Rizah Sheqiri: Përmbledhja e Shefqet Dibranit, “Vëzhgime letrare mbi poezinë e sotme shqipe 3”, është libër me shumë vlera

Përmbledhja më e re autorit  Shefqet Dibrani “Vëzhgime letrare  mbi poezinë e sotme shqipe 3”,  është një libër me vështrime  kritike i shkruar me përkushtim e  dashuri për librat me poezi të  shumë autorëve shqiptarë  gjithandej trojeve shqiptare dhe  në mërgatë.

Shefqet Dibrani, përveç si poet dhe  publicist, ka arritur me krijuar  profilin e tij edhe si studiues e  kritik letrar. Ai më mirë se kushdo  tjetër i ka bërë një studim të  veçantë romanit “MALËSORJA” të  shkrimtarit nga më të shquarit në  letërsinë bashkkohore shqipe  Nazmi Rrahmani, në dy vëllime  voluminoze: “MALËSORJA,  romani monumental i Kosvës” dhe  “KARAKTERI dhe ARKETIPI në  romanin “MALËSORJA” të Nazmi  Rrahmanit”.

 Përveç këtij studimi, autori më herët ka botuar vëllimin me kritika  letrare “Libra dhe mbresa”, në të cilin janë përfshirë 130 shkrime për libra e periodik  shqiptarë. Poashtu ka botuar një tjetër vëllim “SHOSHITJE LETRARE”, studime dhe  kritikë letrare për libra dhe autorë nga Kosova Lindore, pastaj librin “ARTI I  KRITIKËS”, bashkautor me Musa Jupollin, si dhe ka përgatitur librat për  krijimtarinë letrare të Musa Jupollit dhe të Arif Molliqit.

Shefqet Dibrani, viteve të fundit kryesisht është marrë me kritikë dhe studime  letrare rreth poezisë së sotme shqipe. Si rezultat i kësaj pune përkushtuese kohë më  parë botoi edhe vëllimin e tretë “VËZHGIME LETRARE MBI POEZINË E SOTME  SHQIPE 3”, duke e profilizuar edhe më tej angazhimin e tij në fushën e kritikës  etrare.

Ky libër është vazhdimësi e serisë së librave të kësaj natyre me vështrime dhe  kritikë letrare për poezinë shqipe. Autoret dhe autorët e trajtuar në këtë përmbledhje  kryesisht janë poetë e poetesha, krijimtarinë e tyre Sh. Dibrani e ka përcjellur me  përkushtim duke mbuluar edhe hapësirën shqiptare dhe ata në mërgim, duke i  përfshirë edhe disa nga emrat e poetëve arbëreshë në Itali. Gjithësesi ky libër me  studime, përshtypje e kritika letrare, i respekton autoret dhe autorët dhe krijimtarinë  e tyre poetike në përgjithësi.

Në vëllimin “VËZHGIME LETRARE MBI POEZINË E SOTME SHQIPE 3” janë  trajtuar veprat poetike të këtyre autorëve: Rozi Theohari, Gjekë Marinaj, Sabit Rrustemi, Erina Rrahmani, Ibrahim Kadriu, Rizah Sheqiri, Prend Buzhala, Sevdije  Rexhepi, Musa Jupolli & Mentor Thaqi, Fatmir Terziu, Ajete Pavataj, Baki Ymeri,  Mirela Sula, Isak Ahmeti, Giuseppe Schirò Di Maggio, Shpend Sollaku Noé, Mario  Bellizzi, Miradije Ramiqi, Xheladin Mjeku, Izet Abdyli, Nerxhivane Sejdiu-Ferati,  Vasil Tabaku, Skënder Sherifi, Lekë Mrijaj, Avni Çunaku, Vera Istrefaj, Arben Çokaj,  Shqipe Hasani, Dardan Berisha, Gani Qarri, Nehat Jahiu, Sylë Bajrami dhe Avni  Neziri.

Të gjitha shkrimet kritike të përfshira në vëllimin “VËZHGIME LETRARE MBI  POEZINË E SOTME SHQIPE 3”, padyshim paraqesin një pasqyrë reale të zhvillimit  të poezisë dhe të vetë autorëve të trajtuar. Këtë e ka thënë edhe vet autori në  parathënie të librit ku shprehet se qasjet “kritike e studimore, janë bërë me seriozitetin e  të mundshmes, i vetëdijshëm se asnjë vlerësim kritik nuk arrin për t’i shtjelluar të gjitha

vlerat që i posedon vepra e caktuar letrare, prandaj edhe këto përpjekje, sado profesionale,  duhet të kuptohen si vrojtime e këndvështrime personale”.

Pra, përmbledhja më e re me kritikë letrare e autorit Shefqet Dibrani  “VËZHGIME LETRARE MBI POEZINË E SOTME SHQIPE 3”, është një libër i  shkruar me pasion, me dashuri dhe me mjeshtri nga një kritik e vrojtues tashmë i  rryer i vlerave letrare e poetike.

Në këtë përmbledhje në mënyrë të thukët trajtohen shumë autore e autorë dhe  përmbledhjet e tyre me poezi. Ky libër jo vetëm do t’i kënaqë lexuesit e rëndomtë që  e duan vëshrimin letrar, por gjithësesi ky libër me përmbajtjen e pasur do t’i ndihmoj  shumë studiuesit e sotëm dhe ata të ardhshëm të poezisë sonë duke evidentuar e  trajtuar me kompetencë gjithë ato vlera letrare e poetike që krijohen jo vetëm në  trojet e të folmes së gjuhës shqipe por gjithandej në botë nga poete e poetë shqiptarë  të cilët me krijimet e tyre padyshim e pasurojnë poezinë tonë në përgjithësi.  Libri ka 310 faqe dhe është botim i Shtëpisë Botuese “Faik Konica”, në Prishtinë  2024.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …