Ofensiva e çartur serbe e sidomos sulmet shkatërrimtare nëpër fshatra dhe lokalitete që i mban nën kontroll UÇK-ja, granatimet e pareshtura në drejtim të popullatës së zhvendosur, mungesa e përkrahjes meritore të luftës sonë nga Amerika apo shtetet e tjera demokratike, kompromisi i politikanëve tanë në dëm të luftës, po krijojnë një klimë defetizmi e mos-durimi sidomos në mesin e popullatës.
Një punë të pandershme dhe të ligë në këtë drejtim po e bëjnë edhe gazetarët që mbjellin defetizëm dhe shërbehen me dezinformata vetëm për ta frikësuar popullatën civile, e cila ndodhet në kushte tejet të rënda ekzistenciale.
Ushtarët tanë përgjithësisht janë të arsimuar dhe problemet i shtrojnë drejt. Ata, kanë filluar t`i besojnë pushkës dhe shembullit heroik të komandantit të UÇK-së Adem Jashari. Ata tanimë nuk shfaqin dilema, por janë të zhgënjyer në politikën aktuale. Disa syresh janë edhe të mllefosur tejmase, e disa nga ta propozojnë ndërmarrjen e aksioneve edhe nëpër qytete, ku jetohet lirshëm dhe shpengueshëm, sikur të ishte në ndonjë vend apo shtet tjetër.
Pas mesditës, më lajmërojnë se kanë ardhur në Grykë: Fatmir Xhelili, Heset Sahiti, Nusret Gashi, Naim Ymeri, dhe ushtari i Blinajes Murtez Sylejmani. Nisem pa vonuar së bashku me Elezin në drejtim të vendit ku ata po na prisnin. Pasi përshëndetemi Fatmiri na njofton me situatën në Shtime. Ai ka takuar babën dhe nënën time, të cilët po rrezikojnë dhe po qëndrojnë në shtëpi. Fatmiri na bën me dije për propagandën e zezë që po e përhapë kreu i LDK-së së Shtimes kundër luftës dhe konkretisht kundër meje. Po ashtu shfaq interesim për të ditur si qëndron puna me luftën dhe me radhët ushtarake.
Fatmirit i besoj, edhe pse lëvizjet e tij me siguri se i din policia e Shtimes. Ndoshta i ka hyrë rrezikut, ndoshta ata mendojnë se pas një kohe mund ta arrestojnë dhe ta shfrytëzojnë për informacione. Sido që të jetë ne luftën dhe rezistencën po i bëjmë hapur dhe nuk kemi çka frikësohemi nga njëri tjetri. Këtu shumica jemi të armatosur dhe për të arritur forcat serbe deri këtu duhen kapërcyer shumë prita e pengesa.
Nusret Gashi, i vëllai i Reshatit po ashtu shpreh gatishmëri për të kryer ndonjë detyrë dhe për të grumbulluar artikuj që na nevojiten. Naim Imeri tezaku im nga Gllogoci i Lipjanit, na bën me dije se ka grumbulluar 9000 kg miell, 1000 kg oriz, 60 palë patika për fëmijë, disa thasë makarona, vaj e të tjera. Naimi qysh prej fillimit na ka ndihmuar duke e vënë në rrezik jetën e tij sa e sa herë.
Heset Sahiti kërkon që t`i ndihmojmë ta konsolidojë njësitin e Blinajës. Në këtë drejtim e ka përkrahjen e ushtarëve të Leletiqit dhe të disa ushtarëve të tjerë të cilë kanë qenë të pozicionuar më parë te Hoteli dhe në pika të tjera të Blinajes.
Kemi biseduar gjerë e gjatë për një gamë të tërë të problemeve dhe të preokupimeve tona. Ne nuk e kemi ndërmend të shthuremi as të dorëzohemi. Jemi një forcë lokale e UÇK-së shumë e konsoliduar. I kemi përforcuar të gjitha pikat e vëzhgimit dhe kontrollojmë ndoshta terrenin më të madh të mundshëm në rajonin e Drenicës. Rrezja e veprimit e ushtarëve tanë është në tërë kompleksin e Blinajës, që ka tetë mijë hektarë pyje, pastaj pre Zborcit, në Carralevë në Dukë e Karaçicë, në Pjetërshticë e deri në fshatrat e Rrafshnaltës.
Në të gjitha pozicionet kemi një sasi të konsiderueshme të armatimit dhe mbi të gjitha kemi ushtarë të mrekullueshëm dhe logjistikën më të organizuar.
Nga pozicionet tona, prej anës lindore sigurojmë popullatën dhe hyrjen në Grykë. Në anën juglindore janë forcat e Komandant Kumanovës, ndërsa në Rrafshnaltë janë forcat elite të Shtabit dhe ushtarët e Grykës së Llapushnikut. Një pjesë e konsiderueshme e popullatës së zhvendosur ndodhet edhe në Grykën e Kizharekës, te Mrizet e Berishës.
Edhe në Grykë të Shalës janë kthyer qindra banorë. Po ashtu ditë për ditë po kthehen edhe të ikurit nga Nekoci e Bainca. Grykat e lumenjve po gjallërohen sërish. Kjo është mbështetja më e mirë për luftën. Është bazë e logjistikës dhe besim e përkrahje e popullit për ushtrinë çlirimtare.
Pasi jemi përshëndetur me Fatmirin, Hesetin e të tjerë, së bashku me Jetë Hasanin dhe Sylë Qeriqin kemi depërtuar te tenda e Elez Durmishit. Jeta po tregohet tejmase i angazhuar. I kontrollon pikat, iu ndihmon ushtarëve, iu jep duhan dhe kujdeset për gjithçka që konsideron se e ka për detyrë.
Rreth tij prore grumbullohen disa nga ushtarët më të përkushtuar e më trima. E di se gjatë natës shpeshherë depërton në fshatrat e Rrafshit. I ka vënë në shënjestër bashkëpunëtorët e regjimit…