Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka bërë të ditur se minatorët e kësaj miniere janë në grevë për 10 ditë për shkak të mosmarrjes së pagave. Rreth 1200 punëtorë janë përfshirë në grevë, me 700 prej tyre në njësinë e Stan Tërgut. Ibrahim Januzi theksoi se menaxhmenti i Trepçës nuk po i përmbahet marrëveshjes së arritur në fund të vitit të kaluar me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, që parashikonte mosvonesë të pagave. Ai shtoi se minatorët janë pa paga dhe kushte bazike për punë. “Minatorët vijnë çdo ditë në vendin e punës, por menaxhmenti nuk ka dhënë një datë konkrete për ekzekutimin e pagave,” tha Januzi, duke kritikuar gjithashtu qeverinë për mungesë investimesh dhe mbështetjeje. Në një raport të fundit, konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile “CorrWatch” ka treguar se Trepça ka operuar me humbje prej 5.4 milionë euro në vitin 2023, pavarësisht subvencioneve prej 8.4 milionë euro nga Qeveria.
