Më 13 gusht të vitit 1933, në Çimisqi të Vogaxhikut, përpara një bakallhaneje, në Selanik u vra tradhtisht dhe pabesisht, atdhetari dhe politikani më emblematik i kohës, Hasan Prishtina. Vrasësi ishte një vegël qorre e Ahmet Zogut, mbretit të vetëshpallur të Shqipërisë, i cili, patriotin Hasan Prishtina e kishte dënuar me vdekje në mungesë, për shkak të aktivitetit të tij politik dhe atdhetar, meqë Hasan Prishtina nuk bënte kompromise me grabitësit e pushtuesit e trojeve shqiptare, ashtu sikur bëri, Ahmet Zogolli marrëveshje në dëm të Kosovës dhe Shqipërisë me Nikolla Pashiqin, armikun dhe shqiptarëvrasësin më famëkeq dhe më mizor të Serbisë.
Dilemat lidhur me prejardhjen e Hasan Prishtinës ende janë mbi sipërfaqen e spekulimeve, meqë po jetojmë në kohën, kur është krijuar bindja se me para mund të blihet dhe mund të rishkruhet historia sipas tekeve dhe sipas kërkesave e interesave të caktuara politike. Këtë po e bëjnë me sukses bosët e përfitimeve, milionerët e miliarderët, ata që kapitalin e tyre të pistë e kanë ngritur mbi kurriz të pasurive natyrore të Kosovës e të Shqipërisë, ata që kanë përfituar nga Piramidat e Sali Berishës, nga blerja gati falas e pasurive dhe resursve të Kosovës, ata që shkruajnë dhe botojnë libra për përfitime e para, apo me porosi të caktuara, ata që hulumtojnë dhe paguajnë të vetëquajturit shkencëtarë të historisë, të cilët shkruajnë sipas porosive, me qëllim për ta fundosur të vërtetën historike.
Trashëgimia atdhetare e Hasan Prishtinës është pasuri historike e kombit shqiptar, e liridashëve të Atdheut dhe askush nuk ka të drejtë ta deformojë atë, askush nuk ka të drejtë ta përvetësojë për asnjë qëllim, aq më keq kur përpjekjet për përvetësim bëhen nga ata që duan ta kenë një ombrellë me “markën” më të fuqishme patriotike, me qëllim të vetë promovimit të tyre dhe të bizneseve që përditë po i avansojnë. Përpjekjet e tilla janë të palejueshme të papërgjegjshme dhe të dënueshme kombëtarisht.
Historia e vërtetë e Hasan Prishtinës, prejardhjes dhe aktivitetit të tij atdhetar, intelektual, diplomatik në mënyrë afirmative dhe dinjitoze është prezantuar dhe mësohet në tekstet tona të historisë, në monografitë voluminoze të studiuesve të njohur dhe të zellshëm të së kaluarës. Ka pasur dhe do të ketë mospajtime për çështje të caktuara, ka pasur dhe do të ketë ndonjë mospërputhje në data apo në shkrime gazetash, por deri në vitet e fundit nuk pati asnjë pretendim për ta përvetësuar dhe për t’ ia ndërruar madje edhe prejardhjen,
Studimi me kompetencë shkencore i profesor, doktor, Muhamet Pirrakut, nuk lë asnjë pikë dyshimi lidhur me gjenezën e familjes së Hasan Prishtinës, mirëpo kjo nuk u ka bërë fare përshtypje promovuesve të falsifikimit të historisë, sepse ata pretendojnë se tani e tutje do të merret në konsideratë e “vërteta” e tyre e zbuluar afër 89 vjet pas vrasjes së Hasan Prishtinës. Po këta promovues të gënjeshtrave e falsifikimeve me asnjë fjali të vetme nuk kanë treguar si ndodhi që ata familjarë, ta zëmë, trashëgimtarë të gjakut të Hasan Prishtinës nuk u ndien gjallë 10 vjet pas vrasjes së Hasan Prishinës, as 20 vjet pas atij akti barbar, as 30 vjet pas atij akti mizor, dhe as 80 vjet pas likuidimit të atdhetarit Hasan Prishtina? Ku ishin ata gjatë gjithë kësaj kohe, që nuk dolën publikisht për ta prezantuar të vërtetën e tyre, derisa ishin shkruar e botuar qindra shkrime madje edhe monografi voluminoze për atdhetarin, Hasan Prishtina?
Përpjekjet për të promovuar si të vërtetë gënjeshtrën, falsifikimin, përpjekjet për ta ndërruar të vërtetën lidhur me historinë dhe traditën kombëtare të shqiptarëve, nuk janë të reja as të kohës sonë. Përpjekjet e tilla kanë bërë dhe po bëjnë dy qendra të specializuara antishqiptare në Ballkan, që selitë e tyre të zeza i kanë në Beograd dhe në Athinë si dhe nëndegët e këtyre dy qendrave, mjerisht janë të instaluara edhe në disa qytetet e njohura të trojeve shqiptare. Nga ato qendra burojnë mbetjet e temjanit të zi sllav, burojnë sharjet e fyerjet për historinë shqiptare në përgjithësi e në veçanti për luftën fitimtare të UÇK-së, nga këto dy qendra marrin frymë mbetjet prosllave, të cilat përbuzin madje edhe familjen më emblematike të kombit, sikur është ajo e Legjendarit Adem Jashari. Dallimi qëndron vetëm në interpretim. Pretendimet për ta përvetësuar një figurë emblemë të kombit, për qëllime politike, tregtare e biznesore janë përpjekje donkishoteske, përpjekje të mjera, të cilat u qesin hije të zezë në radhë të parë pretenduesve shumë të vonuar të “zbulimit” të origjinës së Hasan Prishtinës.
Pati madje edhe përpjekje sharlatanësh, që ‘zbuluan’ motrat e Hasan Prishtinës, pa logjikuar fare faktorin kohë, meqë ai kishte lindur në vitin 1873 dhe njëra nga motrat e tij paska qenë gjallë deri në vitin 2.00o. Ajo, në dëshminë e saj thoshte se kishte një vëlla me emrin, Hasan, që kishte shkuar në Prishtinë dhe nuk ishte kthyer kurrë më… Ky naivitet sharlatan çirret edhe me pyetjen pse Hasan Prishtina kur ishte në Kosovë e në Drenicë nuk i vizitoi motrat e tij, po rrinte në sarajet e Zejnullah beut, në Vushtrri te i afërmi i tij.
Në kujtimet e Mulla Emin Miftarit, ( 1888-1980) për Luftën e Lumës të shkruara në gjuhën shqipe. me alfabet arab shkruan se me urdhër të të Hasan Prishtinës dhe Hoxhë Kadri Prishtinës, mulla Emin Miftari kthehet nga Shkodra në Krojmir, në vjeshtë të vitit 1914. Hasan Prishtina i kishte thënë se si i ri dhe i shkolluar që ishte duhej të kthehej në Drenicë dhe të ndihmonte atdhetarët për ta kundërshtuar regjimin kolonizues serb në forma dhe mënyra të ndryshme të rezistencës. Me rastin e kthimit në Kosovë, merr një letër sekrete, të mbyllur me myhur, nga Hasan Prishtina, të cilën e dërgon te familjarët e tij, në Vushtrri. Letrën e ka dërguar, në vendin e caktuar, sapo është kthyer nga Shqipëria. Ishte një letër sekrete, përmbajtjen e së cilës nuk e dinte, meqë nuk e kishte lexuar. Me rastin e dorëzimit të letrës, Hasan Prishtina i kishte thënë se në rast rreziku letrën duhej ta asgjësonte. Mulla Emini kishte arritur ta dorëzonte letrën në adresën e caktuar, te Zejnullah begu i Vushtrrisë. (Kujtimet e Mulla Emin Miftari, për luftën e Lumës të shkruara në gjuhën shqipe. me alfabet arab ) Mulla Emin Miftari thoshte se Hasan Prishtina ishte me origjinë nga lagja Veliqi e fshatit Polac i Drenicës, por familja qysh herët ishte shpërngulur në Vushtrri.
Të gjithë atyre kapitalistëve të mëdhenj e të vegjël të Kosovës, që kanë marrë përsipër rishkrimin e historisë, duke u mbështetur në kapitalin dhe fuqinë e tyre ekonomike, dhe duke ndarë shuma të mëdha parash në këtë drejtim, duhet t’ iu përkujtojmë në radhë të parë veprën jetësore të Hasan Prishtinës, e cila ua çjerrë maskat dhe i diskrediton para kombit e atdheut. Ishte Hasan Prishtina, ai, sikur para tij Abdyl Frashëri, Nikolla Naço e shumë të tjerë, të cilët shkrinë krejt pasurinë e tyre në dobi të kombit e të Atdheut, ndërsa kapitalistët e sotëm të Kosovës e Shqipërisë po i shkrijnë resurset e trojeve shqiptare për t’ i përvetësuar dhe për t’ i plaçkitur sa më shumë ato, ashtu sikur bëri mësuesi dhe “mbreti i tyre” Ahmet Zogolli, i cili në vend se të luftonte kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia, në prill të vitit 1939,ngarkoi në qerre thesarët e Shqipërisë dhe së bashku me familjen e shpurën e tij besnike iku nga sytë këmbët, për të mos u kthyer më kurrë për së gjallë në atdhe. Kthimi i eshtrave për së vdekuri të Zogollit në Mëmëdhe ka simbolikën e vet, sepse Mëmëdheu është nëna jonë e madhe, e cila ka vend edhe për eshtrat e shkapërdarëve, madje edhe të tradhtarëve e trutharëve.
Përditësuar
13.8. 2024
Prishtinë