryetarit të pangopshëm me kërkesat e tij i zhytur thellë në sistemin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës, pastaj psikologjia e tregtarit që shtrinte qafën dhe plotësonte kërkesat e kryetarit për favoret që ky i jepte në zhvillimin e tregtisë, etj.
Në pjesë të caktuara romani zhvillohet me dialogje, ndërsa emrat e personazheve kryesisht janë të trilluara, kurse emrat e vendeve disa janë reale e disa të trilluara. Në roman shtjellohet edhe komponenti i ëndrrave të personazheve, dhe një dozë humori e sarkazme.
Autori është njohës i mirë i realitetit shoqëror dhe veseve individuale e shoqërore: korrupsionit, keqpërdorimit të pozitës zyrtare e statusore, cenimit të moralit individual e shoqëror, deformimeve në arsim, kulturë dhe në segmente tjera. Ai nuk e ka autoritetin as fuqinë për nxjerrjen dhe zbatimin e ligjeve për shkuljen e veseve, siç porositë Ciceroni, por e ka penën e mprehtë dhe fuqinë morale të intelektualit për t’i fshikulluar e luftuar ato përmes veprave të tij të shumta letrare.
Dhe për fund, pak fjalë për biografinë e autorit. Ibrahim Kadriu u lind në vitin 1945, në Zhegër të Gjilanit. Studimet universitare i ka krye në Prishtinë, ku edhe ka punuar gazetar dhe redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën Rilindja dhe në ‘Zëri’. Ka më se 80 vepra të botuara e ribotuara, të zhanreve të ndryshme, disa prej tyre të përkthyera në më se dhjetë gjuhë të hueja. Për krijimtarinë e tij është nderuar me shumë çmime letrare kombëtare e ndërkombëtare.