Ahmet Qeriqi: Atyre që iu duket e keqe dhe e pamundshme jeta në Kosovë, nuk meritojnë të jetojnë këtu, as ta vizitojnë atdheun tonë

Atyre që iu duket e keqe  dhe e pamundshme jeta në Kosovë, nuk meritojnë të jetojnë në atdheun tonë, për lirinë e të cilit është derdhur rrëke gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve.

Jugo-mediet në Kosovë përditë shkruajnë se si jeta këtu  është kaotike, nuk ka zhvillim, nuk ka punë, nuk ka perspektivë, me qëllim që të arsyetojnë ikjen e shqiptarëve nga Atdheu, duke u bërë vegël e qarqeve antishqiptarëve  me apo pa vetëdije, me apo pa pagesë për shkrimet dhe fushatat e tyre, antikombëtare.

Kurrë nuk ka pasur as ka arsye për të ikur nga atdheu, as kur ai  ndodhet nën robëri, aq më pak pasi të çlirohet. Jemi dëshmitarë të qindra atdhetarëve që erdhën nga perëndimi dhe ranë për çlirimin e Kosovës, ashtu sikur dimë për mijëra të tjerë, që as erdhën gjatë luftës, as pas luftës, sepse për ta qëllimi primar dhe përfundimtar i jetës është kamja, luksi, jeta me punë pak e fitim shumë, trafiqet, droga, prostitucioni, krimi, vrasjet e përditshme, plaçkitjet, trafiqet,  degjenerimi, tjetërsimi, asimilimi, e dukuri të tjera.

Janë edhe  mërgimtarë, të cilët janë shumë meritorë dhe kanë dhënë gjithçka për atdheun, por nuk kthehen dot, sepse tashmë kanë lëshuar  rrënjë me brezin e tretë në vend të huaj. Të tillët, edhe kanë arsye, sepse koha ndaj tyre është treguar e pamëshirshme, dhe nuk kanë kah t ia mbajnë. Koha nuk kthehet prapa.

Ata që po ikin sot, e dinë edhe vetë se kurrë në historinë e Kosovës nuk është jetuar më mirë sesa tani,  pasi, përveç  ndonjë rasti tepër të rrallë,  nuk ka shtëpi që nuk e ka ndërtuar një të re, që nuk ka një veturë, disa madje dy apo tri shtëpi. Të gjitha   rrugët janë  asfaltuar madje edhe nëpër lagjet e fshatrave. Kudo ka  shkollat e reja me pajisje të nivelit evropian, veshje e mbathje jo vetëm me bollëk, por që nuk ua zë shtëpia, detyrohen t’ i hedhin në mbeturina. Nuk ka shtëpi as familje në Kosovë që nuk merr nga shteti  minimum 150 euro në muaj nga buxheti i Kosovës, por kjo robërve të deridjeshëm, që kanë jetuar me një kothere të bukës së misrit dhe pak qumësht  dhie, apo deleje kjo iu duket pak, pasi duan të bëhen  të pasur brenda natës apo muajit, pa zgjedhur mjete, për të arritur qëllimin, madje edhe kur e dinë se do të fundosen. I shkojnë prapa njëri tjetrit si një dele që kërcen në hendek dhe të tjerat i vënë pas.

Disa filozofojnë dhe thonë se  çka do të bënte Kosova pa remitencat e atyre që punojnë në dhe të huaj dhe ndihmojnë familjarët e të afërmit.

Në një rast të tillë, nuk do të kishim kaq shumë parazitë sa kemi, por do të kishin punëtorë shumë më tepër, dhe do  të punohej toka e mbetur djerrina, secila shtëpi do të prodhonte produkte për familjen dhe jo në fshat të blihet veza, qumështi kosi, yndyra, madje edhe frytet e perimet,  pastaj mishi  e produkte  të tjera ushqimore.

Remitencat nuk janë zgjidhje e përhershme.

Remitencat janë zgjatje e agonisë dhe prodhim i përtacisë, parazitizmit, pse jo edhe i banditizmit dhe i izmave të tjera të liga.

Shteti që ekon0mikisht mbështetet në remitenca është shtet vasal, shtet i varur nga lëmosha e qytetarëve të punojnë jashtë shtetit, është shtet me paterica…

Kosova ka resurse të shumta  tokësore, nëntokësore, fusha, lumenj, male, miniera, thëngjill,  liqe, minerale të ndryshme e çka jo.

Asnjë nga qeveritë e deritanishme nuk iu kanë drejtuar këtyre resurseve  për ta zhvilluar Kosovën, por i kanë blerë gjatë procesit njëzetvjeçar të privatizimit.

I kanë përvetësuar.

I kanë zhvatur.

I kanë blerë  lirë e i kanë shitur deri edhe njëqind fish më shtrenjtë.

Të gjithë pa dallim kanë gënjyer gjatë fushatave zgjedhore, kur kanë premtuar zhvillim të vendit, dhe, kur e kanë marrë pushtetin me gënjeshtra e mashtrime, janë sjellë me pasurinë e resurset e Kosovës, sikur të kishin qenë pasuri  e trashëguar nga familja, ose e falur nga ndokush.

Më tepër paskan vuajtur ikanakët gjatë kalimit të kufirit në Bllacë, sesa ata që janë ballafaquar fyt për fyt me kriminelët serbë

Disa biçim analistë, nga radhët e atyre që kanë ikur nga Kosova në kohën e luftës, për çdo vit shpalosin “odisejadën” e vuajtjeve të tyre “mizore” në vendkalimin kufitar mes Kosovës e Maqedonisë, në Bllacë, në pranverë të vitit 1999. Vuajtjet e tyre nuk kanë të sosur as dot kur i kujtojnë atë ditë të tmerrshme…

Ata tregojë sesi kanë qëndruar në borë e shi, sesi kanë vuajtur mizorisht gjatë kalimit, sesi nuk kanë pasur krevat   ku të flenë, madje as vc fushore  dhe këtë ikje e këto vuajtje  duan t’  shpallin hiç më pas se gjenocid, krim, madje edhe holokaust, edhe pse në Bllacë nuk pati pushkatime masive,  sikur në Izabicë, Rezallë, Meje, Reçak Therandë e në qindra vende të tjera ku serbët me të vërtetë  kryen gjenocid e krime lufte. Por të thuash se në Bllacë ndodhi gjenocidi, madje edhe njëlloj holokausti, kjo është përqeshje e historisë, ose mos kuptim elementar të emërtimeve të tilla, një budallallëk tipik.

Pretendimet për ta deformuar historinë e rezistencës së Kryekomandantit,  Adem Jashari dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim për ta veçuar “Bllacën si epiqendër të vuajtjeve shqiptare” bëhen me qëllim për ta minimizuar luftën e UÇK-së, gjakun e dëshmorëve e martirëve, dhe për t’ i kthyer në heronj  të gjallë ata që kanë ikur nga Kosova dhe jo ata që janë ballafaquar me regjimin kriminal të Millosheviqit, ballë për ballë.

Madje disa analistë që krenohen  me emrat e origjinat e tyre, “kalvarin” e  vuajtjeve gjatë ikjes nga Kosova i ngrehin në piedestalin e vuajtjeve biblike, gjithënjerëzore, duke akuzuar Serbinë për spastrim etnik, ndërsa ishin vetë ata që e kishin mundësuar “spastrimin”, jo duke qëndruar në Kosovë sikur bënë shumica,  por duke ikur nga Kosova, sipas asaj këngës së njohur që aq shpesh është kënduar pas luftës: “Më fal Prishtinë, por më shumë e desha jetën sesa lirinë”.

Është për keqardhje kur Bllacën e vajtojnë ata që nuk kishin qenë fare as etje, por në atë kohë kishin  fjetur rehat  bashkë me familjet e tyre,  në hotelet e Tiranës, apo në ato të qyteteve të Evropës. Është për faqe të zezë të ankohesh se gjatë kalimit në Bllacë, duke ikur nga atdheu të paskan sharë, e të paskan dhënë ndonjë flakaresh serbët, kur në të njëjtën ditë në Kosovë serbët vrisnin deri në treqind e më shumë shqiptarë gjatë një dite, ndonjë herë më pak  e shpeshherë edhe më shumë…

Vetëm në tri katër ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-së kundër Serbisë, në Krushë, Therandë, Izbicë, Burim, Beleg, Pastasel, serbët vranë e masakruan afër një mijë shqiptarë, 240 vetëm në Krushë.  

Askush nuk e mohon se në Bllacë pati momente edhe dramatike për familje dhe personalitete të  caktuara, për gratë, fëmijët e pleq që pritën edhe dy apo tri ditë për ta kaluar kufirin. Por ata  atje shkuan me trenin e udhëtarëve dhe autobusë, me vetura, e jo sikur ata që iu kishin drejtuar Shqipërisë, me qerre, traktorë e kryesisht këmbë. Ka shumë dallime në këtë mes.

Është për faqe të zezë kur bëhen krahasime të tilla të vuajtjeve me përpjekje për të baras-vlerësuar ato, sepse nuk është njësoj sikur të ketë rënë me kamxhik apo me boks milici serb  me atë të cilit i ka dhënë plumb në kokë.

Sa shqiptarë ikanakë kanë vrarë e pushkatuar serbët në Bllacë, gjatë kalimit të kufirit, në mënyrë që ikja masive të shpallet gjenocid apo etnocid?.

Elemente të etnocidit edhe kishte, por je deportim të dhunshëm, sikur ka ndodhur me hebrenjtë gjatë luftës në Gjermani, me të cilët po krahasohen disa nga ikanakët.

Andaj manipulimi me terminologjinë historike, përveç se është i papërgjegjshëm, është edhe naiv dhe i paqëndrueshëm. Këto pretendime zbehim në masë edhe të vërtetën e luftës në Kosovë, e cila është monitoruar nga sa e sa organizata të huaja në vend,  dhe,  nuk ka shpëtuar as edhe një ngjarje  e vetme e rastit që të mos jetë shënuar nga dikush.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …