Te “MAJA E SHKODRANIT”, u përmbyllën aktivitetet e EPOPESË SË UÇK-së në Rahovec

Te “MAJA E SHKODRANIT”, u përmbyllën aktivitetet e EPOPESË SË UÇK-së në Rahovec. I pranishëm ishte edhe kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, i cili mbajti një fjalim përmbyllës, ku ndër të tjera tha:  BETEJA PËR RAHOVECIN ISHTE PËRPJEKJE LEGJITIME PËR ÇLIRIMIN E VENDIT. Të respektuar familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, të nderuar të pranishëm, mendoj se nuk mund të kishte përmbyllje më të mirë të aktiviteteve kushtuar betejës për Rahovecin, e njohur si Epopeja e Korrikut ’98, se sa duke u mbledhur në këtë vend që u bë sinonim i qëndresës dhe i flijimit. Në korrikun e atij viti të nxehtë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ndërmori një ndër veprimet më të guximshme dhe më të komplikuara, me synim futjen nën kontroll të Rahovecit me rrethinë. Ishte një përpjekje legjitime e UÇK-së për zgjerimin e territoreve të lira dhe për vazhdimin e luftës për çlirimin e krejt Kosovës. Pavarësisht faktit se raporti i forcave ishte në disfavorin tonë, megjithatë përpjekja e luftëtarëve të lirisë ishte heroike, parë në këndvështrimin atdhetar e liridashës. Rahoveci u bë gur prove për betejat urbane, me ç’rast armiku edhe një herë e dëshmoi qasjen antihumane e gjenocidale karshi shqiptarëve. Nëpër rrugët e Rahovecit mbetën të vrarë e të pavarrosur burra e gra, fëmijë e pleq, ndërsa kundërmonin kafshët shtëpiake të vrara e të lëna mbi tokë. Shtëpi të shumta të djegura e objekte të shumta ishin bombarduar me artileri të rëndë, nxirrnin tym e flakë. Serbët rrëmbyen qindra banorë të pafajshëm të Rahovecit, duke i torturuar e mbajtur të mbyllur pa asnjë provë fajësie, disa prej të cilëve vdiqën nga torturat. Ishte ky çmimi që Rahoveci me rrethinë e pagoi për shkak të dëshirës së madhe për të jetuar të lirë në tokën stërgjyshore. Në fushëbetejë mbetën shumë luftëtarë, jo vetëm nga Rahoveci, por edhe nga Malisheva, Peja, Drenica e madje edhe nga Shkodra.

  1. Abdullah Zijajdin Bugari,

  2. Agim Binak Çelaj,

  3. Shejh Myhedini

  4. Agim Veli Kelmendi,

  5. Afrim Fazli Krasniqi,

  6. Arian Xhemil Brahimi,

  7. Bajram Hysen Veliu,

  8. Bekim Shaban Isma,

  9. Eshrefedin Rexhep Kastrati,

  10. Faik Hajredin Rama,

  11. Gani Xhemë Paçarizi,

  12. Gëzim Salih Hamza,

  13. Gëzim Fahredin Mullabazi,

  14. Habib Halil Berisha,

  15. Hamdi Sadri Berisha,

  16. Liman Destan Gegaj,

  17. Mizahir Jetullah Isma,

  18. Ramadan Morina,

  19. Remzi Sadri Ukshini,

  20. Ruzhdi Xhemë Xhuliqi,

  21. Sadik Hafir Shala,

  22. Shkelzim Halit Zllanoga,

  23. Samir Selim Nurkasa,

  24. Tafil Zyberaj,

  25. Xhafer Zenel Nurkasa dhe

  26. Xhevat Ymer Kasapi.

Ishte një luftë e përmasave të mëdha dhe me pasoja të rënda, jo vetëm për këtë rajon, por për tërë Kosovën. Gazetarët e huaj zbuluan varreza masive të njerëzve të ekzekutuar, duke i bërë jehonë kësaj lufte. Njëri ndër këta gazetarë të guximshëm ishte edhe gjermani Erih Rathfelder, të cilin ne e kemi dekoruar me titullin Qytetar Nderi i Rahovecit. Beteja e zhvilluar në Rahovec e rrethinë nxori në pah dobësi që duheshin përmirësuar dhe na dha të kuptojmë, se Serbia gjenocidale nuk e kishte ndërmend të ndalej me kaq dhe se ishte e etur për gjak shqiptari, si dhe planifikonte ta realizonte elaboratin çubrilloviqian dhe memorandumin e akademisë serbe të shkencave për spastrimin etnik të Kosovës. Këto plane i kërcënonte vetëm Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe aleatët e saj. Me vendosmërinë dhe vetëmohimin e treguar, djemtë e UÇK-së dhanë të kuptohet se nuk e kishin ndërmend të dorëzoheshin pa derdhur gjakun e armikut, por edhe gjakun e tyre nëse këtë e kërkon atdheu. Kjo u dëshmua katërçipërisht në betejën për Rahovecin, ku u vranë dhjetëra djem e vajza, të cilët qëndruan heroikisht deri në çastet e fundit të jetës. Një dëshmi të tillë e kemi pikërisht këtu në këtë vend ku ranë katër dëshmorët e kësaj epopeje, vend që më pas profesor Sabahajdin Cena do ta emërtojë “Maja e Shkodranit”, në nderim të luftëtarit nga Shkodra, Arian Brahimi dhe bashkëluftëtarëve të tij nga Rahovecit; Mizahirit, Eshrafedinit dhe Bekimit. Këtë heroizëm dhe qëndresën e pashembullt të luftëtarëve të lirisë në Rahovec e përjetësoi në shkrime e dokumente arkivore pikërisht njeriu i pushkës e i penës Prof. dr. Sabahajdin Cena, monografinë e të cilit Kronikë nëpër stuhi po e promovojmë sot. Ky kronist nuk pushoi së shkruari as atëherë kur flakët e luftës digjnin e përcëllonin atdheun tonë të dashur, sepse misioni i tij jetësor ishte; lufta për liri dhe mbledhja e të dhënave për bëmat e heronjve e qëndrestarëve, jo vetëm në territorin e Rahovecit, por edhe në tërë gjeografinë kombëtare. Pra, ai i qëndroi besnik profesionit të tij në vazhdimësi, i vetëdijshëm se një ditë pushkët do të heshtin dhe muzat do të fillojnë të këndojnë. Mblodhi e regjistroi ngjarje, njerëz e vende dhe ne ishim të përkushtuar që këta regjistra të dalin në dritë. Si rezultat i punës së tij, bashkëpunëtorëve të tij dhe mbështetjes institucionale që i kemi dhënë, sot po e përurojmë edhe librin e katërt të asaj kronike që u shkrua nën flakën e pushkëve të lirisë. Dëshmorët e shkruan vetë fatin e tyre, do të thoshte profesori Cena. Ata tani na flasin falë punës e përkushtimit të Profesorit tonë, i cili ishte i vetëdijshëm për peshën e përgjegjësisë historike që kishte si intelektual dhe një nga luftëtarët me gradën më të lartë shkencore që kishte UÇK në atë kohë. Duke qenë një nga bashkëkohësit e Ukshin Hotit dhe njëri nga njerëzit e afërt të tij, Profesori e kishte bërë të tijën maksimën:  “Populli shqiptar po e paguan tagrin e gjakut”, prandaj vendosi të jetë njëri nga ata që iu përkushtua luftës për liri me tërë qenien e tij. Prandaj, shkrimi i kronikave e jetëshkrimeve për dëshmorët u bë lajtmotiv i profesorit Cena, punë që nuk e ndërpreu edhe atëherë kur dergjej në shtratin e vdekjes. Puna e tij në kuadër të projektit të madh për mbledhjen dhe publikimin e të dhënave për të gjithë dëshmorët e UÇK-së, është evidentuar edhe në serinë e librave “Feniksët e lirisë”, ku Profesori kontribuoi në tetëmbëdhjetë libra. Kronikë nëpër stuhi është përmbyllje e një cikli shkrimesh që i vënë kapak floriri krijimtarisë së tij letrare e dokumentare. Prandaj, kemi ndjerë obligim moral e atdhetar ta mbështesim materialisht botimin e serisë prej katër vëllimesh të monografisë “Kronikë nëpër stuhi”. Financimi i librave të kësaj natyre ka qenë dhe mbetet një ndër përkushtimet tona dhe në këtë vazhdë jemi gati të japim kontributin tonë në vazhdimësi. Gjithsesi, më duhet të falënderoj edhe donatorët tjerë që cilët me vullnet e dashuri të madhe kanë ndihmuar në botimin e këtij libri voluminoz. Duke e botuar edhe vëllimin e katërt ne e përmbushim një zotim të dhënë se do të ndihmojmë botimin e krijimtarisë së tij. Në këtë vazhdë po punojmë edhe teza e tij e doktoratës, që lidhet me këngët dhe traditën tonë popullore – folkloristikë, të publikohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Në këtë mënyrë dëshmojmë respekt e konsiderata të larta për njeriun e pushkës e të penës, i cili na bën të ndjehemi krenar edhe për faktin që e kishim bashkëluftëtar e bashkudhëtar në ndërtimin e shtetit e të shoqërisë tonë. Me këtë rast dëshiroj ta përgëzoj redaktorin e monografisë “Kronikë nëpër stuhi”, autorin e disa monografive shokun tonë Qemajl Krasniqi, i cili me përkushtim ka bashkëpunuar me Profesorin dhe familjen e tij për daljen në dritë të këtyre librave. Kontribut në botimin e këtij libri ka dhënë edhe dega e OVL të UÇK-së në Rahovec dhe një grup mërgimtarësh nga Austria, të cilët i falënderojmë për ndihmën. Dëshiroj që me këtë rast ta përshëndes ngrohtësisht familjen e profesorit Cena dhe t’ju them, se ne nuk e kemi harruar dhe nuk do ta harrojmë kontributin e babait të tyre, këtë krijues që i bën nder komunës së Rahovecit dhe tërë kombit shqiptar. Besoj se edhe në të ardhmen do të kemi mundësi të mbështesim të gjithë ata që japin kontribute në mbledhjen, ruajtjen dhe kultivimin e vlerave tona kombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …