Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Kënga çlirimtare, epike-heroike-lirike e këngëtarit, Besim Avdyli

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Kënga çlirimtare, epike-heroike-lirike e këngëtarit, Besim Avdyli

Hyrje

Kënga burimore shqiptare, kudo në viset e tr0jet tona, ka ruajtur duke shënuar në vargje gojore kujtesën historike të së  kaluarës,  gjatë shekujve. Ajo ka shënuar faktorin kohë, duke e ilustruar me ngjarjet e caktuara historike, me bëmat, kryengritjet popullore, pastaj rrëfimet e trashëguara nga brezi në brez dhe me këto,  ajo ka ruajtur dhe ka sjellë deri në ditët tona këngën e lashtë homerike, formë e përcjelljes dhe ruajtjes së traditës popullore, e cila ka mbijetuar shekujt dhe ka restauruar  tërë koloritin e vet, duke radhitur ngjarje e ndodhi të  shekujve në parakalim. Kënga shqipe e lashtësisë, është  mjaft e pasur me elemente autentike dhe si e tillë ajo përben një pjesë të shprehur të totalitetit të botës shpirtërore shqiptare, e cila ka arritur deri në ditët tona, sidomos me këngën burimore, në shumë segmente edhe autentike. Rapsodët, ilirë-arbëreshë-shqiptarë gjatë epokave e shekujve të kaluar nga brezi në brez kanë përcjellë trashëgiminë tonë pasur me memorien e tyre si askush tjetër dhe në atë mënyrë kanë sjellë nëpër shekuj shembujt e bëmave për luftërat, trimëritë, sakrificat individuale e kolektive.

Aktualisht ndër ne në Kosovë, veçmas në Dukagjin. këndojnë një numër i madh i rapsodëve, të cilët kanë bërë emër, duke qenë se me kohë kanë krijuar stilin e tyre. Lufta çlirimtare dhe fitimtare e trimave dhe trimëreshave të UÇK-së, përveç me lapidarë, shtatore e pllaka përkujtimore, me biografi e filma dokumentarë,  po përjetësohet edhe me këngë për bëmat dhe heroizmin e tyre. Në fonotekën e Radios-Kosova e Lirë gjenden më shumë se dy mijë këngë për dëshmorët. 

 Rapsodi për të cilin do të shkruajmë kësaj radhe, Besim Avdyli, i takon brezit të këngëtarëve, i lindur,  i rritur dhe i edukuar në frymën e trashëgimisë së këngëtarëve të Dukagjinit, nga Dervish Shaqa, Shaqë Avdia, Bjrush Doda, Augustin Ukaj, Marash Krasniqi, Lan Dobra, Rifat Berisha, e të tjerë.

 Ashtu si shumë këngëtarë të kësaj treve edhe Besim Avdyli është rritur,  edukuar dhe frymëzuar, kryesisht me këngën e Dukagjinit, e cila nga shekulli në shekull ka bërë lidhjen gjenetike të shartimit të këngës dhe melosit  të Malësisë të Tropojës, Kukësit  e Bajram Currit, por edhe të Malësisë së Madhe, duke e njëzuar atë me këngën burimore  të  Dukagjinit,  e cila ka gjetur shtrirje deri thellë në Anadrin e  në Drenicë.

 Këngëtari, Besim Avdyli ka kënduar e këndon lirshëm, nga zemra e shpirti dhe me  tërë siguri e çiltëri  i referohet dëgjuesit e shikuesit. Këngëtarët e njëmendtë, që kanë krijuar identitet dhe dinjitet, nuk heqin dorë nga repertori, nga trashëgimia shumë e begatë e këngës shqipe, por e pasurojnë atë në sendimentin autokton, duke ndërtuar identitet, origjinalitet, me specifika të kohës e hapësirës, të sintonisë muzikore, e cila u ka bërë ballë shekujve të pushtimeve, që nga e kaluara e largët. Besim Avdyli, përveç këngëve atdhetare dhe për dëshmorët, këndon edhe këngë të motiveve të tjera, madje edhe këngë me motive fetare, këngë përkushtimi me motive dashurie, të cilat e begatojnë repertorin e tij, por në këtë segment e  bëjnë më të simpatizuar  dhe më të veçantë.

Digresion

Kam shkruar dhe shkruaj veçmas  për këngëtaret e këngëtarët shqiptarë, jo me qëllim lavdërimi, hatri, apo porosie, por në radhë të parë  për qëllime objektive, kulturore, por edhe për faktin se  një pesë e programit  të Radios Kosova e Lirë, Radio e luftës dhe e paqes në Kosovë,  të cilën e drejtoj nga 4 janari i vitit 1999, mbulohet me këngë të këngëtarëve më të njohur  të muzikës shqiptare. Andaj, shkrimet afirmative  dhe publikimin e tyre e ndiej një obligim parimor, intelektual, në shenjë  falënderimi  për këngëtarët e këngëtaret, këngët e të cilëve i transmetojmë për çdo ditë, por edhe një përpjekjeje për të vënë në pah vlerat përmbajtësore e artistike të këngëtarëve të shquar, jo  të gjithëve, sepse është e pamundshme, por të këngëtarëve e këngëtareve, të cilët me këngët e tyre janë dëshmuar për cilësi, origjinalitet, përkushtim, vokal cilësor e veçanti të tjera krijuese të këndimit.

Shumë këngëtarë të tjerë janë ‘prodhim i industrisë muzikore të profesionit,  të argëtimeve nëpër hotele, në dasma ndeja e ahengje dhe nuk kanë ndonjë format apo repertor  të veçantë të këndimit.

Shtjellimi

Në studimet dhe vrojtimet e mia për këngën shqiptare, këngëtarët e këngëtaret e të gjitha trevave tona nga Çamëria, nga kënga arvanitase e mallit dhe e humbjes historike të identitetit gjuhësor e kombëtar, kënga arbëreshe e mbijetesës shekullore, dhe këngët e të gjitha trevave shqiptare, kam vërejtur në radhë të parë begatinë e madhe dhe të shumëllojshme të shprehjes së botës artistike shqiptare përmes këngës e valles, dhunti këto  që Hyji i ka dhënë njeriut, këngëtarit, për të qenë subjekt dhe objekt i shprehjes artistike. Duke qenë dikur, një popull i madh që shtrihej gjerë e gjatë në Iliri, si dardanë, epirotë, arbër e më vonë shqiptarë, ata i rrudhi koha, gjatë pushtimeve, por ruajtën tabanin, ruajtën veçoritë krahinore, veshjet karakteristike, vallëzimin natyral edhe të improvizuar nganjëherë edhe teatral, sipas kërkesave të dëgjuesve dhe shikuesve të kohës. Nuk mohohet dot fakti se këngëtarët shqiptarë kanë dhënë e kanë marrë, por mendoj se më shumë u kanë dhënë popujve fqinjë, sidomos atyre me të cilët kanë jetuar më shumë, gjatë shekujve.

Konkretizimi dhe individualizimi

 Në mesin e rapsodëve të shkollës popullore të Dukagjinit, që nga Dervish Shaqa, Shaqë Avdia, Bajrush Doda, Augustin Ukaj, Marash Krasniqi, Lan Dobra, Rifat Berisha, e të tjerë, bën pjesë edhe brezi i ri i këngëtarëve trashëgimtarë të denjë dhe besnikë të kësaj treve si: Shaban Demaj, Besim Avdyli, Mehdi Berisha, Fatmir Miroci, Jonuz Mushkolaj, Nimon Mushkolaj,  Mhill Krasniqi  e të tjerë, të cilët i përkasin kohës së ndërrimeve tona historike,  epopesë heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, disa  pre tyre  duke qenë edhe pjesëmarrës në luftë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorëve e martirëve. Ka madje  edhe këngëtarë heronj e dëshmorë si Beqir Gashi, Mujë Krasniqi, Muhamet Malësori, Bejtë Rexhepi, Shaqë Avdia, Feriz Krasniqi e të tjerë.

 Këngëtari Besim Avdyli ka zë shpërthyes, zë të plotë me korda të forta e të fuqishme në shqiptimin e tingujve zanorë e bashkëtingëllorë, të ndara në rrokje, fjalë e sintagma, vargje e strofa, zë që manifeston forcë, qëndresë, heroizëm, zë burrëror në kuptimin melodik të fjalës, por edhe zë i ëmbël e përmbajtur, që shquhet për shumë veçori e veçanti, por edhe zë që i përshtatet përmbajtjes së këngëve, në raste të caktuara, në akord me temën dhe përmbajtjen e këngëve, të një repertori shumë të pasur, po ku dominojnë këngët atdhetare veçmas ato të dëshmorëve.

Krahas zërit, që është dhunti hyjnore e qenies njerëzore dhe,  që në radhë të parë të mundëson të jesh këngëtar, Besim Avdyli, ka krijuar edhe kredon e vet autentike të qasjes ndaj këngëve, të motiveve të ndryshme, të cilat i vë në unison të harmonizimit të tërësisë artistike. dhe secila ruan modalitetin dhe origjinalitetin e vet.

 ADN-ja e këndimit të këngëtarit, Besim Avdyli, është  kënga atdhetare e ricikluar dhe e formatizuar në tingëllimën e armëve të lirisë të krismave gjëmimtare, jehonë heroizmi e jehonë lirie të armëve të legjendarit, Adem Jashari, të pasuara me krismat mbështetëse të çlirimtarëve të Haradinajve të Gllogjanit e të Dukagjinit dhe të shkapërderdhura si simfoni  e sinkronizuar e legjendave të rëna e të gjalla të çlirimtarëve,  kudo në trojet tona etnike.  Ky brumë  i këtyre përmbajtjeve epike e heroike është i mbëltuar në këngët e Besim Avdylit, Shaban  Demajt, Rifat Berishës, e jo pak këngëtarëve e këngëtareve të Dukagjinit.

Krejt kjo që po shkruaj është edhe nën ndikimin e sintetizuar të këngës për vëllezërit dëshmorë, Arben dhe Luan Qerimaj, të cilën Besim Avdyli e këndon me shpirt e zemër, me përkushtim deri në ekzaltim   të këndimit, që bëhet një  me epokën e krismave të lirisë,  që rikthen në kujtesë betejat, rëniet e ngritjet, martirizimin biblik e sintetizimin shehid-kuranor, çun mulët e Fishtës, Adem Jasharët e Drenicës, luanët e Dukagjinit e shumë të tjerë të radhitur në Gardën e Nderit të Kombit e Atdheut.

Përfundimi

Këngëtari, tashmë i afirmuar dhe  me stil origjinal të këndimit, Besim Avdyli, ka në repertorin e tij qindra këngë, kryesisht atdhetare, këngë për dëshmorët, heronjtë e këngë motivesh të tjera, të cilat i këndon vetë, në duet dhe në  grup me këngëtarë të tjerë, pastaj edhe  me bijtë e tij,  Gazmend dhe Edonit Avdyli, të cilët këndojnë po me aq pasion sa babai, duke qenë edhe ndjekës të rrugës së tij të këndimit drejt afirmimit të mëtejmë.

Ai është i pranishëm në vende dhe organizime ku këndohet e vallëzohet, në ahengje e dasma, në koncerte e tubime, në Radio e TV dhe gjithandej ku postohen e mund të dëgjohen këngët e të gjithë këngëtarëve e këngëtareve.

Kënga çlirimtare,  epike-heroike-lirike e këngëtarit, Besim Avdyli, do të jetë e pranishme kudo  ku dëgjohet kënga burimore shqiptare.

 

 Ahmet Qeriqi

4. 8. 2024

 Shtime

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …