leoni

Bashkimi Demokratik për Integrim dje në Gostivar mbajti një mbledhje në përbërje të gjerë të strukturave të partisë

Bashkimi Demokratik për Integrim dje në Gostivar mbajti një mbledhje në përbërje të gjerë të strukturave të partisë.
Në këtë mbledhje, të ftuar nga kryetari Ali Ahmeti, morën pjesë anëtarë të Kryesisë Qendrore, të Këshillit të Përgjithshëm, të degëve, të këshillave vendorë, të Këshillit Kombëtar, të Forumit Rinor dhe të të gjitha organeve tjera partiake.  Kreu Ali Ahmeti para pjesëmarrësve tha se do të nisin tubimet në çdo lagje, degë dhe do të dalin para institucioneve për të shprehur pakënaqësitë për, siç u shpreh, vjedhjen e legjitimitetit.  Ai ka njoftuar edhe për atë se BDI-ja ka angazhuar autorin e Marrëveshjes së Ohrit, për të hartuar platformën e legjitimitetit. Ai tha se partitë politike maqedonase së bashku me oligarkët, kanë thurur plane të ndryshme për ta zhdukur dhe varrosur BDI-në, por nuk ia dolën. Sepse, sipas tij, BDI-ja gjithnjë ka dalë fitimtare.
Fjalimi i plotë:
Të nderuar vëllezër dhe motra, Këshill i Përgjithshëm, Kryesi, doja t’ju përgëzoj dhe uroj për fitoret e njëpasnjëshme për 22 vite me radhë dhe kapërcimin e fitoreve në çerek shekullin e parë, pa asnjë humbje të BDI-së.
 Mbledhja është thirrur në situatë të jashtëzakonshme mbi zhvillimet në vend dhe për orientimet që duhet marrë se ç’duhet bërë të nesërmen.
Nuk jemi butak të pagjak, kurrizin nuk e kemi përkulur në asnjë situatë, se nuk na lejon as origjina e as AND-ja historike prej nga vijmë. Si ndodhi kjo situatë në të cilin ndodhemi, ka parapërgatitje të jashtëzakonshme nga forca politike që nuk kanë dashur që shqiptarët t’i shohin në hap të mbarë dhe përgjegjësive që kanë për shtetin dhe marrëveshjet si ato kombëtare edhe ato ndërkombëtare.
 U bënë sa e sa takime të përfaqësuesve politikë të origjinës maqedonase me oligarkë se shtetin po e marrin shqiptarët dhe po rrëshqet në duar të shqiptarëve.
U bënë plane e organizime, që të gjitha i demaskuam me fakte dhe argument se nuk kanë të drejtë dhe nuk i bën mirë shtetit ky organizim dhe frikësim që ata ua bëjnë qytetarëve të vet se shqiptarët po na e marrin shtetin.
Ne kemi bërë punën tonë me përgjegjësi, kemi drejtuar institucione, me përgjegjësi kemi bërë hapat e duhur në drejtim të avancimit të proceseve, por gjërat nuk janë ndalë këtu. E keqja e këtij vendi(sipas tyre) është BDI-ja dhe këta duhet të varrosen, sepse po na e marrin shtetin. Janë bërë plane në të gjitha drejtimet dhe kanë plasuar në të gjitha mediat se si ta rrënojnë BDI-në, por nuk ja arritën.
Përsëri BDI-ja doli fitimtar me aleatët me Frontin Europian. Çdo plan tjetër do jetë i pasuksesshëm, sepse ne jemi përfaqësues të vërtetë dhe legjitimë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera të vogla, të cilat në saje të luftës së UÇK-së ndryshuam statusin politiko-juridik. Këto gjetën një rrugë, gjithkund ka vazalë, çdo popull ka vazalë dhe puthadorë, por ata nuk janë përfaqësues dhe nuk përfaqësojnë popullin.
Puna jonë është që t’i bindim se e kanë keq, të punojmë t’i bindim njerëzit që kanë votuar gjoja se për ndryshim, po çfarë ndryshimi mund të bëjnë ata të cilët nuk kanë as kapacitet as njohuri, e as vizion por janë ngjitur për interesa të ngushta grupore parciale, për të rregulluar statusin e një grupi të caktuar.
 Kuptohet që pjesa më e madhe e shqiptarëve e ka hetuar dhe ua ka kthyer shpinën, duhet të vazhdojmë të punojmë me të gjitha ata që kanë mos njohuri për zhvillimet, ti bindim në rrugë të drejtë dhe të paraqesim politikat tona mbi legjitimitetin. Partia e parë maqedone, nuk e ka lexuar ose ka lexuar sipas dëshirave të veta Marrëveshjen e Ohrit, ajo nuk lexohet sipas dëshirave, ajo ka luftuar dhe lufton majorizimin, promovon politikat e drejta mbi avancimin e komuniteteve të cilat ishin të majorizuara dhe margjinalizuara, ku udhëheqësin ua zgjidhnin të tjerët.
Nuk e kontestojmë legjitimitetin e VMRO-së, por kjo qeveri nuk ka legjitimitet etnik. Është e destinuar të dështojë në realizim të programeve që kanë shpallur ata.
Të shpallësh pakënaqësi me komunitetin shqiptar, nuk është kollaj, është komunitet që nuk i është dorëzuar as federatës jugosllave e jo më një grushti të vogël shtetëror. Kemi obligim të ruajmë marrëdhëniet në mes komuniteteve. Ruajtja e marrëdhënieve don të thotë përparim i shtetit për të gjithë ne.
Postulat i Samitit të NATO-s ishte se bota po përballet me mjedisin më të rrezikshëm në fushën e sigurisë që nga lufta e ftohtë.
Duhet ta kenë në dijeni politikanët dhe sahanlëpirësit, sepse ata nuk dijnë as nuk kanë ide se si punohet, jo vetëm për avancim të stabilitetit në vendin tonë, por edhe në rajon e Evropë, sepse edhe Evropa është e rrezikuar nga ajo pjesë që ka bërë okupim klasik të Ukrainës dhe po përgatitet për okupime të reja drejt kufijve të BE-së, drejt shteteve balltike.
Këta që kanë pranuar të jenë të nënshtruar dhe të nënshtruar me bindje dhe lajmeve që do të nxjerrin ndonjë përfitim, nuk u bën mirë kjo, sepse gjërat mbeten të shkruara dhe historia gjërat e këqija i ka mbajtur mend dhe shënuar.
Nuk bën që kanë bërë këtë hap dhe që thirren se kanë mbështetjen e shqiptarëve. Çka duhet të bëjmë, para nesh kemi situate tepër të rëndësishme që ne me kujdes jemi duke përpunuar dhe realizuar.
Kemi bërë takim me hartuesin e Marrëveshjes së Ohrit, ekipet tona janë duke punuar që ne të paraqesim një ligj mbi ndryshimin që duhet të ndodhë në vend për t’u mbrojtur edhe në rrugë ligjore, sepse nuk dijnë ta lexojnë Marrëveshjen e Ohrit, sepse legjitimiteti sanksionohet në marrëveshje.
Ky ndryshim, ligj është për ata që nuk dijnë të lexojnë dhe s’dijnë shqip, është duke u përpunuar dhe do të nxirret në diskutim që nga këshillat vendorë dhe gjithandej në BDI.
Duhet mbajtur takime, kur të merrni direktiva për mbledhje e takime nga këshillat vendore deri para institucioneve, për të shprehur pakënaqësinë tonë, si para Palamentit, ashtu dhe para Qeverisë. Kjo do të fillojë kur të merrni instruksione.
Organet e partisë, të gjitha këto materiale do ua përcjellin institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, duke arsyetuar legjitimitetin dhe iniciativën edhe në përkrahje dhe konsulta që kemi bërë me Frontin që edhe ata janë në mbështetje për ta sanksionuar edhe me kushtetutë legjitimitetin e fituesit në këto hapësira. Çdo fjalor, i madh e i vogël, e shpjegon të panënshtrueshmin. Kemi qenë në beteja, në luftë, beteja politikë dhe diplomaci, jemi të panënshtrueshëm edhe në hapat që do t’i marrin për ta kthyer legjitimitetin.
 Grupi parlamentar të marrë iniciativë dhe të ringritë iniciativën për veting të politikanëve dhe ligjbërësve në të gjitha institucionet e shtetit.
Para nesh ka shumë punë por ne të panënshtrueshëm që kemi qenë, të pa epur do jemi deri në fitoren e plotë.” tha Ahmeti në fjalimin e tij në Mbledhjen e Përgjithshme të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …