Emërtimet e caktuara që lidhen me ngjarje, lëvizje dhe fenomene të ndryshme, kurdoherë kanë ndryshuar dhe duhet të ndryshojnë në kohë dhe hapësirë, ne akord me krijimin e realiteteve të reja. Janë të shumta formulimet gjuhësore të kohës së pushtimit serb dhe jugosllav, të cilat tashmë nuk i qëndrojnë shqyrtimit realist të përmbajtjes dhe do të duhej të ndërpritej trashëgimia e tillë e emërtimeve, e sintagmave me përmbajtje të ndryshme, të cilat aktualisht nuk akordojnë me realitetin e ri, që është krijuar në Kosovë, qysh nga viti 1999.
Dikur, duke përkthyer fjalë për fjalë nga gjuha serbe, zyrtarët dhe studiuesit e lëmenjve të caktuar, sidomos në Kosovë kanë mbartur në gjuhën shqipe formulime, të cilat nuk kanë qenë në akord me realitetin, madje as me natyrën e gjuhës shqipe, por janë imponuar së bashku me gjuhën dhe qëndrimin zyrtar të pushtuesit.
Lëvizja çlirimtare e Azem Galicës dhe trimave të tjerë të Drenicës e mbarë Kosovës kundër pushtimit serb të vendit, është formuluar si “Lëvizje e kaçakëve”, përkthyer fjalë për fjalë nga “Kocacki pokret” që do të thotë lëvizje e banditëve, e hajnave dhe harbutëve. Fjala “kaçak” rrjedh nga fjala e përbërë e gjuhës turke, “kaç” dhe “ak”që në përkthim do të thotë “kap” dhe “ik”, hajn, rrëmbyes, plaçkitës, dhunues, bandit. Përpjekjet, që nga kjo fjalë të nxirret ndonjë derivat afirmativ, janë të kota dhe anakronike.
Imponimi, në të gjitha segmentet e jetës së shqiptarëve, të cilin e ka ushtruar regjimi okupator sllav ka bërë edhe ndërrimin e tërësishëm të toponimisë dikur ilire e dardane, po ashtu ka bërë edhe ndryshimin e patronimeve duke iu shtuar patronimeve shqiptare prapashtesat sllave: -iq, -ov, -oviq e të tjera.
Mendoj se është gabim i madh për historinë dhe për shkencën shqiptare në përgjithësi, që edhe 13 vjet pas çlirimit nga Serbia dhe pas luftës sonë fitimtare të vazhdojnë të jenë ende në përdorim këto emërtime, në esencë antihistorike, sepse ishin falsifikuar me qëllime të caktuara. Tërë lëvizja jonë çlirimtare gjatë kohës së sundimit turk është etiketuar si lëvizje antiturke e trajtuar se lëvizje e hajdutëve dhe komitëve, meqë kërkesat gjithë popullore për liri dhe autonomi nuk janë pranuar asnjëherë si kërkesa të ligjshme nga sunduesit e huaj.
Sa për ilustrim, ja si përshkruhen kaçakët shqiptarë nga historianët serbë. ”Dokumentet na flasin për zullumin individual dhe masiv mbi serbë, për plaçkitjen dhe dëbimin. Kjo është fotografia e errët e gjendjes së atëhershme, e cila do të mbartet në shekujt 18,19,20 dhe 21. Zullumi dhe krimet e turqve kundër serbëve ishin të egra, por ajo që bënë shqiptarët kundër serbëve, tejkalojnë të gjitha krimet, të cilat janë shënuar nëpër anale të kohës. Të këqijat më të mëdha i kanë sjellë serbëve kaçakët, që kanë origjinë qysh nga koha e Turqisë, prej shekullit të 16-të. Kaçaku dhe vrastari janë njësuar në një, sepse kaçakët dhe plaçkitësit gjithnjë kanë qenë terroristë. Kaçakëria nuk pranon asnjë regjim apo shtet. Kur nuk ka shtet efikas, atëherë kaçakët orgjizojnë, zgjohet ndër ta mentaliteti kaçak, i cili përfaqësohet në marrëdhënie pasive ndaj ligjeve të pushteti, dhe kjo ndodh te shqiptarët, me qëllim që përmes rrugës së dhunshme të arrihet deri te ndërrimet. Në këtë mënyrë mentaliteti kaçak lirohet dhe sërish hedhet në vrasje e plaçkitje.” Jovan Xheletiq në studimin e tij racist, “Prejardhja e shqiptarëve”.
Po me këtë përmbajtje janë përkufizuar luftëtarët shqiptarë edhe nga Vladan Gjorgjeviqi, Jovan Haxhi Vasileviqi, Jovan Tomiqi, e shumë të tjerë.
Është me interes të vërehet se historiografia shoviniste serbe, karakterin luftarak shqiptar e identifikon si mentalitet tipik plaçkitës, duke e nënvizuar atë si mentalitet tipik shqiptar. Dhe nuk është për t u habitur përse historia serbe dhe serbët e edukuar në këtë frymë i urrejnë patologjikisht shqiptarët, sepse ata tashmë i besojnë këtij përkufizimi. Po kështu, i ka trajtuar “kaçakë” kryengritësit shqiptarë, edhe historia jonë e shkruar dhe e zhvilluar pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, e cila për nga përmbajtja dhe metodologjia ishte pjesë e po asaj shkolle antishqiptare të Beogradit zyrtar.
Kështu ndodhi që me emërtimin “kaçak” të identifikohen të gjithë luftëtarët çlirimtarë prej Ahmet Delisë, Azem Bejtës, Shote Galicës, Nak Berishës, Elez Isufit, Kamer Loshit e qindra të tjerëve.
U trajtua si lëvizje Kaçake tërë historia jonë e rezistencës aktive, prej vitit 1912 e deri në fillimin e luftës së Dytë Botërore. Mjerisht, ky emërtim pezhorativ, racist, antishqiptar haset kudo në shkrimet e historianëve tanë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe jo vetëm gjatë kohës së pushtimit, por edhe sot e kësaj dite, 13 vjet pas çlirimit nga Serbia. Aktualisht botohen libra e studime të historianëve të shkollës titiste, ku lëvizja popullore antiserbe, trajtohet si Lëvizje Kaçake, duke bërë përpjekje mistifikuese të arsyetohet ky emërtim, me faktin se kështu shkruan në literaturë dhe kështu dëgjohet edhe në popull.
Studiuesit e historisë shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e gjetkë me këtë rast kanë bërë, dhe vazhdojnë të bëjnë një krim të pafalshëm, dhe do të duhej që këtë damkë të zezë të lajnë sa më parë.
Edhe në vitet e pas luftës së UÇK-së, kudo në Kosovë u organizuan simpoziume e akademi, u botuan broshura e libra, u shkruan studime me kompetencë dhe pa kompetencë, u bënë dhe po bëhen përpjekje për ta ndriçuar tërë “Lëvizjen kaçake” duke e quajtur madje Lëvizja Kaçake Çlirimtare, ndërsa Azem Galicën Kryekomandant i kaçakëve.
Për hir të së vërtetës duhet veçuar me këtë rast dy studiues shqiptarë, të cilët, edhe pse me shumë vonesë e kanë hetuar se emërtimi “kaçak” është në kundërshtim me përmbajtjen historike të aktivitetit atdhetar të kryengritësve shqiptarë. Studiuesi, Marenglen Verli, në librin e tij “Nga Kosova për Kosovën” vëren se “ në historiografi, ose në letërsinë historike, fjala “kaçak” ka një vokacion negativ, që shkon kah të quajturit “cub”, një emërtesë e cila u dedikohet njerëzve kokëshkretë, të dhunshëm… Duke iu referuar historisë shqiptare, të tillët nuk kanë qenë të pakët, dhe në fakt shumë prej tyre nuk kanë merituar të quhen kështu”.
Në Simpoziumin shkencor me temën, “80-vjetori i Betejës së Galicës, nën udhëheqjen e Azem Bejtës”, mbajtur në vitin 2004, prof dr. Jusuf Bajraktari ka vërejtur se “në studimet e derisotme u përmbysen vlerësimet antishkencore të historiografisë jugosllave serbomadhe dhe të cilat kishin përcaktuar këndvështrimin e vlerësimeve denigruese si, “Lëvizja Rebele” e mbiquajtur me përçmim si “Lëvizje Kaçake”. Këto vlerësime qëllimkëqija e antishkencore, s’ishin gjë tjetër veçse një vazhdimësi e mendimit të dizajnuar e të determinuar nga motive paragjykuese… si fenomen specifik të një populli të papërgjegjshëm e primitiv… ( Azem Bejtë Galica, Prishtinë 2009, faqe, 24-25).
Pavarësisht këtyre konstatimeve, po thuajse të gjithë studiuesit, shkrimet e të cilëve janë botuar në këtë libër, Lëvizjen Çlirimtare të Azem Galicës dhe bashkëluftëtarëve të tij e quajnë dhe vazhdojnë ta quajnë në shkrimet e tyre si “Lëvizje Kaçake”.
Mendoj se këta studiues herdokur do të ballafaqohen me një dënimi moral, përderisa nuk heqin dorë nga ky qëndrim antishkencor. Për më keq, në veprat e tyre të botuara do të mbetet përgjithmonë kjo damkë e zezë, jo vetëm e paditurisë, por edhe e nënshkrimit dhe pranimit të rezignatës tragjike të pushtimit. Ky emërtim përbuzës nuk ndodhi vetëm nga moskujdesi gjuhësor, por nga vetë përmbajtja dhe qasja metodologjike e shkollës së Beogradit, nga shpirti skllav e rob, që në mendjen e disa studiuesve shqiptarë gjallonte në të njëjtat nivele me shkencën raciste serbe, në esencë antishqiptare.
Edhe lufta e UÇK-së në historiografinë serbe vazhdon të trajtohet si Lëvizje “terroriste”, kaçake, bandite, vrastare. Pas luftës në Kosovë forcat kundërshtare të luftës, dhe ikanakët filluan të vënë në përdorim trajtat pezhorative si UÇKA, “grupet e armatosura”, “Njerëzit e malit”, “Drenicakët” e formulime të tilla antishqiptare, pa çka se shqiptoheshin nga goja e atyre, të cilëve gjatë luftës iu kishte rrëshqitur nën këmbë toka e atdheut.
Referenca
Prof dr. Jusuf Bajraktari: Azem Bejtë Galica, Prishtinë, 2009.
Marenglen Verli: Nga Kosova për Kosovën”, Tiranë, 2006.
Jovan Xheletiq:Prejardhja e shqiptarëve. Internet google.
Vikipidia, në gjuhën serbe.