Në nderim, kujtim e mos-harrim, sot në Deçan u mbajtën aktivitete, tematike, kulturore, përkujtimore e shkencore, për heroinën e Kosovës, Fetnete Ramosaj. Fillimisht, në sallën e Qendrës Rinore, në orët e paradites u mbajt tryeza shkencore, kushtuar luftëtares së lirisë, informatores e reporteres nga zonat e luftës, aktivistes, veprimtares, publicistes, shkrimtares, Fetnete Ramosaj.
Pjesëmarrësit, kanë folur për kontributin e saj shumëdimensional, para, gjatë dhe pas luftës, në Kosovë e më gjerë. Ata vlerësuan se tërë jeta dhe vepra e saj, edhe pse u nda nga jeta në moshë të re, ka qenë në dobi dhe në shërbim të kombit e Atdheut. Zbulimi i bustit të Heroinës së Kombit, Zërit të UÇK-së, Fetnete Ramosaj, bë në orën 11:00 në Kompleksin Kulturor ‘Qendra Rinore’, në Deçan, e cila bart emrin e Heroinës.
Në këto aktivitete morën pjesë familjarë të heroinës, bashkëluftëtare e bashkëluftëtarë të saj, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, deputetë dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, veteranë e invalidë të luftës dhe liridashës nga Rajoni i Dukagjinit dhe i tërë Kosovës. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se bashkëluftëtarja e tij. Fetnete Ramosaj, përmes veprave të saj siguroi që koha mos ta ndalë kujtesën për luftën tonë të lavdishme. “Ajo bëri luftë të dyfishtë, në front dhe si kroniste, duke dëshmuar të vërtetën e luftës së UÇK-së, dhe duke e përjetësuar luftën çlirimtare dhe mbajtjen gjallë idealin e lirisë ndër breza. Përjetë falënderues dhe mirënjohës ndaj heroinës, Fetnete Ramosaj!”, ka thënë Haradinaj.
Fetnete Ramosaj, me botën e saj intelektuale, mbartte kredo dhe dinjitet të lartë shoqëror dhe shkencor, ajo ishte nus prodhim i kohës me bërthamën e ADN-së së UÇK-së, të mbëltuar me vlerat e fisnikëruara kombëtare e humane. (RKL)