Zona e mbrojtur Pashtrik-Morinë në Prefekturën e Kukësit do të shpallet Park Kombëtar i kategorisë IV, sipas planit të publikuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Ky plan përfshin dokumente dhe argumente që mbështesin propozimin e Prefektit për këtë nismë. Pashtriku është një mal me lartësi 1,986 metra, i cili ndodhet në Kosovë dhe Shqipëri. Dy të tretat e malit i përkasin Shqipërisë dhe një e treta Kosovës. Kjo zonë lidh tre zona ekologjike të rëndësishme në Shqipëri: Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, Parkun Natyror “Munella” dhe Parkun Natyror “Korab-Koritnik”. Pashtriku përmban një diversitet të lartë të habitateve dhe specieve, përfshirë pyjet e dushkut, pyjet e ahut, pishën e zezë dhe kullotat alpine, të cilat janë strehë për gjitarët e mëdhenj. Zona gjithashtu ka bimë endemike dhe specie në rrezik zhdukjeje, si dhe një trashëgimi kulturore dhe historike të pasur.