Ahmet Qeriqi: Sërish takim me Azem Sylën, kësaj radhe së bashku me Elez Durmishin në selinë e Shtabit të Kleçkë (E shtunë 1 gusht, 1998)

Ahmet Qeriqi: Sërish takim me Azem Sylën, kësaj radhe së bashku me Elez Durmishin në selinë e Shtabit në Kleçkë (E shtunë 1 gusht, 1998)

Vazhdon të mbretërojë një vapë e padurueshme, e cila po shprehet me temperatura të larta që janë rezultat i gazrave helmues të armëve të armikut, madje edhe pasojë e tymit që po shpërndahet nga toka e djegur, nga shtëpitë dhe grunajet e djegura.

Elezi më bën me dije se Azem Syla është në Kleçkë. Meqë atë ditë në Krojmir nuk arrita të bisedoj për shumë çështje, pa vonuar së bashku me Elezin nisem në drejtim të Kleçkës. Pasi që bën vapë e rëndë jemi përcaktuar të ecim dhiareve ku ka dushk e lisa, edhe pse rruga është më e gjatë. Pas tri orë rrugëtimi, së bashku me Elezin hyjmë në Selinë e Shtabit. Ushtaraku Isak Musliu, i mbiquajtur Qerqizi, na mirëpret por nuk  na jep informacione për Azem Sylën. Duke qenë se  doja patjetër ta takoja Azemin, të dy vendosëm të presim deri në mbrëmje.

Oda e madhe e Hafir Manit tani është seli e Shtabit. Aty venë e vinë ushtarakë të lartë nga të gjitha zonat, ndërsa po aty është e vendosur edhe  shtabi i komandës së Çelikut.

Me Azemin takohemi në orën 18.00. Pasi përshëndesim ai na thërret në një dhomë të veçantë të shtabit dhe bisedojmë shtruar për shumë çështje në prani të Elezit, i cili njihet qysh moti me Azem Sylën. Kah fundi i bisedës Azemi kërkon mendimin tim lidhur me Adem Demaçin, për të cilin si duket ka dilema rreth zgjedhjes në një post të caktuar në hierarkinë politike të UÇK-së. Meqë me Azem Sylën njihem qysh moti dhe nuk kam kurrfarë rezerve ndaj tij, me pak fjalë i shpjegoj mendimin tim, duke rënë dakord se tani për tani, Adem Demaçi duhet me çdo kusht të inkuadrohet në strukturat e UÇK-së. Azemi thotë se Adem Demaçi ka pranuar të heqë dorë nga partia si dhe nga projekti i tij i përfolur, Ballkania.

Nga vazhdimi i mëtejmë i bisedës zbulova se çështja e emërimit të Adem Demaçit në strukturat udhëheqëse të UÇK-së ishte vendim i kryer, ndërsa Azemi vetëm kishte shfrytëzuar rastin për të marrë edhe mendimin tim.

Me Azemin i kemi sqaruar edhe shumë çështje të tjera si puna rreth Farukut, rreth Ramiz Qeriqit dhe një varg dobësish të tjera, të cilat me punë dhe angazhime duhet të mënjanohen.

Azemi na përcjellë deri në dalje të Shtabit duke e urdhëruar një ushtar të na sjellë bukë dhe nga një konzervë. Edhe pse nuk jemi aq të uritur, marrim bukën, përshëndetemi me Azemin dhe së bashku me Elez Durmishin nisemi në drejtim të Grykës së Krojmirit.

Rruga është e gjatë dhe ka dy zgjidhje. Edhe pse që të dy i njohim mjaft mirë rrugët dhe dhiaret, përcaktohemi për rrugën më të shkurtë. Pasi dalim nga Kleçka, ulemi dhe hamë bukë, Elezi e ndez një cigare dhe marrim rrugë drejt Arave të Shkreta. Mirëpo në hyrje të pllajave të dendura nga terri e humbin rrugën dhe ndërkohë prapakthehemi në drejtim të rrugës për Javur. Është rruga më e gjatë por e sigurt për ecje gjatë natës. Elezi është vazhdimisht i armatosur me kallash dhe revolver.

Natën vonë ndalemi te vendroja në Lezhë, ku vëzhgojnë, vëllai im,  Hasan Qeriqi dhe Naim Rizani. Pastaj futemi në Grykë. Në vajtje ardhje kemi ecur afër shtatë orë. Këmbët më janë shtangur nga rrugëtimi…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë ardhjet e pandërprera në ngushëllime për Jetë Hasanin (E diel 18 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë ardhjet e pandërprera në ngushëllime për Jetë Hasanin (E diel 18 tetor, 1998)

Zgjohem i lodhur dhe dërrmuar nga përjetimet dhe rravgimet e ditës paraprake. Ndihem tmerrësisht i …