Ahmet Qeriqi: Vajtje-ardhje në Grykën e Shpëtimit (E hënë 10 gusht, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vajtje-ardhje në Grykën e Shpëtimit (E hënë 10 gusht, 1998)

Gjendja e përgjithshme e popullatës së zhvendosur, në malet e pyjet e Krojmirit është në kufij të durimit. Nuk ka ankime sikur ditëve të para. Fshatarët halleshumë janë mësuar në vuajtje e mjerim dhe nuk i rëndon aq shumë as gjendja e tanishme. Shumica që ka mbetur në Grykën e Shpëtimit, janë përcaktuar për të qëndruar deri në fund.

Ndihma humanitare që na solli kohë më parë organizata humanitare Mjekët pa kufij ishte e mirëseardhur, edhe pse i kemi marrë të gjitha masat për të siguruar artikujt elementarë jetësorë si miellin, vajin, kripën e artikuj të tjerë. Shumica e të zhvendosurve kanë traktorë dhe në rimorkio kanë ngarkuar miellin. Tanimë jemi mësuar edhe me shpërthimet e befasishme të predhave armike. Ushtarët  gjatë tërë ditës parakalojnë nëpër Grykë në rrugëtimin e tyre duke i kryer detyrat ushtarake. Prezenca e tyre i jep zemër popullatës. Te e fundit shumica janë bij e bija të fshatit dhe të fshatrave të tjera përreth.

Shtabi vendor në Krojmir është i stërngarkuar nga vajtje-ardhjet e ushtarëve të cilët depërtojnë nga Zona e Pashtrikut dhe e Drenicës në Zonën e Neredimës. Ata, zakonisht pushojnë dhe ushqehen dhe pastaj marrin rrugë në drejtime të ndryshme.

Kohëve të fundit pas betejave ka filluar ristrukturimi i kierarkisë ushtarake.

Të gjitha pikat e mundshme të depërtimit të armikut janë nën vëzhgim të ushtarëve, të cilët kanë urdhër për të mos sulmuar të parët. Si duket këtë e kanë nuhatur edhe forcat serbe. Edhe atyre iu konvenon ky armëpushim i pashpallur për t`i konsoliduar radhët e veta. Mirëpo në këtë drejtim nuk mund të bëjmë asgjë. Detyra jonë primare është që t`i mbajmë sa më larg popullatës, ndërsa në rast të përpjekjeve të tyre për të depërtuar në Grykën e Shpëtimit i kemi marrë të gjitha masat për ta mbrojtur Grykën me çdo çmim.

Në orët e paditës ka ardhur Hilmi Ramadani. Ai prej fillimit të luftës disa herë ka hyrë dhe është larguar ilegalisht nga Prishtina në Drenicë. Hilmiu është shumë i vëmendshëm dhe duket njeri me fat. Edhe pse ka qenë dhe është i rrezikuar ai nuk ndalet. Derisa po bisedonim me Hilmiun në Shtabin tonë kanë arritur edhe 30 ushtarë të cilët sapo janë kthyer nga Shqipëria. Ata,  në krye me Elmi Reçicën pasi kanë pushuar  janë nisur në drejtim të Neredimes. Me ta është nisur edhe Naim Ismajli përgjegjës i pozicioneve të dyta në kodër të Carralevës. Për t`i ndihmuar ushtarët deri në pikën e caktuar kemi vënë në dispozicion një traktor për mbartjen e armatimit.

Hilmiu ka qëndruar në ambulancë së bashku me Fitim Selimin dhe mjekët e tjerë si Naser Bytyqi, Jakup Ismajli, Reshat Gashi dhe teknikët.

Organizimi i përgjithshëm  civil dhe ushtarak në Krojmir është në nivelin më të konsoliduar të mundshëm. Nuk kemi lejuar asnjë ushtar të lirohet nga uniforma. Në të gjitha pikat e vëzhgimit dhe të rojës ndërrimi bëhet me kohë. Ushtarëve iu sigurojmë ushqimin dhe atyre që pinë duhan iu japim nga një pako cigare në ditë. Mjerisht po thuajse të gjithë ushtarët e pinë duhanin. Ushqimi është i mjaftueshëm. Duke qenë se nëpër livadhe janë grumbulluar  bagëtia e cila nuk dihet se e cilit fshat është, kemi lejuar që për kuzhinën e ushtarëve vazhdimisht të therin gjedhe, kryesisht lopë e viça. Edhe për popullatën në raste të caktuar ndahet nga një kilogram mish. Ka raste kur mishi shitet në Grykë nga fshatarët  me çmim mjaft të volitshëm. Mishi zakonisht teret, ose mbahet në ujë të burimit. Po ashtu kemi rregulluar të gjitha pikat septike. Nuk është shënuar asnjë rast i ndonjë sëmundjeje ngjitëse, edhe pse për të gjitha i kemi marrë masat paraprake.

Në regjistrimin e fundit të cilin e kanë kryer Ramadan Rizani dhe Heset Hamdiu hetohet se nga Rrafshi ku kanë ikur dy javë më parë kanë filluar të kthehen disa familje. Momentalisht jemi afër shtatëqind banorë, ndërsa ka paralajmërime se shumica do të kthehen së shpejti, meqë atje janë ballafaquar me probleme të tjera e sidomos me pranimin me rezervë nga ana e banorëve të Rrafshit, të cilët po bëjnë përpjekje për të mos u prishur me serbët.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …