Ahmet Qeriqi: Forcat armike nga distanca granatojnë Krojmirin (E premte 14 gusht, 1998)

Ahmet Qeriqi: Forcat armike nga distanca granatojnë Krojmirin (E premte 14 gusht, 1998)

Sot, herët në mëngjes është dëgjuar zhurmërima mbytëse e aeroplanëve. Duket sikur na vëzhgojnë nga lart dhe i përcjellin lëvizjet tona. Ka mundësi që po përgatiten për të na sulmuar nga ajri. Gjithçka është e ligë dhe monstruoze mund të pritet nga xhelatët, vrastarët e gjakatarët serbë. Madje, kjo forcë monstruoze antishqiptare duket sikur qysh më parë ka marrë leje për intervenim nga qendrat e vendosjes dhe nga shpirtshiturit tanë.

Qëndrimi i klasës politike të Rugovës dhe ithtarëve të tij karshi UÇK-së, është jo vetëm i rezervuar por krejtësisht kundërshtues. Po të ishte ndryshe nuk do të ishte lejuar ofensiva shkatërrimtare serbe e 25 dhe 26 korrikut, e cila rezultoi me qindra të vrarë dhe qindra mijëra të zhvendosur të tjerë, mijëra shtëpi të djegura…

Shqiptaria në Kosovë më duket se ka zënë të rrënohet nga përbrenda, ashtu si në kohët e shkuara, sepse zezona, gjaku i përzier ballkanas, mentaliteti fisnor, bajraktar, nuk janë mbisunduar nga fuqia e arsyes dhe e ndjenjes solidare kombëtare. Pjesa dërrmuese e inteligjencies shqiptare në Kosovë është pjellë e konvertimeve të ndryshme ideologjike e fetare. Kjo inteligjencë ende nuk ka krijuar bazament fondamental kombëtar, ajo ende vuan nga klanet nga plehra krijuese shterrpe, vuan nga shpirtëngushtësia e megallomania e marrë, vuan nga politikanizmi dhe nga të gjitha sëmundjet e së kaluarës dhe të kohës së sotme. Jemi një shoqëri tejet heterogjene në të gjitha pikëpamjet. Dhe, në këtë mes ka dalë në sipërfaqe tërë babilonia belbacuke e veseve dhe e nopranisë. Klasa e intelektualëve të dëshmuar kombëtarisht sikur ndodhet në batak dhe nuk bën përpjekje për të dalë nga atje, ose kur bën përpjekje për të dalë tërhiqet nga të tjerët dhe sërish fundoset.

Në mesditë, te tenda në Grykën e Shpëtimit kanë ardhur, Hilmi Ramadani, Jakup Ismajli, Reshat Gashi, Elez Durmishi, Faruku dhe disa ushtarë. Elezi më solli kohën Ditore dhe  Bujkun. Kemi biseduar gjerë e gjatë, ashtu si gjithnjë, ashtu si gjithmonë shqiptarçe, të gjithë duke folur në të njëjtën kohë, me përjashtime të rralla.

Në orën 19.30 minuta artileria e rëndë serbe ka filluar granatimin në qendër të fshatit Krojmir. Detonimet e fuqishme u dëgjuan shumë afër dhe popullata e zhvendosur u  shqetësua tejmase, meqë shumë fshatarë gjatë ditës kanë shkuar nëpër shtëpitë e tyre në fshat,  për të punuar apo për të marrë artikuj të nevojshëm ushqimorë. Së bashku me Selatinin, Danin e Hilmiun u nisem me shpejtësi drejt hyrjes së Grykës për të mësuar se  ç` po bëhej. Ishin të kota përpjekjet për t`i ndaluar edhe të tjerët, sepse secili ishte merakosur për të vetët. Ende pa dalë te Gurra e Gjatë, Ibrahim Olluri na njofton se ku kanë goditur  granatat, por nuk ka të dhëna për pësimet e mundshme. Në kohën kur po bëheshim gati për të hyrë në fshat diktoj traktorin me rimorkio të cilin e ngiste arsimtari, Hashim Olluri. Në rimorkio i kishte të gjithë fëmijët, të vetët dhe të vëllait të tij, Naimit, rreth 12 syresh. Ai tregon se granata e ka goditur shtëpinë e tij por fatlumërisht kanë shpëtuar të gjithë. Nuk din nëse ka pësuar ndokush tjetër. Ndihet i ngazëlluar tejmase që ka shpëtuar me të gjithë. E kam qortuar Hashimin, për shkak të qëndrimit në fshat, por nuk ishte koha për fjalë të tilla, edhe pse e di se ai ka konsideratë të veçantë dhe nuk më hidhërohet. Ditë më parë e ka rregulluar tendën e najlonit por zvarritej pa ndonjë shkak. Nga shtëpia nuk lëvizte dot babai i tij  Mulla Azemi, i cili nuk merakoset për veten, ashtu sikurse edhe pleqtë e tjerë të fshatit.

Më vonë pasi janë grumbulluar të gjitha të dhënat, mësoj se nga granatimi kanë pësuar disa shtëpi të lagjes Ollure, por nuk pësuar asnjë prej banorëve të shumtë që atë ditë nga Gryka kishin depërtuar në fshat për punë të ndryshme. Ditëve të tjera duhet bërë përpjekje për të mos i lejuar të zbresin në mënyrë të pakontrolluar.

Te Gurra e Gatë janë tubuar dhjetëra ushtarë, të cilët përkohësisht janë larguar nga Shtabi, për shkaqe të sigurisë gjatë kohës sa ka zgjatur bombardimi.

Kaloi edhe një ditë me shqetësime e frikë. Por edhe kësaj radhe shpëtuam. Mulla Jakupi, djali i vetëm i mistikut tonë të njohur  quajtur Mulla Behxheti ose Hoxha i Krojmirovcit, ka paraparë që fshati do të shpëtojë, sepse në Grykë qenka varri i një shenjtëreshë shpëtimtare. Diçka si mahi e lezetshme, kur hoxha beson në shpirtin e shenjtë. Po ashtu, ne në Grykë, Te Mrizet e  kemi varrosur martiren e parë, Afërditë Shaqë Qeriqi.

Elezi qesëndiset me kontatimet e hoxhës dhe më drejtohet

– Të cekta i kemi rrënjet ne myslimanët e Krojmirit!

– Është besim popullor i them, meqë ashtu kam dëgjuar edhe sa e sa herë më parë. E sjell ndërmend varrimin e martires së parë të fshatit, Afërditë Qeriqi, të cilën në rrethana të hallakamës së përgjithshme e kemi varrosur mu në hyrje të Grykës. Ç` koincidencë me Shenjtëreshën shpëtimtare.  Nganjëherë legjenda dhe realiteti nuk përjashtohen. Në këtë rast ky besim është i mirëseardhur sepse ua forcon moralin të zhvendosurve, të cilët edhe ashtu e kanë të zbehur kujtimin për kohën e shenjtëreshave, por jo edhe për përkatësinë e dikurshme fetare.

Nga shqetësimet e ditës nuk kam fjetur deri në orët e vona të natës. Tani kur po i mbaroj shënimet e ditës ora ka vajtur në tre pas mesnatës…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …