Së bashku me Hilmi Ramadanin kemi vendosur që sot të shkojmë në Kleqkë te zëdhënësi, Jakup Krasniqi. Duke qenë se Luani dhe Syla duhet të shkojnë atje për punët e tyre, rreth orës 11.00 jemi nisur në relacion Krojmir Shalë Kleçkë. Luani e nget veturën me shpejtësi dhe pa e kursyer fare. Shpeshherë na shtyp nëpër kthesa dhe nuk ndalon dot edhe pse askush nuk e nget. Prej fillimit të luftës kam shfaqur papajtueshmëri lidhur me vozitjen dhe prishjen e sa e sa veturave, por kjo punë nuk merret seriozisht nga askush.
Shtabi në Kleçkë nuk e ka më shkëlqimin e mëparshëm. Flamuri nuk është ngritur. Rojtari në hyrje të Shtabit duket i lodhur, i demoralizuar.
Brenda takojmë vetëm disa ushtarë që sapo kanë arritur nga Shqipëria, në mesin e tyre edhe Ajvaz Berisha, epror ushtarak, me profesion profesor. Ai, me disa ushtarë të tjerë të Vasilevës dhe të Tërdecit, duket sikur presin dikë nga kreu ushtarak, i cili nuk ndodhej në Kleçkë. Ajvazi duket i shqetësuar për fatin e luftës. Edhe ai shfaqë papajtueshmëri me organizimin e dobët që ka rrjedhë si pasojë e pësimeve të forcave tona në vijat e frontit. Luani, reagon lidhur me gjendjen në të cilën është katandisur Shtabi, edhe pse serbët nuk kanë depërtuar në këto anë.
Pas pak, me Sylën dhe Luanin shkojmë të një i njohur në Kleçkë. Në odë takojmë dy pleq dhe një ushtarë të UÇK-së. Luani e vëren një fotografi të Ibrahim Rugovës në mur dhe fillon me satirën e tij të çoroditur ta ironizojë Rugovën, duke e quajtur kolaboracionist të serbëve. I zoti i konakut, një fshatar i pashkollë thotë;
-Po ta kishin ndigjue Rugoven nuk do të na kish ardhë puna kështu.
-Mor kush po ia luan Rugovës e Milloshit dhe të gjithë atyre që janë me ta. Do t`ishte më mirë t`ia kishim hjekë kryet. Luani thotë edhe fjalë të tjera të papëlqyeshme, ndërsa ushtari paksa me një kërcënim të lehtë i bën me dije plakut që të mos e ngas më tej bisedën. E shoh se nuk është vendi për të ndërhyrë në bisedë, ndërsa Luani ngrihet dhe nuk pranon të drekojmë në atë shtëpi.
Derisa po udhëtonim drejt Shtabit, ai nxjerrë nga goja edhe shumë të shara e kërcënime.
Hilmi Ramadani i cili na ka pritur në Shtab, rrëfen se Jakup Krasniqi është vendosur në një bazë tjetër, por nuk është i sigurt se ku ndodhet. Luani na bën me dije se e di vendin ku ndodhet dhe pa humbur kohë nisemi në drejtim të fshatit Javur.
Prej orës 14.00 deri në orën 19.00 kemi biseduar me Jakup Krasniqin. Ai duket i lodhur por i pathyeshëm. Shpreh rezervat dhe skepticizmin e tij lidhur me mungesën e unifikimit të qëndrimeve të faktorit politik shqiptar. Hilmiu i tregon për kontaktet që ka pasur me Adem Demaçin, ndërsa Jakupi shfaqë skepticizmin e tij të shprehur lidhur me angazhimin e Bacit Adem në strukturat politike të Shtabit. Ai ia njeh meritat Demaçit por nuk beson se nga Prishtina mund të drejtohen punët.
Vendndodhja e tanishme e Jakup Krasniqit është përballë Bajrakut të Luzhnicës, pikën e vetme të sigurt të UÇK-së të cilën e ka fortifikuar dhe e ruan komandant Ismet Jashari-Kumanova, me bashkëluftëtarë t e tij.