Në një konferencë për medie nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, thuhet se numri i të burgosurve që janë arratisur, larguar dhe nuk janë kthyer nga vikendi në Institucionet Korrektuese të Kosovës, në periudhën kohore nga viti 2007 deri më tani janë 57. 27 prej tyre nuk janë kthyer nga vikendi, 12 të tjerë janë larguar, derisa të tjerët janë arratisur në mënyra të ndryshme. Duke iu referuar rasteve të fundit të arratisjeve nga burgu të Faton Hajrizit dhe të burgosurit tjetër, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu u arsyetua se këto ikje kanë ndodhur si shkak masave jo të larta të sigurisë në Institucionet Korrektuese, pasi ata kanë qenë në tipe të hapura. Ai tha se të burgosurit që mbajnë dënimet në llojin e tipeve të hapura të institucioneve, e kanë më të lehtë të shfrytëzojnë mundësinë për tu arratisur.