Menjëherë pas organizimit të rezistencës së armatosur në Drenicë, të cilës i priu familja heroike e Komandantit legjendar, Adem Jashari, gjatë mbrojtjes së Abedin Rexhës – Sandokanit, e veçanërisht pas varrimit të Dëshmorit të Kombit, mësuesit Halit Geci prej Llaushë, një pjesë e madhe e rinisë shqiptare, që në ditët më të vështira patën braktisur Kosovën duke shtegtuar nëpër kurbet, qoftë për ta fituar kafshatën e gojës, qoftë për të nxënë dije, e për t’u shpëtuar ndjekjeve, filloi organizimin e njësiteve të para që do të vinin në Kosovë dhe të kyçeshin në strukturat organizative, operative dhe logjistike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në krye të një plejade djelmoshash, më të vendosur që i kishte Kosova e lodhur nën thundrën serboçetnike e nëpër rrugët e kurbetit, u gjetën: Abedin Rexha-Sandokani, Bekim Berisha-Abeja, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ismet Jashari-Kumanova, Pal Paluca, Bejtë Rexhepi, Xhelal Hajda-Toni, Elez Geci, Haxhi Hoti, Pren e Memë Lleshi, Kolë Mirdita, Gëzim Hamza-Piktori, Agron Rama, Shpend Berisha, Skënder Rexhepi, Ahmet Kaçiku, Agim Bajrami, Mehedin Morina, Flurim Rushiti, Bedri Shala e shumë të tjerë. Këtë vendosmëri për ta braktisur familjen dhe luksin e Perëndimit, për t’u bashkuar me shokët e kurbetit dhe kolegët e profesionit e kishte edhe Agim Binak Çelaj.
Dëshmori i Kombit, Agim Çelaj, i Binakut dhe Zylfies, i vëllai i luftëtarëve, Flurimit e Besimit, i motrave Luljetës dhe Vjollcës, babai i Suzanës, Valentinës e i Gentianit, bashkëshort i Bubës, bijë e Aliajve të Hereçit, axhë e dajë i Arditit, Ernestit, Edisonit, Albanës, Erzës, Ronës, Bardhës e i Colit, që sot të gjithë po rriten me krenari për Agimin ‘Colin’ e njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likoc, Llaushë, Açarevë, Grykë të Llapashnikut dhe në Betejën e Rahovecit, është i lindur me 6 dhjetor 1961 në Pejë. U lind në vatrën patriotike të Çelajve të Strellcit të Ultë të Pejës, çerdhe ku u lind dhe u formuan të parët e Agim Binakut, duke dëgjuar për trimërinë e gjyshërve dhe stërgjyshërve – luftëtarëve të njohur në Rekë e në Malësi. Rrëfimet e të parëve patën lënë vragë të thellë në kujtesën e pashlyeshme e të njomë fëmijërore e cila në vitet e vështira të Kosovës brumosej me atdhetari te të bijtë e Binak Çelajt; Agimit, Florimit e Besimit. Në formimin luftarak të Agimit me vëllezër patën ndikuar edhe rapsoditë e Bajrush Dodës, të Augustin e marash Ukajt dhe të Sefë Mleqanit, ndërsa u këndonin trimave në zë si: Osa Kuka, Çun Mula, Nak Berisha, Zhujë Selmani, Kamer Loshi, Sali Shabanit e Besim Ndrecës, prandaj si i ri Agim Çelaj e mësoi përmendësh ‘Lahutën e Malcis’ të Gjergj Fishtës, e cila edhe e frymëzonte për heroizmin, vendosmëri e trimëri.
Shkollën fillore e të mesme ishte nxënës shembullor, ndërsa në vitin 1980 regjistrohet në Akademinë Ushtarake të Beogradit, të cilën e përfundoi dy vitet e para për ta vazhduar artin luftarak në qytetin e Zarës të Kroacisë. Pas mbarimit të akademisë në Zarë, karrierën ushtarake të eprorit e fillon në ujdhesën Vis të Kroacisë prej nga me rastin e shpërthimit të luftës së kroatëve kundër pushtuesve serbë, Agimi vihet në anën kroate, bashkohet me kuadrot ushtarake shqiptare që ishin eprorë në zë dhe mbështetën popullatën vendase që mbrohej nga hordhitë e egra barbare serboçetnike, pasioni i të cilëve ishte vrasja, masakrimi dhe djegia e çdo gjëje që nuk ishte serbe. Me 1992, nga ujdhesa Vis tërhiqet në Split e pastaj në Dellnicë ku bashkohet me ushtarakët e tjerë shqiptarë që ishin vënë në strukturat operative e logjistike të ushtrisë kroate si Rrahim Ademi, Fehmi Lladrovci, Agim Çeku, Xhelal Hajda, Naim Maloku, Flurim Çelaj, Bislim Zyrapi, Fadil Demiri, Hajdin Abazi e me shumë ushtarakë të tjerë shqiptarë që ishin vendosur në Kraci, Slloveni e Bosnjë dhe jetonin e vepronin si të ndjekur nga pushteti i instaluar serboçetnik në Kosovën e pas ‘Kushtetutës së Gazimestanit’. Bashkimi i eprorëve shqiptarë, jashtë kufijve të Kosovës u bë një sinjal për të gjithë shqiptarët që jetonin në diasporë, u bë një zë i fuqishëm dhe apel se edhe në Kosovë do të formohet instrumenti i forcës i cili me armë, falë rinisë së shëndoshë do t’i shkundë pluhurin e trupit dhe të marres shekullore, do ta shkatërrojë amullinë e ushqyer me psikologjinë e durimit e të robërisë. Ata, të gjithë e dinin se lufta së shpejti do të fillojë edhe në Kosovë, prandaj Agim Çelaj i afrohet Kosovës.
Në fillim vendoset në Maqedoni dhe për dy vjet kalon duke pritur ndonjë organizim kombëtar në Gostivar, por më vonë edhe këtu i bjen në gjurmë pushteti i atëhershëm serbo-maqedonas dhe i rrezikohet qëndrimi i mëtejshëm, prandaj kalon në Shqipëri. Vendoset në Tiranë e së andejmi pas një viti kalon në Gjermani dhe qëndron në Singen duke mbajtur gjithmonë në kujtesë objektivin që ia pati vënë vetës: atdheun, Kosovën e robëruar që lëngonte gjithnjë e më shumë nën kthetrat pushtuese të Serbisë. Si ushtarak i lartë, nuk mund të qëndronte symbylltaz e duarkryq në momentet aq të rëndësishme historike, kur ishte vënë në lëvizje një mekanizëm që si instrument i forcës evoluoi në Ushtri Çlirimtare të Kosovës.
Kështu, shpirti i luftarakut dhe eprorit të lartë e me përvojë të madhe bëri çmos që të lidhet me veprimtarët e shquar të Lëvizjes Kombëtare e këto përpjekje kurorëzohen gjatë kontaktit me Kadri Veselin, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nëpërmjet të cilit inkorporohet në strukturat organizative dhe angazhohet me tërë qenien e vet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse këtë vend dhe këtë ushtri e kishte ëndërruar gjatë fëmijërisë dhe rinisë. Prej Gjermanisë kalon në Shqipëri dhe thyen kufirin shqiptaro-shqiptar i shoqëruar prej Agush Gjocajt, sot dëshmor i kombit. Eshaloni me të cilin qe nisur Agim Çelaj numëronte 45 luftëtarë të lirisë e eprorë gjinish të ndryshme. Me të arritur në Kosovë, Shtabi i Përgjithshëm e ngarkon si epror-instruktor për përgatitjen e njësive speciale për intervenime të shpejta pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe vepron në Likoc, në Açarevë, në Negroc e në Kleçkë. Në këtë pozicion Agim Çelaj manifeston energji të pasosur, doktrina moderne dhe strategji të pjekur, prandaj edhe e donin luftëtarët e lirisë, por edhe instruktorët e ardhshëm, shumë prej të cilëve sot janë dëshmorë të kombit. Në ditët e korrikut, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës depërtonte hap pas hapi prej Malisheve deri në Rrasat e Rahavecit, detyrë të cilën e kryen profesionalisht dhe me përkushtim të jashtëzakonshëm ‘me dikat’, thotë populli i Anadrinit.
Në Betejën e Rahovecit e cila konsiderohet si betejë më serioze dhe më e vendosur e luftëtarëve të lirisë, Agim Çelaj, i shoqëruar prej Agush Gjocajt e Sadik Shalës, me 16 shokë të tjerë, rreshton luftëtarët në oborrin e pikës së karburanteve ‘Agrofer’, në Rrasat e Rahavecit dhe ashtu si u ka hije burrave që nisen për në front, avancon nëpër aksin e magjistrales Prishtinë-Rahavec. Por në këto orë të 19 korrikut 1998, forcat serboçetnike depërtonin nëpër Shpatin e Shtavicës dhe breshërojnë aksin e magjistrales, përjetësohet Agim Çelaj në krye të grupit e pranë bashkëluftëtarëve: Sadik Shala, Liman Gegaj, Faik Rama, Gëzim Hamza e Abdullah Bugari, ndërsa në vazhdën e këtyre luftimeve përreth Rahavecit përjetësohen edhe Gani Paçarizi, Hamdi Berisha, Afrim Krasniqi, Agim Kelmendi, Skender Jahë Kastrati, Tafil Zyberaj, Mizahir Isma, Arian Brahimi, Bekim Isma, Eshrafedin kastrati, Remzi Ukshini, Gëzim Mullabazi, Samir Nurkasa, Xhafer Nurkasa, Xhevat Kasapi, Habit Berisha, Ramadan Morina e Ruzhdi Xhuliqi. Kështu dhe në këto luftime në sajë të qëndresës dhe heroizmit të luftëtarëve të Fortesës, të Drinasit, të Krushës së Madhe, të Drenajt e të Llapushës, me një sakrificë të madhe e me gjakun e nëntëmbëdhjetë dëshmorëve, u shkrua edhe historia e marrjes së qytetit të Rahavecit dhe të mbajtjes së tij deri me 24 korrik të vitit 1998 kur fillon riorganizimi i forcave të mëdha serboçetnike të grumbulluara në Rahovec, në Hoçë të Madhe, Zaçisht e Apterrush e të mbështetura prej ushtrisë serbe të ardhur prej garnizionit të Prizrenit e të Gjakovës.
Trupat e pajetë të dëshmorëve Gani Paçarizi, të rënë në Fortesë, të Hamdi Berishës, të rënë në ‘Kodrinat e Dubjanës’, të Habib Berishës, Ramadan Morinës, Ruzhdi Xhuliqit, Afrim Krasniqit, Samir e Xhafer Nurkasës, Xhevat Kasapit e të Gëzim Mullabazit, u tërhoqën dhe gjatë ditëve të luftës së Rahavecit u përcollën për në amshim në Malishevë e në fshatrat e Llapushës, trupat e dëshmorëve: Limon Gegaj, Agim Çelaj, Faik Rama, Remzi Ukshini, Abdullah Bugari e Sadik Shala nuk u gjetën për arsye se forcat serbe i patën marrë me vete, trupat e Faik Ramës e të Agim Çelajt u zbuluan më vonë ndërsa Liman Gegaj e Remzi Ukshini ende janë pa gjurmë e pa varr. Pas zbulimit të trupit të Agim Çelajt në varrezat e Rahavecit, në qytetin e Pejës u mbajt një Akademi përkujtimore ndërsa rivarrimi u bë në ditëlindjen e tij, me 6 dhjetor të vitit 2007 në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Kleçkën legjendare. Emrin dhe veprën e Agim Çelajt e nderon lufta e tij, ndërsa ky emër shkëlqen në “Lapidarin e Ujësjellësit”, bri cepit të magjistrales, Prishtinë-Rahavec. ( S.C. Feniksët e lirisë 11)