Më 13 gusht të vitit 1933, u vra pabesisht, në Selanik, Hasan Prishtina, njëri ndër personalitetet më të njohura të historisë shqiptare

Më 13 gusht të vitit 1933, u vra pabesisht,  në Selanik, Hasan Prishtina, njëri ndër personalitetet më të njohura të historisë shqiptare. U lind në vitin 1873 në Vushtrri, në një familje të ardhur nga Polaci i Drenicës. Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet në Parlamentin osman si përfaqësues i Vilajetit të Kosovës në Prishtinë. Më 3 mars të vitit 1911, duke përkrahur kryengritësit shqiptarë, parashtroi edhe kërkesat kombëtare të tyre, të cilat u refuzuan nga Turqit e Rinj. Qysh nga janari i vitit 1912 ai do të mbajë mbledhje të fshehta së bashku me Ismail Qemalin, Syrja bej Vlorën, Nexhip Dragën, Myfid bej Libohovën, në lagjen «Taksim» të Stambollit dhe do të vendosin për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në Shqipëri, një kryengritje me karakter të përgjithshëm kombëtar duke u lidhur me besa–besë me tribunët popullorë, Isa Boletinin, Bajram Currin, Idriz Seferin, Ahmet Delinë, Mehmet Pashë Deralla, kushëririn e vet Zejnullah begu nga Vushtrria etj. Pas një lufte, me betejat triumfale midis 5 majit-18 gushtit 1912, kryengritësit shqiptarë në krye me Hasan Prishtinën e liruan Vilajetin e Kosovës.  Mori pjesë aktive në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës 1920 dhe në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Hasan Prishtina mori pjesë aktive në përgatitjen e kryengritjes të qershorit të vitit 1924, luftoi për vënien në jetë të programit të qeverisë demokratike të dalë nga kjo kryengritje. Më 13 gusht të vitit 1933 ndodhej në Selanik i shoqëruar nga Ibrahim Çela, një agjent i Ahmet Zogut, të cilin e konsideronte mik. Atë ditë ai e kishte goditur me 4  plumba trupin e Hasan Prishtinës. Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinës me një vendim të Republikës Socialiste të Shqipërisë,  u sollën nga Selaniku dhe u varrosen në Kukës. (RKL ,TV-DIELLI, Kalendari Kombëtar)

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …