Nuk kam fjetur fare. Sytë më djegin nga pagjumësia. Dal në oborr dhe vërej ushtarët që po përgatiteshin të niseshin në drejtim të Zborcit. Gjëmimi i topave dhe i raketave tokë-tokë, i ka zgjuar të gjithë. Shumica e burrave kanë dalë në rrugë për të parë se ç`po ndodh. Futem në odën e Sylë Qeriqin ku sapo kishin filluar të dremisnin disa ushtarë, në mesin e tyre edhe Ramiz Qeriqi, Luani. Zgjohen të gjithë dhe secili niset në drejtim të vet. Unë nisem për të Pjetërshticë. Ramë Buja provon ta startojë veturën, të cilën përmes Hilmi Ramadanit na ka dhuruar Shoqata e të Burgosurve Politikë, por është e vjetër dhe herë starton herë fiket. Ai së bashku me Elez Durmishin nisen për në Kleçkë për të marrë municion dhe ndihma të tjera.
Në Pjetërshticë para ambulancës po prisnin Fatmir Xhelili, djalli i vëllait të tij, Kujtim Xhelili dhe disa teknikë medicine. Pa vonuar vjen edhe mjeku Jakup Ismajli, pastaj Reshat Gashi, Shyqri Iballi dhe shumë të tjerë. Në momentin kur hyjmë në ambulancë, dëgjohet krismat e predhave nga “Pishat e Shtimes” në drejtim të pozicioneve tona, në Zborc. Në ambulancë e sjellin një ushtar të ri të rrethit të Kumanovës i cili mezi qëndron në këmbë. Fatmir Xhelili konstaton se ushtari nuk është i plagosur por i rënë në letargji nga lodhja e pagjumësia. Pas pak, fillon granatimi edhe në Pjetërshticë. Në podrumin e shkollës janë strehuar dhjetëra fëmijë e gra nga Zborci e Pjetërshtica.
Mjekët kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe janë përgatitur për të ofruan ndihmë. Rreth orës 8.30 minuta dy predha raketash tokë-tokë godasin afër shkollës. Nga pëlcitja e fuqishme thyhen të gjitha xhamat e dritareve.
Tri predha të tjera godasin “Lagjen e Fyellve” dhe disa të tjera godasin në Krojmir. Nëpër breshërinë e armëve i sjellin dy vajza të një shtëpie aty afër të cilat janë lënduar nga ciflat e granatave. Fatmiri, Jakupi, Reshati iu ofrojnë ndihmën e parë…
Pasi konstatojmë se Shkolla dhe ambulanca janë në shënjestër të minahedhësve, të gjithë zbresim në podrumin e cili ka përsipër një platformë betoni.
Rreth orës 9.30 minuta, disa ushtarë kanë sjellë dy të plagosur të fshatit Belinc, njëri nga ata mjaft rëndë. Rrëfimi i tyre se si kanë shpëtuar nën një urë është i pabesueshëm. Të dy ashtu të plagosur duke u mbajtur njëri në tjetrin nëpër male kanë ardhur deri në ambulancë.
Pas pak nga Zborci me nivën e tij dhe tre të plagosur, vjen Jetë Hasani. Shyqri Iballi, Fatmir Xhelili, Reshati, Musa e të tjerë shkojnë me shpejtësi te “Niva” dhe i nxjerrin të plagosurit, numrin e të cilëve tanimë nuk e di. Me Jetën, nisem deri te shtëpia në Krojmir, për të parë se mos ka pësuar ndokush nga popullata tejet e dendur në çdo shtëpi. Me të kaluar te Vorret e Murtajes një predhë godet shumë afër Nivës dhe Jeta e humbë drejtimin, sakaq arrin që ta mbajë timonin e veturës herë nën rrugë herë në rrugë. Nga përplasja e derës e kam lënduar keq këmbën e djathtë.
-Shpëtuam kësaj radhe, thotë Jeta dhe iu drejton një të sharë shkive.
Në Shtëpi takoj Nezir Myrtajn dhe pas pak nisemi këmbë kah Lajthishta në drejtim të Shkollës së Pjetërshticës. Shumë nga fshatarët kanë ngarkuar ushqim dhe gjësende në traktorë dhe janë futur në Grykën e fshatit.
Bën një vapë përcëlluese. Tymi i grunajave dhe shtëpive të djegura po përhapet nga Zborci në drejtim të Pjetërshticës.
Gryka e Llapushnikut po sulmohet me të gjitha armët e rënda që ka në dispozicion armata e okupatorit. Forcat serbe kanë vënë në shënjestër një rreze të gjerë të veprimit luftarak. Ata po sulmojnë Komaranin, Kizharekën, Nekocin, Baicën, Vukovcin, dhe fshatrat rreth Gllogocit.
Po ashtu në shënjestër të sulmeve të armikut janë të gjitha vendbanimet dhe istikamet e luftës të pjesës jugore të Drenicës, e cila goditet nga Komarani dhe nga pozicionet e armikut në Shtime, te “Gështenjat dhe te Pishat”.
Së bashku me Nezirin kemi qëndruar disa orë te shkolla e Pjetërshticës, ku është personeli mjekësor, të plagosurit dhe popullata e zhvendosur.
Në orët e pas ditës, unë e Neziri jemi kthyer nga Pjetërshtica në Krojmir.
Të gjithë ushtarët janë në pozicione. Kemi të dhëna për disa të plagosur por nuk jemi sa duhet të informuar se ç po ndodh në vend-luftimet. Vetëm Jetë Hasani disa herë gjatë ditës ka depërtuar nën breshërinë e granatave.
Ai së bashku me Ali Mullinin dhe disa ushtarë të tjerë u kanë dërguar ujë dhe ushqime luftëtarëve të cilët po qëndrojnë të patundur nëpër istikame. Tani për tani luftimet po zhvillohen nga distanca, ndërsa bëhet e ditur se tanket armike kanë depërtuar në hyrje të Zborcit, ku në disa bunkerë kanë mbetur edhe shumë gra e fëmijë të cilët janë strehuar me kohë, por nuk kanë guxuar të dalin nga breshëria e predhave të armës armike. Atje ka rastisur të jenë edhe fëmijët e Reshat Gashit dhe të disa ushtarëve të tjerë.
Banorët e Krojmirit ku gjatë dy muajve të fundit janë strehuar me mijëra të zhvendosur nga të gjitha anët e Drenicës, në orët e mesditës kanë filluar të lëvizin në drejtim të Shalës, por kur kanë filluar granatimet nga Komarani shumica syresh janë kthyer. Disa familje të atyre që nuk e përkrahin luftën kanë depërtuar me kohë në Ribar të Madh, në Dobrajë e fshatra të tjera të Rrafshit.
Në orën 22.00 janë ndërprerë luftimet. Rreth orës 23,00 një pjesë e ushtarëve që kanë luftuar tërë ditën ndërrohen me të tjerë. Nga Carraleva vijnë edhe Luani, Syla, Xhelal Hajdini, Gafurr Dugolli, Ali Durmishi, Dalip Durmishi, Halil Olluri, Azem Olluri, Shaban Mustafa, vëllai im Hasani, Mehdi Qeriqi e të tjerë e të tjerë. Syla na njofton se përveç granatimeve nga distanca, armiku nuk ka bërë përpjekje për të depërtuar nëpër Grykë, pasi që mendon fillimisht ta merr Zborcin, për të siguruar rrugën magjistrale Shtime- Prizren. Syla po ashtu bën me dije se ushtarët e Caralevës, në krye me Naim Ismajlin Hasan Avdylin, Imer Avdylin e të tjerë ndodhen në pozicione në afërsi të Belincit në kthesën e parë. Gjendja e përgjithshme atje, si nga ana jonë ashtu edhe nga ana e luftëtarëve të Komandant Gurit, nuk ka pësuar ndryshime. Ushtarët kanë mbetur në pozicione dhe ndërkohë pasi të hanë bukë dhe pasi të kenë pushuar dy tri orë, të gjithë do të kthehen në pozicione.
Në Shtabin tonë lokal ka lëvizje të shumta të ushtarëve dhe të atyre që janë pranuar në radha por nuk kanë municion. Para Shtabit bëjnë roje Kemajl Hetemi, Fatmir Maliqi, Besim Jashari e të tjerë.
Nga pozicionet në Zborc nuk është kthyer askush. Ata kanë qëndruar në istikame ndërsa planifikohet që gjatë natës të tërhiqet popullata e cila ka mbetur nën rrethim.
Elez Durmishi nga Kleçka ka sjellë vetëm pak municion. Sapo hyn në Shtab ende pa u përshëndetur fillon t’ iu kontrollojë armët ushtarëve. Shumica prej tyre nuk i kanë nxjerrë plumbin nga tyta. I qorton dhe ua nxjerrë fishekët. Dikush gjen kohë edhe për ndonjë qesëndi. Jeta e quan frikacak, duke i thënë se arma nuk kërcet vetvetiu, ndërsa Elezi proteston duke iu treguar se në rast rrëmuje gishti edhe pa dashur e shkreh këmbëzën e automatikut. Elezi ka përvojën e ushtarakut por edhe përgjegjësinë, madje më tepër se sa i kërkohet.
-E sheh se e kam frenuar i thotë, Jetë Hasani derisa ai po bëhej gati t`ia kontrollonte armën.
-Aq më keq ia kthen Elezi, duke ia nxjerrë fishekun nga tyta e armës. Ai na njofton se në drejt Grykës së Llapushnikut janë stacionuar mijëra forca të armikut, 120 tanke, dhjetëra topa e armë të tjera. Luftëtarët tanë e kanë përballuar me sukses ditën e parë. Pritet që gjatë natës të na vijnë përforcime, nga zona të tjera të luftës.
Syla Elezi dhe Jeta janë prijatarë të lëvizjes së armatosur në anët tona. Ata kanë një veprimtari shumë të begatshme në zgjerimin e radhëve të luftëtarëve…
Ora ka vajtur në dy pasmesnatës. Nga lodhja jam mpirë, por gjumë nuk mund të bëj. Bashkëshortja ime Zymrytja, dhe djali im 10-vjeç Zamiri, kanë shkuar në fshatin Shalë por sërish janë kthyer. Epiri, Arbana, Rrezja, Melikija, Ganimetja, e të tjerë kanë mbetur në shtëpinë tonë të mbushur përplot. Në disa dhoma kanë rënë për të pushuar, secili ku ka mundur dhe ku ka gjetur ndonjë vend të lirë…
Terri e ka kapluar tërë Drenicën. Dritë ka vetëm në Komoran në postbllokun e policisë dhe në Ferronikel. Përveç rojeve dhe luftëtarëve në pikat e frontit. të gjithë flenë, ndërsa unë prani dritë të zbehtë të llampës së vajgurit i hedh në letër zhvillimet e ditës. Nuk ka natë që mund të fle mbi dy tri orë, ndërsa Elez Durmishi nuk fle fare, vetëm kotet kohë pas kohe.