leoni

Ahmet Qeriqi: Përforcime të reja të forcave serbe përreth Blinajës (E enjte 16 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përforcime të reja të forcave serbe përreth Blinajës (E enjte 16 korrik, 1998)

Vëzhguesit tanë në pikat strategjike përreth Blinajës, kanë bërë të ditur se forcave serbe në Lipjan dhe në Magurë iu kanë arritur përforcime të shumta policore e ushtarake. Serbët kanë stacionuar forcat e tyre në një postbllok të ri në hyrje të fshatit Vërshec. Si duket ata po bëjnë përgatitje intensive për të intervenuar në Blinajë, të cilën e kanë nën kontroll forcat tona çlirimtare. Sipas një burimi të sigurt, bëhet e ditur se zyrtarët lokalë serbë, kanë marrë në bisedë njëfarë Muhamet Shabanin, ish partiak dhe nxënës i Shkollës së Kumrovcit, me të cilin kanë biseduar për formimin e një strukture të përbashkët udhëheqëse, me qëllim që edhe shqiptarët t`i kundërvihen depërtimit të forcave të UÇK-së, apo “forcave terroriste”, sikur na quajnë ata. Ka gjasa se ky farë pakurrizori titoist të jetë pajtuar me serbët dhe sigurisht se atyre u ka dhënë edhe informacione për lëvizjet e ushtarëve tanë nëpër Blinajë. Ndoshta është edhe informatë e manipuluar.

Në krye të policisë lokale në Magurë është Gjura Tanaskoviqi i njohur për shumë të liga e poshtërsi që u ka punuar shqiptarëve. Në dhjetë-vjetshin e fundit ai ka arritur të vërë nën kontroll shumë fshatra të Drenicës jugore, përmes një rrejti tejet të gjerë të denoncuesve. Ai e flet pastër edhe gjuhën shqipe, madje është i martuar me një shqiptare, apo shqipfolëse. Edhe në Krojmir, Gjura e ka pasur argatët, në mesin e të besuarve të tij është njëfarë … (shtatë rreshta të koduar)

Por të gjitha këto duhet të merren me rezervë, sepse janë edhe mëritë dhe mosmarrëveshjet personale, të cilat lehtë marrin flakë me thashetheme.  Këta emra dalin në fletoret e shënimeve që ka mbajtur Organizata për Çlirimin dhe Bashkimin e Trojeve Shqiptare, e cila në këto anë ka pasur dhe ka një qendër ndër më të organizuarat dhe që ka mbajtur kontakte ilegalitet me bërthamën e UÇK-së në Drenicë dhe kryekomandantin, Adem Jashari.

Sot në orët e pas ditës Krojmirin e kanë vizituar dy veprimtarë humanitarë: Flaka Surroi dhe Gazmend Bunjaku, me të cilët nuk kam pasur rast të takohem, meqë gjatë kohës sa kanë qëndruar ata te shkolla kam qenë i zënë në bisedë me disa ushtarë të sapoardhur nga Shqipëria.

Pasi është errësuar, Jetë Hasani më ka lajmëruar se dikush prej komandantëve të Shtabit në Kleqkë, e ka liruar nga burgu, Ilaz Zborcin, sipas tij një bashkëpunëtor i serbëve i kapur në flagrancë nga ushtarët tanë. Atij, veç tjerash iu kanë gjetur edhe dokumente dhe fakte që dëshmojnë veprën e tij të ligë. Jeta është tejet i mllefosur, dhe ka rrezik që të veprojë pa pyetur askënd.

Lidhur me lirimin e Ilaz Zborcit  kam biseduar me Shukri Bujën. Shukriu mbrohet duke thënë nuk di konkretisht se kush e ka liruar dhe  me çfarë motivi është liruar, duke lënë të kuptohet, se ndodh që instancat tona të kundërzbulimit kanë depërtuar edhe në radhët e armikut.

-Është urdhër i Shtabit Bacë, më thotë Shukriu prerë.

-Kush ka urdhëruar, e pyes.

-Nuk e di më thotë, por unë kam marrë urdhër që t`ia mundësoj kalimin pa probleme derisa ai të hyjë në shtëpinë e tij në Zborc. E di se bijtë e tij në Gjermani e kanë ndihmuar  Fondin Vendlindja Thërret, shton ai.

Sinqeritetit të Shukriut, është vështirë të mos i besohet. Ramizi, Jeta, Syla dhe Elezi ndihen të nevrikosur… (tre rreshta të koduar)

Natën vonë në odë të Vehbiut kanë arritur veç tjerësh edhe katër luftëtarë  nga Deçani, të cilët janë të interesuar të pajisen me artikuj ushqimorë, sidomos me miell dhe vaj. Njëri prej tyre rrëfen për luftimet e ashpra që janë zhvilluar kohë më parë në Loxhë të Pejës, me ç rast janë thyer forcat okupatore serbe.

Rreth mesnatës janë dëgjuar tri detonime të fuqishme të predhave të artilerisë armike, të cilat  kanë goditur në Pjetërshticë dhe në pjesën lindore të Krojmirit. Ende nuk dihet se çfarë dëmesh kanë shkaktuar.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …