Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, vizitoi sot vendpunishten ku po ndërtohet Fakulteti i ri i Shkencave Matematike-Natyrore i Universitetit të Prishtinës, i shoqëruar nga përfaqësues të UP-së, UNOPS-it, si dhe nga Ambasadorët e Rinj Evropianë. Kjo strukturë moderne, e financuar me një grant prej 8.9 milionë eurosh nga BE-ja, tregon përkushtimin e BE-së për përmirësimin e arsimit dhe zgjerimin e kapaciteteve për hulumtime në Kosovë. Në muajin shkurt që lamë pas, në këtë vend mora pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit për këtë projekt ambicioz të financuar nga BE-ja. Sot, më bëhet shumë qejfi kur shoh përparim në ndërtim. Investimi i BE-së në këtë projekt nuk ka të bëjë thjesht me ndërtimin e infrastrukturës; ka të bëjë me ndërtimin e një ardhmërie më të ndritur dhe të bazuar në njohuri për Kosovën. Duke përmirësuar standardet e cilësisë në arsimin e lartë, ne jemi krenarë që po mbështesim gjeneratën e ardhshme të shkencëtarëve dhe hulumtuesve të Kosovës”, u shpreh ambasadori Szunyog. Me përfundimin e punimeve, ndërtesa e re do t’u shërbejë më shume se 2,300 studentëve dhe 133 anëtarëve të stafit në pesë departamente: matematikë, fizikë, kimi, biologji dhe gjeografi. Në mënyrë që të sigurohet që objekti i ri t’i përmbushë nevojat e arsimit modern dhe punës hulumtuese, përveç financimit të BE-së janë edhe 5 milionë euro shtesë për inventar dhe pajisje laboratorike të ndara nga Universiteti i Prishtinës.
Me investime të përgjithshme prej 85 milionë eurosh në sistemin arsimor të Kosovës nga viti 2007 deri në vitin 2022, BE-ja është ofruesi më i madh i ndihmës financiare në Kosovë. Me këto investime synohet të përmirësohen mundësitë për studentët dhe mësimdhënësit, të ngrihen standardet e sistemit arsimor të Kosovës në nivelin e atyre të BE-së, si dhe të stimulohet zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës.
Mbështetja e BE-së për arsimin në Kosovë shkon përtej thjesht ndërtimit të infrastrukturës. Kjo mbështetje përfshin planifikimin strategjik, përmirësimin e teknologjisë dhe programet e bursave në universitetet evropiane, siç është Young Cell Scheme. Kjo skemë u ofron bursa të rinjve kosovarë për të studiuar në universitetet e shteteve anëtare të BE-së, me mundësinë për të ndjekur më pas karrierën në shërbimin civil dhe për të kontribuar në reformën e administratës publike në Kosovë. Deri më sot, nga këto bursa kanë përfituar 409 studentë.
Gjithashtu, BE-ja mbështet arsimin, aftësimin, rininë dhe sportin në Evropë, si dhe nxit lëvizshmërinë ndërkombëtare nëpërmjet ERASMUS+. Nga viti 2015 deri në vitin 2023, institucionet e arsimit të lartë në Kosovë kanë organizuar 9,656 shkëmbime të stafit dhe studentëve, si në Kosovë ashtu edhe jashtë shtetit.
Po ashtu, vitin e shkuar, projekti KOSED i financuar nga BE-ja ndërmori një shqyrtim tërësor të teksteve shkollore të gjuhës shqipe dhe matematikës për arsimin e detyrueshëm, duke synuar rritjen e cilësisë së arsimit parauniversitar. Me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, BE-ja deri më tani ka mbështetur më shumë se 100 shkolla për përfundimin ose fillimin e procesit të përmirësimit të vlerësimit të brendshëm të shkollave, ndërsa mbi një mijë mësimdhënës në mbarë Kosovën kanë përfituar trajnime praktike për përmirësimin e zhvillimit të tyre profesional.
Përmes këtyre projekteve, BE-ja është e përkushtuar për t’i kontribuar një sistemi arsimor me cilësi më të lartë dhe më gjithëpërfshirës në Kosovë.