Master Hazis Gjergji: Zogu dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë

Në faqen 35 të botimit: “Nga notimet e Zogut I mbretit të shqiptarëve”, Tiranë, 2008, thuhet: “Vjen një letër e Ismail Qemal Vlorës, me anën e Ibrahim Kolocit nga Elbasani. Ismail Qemali thoshte: “Arrita në Vlorë, ku kemi thirrur një Kongres për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Ju lutem të vini sa më shpejt në këtë Kongres pasi koha nuk pret.”1)

Shumë interesante kjo “letër” e shkruar nga dora e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali, ndonëse e pa dokumentuar gjëkundi. Por le ta marrim si të mirëqenë dhe t’i kthehmi datës 21 Nëntor 1912, kur Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, përfaqësuesit e kolonisë shqiptare në Bukuresht dhe shoqëruesit e tjerë zbritën në portin e Durrësit. Dihet se nga qyteti i Durrësit u bënë telefonatat dhe u nisën telegramet e parë në Shijak, Tiranë, Krujë, Kavajë e Elbasan për t’u njoftuar për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Durrës. I kërcënuar me arrestim nga autoritetet osmane të qytetit, Ismail Qemali vendosi ta ngrinte Flamurin Kombëtar në Vlorë, ku ndjehej më i sigurt. Pasi mori me vete edhe përfaqësuesit e Durrësit, Shijakut, Tiranës e Krujës, Ismail Qemal bej Vlora ndaloi në Kavajë; ku, ndërsa patriotët kavajas bënin përgatitjet për kalimin e Shkumbinit në va të lirë nga patrullat osmane, njoftoi edhe patriotë të tjerë.

Në Fier u takuan me delegatët e ardhur nga Kosova e Maqedonia. Komandanti i shquar popullor Isa Boletini dhe 400 luftëtarët shoqërues të tij, të vonuar nga luftimet në Rashkë e Podujevë, do të mbërrinte në Vlorë më 29 Nëntor. Për fat të keq, udhëheqësit e tjerë kosovarë: Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha, Kosum Seferi etj., që ishin angazhuar me mbrojtjen e zonave të ndryshme të Kosovës, ishin arrestuar nga ushtria pushtuese e mbretërisë serbe dhe ishin mbyllur në burgun e Beogradit. Bajram Curri ishte bllokuar në luftimet e Plavës, Gucisë e Gjakovës dhe e kishte të pamundur kalimin e luginës  së Drinit nga trupat e ushtrisë mbretërore serbe. Siç ёshtё e vërtetuar edhe me dokumente, karvani i Ismail Qemal beut mbërriti në Vlorë më 25 Nëntor. Po atë mbasdite e deri natën vonë, i mbiquajturi Plaku i Vlorës vazhdoi t’u dërgonte telegrame edhe prefekturave e nënprefekturave që nuk ishin njoftuar akoma për ngjarjen e madhe që do të ndodhte.2)

Përsëri le të supozojmë se ka patur shumë arsye, e dyzeta prej të cilave mund të ketë qenë që nënprefektura e Matit mund të mos ketë patur fare central telefonik apo e kishte të prishur, Ismail Qemali do jetë ulur dhe e ka shkruar letrën siç thuhet në “Nga notimet e Zogut..”. Në rastin më urgjent, korrierit do t’i jetë dashur të nisej nga Vlora në mëngjesin e 26 Nëntorit pë të mbërritur në Elbasan në darkë vonë. Përsëri me urgjencë korrieri Ibrahim Koloci, i përmendur në “Nga notimet e Zogut…”, duhet të jetë nisur nga Elbasani në mëngjesin e 27 Nëntorit për të mbërritur në Burgajet në darkë vonë. Të nesërmen, pra më datën 28 Nëntor 1912, paria e Matit ka zgjedhur Muhtar (turq. kryeplak) Ahmet bej Zogollin, Riza bej Çelën dhe Kurt agë Kadiun si  përfaqësues të Matit në Kuvendin e Vlorës. Pra edhe me supozimin hipotetik se letra është dërguar me korrier special të Ismail Qemalit nga Vlora, Ahmet Zogu rezulton të ketë qenë akoma në Mat më 28 Nëntor 1912, kur në Vlorë u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u ngrit Flamuri Kombëtar. Mirëpo, në “Nga notimet e Zogut” na del se ai paska qenë një faktor aktiv në mbledhjen e parë të Kuvendit që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Tekstualisht në “Nga notimet” thuhet:

“Sa mbërriti në Vlorë, Zogu shkoi tek Ismail Qemali, i cili kur e pa Zogun, u çua në këmbë e përqafoi i mallëngjyer… Pasi përfunduan përshëndetjet e rastit, Zogu u vu në dijeni të qëllimeve dhe të programit të kongresit, duke u treguar i zjarrtë në realizimin e ëndrrës shekullore të Shqipërisë. Fjalimi i tij pati një ushtim të thellë tek të gjithë pjesëmarrësit në këtë kongres, të cilët e quajtën si një nga shtyllat e shëndosha për ruajtjen e fatit të lumtur të së nesërmes së Atdheut. Në kongresin e Vlorës, Zogu ishte edhe përfaqësues i Mirditës, pasi e ngarkuan me këtë detyrë kapidan Marka Gjoni me bajraktarët e Mirditës. Pasi morën fund të gjitha bisedimet, më 28 nëntor 1912, në orën katër pasdite në prezencën e 47 delegatëve të popullit, në Vlorën kreshnike u ngrit drejt qiellit të kaltër Flamuri i Pavarësisë Shqiptare dhe Shqipëria u shpall zyrtarisht si Shtet i Pavarur…”3)

Mirëpo dokumentet dhe studimet historike flasin për një të vërtetë krejt tjetër. Sipas tyre, për shkak të përparimit të pandalur të ushtrive mbretërore serbe, gjendja në Shqipëri po bëhej gjithnjë më kritike. Kjo ishte arsyeja që në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë, ndonëse nuk kishin arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, vendosën që Kuvendin Kombëtar ta mblidhnin të nesërmen, më 28 Nëntor 1912, në orën 14. Albanologu i njohur Rober Elsie ka ekspozuar në internet proçesverbalin e mbledhes së parë të Kuvendit të Vlorës, fjalën e  nismëtarit dhe kryetarit të mbledhjes, Ismail Qemali, Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe listën e 41 firmëtarëve të saj që përfaqësonin të gjitha trevat shqiptare nga Plava e Gucia në Çamëri, nga Durrësi në Shkup e Prishtinë. Emrat e delegatëve firmëtarë janë nxjerrë nga gazeta e Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës, “Përlindj’e Shqipniës”, e koleksionuar dhe botuar nga patrioti Lef Nosi. Pavarësisht se çfarë shkruhet në “Nga notimet e Zogut…”, emri i të deleguarve të Matit, nuk figuron aty.4)

Në të vërtetë, Ahmet bej Zogolli me delegatët e Matit dhe 25 kalorësit shoqërues të tyre kanё qenё rreth datёs 30 Nëntor 1912 në Elbasan. Këtë fakt e dëshmon një telegram informues i prefektit në detyrë i Elbasanit, Aqif pashë Biçakçiu, dërguar Qeverisё së Pёrkohshme tё Vlorёs mё 2 dhjetor 1912. Shprehimisht, nё atё telegram thuhet:

“Nga goja e Ahmet be Matit qё erdhi nё Elbasan, mёsuam se serbёt, kur hynё nё Lumё, paskan fillaur tё djegin shtёpira dhe tё vrasin njerёz. Nga kjo sjellje barbare lumjanёt qenkan revoltuar kundra serbёve dhe nja gjashtё batalione serbe і paskan zhdukur. Njё sasi tjetёr ushtarёsh qё mundёn tё shpёtojnё e paskan dёbuar nga Luma dhe u paskan marrё  nga dy topa dhe nja dy mitralozё.” 5)

Në telegramin e Aqif Pashёs nuk bёhet fjalё se Ahmet bej Zogolli kishte nё plan tё shkonte nё Vlorё, por as “notimet e Zogut” nuk përmëndet fare takimi i tij me prefektin Aqif pashë Biçakçiu. Nё fakt, Aqif Pasha kishte qenë ndër personalitetet e parë që Ismail Qemali i kishte kërkuar për të marrë pjesë në Kuvendin historik të Vlorës, por ai nuk kishte parё tё arsyeshme të largohej nga Elbasani, nё njё kohё kur delegatёt e ardhur nga Ohri e kishin njoftuar mbi rrezikun e afёrt tё pushtimit të qytetit nga trupat ushtarake të mbretërisë së Serbisë. Në vend të tij, Qysh më 25 Nëntor 1912, Aqif Pasha dhe dhe 27 përfaqësues të qytetit e krahinave të prefekturës së Elbasanit kishin nënshkruar telegramin e njohur dërguar Ismail Qemalit: “Gjithë populli ynë, myslimanë e të krishterë, me nji za kanë pranue indipendencën e Shqipniës” dhe kishin zgjedhur tre delegatёt e Elbasanit pёr Kuvendin e Vlorёs: intelektualёt patriotë: Mit’hat bej Frashëri (i biri i Abdyl bej Frashërit), Lef Nosin dhe  Shefqet Daiun, të cilët figurojnë firmëtarë të deklaratës historike të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. 6)

Në vend të Aqif Pashës, në “notimet e Zogut” përmendet djali i hallës së Zogut, ku dhe ka bujtur atё natё, Dervish bej Biçaku, i cili duhet tё jetё edhe autori i letrës informative që korrieri Koloci ia ka dorëzuar Ahmet bej Zogollit në Burgajet. Në “notimet e Zogut” thuhet se, delegatët e Matit “arritën në  Elbasan  ku morën Hamdi bej Ohrin, një patriot që gjysmën e jetës së tij e ka kaluar në internim për lirinë e Shqipërisë dhe Dervish bej Biçakun, e u nisën drejt Fierit. Aty ishte ushtria turke nën komandën e Xhavit Pashës, që ishte tërhequr nga Kumanova,  krejtësisht e shkatërruar, me të sëmurë. Zogu do t’u bënte një vizitë, pasi ushtria ishte pothuajse në një gjendje kritike, pa ushqime, e lodhur, në pritje për t’u nisur për në Stamboll.”7)

Pas takimit me ushtarët dhe Xhavit Pashën në Fier, “ Nga notimet e Zogut…” marrim vesh se  Ahmet bej Zogolli është nisur drejt e në mbledhjen e parë të Kuvendit të Vlorës, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, ku ai paskish mbajtur edhe fjalimin e thellë programatik. Mirëpo, përsëri dokumentet historike flasin për një të vërtetë ndryshe. E para, Xhavit pasha me ushtrinë e tij gjendej në Berat dhe jo në Fier; fakt i cili na bën të supozojmë se delgatët e Matit nga Elbasani mund të kenë udhëtuar drejt Beratit ose Mallakastrës dhe prej andej kanë mbërritur në Tepelenë. Mbërritja në Tepelenë vërtetohet nga telegrami që Ahmet bej Zogolli i ka dërguar prej aty Ismail Qemal bej Vlorës, më datë 19 Vjeshtë e Tretë 1328/ 2 Dhjetor 1912, ku thotë:

“Shkëlqesisë Tija Ismail Qemal Bej Efendiut, Vlorë

U zgjodha përfaqësues i Matjes. Ndënshkruni për mua vendimet e Kongresit. Të nisem për aty apo jo? Pres me nxitim urdhërin Tuaj. Ahmed Myhtar Matja.” 8)

Duket se përgjigja e Plakut të Vlorës, Ismail Qemali, e ka qenë se ishte i mirëpritur, si çdo përfaqësues i trojeve shqiptare. Ahmed Muhtar Matja dhe përfaqësuesit e tjerë të Matit arritën të marrin  pjesë në mbledhjen e shtatë të Kuvendit të Vlorës dhe të fundit të tij. Pavarësisht nga përkrahja me gojë e Ahmet bej Zogollit pёr Qeverinë e Përkohshme të Ismail bej Vlorës, sipas proçesverbalit të mbledhjes së 7 dhjetorit 1912, ai as ka mbajtur ndonjë fjalim, as ka bërë ndonjё pyetje apo diskutim.9)

Gjithsesi, mikpritësi i Ahmet beut, Eqrem bej Vlora, dëshmon:

“Në vitin 1912 Ahmet Zogu nuk ishte ndonjë i panjohur. Ai kishte ardhur atë vit në Vlorë, djalë fare i ri, bashkë me kushëririn e tij Dervish bej Biçakun (Elbasani) për t’i shprehur mbështetjen e tij Qeverisë së Përkohshme dhe kishte zënë vend në shtëpinë time. Aty pata rast ta vrojtoja mirë. Por doemos, asgjë nuk më lejoi atëherë të hamendësoja se një ditë ai do të ngjitej në majën e piramidës shtetërore dhe jo me lehtësi, siç mund të kishin bërë shumica e dorës sonë, por përmes vështirësish dhe rreziqesh, të cilat ai i kapërceu vetëm falë ambicies së pa përmbajtur dhe aftësive të tij të jashtëzakonshme.”10)

Ambicjen e papёrmbajtur dhe aftёsitё e jashtёzakonshme pёr tё arritur nё majёn e piramidёs sё pushtetit, siç shprehet Vlora, Ahmet Zogu do t’i tregonte nё bashkёpunimin dhe eliminimin e rivalit tё tij tё parё pёr fronin e “Mbretit tё Shqipёrisё”, Esat pashё Toptanin.

Shënimet:

1)            H. Selmani, “Nga notimet e Mbretit Zogu I…” f. 35.

2) Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj (nëntor 1912–janar 1914), Tiranë, 1963; Teuta Hoxha, Ismail Qemali (Përmbledhje dokumentesh, 1888–1919), Tiranë: DPASH & 8 Nëntori, 1982; Historia e Shqipërisë, vëll. II, Akademia e Shkencave (Instituti i Historisë), Tiranë: Toena, 2002.

3) H. Selmani, Nga notimet e Mbretit Zog I…, f. 36

4) www.albanianhistory.net/1912 The Declaration of Albanian Indipendence (shih: Lef Nosi, Dokumente historike (1912–1918), f. 176-79.)

5).  Lef Nosi, Dokumente historike (1912–1918), vep. e përm., f. 138, Teuta Hoxha, Ismail Qemali, përmbledhje dokumentesh  f. 249.

6) Qeveria e Përkohshme e Vlorës …, f. 28;  T. Hoxha, Ismail Qemali … f. 226.

        7) H. Selmani, Nga notimet e Mbretit Zog I…, f. 35.

8) L. Nosi, Dokumente historike (1912–1918), f. 137; T. Hoxha, Ismail Qemali, përmbledhje dokumentesh…, f. 246-47.

9)  Po aty, f. 185.

10)         Eqrem bej Vlora, Kujtime…vep. e përm., f. 451.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …