Stacioni Policor në Gjakovë, në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme në parandalimin e dukurive negative dhe realizimit të objektivave policore për krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët, në dy raste të ndara ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar dy armë.
Patrulla policore e Stacionit Policor në Gjakovë rreth orës 23:00 pasi ishte njoftuar për të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar në rrugën “Ardhmëria” fshati Madanaj-Gjakovë, ka arritur të identifikoj dhe arrestoj një të dyshuar (R. K., i lindur në vitin 1983 mashkull kosovar) mbi dyshimin se i njëjti kishte shtënë me armë zjarri. Në cilësinë e provave materiale është sekuestruar një pistoletë dhe katër (4) gëzhoja.
Në rastin e dytë në fshatin Skivjan në Gjakovë është arrestuar i dyshuari K.B., mashkull kosovar i lindur në vitit 1985 pasi që në një aheng tjetër familjar kishte shtënë me armë zjarri.
Në posedim të të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë (e cilat dyshohet të jetë përdorur në rast) si dhe janë gjetur gjashtë gëzhoja.
Lidhur me veprimet e ndërmarra është njoftuar prokurori kompetent, me vendimin e të së cilit janë iniciuar dy raste “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa paautorizuar të armëve dhe përdorim i armës apo mjetit te rrezikshëm” të cilat do të trajtohen në procedurë të rregullt.
”Posedimi dhe përdorimi i armëve në përgjithësi e në veçanti në festa dhe ahengje, është i ndaluar dhe sanksionohet me ligj, andaj festoni me zemër e jo me armë, mos e shndërroni gëzimin në hidhërim dhe tragjedi”.
Gjakovë, 28 korrik 2024