Tradita e shprehjeve popullore shqiptare ka një histori të gjatë, për nga përmbajtja, sinkronike e diakronike për nga shtrirja, që nga periudha pagane, që lidhet kryesisht me Ilirinë e dikurshme, pastaj me lindjen dhe përhapjen e krishterimit, islamit dhe në fund me periudhën e ateizmit, e cila mbizotëron në qytetërimin aktual të botës dhe që lidhet me kundrimin shkencor të filozofisë materialiste me filozofët e njohur si: Fojerbahu. Marksi, Darvini, Ajnshtajni, Lenini, Mao ce Duni, në Shqipëri, Enver hoxha, e të tjerë.
Duke shkruar për mallkimet studiuesja, Eleana Zhako, thotë se Arti i mallkimit është tipar arkaik i shqiptarëve. Ai përket traditës së ligjërimit gojor, nuk ka formë të shkruar dhe bën pjesë në procesin mekanik të gjuhës, e mëson pa mësuar. Për më tepër, falë mallkimit shqiptarët kanë krijuar imunitet dhe mallkimet që i hedhin njëri – tjetrit shpien në vetëasgjësim mallkimesh. Si pasojë, forca mallkuese zbehet aq shumë, aq sa ndodh vetia e transformimit të tyre në urim apo përkëdhelje dhe si eufemizëm.
Tipologjia e nënave dhe femrave shqiptare është ngushtësisht e lidhur me konceptin e mallkimit. Që nga Ajkuna e Bjeshkëve të Nëmuna, Balada e Konstandinit dhe Doruntinës dhe deri tek gruaja e sotshme, arti i mallkimit përbën një art kryesisht femëror. Ndoshta ngaqë femrat kanë nevojë të bërtasin e të çirren më shumë, t’i japin një penel femëror dhe tragjik mallkimit duke e përgjasuar atë me figura fantazmagorike dhe elemente të së keqes.
Ky konstatim dhe konkludim i studiueses, Eleana Zhako, ka për bazë realitetin faktik, por nuk përjashtohen as mallkimet e gjinisë mashkullore, të ‘stolisura’ me sharje e kërcënime…
Betime të kohës pagane që kanë mbijetuar në kohë e hapësirë deri në ditët tona
Fetare pagane
Pasha Perëndinë,
Pasha tokë e qiell,
Pasha diell e hanë,
Pasha bukë e kripë,
Pasha sytë e ballit,
Për të shtunë e shtatë qind vjet.
Pasha dritën e Diellit,
Pasha bukën e kësaj toke,
Pasha 7 palë qiell e shtatë palë tokë,
Pasha yjtë e qiellit.
Pasha besën,
Pasha nanë e babë, ( pasha mëmë e atë)
Pasha kulmin e shtëpisë,
Pasha robtë e shtëpisë,
Pasha varret e t’ parëve etj.
Fetare të krishtera
Pasha t’ madhin Zot
Pasha Krishtin,
Pasha Shën Mrinë,
Pasha Shën Mrinë e Virgjër,
Pasha shejtnit,
Pasha Ditën e Shën Gjergjit,
Pasha Ditën e Shën Kollit,
Pasha Ditën e bekueme,
Pasha Shën Trininë…
Pasha Ungjillin,
Pasha kishën etj.
Fetare islame
Pasha Zotin
Pasha Allahun,
Pasha Pejgamerin( Muhamedin),
Pasha Kur’anin,
Pasha Ahiretin,
Pasha 99 emnat e Allahut,
Pasha kater qitapet ( Tevrat, Zebur, Ungjill, Kur’an)
Pasha 4 meleqët,
Pasha Qaben,
Pasha Urën e Siratit,
Pasha Shpatën e Hazreti Alisë,
Pasha Imam Hasanin e Imam Hysenin,
Pasha Qerbelanë,
Pasha dinë e imanë…
Pasha teqen,
Pasha xhaminë, etj
Mbijetesa e betimeve popullore pagane dëshmon se ajo periudhë kohore ka mbretëruar për një kohë të gjatë, sidomos në kohën e hershme pagane të Ilirisë e Dardanisë, dhe gjurmët e asaj kohe arritur deri në ditët tona edhe pse krishterimi dhe islami, jo vetëm që nuk i pranojnë por edhe i demonizojnë, pavarësisht se ato janë thjesht, betime. Për dallim nga këto, betimet fetare të krishtera dhe islame janë vetëm në frymën ekskluzive të përkatësisë fetare.
Ahmet Qeriqi
- 8. 2024
Shtime