Ahmet Qeriqi: Vazhdon bartja e miellit dhe ardhja e vullnetarëve (E martë 21 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon bartja e miellit dhe ardhja e vullnetarëve (E martë 21 korrik, 1998)

Qysh në mëngjes,  Ramadan Rizani dhe Heset Hamdiu më lajmërojnë se vend-parkimi te shkolla është mbushur me dhjetëra kamionë e traktorë të ardhur nga Dukagjini, Drenica e Anadrini. Në drejtim të Ribarit të Madh nëpër Blinajë është nisur ushtari, Naim Gjoshi, pastaj vëllai im Hasani, Idriz Qeriqi e të tjerë. Pesë traktoristë të tjerë janë nisur nga Shala. Disa të tjerë nga Pjetërshtica. Planifikohet që gjatë ditës së sotme të mbarten nga atje 32 tonë miell, që do të shpërndahet sipas urdhrit që e ka lënë komandanti Shukri Buja. Luani nuk merret me këto punë. Ai me disa ushtarë të tjerë vazhdimisht qëndrojnë në pozicionet e Carralevës, duke depërtuar me istikame krejt afër fshatit Belincë dy tri kilometra larg Shtimes.

Përgjegjës të Shabit për emergjencë dhe Çështje civile jemi unë dhe Elez Durmishi, i cili ka përgjegjësi për tërë organizimin, meqë në këtë detyrë  e kanë caktuar Sami Lushtaku dhe Ilaz Dërguti.  ndërsa në këto punë na ndihmojnë sidomos Ramadan Rizani, Heset Hamdiu, Vehbi Qeriqi, Idriz Qeriqi, Bajram Rizani, Salih Rizani, Hashim Azem Olluri  e shumë të tjerë.

Lëvizjet, vajtje ardhjet, kolonat e traktorëve e të kamionëve, dyndja e popullsisë përbëjnë përditshmërinë, e cila nuk bëhet zap për asnjë çast. Popullata në Krojmir është dhjetëfishuar nga të zhvendosurit dhe ardhja e qindra vullnetarëve të cilët nuk largohen nga këtu edhe pse mundësitë tona për t` i trajtuar të gjithë janë të kota. Secili gjendet ashtu sikurse mundet. Dikush te një i njohur, dikush fle në  klasat e shkollës, nëpër oda, dikush në livadhe. Krojmiri përngjet me një kamp civil ushtarak, ku gjithçka lëviz me shpejtësi të jashtëzakonshme.

Sot në mesditë kanë ardhur gjashtë studentë nga Gjilani dhe rrethina dhe dy të tjerë nga Busovata e Kamenicës. Ata, sipas marrëveshjes që ditë më parë ka bërë Hilmi Ramadani me Ferat Shalën, drejtues i njësitit ushtarak “Pëllumbi” në Negroc, duhet të shkojnë për në Shqipëri për armatim. Në mesin e tyre ka ardhur  edhe një i ri që quhet Fatmir Maliqi me një mikun e tij, i cili më herët ka shërbyer në polici. Fatmiri me studentët e tjerë është pranuar, ndërsa ish polici duhet të kthehet derisa të merret konfirmimi për të kaluarën e tij. Fatmirin duket se e ka dërguar Bajram Kosumi, meqë ishte anëtar i Partisë Parlamentare të Kosovës dhe si fillimisht kishte kërkuar të më takonte. Ish polici, që ka ardhur bashkë me Fatmirin është kthyer zemërthyer dhe është tejet i sigurt se nuk ka bërë kurrfarë gabimi në kohën sa ka shërbyer, përndryshe thotë nuk do të isha përcaktuar për t`iu bashkuar radhëve të Ushtriisë Çlirimtare të Kosovës.

Në orët e pas ditës, në shkollën e fshatit e cila zien nga njerëzit.  Ramadani më ka lajmëruar se kanë ardhur për të marrë informata për të afërmit e tyre një grua, një vajzë e vogël dhe një vajzë tjetër rreth të njëzetave. Pasi përshëndetemi, vajza, e cila duhej e humbur e stresuar dhe tejet e brengosur, tregon…. (Dymbëdhjetë rreshta të koduar)

Me Elezin jemi mjaft të brengosur për këto rrëmbime, të cilat mund të bëhen edhe me qëllime hakmarrëse apo në saje të deklaratave të paverifikuara. As unë as Elezi nuk mund të ndikojmë në këtë drejtim.

Në mbrëmje bëjnë me dije se nga Shqipëria janë kthyer një grup ushtarësh që një javë më parë kanë shkuar për armatim. Në mesin e të kthyerve është edhe Dritoni i Selatin Qeriqi, ndërsa nuk dihet për katër të tjerë të cilët janë nisur së bashku me Dritonin…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …