Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e paralajmëruar lidhur me takimin e mbajtur më herët me kreun e Kuvendit dhe atë të opozitës për reformën në drejtësi, ka paralajmëruar se ky proces mund të shënojë një “ndarje të re dramatike” për vendin. Ai ka deklaruar se, reforma në drejtësi është një revolucion i mirëfilltë dhe sipas tij, “nuk ndodh gjithnjë që një revolucion i vonuar të jetë objekt i një diskutimi kaq të madh përballë një muri shurdh, që synon me çdo kusht ta pengojë këtë revolucion paqësor dhe transformues për gjeneratat”. “Kjo është reforma më e rëndësishme dhe vetëm pak ditë na ndajnë nga një moment, deri tek i cili unë do të shpresoj deri në minutën e fundit se do të arrihet bashkimi i të gjithëve për t’i çelur rrugën këtij transformimi, por që mund të jetë edhe momenti dramatik për një ndarje të re”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, ndarja në fjalë është: “Mes atyre që janë të vetëdijshëm përse janë në Parlament dhe atyre që po bëjnë çmos për të mos e lejuar këtë transformim kolosal”. “Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi deri në fund të vendosur që t’i hapim rrugë këtij revolucioni dhe të mundësojmë që Shqipëria të ndahet nga një epokë e karakterizuar nga mungesa e drejtësisë, kultura e pandëshkueshmërisë dhe pamundësia e njeriut të zakonshëm për të gjetur të drejtën në një derë gjykate”, ka thënë Rama. Ai ka theksuar se, sot është një ditë kur të gjithë duhet të përpiqen për të mos lejuar që vendi të merret peng. Sipas tij, ky është gjithashtu një rast unik për të treguar se çfarë mund të bëjë politika, e cila për fat të keq në vendin tonw është diskretituar kaq shumë. “Ne nuk mund t’i lejojmë vetes për asnjë arsye apo interes që të pranojmë në heshtje pengmarrjen e vendit dhe që në heshtje të shohim se si Shqipëria, në vend që të çelë dyert e BE-së, jo vetëm ta humbë këtë mundësi, por të damkoset si vendi që nuk pati kurajon të kalojë reformën në drejtësi dhe refuzoi përfshirjen e partnerëve strategjikë në procesin e pastrimit të drejtësisë”, ka vijuar Rama.
Ai ka nënvizuar se, votat dhe vullneti i PS mbetet i hekurt dhe i qartë. “Në takimin e sotëm bëra të qartë se ne pranojmë çdo propozim e zgjidhje që ofron PD, me kusht që ajo të konsiderohet zgjidhje dhe jo zgjedhje mbi sistemin e drejtësisë nga partnerët ndërkombëtarë. Vazhdoj të jem i bindur se reforma do të miratohet dhe se konsensusi kushtetues është dy të tretat e votave të Kuvendit. Konsensusi tjetër është 100 për qind të votave”, ka thënë Rama. Kryeministri ka paralajmëruar se, nëse reforma dështon ditën e enjte, ky do të jetë një dështim i madh e i pamerituar për popullin shqiptar, “dhe ato fryte që ne do të marrim pas disa vitesh nëse e votojmë do të vonohen për disa vite të tjera”, ka nënvizuar Rama, i cili u ka drejtuar një apel deputetëve të PD. “Ju them deputetëve të PD që të luash me fatin e Shqipërisë në këtë farë feje vetëm sepse ke hallin e mandatit tënd, kjo ka vetëm 1 emër. Por këtë emër unë do ta them ditën e enjte. Personalisht dhe jam i bindur se njësoj si unë edhe anëtarët e grupit tonë parlamentar do të shkojmë në Parlament për fatin e Shqipërisë. Dhe jam i bindur që kjo është rruga e vetme”, ka shtuar Rama.
( Top Channel)