Skender Xhakaliu dhe Ekrem Krasniqi: Banka e Kosovës për Prodhim do të ndalte eksportin e parave të gatshme dhe deficitin tregtar

]]
  Në një kohë kur ekonomia e Kosovës përballet me sfida të mëdha, një prej problemeve më të rënda të saj është deficiti i lartë tregtar, i shkaktuar nga importet e mëdha, kapacitetit i zbehët prodhues dhe eksportet e ulëta. Për ta tejkaluar këtë situate dhe për të stimuluar zhvillimin ekonomik të vendit, është urgjentisht e nevojshme krijimi i një banke për prodhim, e cila do të quhej: Banka e Kosovës për Prodhim (BKP).
Nevoja për një bankë për prodhim
Kosova është një vend që, për fat të keq, eksporton më shumë para se sa mallra. Ky trend ka vazhduar që nga përfundimi i luftës dhe ka sjellë një rritje të jashtëzakonshme të deficitit tregtar ndër vite (shih diagramin e importit dhe eksportit 2005-2023, të krijuar nga të dhënat e ASK ).
Për ta ndalur dhe zvogëluar këtë deficit, është e nevojshme që të rritet prodhimi vendor dhe të zëvendësohen mallrat e importuara me ato të prodhuara në vend. Një mënyrë efektive për të arritur këtë synim është krijimi i një banke vendore për prodhim.
Çfarë është Banka e Kosovës për Prodhim (BKP)?

BKP do të ishte një institucion financiar i krijuar në bazë të një partneriteti publiko-privat (PPP), me fokus të vetëm në financimin dhe mbështetjen e sektorit prodhues të Kosovës. Kjo bankë do të ofronte kredi me norma më të ulëta interesi sesa bankat ekzistuese në tregun financiar të vendit tonë, duke i ndihmuar kompanitë vendore të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese dhe të përmirësojnë cilësinë e produkteve të tyre.
Përse është e domosdoshme krijimi i BKP? 

Zvogëlimi i Deficitit Tregtar:
-Një nga qëllimet kryesore të BKP është që të ndihmojë në zvogëlimin e deficitit tregtar duke rritur prodhimin vendor dhe zëvendësimin e mallrave të importuara me ato të prodhuara në vend. Rritja e prodhimit vendor do të rriste eksportet dhe do të reduktonte varësinë nga importet.
Rritja e Punësimit:
-Me rritjen e kapaciteteve prodhuese, do të krijohen vende të reja pune, duke përmirësuar kështu mirëqenien socio-ekonomike të qytetarëve.
Përmirësimi i Cilësisë së Produkteve:

-BKP do të ofrojë mbështetje financiare për përmirësimin e cilësisë së produkteve, duke i bërë ato më konkurruese në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.

Mbështetje për Sektorin Privat prodhues:

-Ofrimi i kredive me norma të ulëta interesi do t’i ndihmojë kompanitë private që të rriten dhe të zhvillohen, duke kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

Kapitalizimi dhe Struktura e Bankës:
Banka do të financohej nga një kombinim i burimeve financiare publike dhe private.
Sektori publik:

-Pjesëmarrja e qeverisë dhe ndërmarrjeve publike aksionare do të duhej të ishte me 51% të kapitalit fillestar.

Sektori privat në Kosovë dhe i Diasporës :

-Sektori privat vendor dhe ai i Diasporës do të duhej të ishte pjesëmarrës në kapitalin fillestar të bankës me pjesën tjetër, pra në 49%. Në kuadër të kësaj, kompanitë private vendore dhe ato të Diasporës, e po ashtu edhe qytetarët e Kosovës dhe nga Diaspora do të duhet pasur derën e hapur që të investojnë dhe të jenë aksionarë në këtë bankë.

Burimi për kapitalin fillestar:
-Kapitali fillestar i pjesës së qeverisë do të duhej kërkuar në tre adresa kryesore:
a) Mbetja buxhetore: Pjesë e mbetjeve (suficiti) buxhetore të vitit rrjedhës që mund të ri-destinohen duke investuar në krijimin e bankës.
b) Ri-destinimi i fondeve: Fondet e parashikuara për disa projekte të mëdha infrastrukturore, mund të ri-destinohen për krijimin e BKP-së, meqë investimi në prodhim ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit.
c) Fondi i Kursimeve Pensionale (TRUST): Kthimi në Kosovë i një pjese të Fondit të Kursimeve Pensionale që është investuar jashtë vendit mund të përdoret si burim pjesëmarrës për kapitalin fillestar për bankën, duke e bërë kështu TRUST-in aksionar në pjesën 51% të sektorit publik.

Institucionet Financiare Ndërkombëtare: Përfshirja e bankave si EBRD, EIB e KfW

Bashkë-kreditimi me Bankat Ndërkombëtare është një mënyrë shtesë e zgjerimit të aktiviteteve të BKP-së në projekte specifike në sektorin e prodhimit.

Për projekte të caktuara të prodhimit, BKP mund të kërkojë bashkë-kreditim nga bankat e huaja, në rend të parë nga EBRD, EIB dhe KfW. Këto projekte mund të përfshijnë përdorimin e energjisë së ripërtërishme, ruajtjen e ambientit dhe efikasitetin energjetik.

Riciklimi deri në prodhim gjysmë-final apo final, është një kategori e këtyre llojeve të projekteve prodhuese, pos të tjerave projekte që do të investonin në përdorimin e energjisë së ripërtërishme në projekte prodhuese/fabrika.

Përfitimet e krijimit të BKP
-Rritja e të Ardhurave të Shtetit: Qeveria e Kosovës do të përfitonte taksime të reja nga prodhimi i mallrave të plasuar në tregun vendor dhe të jashtëm, si dhe nga punësimi i qytetarëve në këto kompani.
-Lehtësira Fiskale: Qeveria mund të ri-dizajnojë lehtësira fiskale për kompanitë që rrisin kapacitetet e tyre prodhuese aktuale, si dhe për kompanitë e reja që futen në prodhim.
– Dividenta dhe Përfitime Financiare: Ndërmarrjet aksionare dhe ato jo-aksionare të bankës do të përfitonin nga kamatat e ulëta të kredisë, ndërsa ato aksionare si dhe individët aksionar edhe disidenten e bankës në fund të vitit.
– Rritja e Investimeve dhe Konkurrencës: BKP mund të bëhet aksionare në ndërmarrjet kliente të suksesshme, duke rritur kështu investimet dhe konkurrencën në treg.
Përmirësimi i Cilësisë së Produkteve dhe Rritja e Sasisë së Prodhimit

Një numër i madh i prodhuesve në Kosovë kanë vështirësi me cilësinë e prodhimeve të tyre, në krahasim me ato të importuara prezente në tregun vendor. BKP do të luajë një rol mbështetës, duke kredituar përmirësimin e cilësisë së prodhimeve dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese, për të mundur garuar me cilësinë e mallrave të importuara dhe për të rritur eksportet.

Roli i Diasporës si Aksionar në Bankën e Kosovës për Prodhim (BKP)

 

Diaspora shqiptare ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. Me remitancat e tyre, anëtarët e Diasporës i kanë mbështetur familjet e tyre dhe kanë kontribuar në stabilitetin ekonomik të vendit. Megjithatë, është koha që ky kontribut të shkojë një hap më tej dhe të përfshihet drejtëpërdrejt edhe në krijimin e një Banke për Prodhim, një institucion financiar që do të ndihmojë në zhvillimin e sektorit prodhues të Kosovës.

Ky artikull shqyrton rëndësinë e rolit të Diasporës si aksionar në këtë bankë dhe përfitimet e mundshme nga ky angazhim.

Roli Strategjik i Diasporës si Aksionar:
– Kontributi Financiar: Diaspora shqiptare është një burim i madh kapitali që mund të investohet në projekte strategjike në Kosovë. Duke qenë aksionarë në BKP, individët dhe bizneset e Diasporës mund të kontribuojnë financiarisht në rritjen e kapaciteteve prodhuese të vendit.
-Transferimi i Njohurive dhe Teknologjisë: Përveç kontributit financiar, pjesëtarët e Diasporës mund të sjellin edhe njohuritë dhe teknologjinë e përparuar nga vendet ku jetojnë dhe punojnë. Kjo do të ndihmonte në përmirësimin e proceseve prodhuese dhe në rritjen e cilësisë së produkteve vendore.
-Zgjerimi i Tregjeve: Përmes lidhjeve të tyre ndërkombëtare, Diaspora mund të ndihmojë në zgjerimin e tregjeve për produktet kosovare. Kjo do të ndihmonte në rritjen e eksporteve dhe në zvogëlimin e deficitit tregtar.
Përfitimet e Diasporës nga Pjesëmarrja si Aksionar:
-Dividenta dhe Përfitime Financiare: Si aksionarë, anëtarët e Diasporës do të përfitojnë nga dividenta e bankës dhe nga përfitimet financiare të projekteve të suksesshme.
-Ndikimi në Zhvillimin Ekonomik të Vendit: Duke investuar në BKP, Diaspora do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kjo është një mundësi për të kontribuar në të ardhmen e vendit dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës për të gjithë qytetarët.
-Rritja e Ndërgjegjësimit dhe Angazhimit: Pjesëmarrja si aksionarë do të rrisë ndërgjegjësimin dhe angazhimin e Diasporës për zhvillimin e Kosovës. Ky angazhim do të krijojë një lidhje më të fortë mes Diasporës dhe vendit të tyre të origjinës.
Sfida dhe Zgjidhje për Angazhimin e Diasporës:
– Komunikimi dhe Informimi: Është e rëndësishme që BKP të ketë një strategji të qartë komunikimi për të informuar dhe për të angazhuar Diasporën. Kjo mund të përfshijë organizimin e konferencave, seminareve dhe takimeve të rregullta me anëtarët e Diasporës.
-Lehtësirat për Investime: Qeveria dhe BKP duhet të krijojnë lehtësira për investimet e Diasporës në sektorin e prodhimit, duke përfshirë lehtësirat fiskale dhe administrative. Kjo do të ndihmonte në tërheqjen e investimeve dhe në rritjen e pjesëmarrjes së Diasporës si aksionarë në BKP.
-Krijimi i Strukturave të Besueshme: Është e domosdoshme që BKP të ketë struktura të besueshme dhe transparente, për të siguruar që investimet e Diasporës të jenë të mbrojtura dhe të përdoren në mënyrë efikase.
Roli i Qeverisë në Inkurajimin e Pjesëmarrjes së Diasporës:
-Qeveria e Kosovës duhet të luajë një rol aktiv në inkurajimin e pjesëmarrjes së diasporës si aksionarë në BKP. Kjo mund të përfshijë krijimin e politikave mbështetëse dhe lehtësirave fiskale, si dhe sigurimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të favorshëm për investime. Gjithashtu, qeveria mund të ndërmarrë fushata ndërgjegjësimi për të promovuar përfitimet e investimeve në BKP dhe për të inkurajuar Diasporën që të angazhohet aktivisht në këtë iniciativë.
Konkludim
 
Krijimi i Bankës së Kosovës për Prodhim (BKP) është një hap i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Diaspora e Kosovës ka një rol të rëndësishëm për të luajtur si aksionar në këtë bankë. Me kontributin financiar, njohuritë dhe lidhjet ndërkombëtare. Diaspora mund të ndihmojë në përmirësimin e proceseve prodhuese, rritjen e cilësisë së produkteve dhe zgjerimin e tregjeve për produktet kosovare. Kjo iniciativë do të krijojë mundësi të reja për investime dhe përfitime financiare, duke përmirësuar në mënyrë të ndjeshme zhvillimin ekonomik të Kosovës. Prandaj, angazhimi i Diasporës si aksionarë në BKP është një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të suksesshme për Kosovën.
Është koha urgjente që vendim-marrësit institucional në Kosovë dhe sektori privat i prodhimit të përfshihen në betejën për të goditur deficitin e rreptë tregtar. Banka e Kosovës për Prodhim (BKP) është aksioni i munguar deri më tash.
(Për autorët : Skender Xhakaliu është ish-Ambasador i Kosovës në Danimarkë dhe Gjermani. Aktualisht është anëtarë i Kryesisë së Dhomës së Biznesit të Diasporës.
Ekrem Krasniqi është themelues i agjencisë së lajmeve në gjuhën angleze dtt-net.com dhe gazetar në Bruksel)

Kontrolloni gjithashtu

Nesër, më 4 janar 2024, në ambientet e Radios-Kosova e Lirë, në Prishtinë shënohet 25-vjetori i fillimit të transmetimit të programit

Ahmet Qeriqi: Kush e ndërpreu e kush jo bashkëpunimin me RKL-në, në qëndrimin e saj kundër politikave të Vetëvendosjes

Qëndrimi im kritik,  në kuptimin parimor kundër dukurive, të cilat i konsideroj të dëmshme për …