Frank Shkreli: Dy vëllezër shqiptaro-amerikanë në zyrat më të larta të Pentagonit

Frank Shkreli: Dy vëllezër shqiptaro-amerikanë në zyrat më të larta të Pentagonit

 Organizata amerikane Partneriteti për Shërbimin Publik (PSHB) ose anglisht The Partnership for Public Service, është një ent jo fitimprurës me qendër në Washington, misioni i të cilit është për të frymëzuar një brez të ri nëpunësish civilë në punën e tyre në qeverinë federale, me qëllim për të përmirësuar duke transformuar mënyrën se si funksionon tani qeveria federale e Shteteve të Bashkuara në kryerjen e përgjegjësive që ka ndaj taksa-paguesve amerikanë.

Një artikull në faqen e kësaj organizate më dha shkas që të mdaj me lexuesin nnjë tregim tepër të jashtëzakonshëm mbi suksesin e dy vëllezërve shqiptarë nga Kosova, të punësuar në nivelet më të larta të Pentagonit.  Ky është një tregim që më gëzoi pamasë kur e lexova në faqen “Facebook” të Partneritetit për Shërbimin Publik. Unë jam përpjekur që gjatë viteve, modestsisht, të ve në dukje sukseset e komunitetit shqiptaro-amerikan në tërësi dhe të disa individëve në moshë të re, në veçanti.  Ditë më parë solla një shkrim për shqiptaro-amerikanën Suzanna Shkrelin e cila po bën fushatë si kandidate e Partisë Demokrate për një vend në Kongresin amerikan, në zgjedhjet e nentorit.

Shkrimi  i bazuar në artikullin e PSHB-ës është gjithashtu tepër interesant pasi kemi të bëjmë me dy vëllëzër shqiptaro-amerikanë nga Kosova, të cilët u larguan nga ai vend në moshë të re dhe ia mësynë mërgimit duke ardhur në Amerikë dhe tani punojnë në zyrat më të larta të Pentagonit.  Madje, në artikullin e entit Partneriteti për Shërbimin Publik dy vëllëzrit nga Kosova, Ylli dhe Ylber Bajraktari, jo vetëm që punojnë në Pentagon, por cilësohen si dorë e djathtë e zyrtarëve më të lartë të Pentagonit, përfshirë Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Ashton Carter.

Vëllezërit Bajraktari, në punën e tyre të përditshme, merren me çështje të politikës së mbrojtjes dhe politikës së jashtëme dhe si të tillë ata udhëtojnë, anë e mbanë botës, me udhëheqsit më të lartë të mbrojtjes amerikane gjatë vizitave të tyre zyrtare jashtë vendit.

Në artikullin kushtuar vëllëzërve Bajraktari thuhet se në shikim të parë duket si diçka tepër e pabesueshme që dy vëllëzër shqiptarë të shpërngulur nga Prishtina e shkatërruar nga lufta, do të arrinin pozita të njëjta të nivelit të lartë duke punuar për dy zyrtarët më të lartë të Pentagonit.  Por kjo është e vërteta, Ylli dhe Ylber Bajraktari, në rrugën e karierës së tyre të jashtzakonshme, falë aftësive dhe dedikimit të tyre, pëfunduan në rrethin më të ngushtë dhe më të besueshëm të Pentagonit.

Vëllëzërit Bajraktari emigruan në Shtetet e Bashkuara, ndonëse në moshë të re ata morën rrugë të ndryshme me të arritur këtu, ndërkohë që u regjistruan në universitetet amerikane për të ndjekur studimet e larta.  Me kohë, ata morën edhe shtetësinë amerikane dhe tani merren me çështjet më të rëndësishme botërore, duke iu paraqitur eprorëve të tyre informacionin më të freskët mbi ngjarjet më të fundit në botë. Në artikull citohet Carl Woog, ish-këshilltari i lartë i Sekretarit të Mbrojtjes për Komunikime Strategjike dhe tani anëtar i Këshillit të Sigurimit Kombëtar, i cili thotë se vëllëzërit Bajraktari, “Janë zotuar dhe të dedikuar se do të ndihmojnë në përcaktimin e rolit të Amerikës në botë nepërmjet punës dhe kontributit të tyre, në fushën e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes”.  Zyrtari i lartë i Këshillit të Sigurimit Kombëtar amerikan shtoi se ai, “Ai nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për një rast si ky, ku dy vëllëzër të kenë luajtur një rol kaq me rëndësi”, në zyrat më të larta të punës në fushat përkatëse të mbrojtjes dhe të politikës së jashtme, në Pentagon.”

Ylberi i cili është diplomuar nga universiteti i njohur Princeton shërben tani si zëvëndës kryetar i stafit për çështjet politike në zyrën e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Ashton Carter. Më parë, ai ka punuar në zyrën e ish-Drejtorit të CIA-s, David Petraeus duke u marrë gjithashtu me gjëndjen politike dhe ushtarake në Irak dhe me përpilimin e politikës amerikane ndaj Iranit, herë në Pentagon e herë në Shëpinë e Bardhë.

Ndërsa Ylli shërben si Ndihmës i Posaçëm i Zëvëndës Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Robert Work në Pentagon, që njëkohsisht është edhe enti më i madh i qeverisë federale, për nga numëri i nëpunësve dhe për nga buxheti i përgjithshëm. I diplomuar nga Universiteti Harvard, gjatë karierës së tij, Ylli është marrë me çështje politike që kishin të bënin me Afganistanin dhe me Indinë, ndërsa më heret ka shërbyer si këshilltar i ish-Kryetarit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneralit Martin Dempsey.  Ylli Bajraktari u shpreh se puna që ai bën tani në Pentagon është tepër interesante, pasi sipas tij, çdo gjë që përfundon në tavolinën e tij ka një element krize diku në botë.

Por nuk ka shumë rëndësi se ç’thonë vetë vëllëzërit Bajraktari për punën e tyre, rëndësi ka vlerësimi i punës dhe i dedikimit të tyre ndaj detyrës nga të tjerët, nga kolegët dhe nga zyrtarët e lartë të Pentagonit me të cilët ata punojnë çdo ditë.   Njëri prej tyre, Eric Rosenbach, Kryetari i stafit të Sekretarit Carter, i cilëson dy vëllëzrit Bajraktari si “Dy indidvidë më të dedikuar ndaj punës së tyre, që ai ka njohur”, duke shtuar se, “Ata po mbrojnë interesat e Shteteve të Bashkuara dhe duke bërë një gjë të tillë”, me punën e tyre shtoi ai, “ata sjellin një përspektivë më të qartë mbi rolin e Amerikës në botë.”  Ndërsa nga ana e tyre vëllëzërit Bajraktari, në artikullin kushtuar atyre në faqen e organizatës amerikane Partneriteti për Shërbimin Publik, shprehën falenderimet dhe mirënjohjen e tyre ndaj ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, “Për rolin kritik që luajtën forcat ushtarake amerikane në shpëtimin e Kosovës”, shumë prej të cilëve, anëtra të të kësah ushtrie tha Ylberi, tani i takojnë në korridoret e Pentagonit.  Nuk kalon asnjë ditë që nuk takojmë ushtarakë amerikanë të cilët kanë qenë pjesë e misionit të NATO-s kundër Serbisë, pohoi Ylli, duke shtuar se, “Angazhimi dhe zotimi që ndjejmë ndaj këtij vendi, është një obligim për ne. Ne e ndjejmë vetën të privilegjuar dhe të nderuar që punojmë këtu” në Pentagon, përfudnoi ai.

Edhe ne jemi të nderuar dhe të privilegjuar që të rinjët shqiptaro-amerikanë si vëllëzërit Bajraktari të cilët me punën e tyre nderojnë veten dhe kombin e origjinës, me suksesin e tyre personal dhe profesional, duke bërë krenarë jo vetëm komunitetin shqiptaro-amerikanë, por shqiptarët kudo. Si shumë të tjerë shqiptaro-amerikanë, edhe vëllëzërit Bajraktari me të drejtë e ndjejnë si obligim për ato që ka bërë Amerika për kombin shqiptar, ashtu që me punën e tyre të kontribojnë — në nivelet më të larta të qeverisë amerikane — për këtë vend ku kemi gjetur strehim dhe liri – duke bërë diçka në shënjë falenderimi e mirënjohjeje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Jam i sigurt se ata e kryejnë këtë obligim me cilësi dhe stil të lartë moral e politik, jo vetëm në emër të tyre dhe të familjes, por edhe në emër të të gjithë shqiptarëve në Amerikë dhe kudo të cilët mund të ndjejnë të njëjtin obligim, por të cilët ndoshta nuk kanë fatin ose mundësitë të arrijnë nivele të tilla suksesi në punën e tyre me një ndikim dhe influence të tillë si vëllëzërit Bajraktari.   Lartë e më lartë!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …