Ahmet Qeriqi: Bisedën e filluar në Negroc e vazhdojmë në Kleçkë (E shtunë 11 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Bisedën e filluar në Negroc e vazhdojmë në Kleçkë (E shtunë 11 korrik, 1998)

Po thuajse tërë natën nuk kemi fjetur. Ndihemi të lodhur e të dërrmuar. Pasi kemi ngrënë bukë, Agroni me veturën ushtarake na përcjellë në Kleçkë. Rruga si zakonisht përplot me pluhur dhe me gropa. Tek tuk tutje kah Dukagjini dëgjohen shpërthime. Gjëmimet e topave dëgjohen edhe në Drenicë. Nga Rrafshnalta mund të përcillen lëvizjet e forcave armike në shumë drejtime.

Kijevën e mbajnë nën rrethim forcat tona. Postblloku serb i Komaranit ka vetëm një lidhje me Prishtinën. Edhe forcat serbe në Gllogoc janë nën rrethim. Forcat policore e ushtarake nuk arrijnë të depërtojnë nëpër Carralevë as nëpër Grykën e Llapushnikut. Në shumë vende në Anadrin dhe në Dukagjin janë ndërprerë lidhjet komunikuese të forcave armike.

Burimet e huaja të lajmeve paralajmërojnë një ofensivë të përgjithshme të forcave ushtarake e policore jugosllave. Duket se për një ndërmarrje të tillë, krerët ushtarakë e politikë serbë do të konsultohen me instanca të tjera në Evropë. Diçka po përgatitet, por askush nuk është në gjendje të japë prognoza të sakta.

Në mesditë kemi hyrë në një shtëpi në skajin verior të Kleqkës, në të cilën qëndron Jakupi dhe disa oficerë të UÇK-së.

Pa humbur kohë kemi filluar të diskutojmë lidhur me organizimin e Drejtorisë Civile në nivel të Kosovës. Meqë është fjala për një punë me përgjegjësi, kam propozuar që fillimisht të caktojmë një grup kuadrosh të aftë, të cilët edhe e njohin natyrën e punës. Kam propozuar veç tjerësh Kadri Kryeziun nga Prizreni dhe  Fehmi Mujotën nge Mallapolci, i cili aktualisht vepron në zonat e luftës së bashku  me Ruzhdi Jasharin.

Ramë Buja ka përgatitur një projekt teknik të organizimit, mirëpo edhe ai është bindur që të presim deri sa të tubohen edhe kuadro të tjerë, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje në nivel më të gjerë. Unë, nga ana ime kam shfaqë interesim për punë në institucioneve informative, të cilat nuk janë në nivel të zhvillimeve. Jakupi, më bën me dije se nga Kumanova në drejtim të Qiqavisë ushtarët tanë po bëjnë përpjekje për ta sjellë teknikën dhe pajisjet e tjera për  radiostacion, mirëpo ende nuk ka të dhëna të sakta, se a ka arritur apo jo teknika në zonat që i mbanë nën kontroll UÇK-ja.

Ende pa mbaruar bisedën na bëjnë me dije se ka ardhur Hilmi Ramadani, i cili na viziton shpesh dhe qysh moti është vënë në shërbim të UÇK-së.

Pas një qëndrimi të shkurtë, meqë Jakupin e presin disa oficerë për të biseduar, në mesin e tyre thuhet se qenka edhe një legjionar japonez, ne përshëndetemi.

Agroni, djali i vëllait të Jakupit, mua Ramën dhe Hilmiun na përcjellë me  veturë deri në Krojmir. Hilmiu ka ardhur me qëllim që të përgatiten kushtet për të vepruar ushtarakisht edhe në anën e Gjilanit. Ai ka propozuar disa të rinj për të cilët mendon që fillimisht të arrijnë në Krojmir e pastaj të shkojnë në Shqipëri për të sjellë armatim.

Ramë Buja me krejt anëtarët e familjes së tij të gjerë është vendosur në Krojmir. Edhe pse kryesia e partisë se re  të quajtur LRDK, e ka zgjedhë në Kryesi, Rama ka deklaruar publikisht, se i është bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare, dhe tani për tani është vetëm luftëtar i lirisë.

Vendimi i tij ka bërë përshtypje te të gjithë intelektualët liridashës. Ditë e më tepër radhëve tona po u bashkohen edhe shumë intelektualë. UÇK-ja po rritet e po përforcohet. Radhët e saj po shtohen me shpejtësi marramendëse. Krejt kjo më bën një përshtypje të jashtëzakonshme, edhe pse jam tejet i bindur se nuk  arrijmë t`i  përballojmë të gjitha sfidat me të cilat po ballafaqohemi.

Ngjarjet po zhvillohen me shpejtësi të rrufeshme. Ato po na prijnë dhe shpeshherë në eufori disa nisma po marrin drejtime të papërcaktuara. Kam përshtypje se diçka po na shkel, po na shtypë, po na shtrydhë, meqë nuk arrijmë t i bëjmë zap zhvillimet e sidomos zhvendosjen e popullatës e cila tanimë është pesëfishuar në 20 fshatrat e kësaj pjese të Drenicës.

Lëvizjet e ushtarëve nga një zonë në tjetrën, presionin që po e ushtrojnë sidomos të rinjtë që janë regjistruar dhe presin për të shkuar në Shqipëri për t u armatosur,vajtje ardhjet e pakontrolluara, edhe pse në çdo hyrje të fshatrave kemi vendor pika kontrolli dhe përgjithësisht detyra kryhet me përgjegjësi,e bëjnë situatën tejet konfuze.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …