Gryka e Krojmirit quhet kompleksi i pesë luginave, të cilat shtrihen nga vendi i quajtur “Gurra e Gatë”, në një degëzim, fillimisht prej tri lugjeve në drejtim të fshatit Javur e Kleçkë nga ana perëndimore, duke u zgjeruar pastaj në anën veriore e veriperëndimore me malet e Shalës dhe të Kleçkës. Nga ana majtë janë rrëpirat mjaft të përshtresuara të përshtatshme për mbrojtje natyrale. Ana e majtë e rrëpirave është e mbuluar me dru ahu e shkoze, ndërsa ana e rrezes me dru bungu e çarri.
Burimi primar i Javurit dhe dhjetëra burime të tjera sekondare përbëjnë lumin, i cili edhe pse në thatësi të madhe ka ujë të mjaftueshëm, të pastër si loti.
Gryka e Krojmirit në të gjitha segmentet është një kështjellë natyrale, e vetmja e këtij lloji në Kosovë. Është një sajesë karakteristike e natyrës, e përshtatshme për të mbijetuar. Makineria armike e ka të vështirë depërtimin me tanke, dhe krejt kjo më bën të besoj se kjo Grykë nuk do të shkelet nga këmba e armikut. Pikërisht në këtë luginë paditën e 26 korrikut dhe gjatë tërë natës janë strehuar mijëra banorë të Krojmirit, dhe të zhvendosur të shumë fshatrave të tjera, të cilët kanë qëndruar në këtë fshat prej fillimit të luftës.
Në orët e hershme të mëngjesit me Heset Sahitin dhe Fitim Selimin kemi depërtuar në Grykë e cila ka filluar gjallërimin e pazakontë edhe pse për fillim mjaft kaotik. Shumica e familjeve kanë fjetur nën qiell të hapur. Disa të tjerë kanë filluar të rregullojnë kasolle prej drurit, disa kanë vendosur ndonjë najlon apo ndonjë batanie. Shumë të tjerë natën e kanë kaluar në rimorkio traktorësh dhe nën rimorkio. Shumica kanë hyrë të përgatitur. Kanë marre me vete miell, enë për bukë, sufa, tepsi, tenxhere dhe të gjitha pajisjet e tjera të kuzhinës. Ca të tjerë nuk kanë marrë asgjë. Ata mendojnë se kjo gjendje nuk mund të zgjasë vetëm disa orë dhe do t ia “therin” në fshatrat e Rrafshit, sidomos kundërshtarët e rezistencës dhe ata që i kanë mbetur besnik pacifistit, Ibrahim Rugova. Ata kanë përhapur fjalë se ushtria ka dezertuar, se komandantët kanë ikur për në Shqipëri, se lufta është humbur e të tjera. Disa syresh këtë ua thonë në ballë edhe ushtarëve të cilët gjatë natës i kanë depërtuar familjet e tyre në Grykë. Që në mëngjes është shënuar edhe një zënkë që ka përfunduar me rrahje, por pa pasoja të rënda…8)
Lëvizjet, vajtje ardhjet, zërat e fëmijëve, të pallat e bagëtisë, lehja e qenve, hungërima e kuajve, të gjithë këta zëra përzihen në ushtimën vijuese dhe të njëtrajtshme të lumit i cili iu mbanë ison zërave të pazakontë. Gryka është gjallëruar. Njerëzia kanë filluar një jetë tjetër në kushte dhe rrethana lufte e rrethimi.
Duke shtegtuar nëpër luginën e Grykës syri më zë Epirin, Zamirin, Arbanën Rrezen Kadrien, Nezirin e të tjerë të cilët tërë natën kanë qëndruar në natyrë, ndërsa mëngjesi rreth lumit lëshon vesë dhe lagështirë.
Në orët e pas ditës janë sajuar qindra tenda me najlon, plastmas apo me batanie. Ramadan Rizani, Heset Hamdiu, Vehbi Qeriqi, Idriz Qeriqi, Isa Qeriqi e të tjerë përkujdesën për t iu ndihmuar dhe për t`i orientuar të tjerët në vendet ku duhet të vendosur duke lënë shteg për të kaluar papengueshëm nëpër rrugë me traktorë apo qerre kuajsh.
Përderisa përshëndetemi dhe bëjmë tutje drejt thellësisë së Grykës, Fitim Selimit i lajmërohen pacientët e parë. Atë, e ndihmon Arbana, bija ime, e cila e ka kryer shkollën e mesme të mjekësisë, ndërsa është absolvente e Pedagogjisë. Po ashtu janë edhe disa motra të tjera medicinale si Mirditë Qeriqi, Ganimete Qeriqi e të tjera. Për fillim mjeku Fitim Selimi sajon një tendë të improvizuar dhe fillon nga puna. Me Heset Sahitin bëjmë tutje, duke parë si ka filluar ditën ky popull tejet i vyeshëm dhe i gjindshëm, i adaptueshëm për të mbijetuar në çdo situatë. Vetëm për disa orë ndërron në tërësi fushimi.
Epiri, Përparimi, Dani, tanimë i kanë sajuar tendat me dru dhe u kanë vënë përsipër nga një batanije. Heseti bën tutje dhe unë ndalem me Nezirin. Endriti nuk ka fjetur tërë natën. Fëmijët e vegjël të Farukut qajnë, disa fëmijë të tjerë spërkaten me ujë dhe kanë filluar të shijojnë frytet e këtij fushimi të detyrueshëm.
Neziri Kadria dhe Faruku, duke qenë se kanë fëmijët e vegjël shprehin gatishmëri për t`u larguar nga Gryka. Pa vonuar ata së bashku edhe me Agim Çorrollin nisen në drejtim të Javurit e prej andej nëpër Rrafshnaltën e Graiçevcit e të Budakovës mendojnë të shkojnë fillimisht në Shtime e prej andej në Prishtinë. Pasi përshëndetemi kthehem te kthina e improvizuar. të cilën me shpejtësi e ka ndërtuar, Epiri, në vendin buzë lumit dhe shtrihem në fieri dhe në dushk, për të pushuar pak sepse sytë nuk më bëjnë dot dritë nga lodhja sfilitja dhe pagjumësia. Nuk bëj dot gjumë. Zymryti përgatitë bukën në zjarr sikur dikur moti. Isë Qeriqi e ka sjellë shporetin madje edhe samovarin e çajit.
Në orët e para të pasditës, popullata e zhvendosur është shtrirë në një hapësirë tri katër kilometra. Është njëlloj dyndje biblike, si ato të kohës së profetit Abraham, apo nisja e Mojsiut me popullin e Izraelit drejt Tokës së premtuar. Një imazh i dhembshëm por krenar dhe madhështor, qaste të tragjizmit kolektiv të kthyer në përpjekje për të mbijetuar.
Ata, të cilët i besojnë luftës dhe fitores, shpresat i kanë varur te ushtarët tanë që qëndrojnë në pozicionet e dyta, një kilometër përballë fushimit të forcave armike, ndërsa pesë kilometra larg Grykës. Ata të cilët nuk i besojnë fitores, presin me traktorë ngarkuar për të depërtuar kudo, ku mendojnë se do të gjejnë siguri.
Në kthinën e parë derisa po bisedoja me dy ushtarë të Karaçicës, vërej traktorin e Ali Durmishit. Elezin e ka zënë gjumi nën rimorkio, ai nuk fle gjatë natës. Bashkëshortja e tij don ta zgjojë por nuk e lejoj, meqë s kishte as një orë që kishte rënë për të pushuar. Edhe ai në pesë ditë e fundit nuk ka fjetur as për një çast.
Më tutje bën zhurmë Heset Hamdiu duke u munduar që në këtë kaos të llojit të veçantë të vendos rregull. Ai është tejet i gjindshëm, jashtëzakonisht punëtor dhe i papërmbajtur në përpjekjet e tij për të vendosur rregull kudo ku gjendet dhe qysh në ditën e parë me të vëllanë, Azizin, e kanë ngritur çadrën dhe i kanë vendosur brenda të gjitha rraqet e nevojshme. Disa nga të zhvendosurit nga frika e mundshme e granatimeve janë futur thellësirave të rrëpirës.
Disa të tjerë në fushën në breg të lumit. Shumica kanë parandjenjë të qëndrimit të gjatë në Grykë, andaj pyesin se ç duhet bërë, kah do t`ia mbajmë, a mund të jetohet në kushte të tilla e pyetje të tjera të bezdisshme.
Pas një defilimi me Danin, Hesetin dhe Vehbiun sërish kthehem në tendë. Atje i takoj studentët e Gjilanit të cilët kërkojnë nga unë këshilla se si do të veprojnë. Meqë nuk janë të armatosur, ata shprehin shqetësim se në kushte të tilla po bëhen barrë për popullatën. Kërkojnë të caktoj një përcjellës që të depërtojnë deri në Kleçkë dhe atje të vendosin se si do të veprojnë. I arsyetoj të gjithë. Elezi i merr në përkujdesje, cakton një ushtar që do t`i dërgojë deri në Kleçkë. Përshëndetem me ta me zemër të thyer. Nga ata mbetet vetëm Fatmir Maliqi nga Busovata, të cilit iu ka dhënë arma e rojës së Shtabit para depërtimit në Grykë. Ushtari 17-vjeçar nga Kumanova i cili është sëmurë nga lodhja e sfilitja nuk ndahet dot nga Epiri. Për shkak të gjendjes së rëndë shpirtërore ia kanë marrë kallashin. Ka vetëm një bombë dore dhe një mani të sëmurë për ta mbajtur kurdoherë në dorë. Më dhimbset të urdhëroj ta largojnë, meqë është tretur, vetëm kockë e lëkurë, në anën tjetër kam frikë se në rast të ndonjë depresioni mund të na dëmtojë. Epiri më siguron se do ta ketë vazhdimisht nën kujdes.
Hasani me fëmijët, meqë janë sëmurë gjatë rrëmujes dhe lagështirës së natës në natyrë, ka shkuar në lagjen afër të Karaqicës, te daja i gjyshit. Atje do të qëndrojë për disa ditë.
Familja Buja i ka ngritur po ashtu tendat. Ismet Olluri dhe disa të tjerë nga kjo lagje kanë rregulluar kasolle me thupra. Edhe Xhevat Ollurin, kryetarin e LDK-së në Lypjan e ka zënë po i njëjti fat. Ai duket shumë i turbulluar dhe sipas të gjitha gjasave nuk e ka ndërmend të qëndrojë në Grykë edhe pse nuk e shpreh hapur. Pritet të ikë tinëz nga çasti në çast. I ikë takimeve me ne dhe po përgatitet për dezertim.
Gjatë tërë ditës të gjithë kanë punuar. Disa janë rikthyer në fshat për të marrë gjësende të nevojshme, disa të tjerë kanë ikur që në ditën e parë, por shumica ka filluar të mendojë për të qëndruar edhe në rrethana të tilla.
Në mbrëmje, Syla, Luani dhe Aliu më tregojnë se Shtabi është vendosur te shtëpinë e Heset Hamdiut në hyrje të Grykës. Janë marrë të gjitha masat e sigurisë. Është caktuar Roja te Guri si dhe vëzhgues të tjerë të cilët për çdo rast të lajmërojnë me zhvillimet.
Gurgullima mahnitëse e lumit, ajo ushtimë metafizike mijëvjeçare e njëtrajtshme por qetësuese më vendos fijet e para me gjumin me të cilin ka një javë që nuk jam takuar..