leoni

Gëzim Salih Hamza (5.10.1963 - 19.07.1998)

Gëzim Salih Hamza (5.10.1963 – 19.07.1998)

Gëzim Salih Hamza, i njohur me nofkën luftarake ”Piktori”, është i lindur më 5 tetor të vitit 1963 në Rahavec. Ishte fëmija i parë i gjirit familjar të Salih Mahmut Hamzës, shumë të varfër, por punëtor i vyeshëm në industrinë për prodhimin e masave të plastikës në Rahavec. Me të ardhurat që Salihu realizonte asokohe, memzi arrinte t’i mbante anëtarët e familjes ndërsa për sigurimin e kushteve për shkollim as që mund të mendonte. Megjithatë, Gëzimi si djalë i parë, pas mbarimit të shkollës fillore regjistrohet në të mesmen e Rahavecit (sot Gjimnazi Xhelal Hajda – Toni) dhe në këtë çerdhe e vatër arsimore shquhej si nxënës i zellshëm dhe talent i rrallë sidomos në lëmin e arteve (muzikë, letërsi, pikturë e dramë), veçanërisht tregonte talent për portretime andaj edhe menjhëherë pas mbarimit të gjimnazit merr rrugën e mërgimit duke bartur me veti një thes me plot ëndrra e shpresa se diku atje në bregdetin kroat do të arrijë për ta fituar bukën për vete dhe për t’i ndihmuar familjes në Rahavec.
Një kohë të gjatë shtegton nëpër qytetet e bregdetit kroat e slloven duke punuar punë të ndryshme, si punëtor krahu e herë pas here edhe si portretist pasi që shkathtësia e fituar gjatë shkollimit në gjimnaz i ndihmonte për ta ushtruar këtë mjeshtëri. Herë pas herë kthehej në Rahavec ku hapte edhe ekspozita të pavarura. Gjatë veprimtarisë artistike njoftohet, dashurohet dhe martohet me Elizabetë Mullabazin dhe sërish e braktis Rahavecin për t’u vendosur në Rovinj të Kroacisë. Si gjatë bredhjeve mërgimtare nëpër viset bregdetare, ashtu edhe me rastin e vendosjes në Rovinj, Gëzim Hamza bjen në kontakte me veprimtarët e Çështjes Kombëtare si Fehmi e Xhevë Lladrofcin, Naim Malokun, Agim Çelajn, Agim Çekun, Xhelal Hajdën, Selajdin Mullabazin e Safet Abdullahun. Me shpërthimin e luftës kroate kundër regjimit serb e për shkëputje nga Jugosllavia e mbetur, Gëzim Hamza mobilizohet me shume shokë dhe merr pjesë në frontet e Likës e të Kordunit dhe shquhet në betejat ”Bljesak” dhe ”Oluja”. Si luftëtar tregoi zotësi të madhe veçanërisht në lëmin e ndërlidhjes prandaj edhe tërë veprimtarinë luftarake e zhvillon në kuadër të këtij sektori. Pas përfundimit të luftës në Kroaci lidhet me luftëtarët shqiptar të Bosnje-Hercegovinës, veçanërisht me Bislim Zyrapin dhe fillon të aktivizohet në sektorët që përgatiteshin për të ardhur në Kosovë. Me të dëgjuar për krismat e para në Drenicën e Jasharëve e në Gllogjanin legjendar të Haradinajve, Gëzim Hamza, tashmë i njohur me nofkën ”Piktori” vendosi që së bashku me një grup shokësh të marrë rrugë për në Shqipëri e pastaj ta thejë Pashtrikun e të depërtojë në Kosovë. Ëndrrat dhe shpresat se do të luftojë, do të mbijetojë dhe do ta shohë Kosovën e Lirë e të bashkuar me të gjitha trojet etnike, bënë që Gëzimi ta braktisë Rovinjin, Kroacinë, bashkëshorten me dy fëmijë dhe ta marrë armën të cilën e deshi tërë jetën.
Në Shqipëri qëndroi derisa mori leje që t’i bashkohet grupit i cili në gjysmën e dytë të majit të vitit 1998 priste për të depërtuar në fshatrat e Anadrinit nëpërmjet Hasit dhe batalionit ”1000” me të cilin komandonte Haxhi Hoti i njohur me nofkën ”Lleshi”. Kështu, më 6 qershor then kufirin së bashku me shumë eprorë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nëpërmjet fshatrave të Hasit, në ditën kur heroikisht bie në altarin e lirisë komandant Lleshi, Piktori zbret prej Qafë-Mullarit në Kushnin e Romajë. Prej Romaje, i tërë grupi vepron për sigurimin e korridorit Kushnin-Romajë-Rogovë – Celinë – Fortesë – Sapnik – Pataçan i Poshtëm – Pataçan i Epërm – Drenoc – Zatriq – Panorc – Gurbardh e Malishevë, kurse së andejmi për në Drenicë apo në Gllogjan.
Pas thyerjes së të gjitha pritave deri në Drenoc të Anadrinit, Piktori bashkohet me Xhelal Hajdën-Tonin, Selajdin Mullabazin-Micin, Hamdi Mullaliun-Rrushin, Fatmir Ismën, Mehedin Ismën, Skënder Shulinën, Luan Kleçkën e Nazim Mushlën. I tërë ky grup i luftëtarëve të parë të armatosur të Rahavecit bëri themelimin, strukturimin dhe sistemimin e Batalionit të Rahavecit i cili vendoset në ndërtesën e shkollës fillore të fshatit Astarup të Llapushës, me destinacion që të zhvillohet e të shtrihet në drejtim të Rrasave të Rahavecit.
Edhe pse Gëzim Hamza, tashmë i afirmuar si ”Piktori”, në Kroaci kishte lënë bashkëshorten me dy fëmijë, asnjëherë nuk manifestonte preokupimin për ata, por karakterizohej si luftëtar kooperativ dhe shquhej me aftësi të mëdha për punë ekipore. Bashkëvepronte me komandantët e pikave ”Lumi”, ”Çeliku”, ”Pëllumbat” dhe ”Guri 3” e veçanërisht me komandantët Hysni Kilaj, Selman Hoti, Vllaznim Kryeziu, Sokol Bashota, Gani Krasniqi, Rexhep Selimi, Bislim Zyrapi e Fatmir Limaj-Çeliku.
Me rastin e themelimit të Shtabit Operativ Lokal të Batalionit të Rahavecit, komandant i shtabit emrohet Xhelal Hajda-Toni ndërsa për zëvendës kishte: Selajdin Mullabazin-Micin në detyra operative dhe Gëzim Hamzën-Piktorin për çështje të standardit të luftëtarëve dhe themelimin e garnizonit ushtarak në Kërshin e Keq të Rahavecit infrastrukturën e të cilit pati konstruktuar ”Piktori”. Këtë detyrë, sipas komandant Tonit, Piktori duhej ta ushtronte në bashkëveprim me Ismet Tarën-Hoxhën dhe Nesim Mullabazin e në harmoni me aktivitetet luftarake të formacioneve të Llapushës (Gryka e Llapushnikut-Malishevë-Qafë e Zatriqit-Lugu i Shqipeve-Arat e Dulës në drejtim të Rrasave të Rahavecit) e të Drenocit. Këtë detyrë, Gëzim Hamza-Piktori e ushtronte me zell të pashoq sepse kishte ardhur me një përvojë të madhe nga luftimet e Kroacisë.
Kazerma e improvizuar nën ”Kërshin e Keq”, në saje të punës së Gëzim Hamzës aftësohet shumë shpejt, pajiset me një infrastrukturë të domosdoshme ofensive dhe defansive, ndërsa luftëtarët e Batalionit të Rahavecit marrin nën kontroll aksin rrugor Malishevë-Rahavec deri në Rrasat e Rahavecit. Me ardhjen e luftëtarëve të lirisë më kah Rahaveci, zë të funksionojë edhe ”Qyteti i Lirisë” brenda Zonës së Lirë që zuri fill në Grykën e Llapushnikut dhe mbaronte në Rrasat e Rahavecit. Gëzim Hamza-Piktori hartoi edhe planin për mbrojtjen e objektit, mjedisit dhe të tërë infrastrukturës dhe kështu luftëtarët e Tonit e të Micit mbuluan Malet e Rahavecit dhe shtrihen deri në ”Plepat e Celinës” në aksin rrugor Prizren-Rahavec-Gjakovë.
Me pozicionimin e luftëtarëve në pikën ”Rrasat e Rahavecit” Gëzim Hamza gjendet te Ura e Rrasave (nën Lugun e Ibrës) buzë aksit rrugor Malishevë-Rahavec dhe harton planet për zgjerimin e Rrasave të Rahavecit në drejtim të Rahavecit-drejtimi Qendra e Qytetit, por edhe në drejtimin ”Ura e Aliagës”. Atë ditë ishte më i disponuar se kurrdoherë më parë. Buzë rrugës, kishte parkuar automjetin ”Vectra” pranë automjetit të improvizuar ”autoblindë” të Asllan Kleçkës të pajisur me një ”Gulinov” dhe prej familjes së Metush Dinës kërkoi që t’i përgatiten kafetë e mëngjesit ndërsa nga autovetura dëgjohej kënga ”Destan Begu ma kçyr sahatin” e cila atyre ditëve ishte këngë më e popullarizuar dhe me të pirë kafetë, pas një polemike ”të nxehtë” me Selajdin Mullabazin-Micin se a do të hyhet apo nuk do të hyhet në Rahavec, Gëzim Hamza Rrethon Rahavecin duke kaluar me veturë në drejtimin ”Ura e Aliagës”-”Ura e Haxhisë”-”Kroni i Kajës”-”Stacioni i Veterinës” e deri afër Stacionit policor. Dhe kështu Rahaveci u bë Qyteti i Lirë dhe më i hareshëm atyre ditëve. Anekëndë ishte atmosferë festive, ndërsa forcat policore serbe ishin përqendruar në Bodrumin e Pijeve Alkoolike, ne Lagjen e Serbëve dhe ne hotelin ”Park” të Rahavecit.
Të gjitha këto janë zhvilluar më 17 korrik të vitit 1998. Më 18 korrik hyrja në Rahavec u bë një ngjarje e madhe prandaj shtabet e sigurimit serb, si në Prizren ashtu edhe ne Gjakovë përpiqen për të depërtuar njerëz të vet në Rahavec prandaj edhe rrezikohet depërtimi i emisarëve nga Prizreni dhe Gjakova dhe në luftimet për ta penguar këtë bie heroikisht Gani Xhemë Paçarizi e plagoset rëndë Isuf Sherif Gashi (Baca i Madh), Ndizet Beteja e Fortesës. Gëzim Hamza Piktori vazhdon me aktivitete luftarake në drejtimin prej Rrasave të Rahavecit kah Kryqi i Aliagës (Ura e Aliagës) duke strukturuar linjën defansive për mbrojtjen e Rahavecit dhe më 19 korrik, pas Betejës te Ujësjellësi i Rahavecit, pas rënies së Abdullah Bugarit, të Agim Çelës, të Sadik Shalës, të Liman Gegajt, të Afrim Krasniqit e të Hamdi Berishës (të gjithë dëshmorë të lirisë), në distancën prej ujësjellësit e deri në ”Lejthishtet” e Rahavecit, plagoset rëndë Gëzim Hamza-Piktori, dhe në krye të ”Lejthishteve” (te Udha e Thellë) e merr përjetësinë duke shënuar në një fletë të ditarit për luftimet te ujësjellësi.
Pas kalimit të ofensivës serbe dhe me rastin e rikthimit të një pjese të banorëve të Rahavecit në ”Qytetin e Djegur”, qytetarët e Lagjes ”Ambulanca” zbulojnë trupin e pajetë të Gëzim Hamza-Piktorit në bodrumin e një shtëpie, e identifikojnë nëpërmjet një letre (faqe e ditarit) dhe e varrosin në Malin e Akacieve jo larg vendit të rënies, ndërsa me depërtimin e forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahavec, trupi i pajetë i Gëzim Hamzës rivarroset në “Kopshtin e Luleve” në Varrezat e Rahavecit. Ceremoniali i rivarrimit u zhvillua në një atmosferë ushtarake e me përcjellje të një numri shumë të madh të qytetarëve të cilët me këtë akt e bënë edhe më madhështore Përjetësinë e Gëzim Hamzës-Piktorit.
Rënia e Gëzim Hamzës-Piktorit në ditët kur Rahaveci ende ishte në duart e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ditët kur për çdo çast pritej që të kthehej Xhelal Hajda-Toni, në ditët kur Batalioni i Rahavecit ende armatosej, e dëmtoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në dy rrafshe: në rrafshin logjistik, komandant Tonit iu këput një krah sepse Selajdin Mullabazi-Mici, si një person do të ishte e pamundshme që t’i kryejë të gjitha operacionet që kërkoheshin prej tij për reorganizimin e batalionit të shpartalluar pas Betejës së Rahavecit, në rrafshin operativ, Gëzim Hamza-Piktori ishte një strateg vigjilent, ambicioz, komunikativ, kooperativ dhe ekspeditiv. Kishte njohuri të mëdha ushtarake të përfituara në Kroaci, prandaj kishte edhe vizione të qarta për luftime frontale dhe aksione guerile dhe në rrafshin propagandistik, rënia e Gëzim Hamzës-Piktorit i ushqeu defetistët, përçarësit, frikacakët, kolaboracionistët dhe propaganduesit e serbofilizmit.
Sot, Gëzim Salih Hamza pushon në Varrezat e Dëshmorëve të Rahavecit, pranë të gjitha bashkëluftëtarëve të tij, ndërsa i ati Salihu, nëna Fetie, bashkëshortja Elizabetë së bashku me dy dragojt e Piktorit-Beniaminin dhe Lenhardin, gjatë mbrëmjeve të gjata të dimrit dhe gjatë ditëve të vapës së korrikut, ndërsa e përkujtojnë të anë, së bashku me motrat e shumta të Piktorit, kujtojnë të kaluarën e lavdishme të Luftëtarit të Lirisë Gëzim Hamza.
Rënia e Gëzim Hamzës, Beteja e Rahavecit, Beteja në Lugun e Shqipeve, Beteja në Majën e Shkodranit, Beteja e Fortesës dhe shumë luftime të tjetra do të mbeten në faqet më të ndritshme të historisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse pasardhësit do t’u këndojnë këngë të gjithë dëshmorëve që ranë për çlirimin e këtyre trojeve.
Edhe Lenhardi, djalë i vyeshëm e nxënës i dalluar, duke u rritur e duke u burrëruar, po i mbush faqet e ditarit të vet me fëmijërinë e kaluar pa të anë, pa Gëzimin prej të cilit prisnin t’u sjellë gëzime e fitore, për të cilat fitore, Gëzim Hamza-Piktori derdhi gjakun, mori Përjetësinë dhe tash prehet i qetë së bashku me Xhelal Hajdën-Tonin, Selajdin Mullabazin-Micin, Abdullah Bugarin, Mizahir Ismën, Arian Brahimin, Eshrefedin Kastratin, Bekim Ismën, Samir Nurkasën, Xhafer Nurkasën, Gëzim Mullabazin, Xhevat Kasapin, Bajram Veliun, Asllan Kleçkën, Sadedin Hajdën, Bekim Sylkën, Mexhit Mustafën, Afërditë Ukshinin, Hadie Spahiun, Jahja Danuzën e shumë shokë që ranë për ta marrë Përjetësinë.
Të gjithë janë së bashku dhe nuk u ndanë as në Betejën e Rahavecit e as në Kopshtin e Luleve, në Lugjet e Verdha të Rahavecit. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …