Ende po mbahemi. Nuk ka shenja të humbjes së durimit. As dorëzim para vështirësive dhe befasive. Të papriturat e kësaj natyre kjo popullatë i ka përjetuar edhe më parë. Kemi filluar të adaptohemi në kushte dhe rrethana të zhvendosjes, sado që vështirësitë ditë e më tepër po thellohen. Pas gushtit këtu fillon vjeshta dhe nuk jemi fare të sigurt se ku do na zërë dimri. Si do të jetë duhet të jemi të gatshëm për të përballuar të gjitha sfidat. Ndoshta edhe dimrin.
Frontet e luftës çlirimtare dita ditës po zgjerohen dhe po konsolidohen. Nga Shqipëria ka filluar sërish vajtja e ardhja e ushtarëve, të cilët kanë filluar të sjellin armatim më të mirë. Luftimet nuk kanë të ndalur në Dukagjin, në Anadrin dhe në Drenicë. Forcat serbe po bëhen gati për një ofensivë tjetër. Ata kanë depërtuar nëpër disa rrugë por askund nuk ndihen të sigurt, meqë e dinë nga shërbimi i tyre i kundërzbulimit se UÇK-ja po strukturohet dhe po rimobilizohet. Ata e dinë po ashtu se lufta guerile nuk mposhtet me dislokimin e forcave sado të mëdha qofshin ato.
Serbët asnjëherë nuk e fusin në përdorim këmbësorinë, para se të sigurohen se e kanë bombarduar tërë terrenin në rrezen e caktuar. Kjo do të thotë se ata i kanë frikë çdo shkurreje, çdo lisi dhe askund në pyll nuk ndihen të sigurt. Për të mos u ndier të sigurt ushtarët tanë shpeshherë i godasin në befasi.
Tanimë po mësohemi me të gjitha, sepse i tillë ka qenë dhe është fati i ynë historik, nga koha në kohë, nga brezi në brez, kemi rënë dhe jemi ngritur por nuk jemi zhdukur. Edhe kësaj radhe do të qëndrojmë këtu, përballë barbarisë fashiste serbe, ani pse bota nuk e kupton qëndresën dhe këmbënguljen tonë për të jetuar ashtu si duhet të jetojë çdo popull i lirë dhe sovran në vendin e tij.
Asgjë nga zhurmërima e autoriteteve të NATO-s, as nga Amerika.
Krejt presioni ndërkombëtar kundër Serbisë përmbildhet në formulimin “përdorim i tepruar i forcës”. Kjo është një hipokrizi e llojit të vet. Ku ka forcë kundërshtare që e kursen atë që e konsideron armik. Ky është kulmi i hipokrizisë së perëndimorëve.
Krahas mungesës totale nga bota ne kemi përbrenda edhe sëmundjen kanceroze të quajtur lëvizje pacifiste. Ajo jo vetëm që na bën dëm, por është një sajesë rezervë latente, në të cilën faktori ndërkombëtar llogaritë për bisedime. Ibrahim Rugova është njeriu më i papërgjegjshëm në Kosovë. Ai qan kur duhet qeshur, qesh kur duhet qarë. Dhe pikërisht për këtë, shtëpinë e tij në Velani e ruan policia sekrete serbe…