Ish-i burgosuri politik, Haki Morina, ka ngritur akuza të rënda kundër disa shqiptarëve që, sipas tij, kanë qenë pjesë e UDB-së, shërbimit të fshehtë jugosllav, të cilin ai e cilëson si famëkeq. Morina përmendi një listë emrash që i akuzon për arrestime, tortura dhe abuzime çnjerëzore ndaj shqiptarëve, si: Ajet Gashi, Ibush Gashi, Millaku (me emër të plotë të panjohur), Xheladin Beqiri, Qazim Mazreku, Mehmet Loci, Mustafa Loka, Demë Muja, Jakup Lonçari, Jakup Hasani, Mehmet Hasku, Istref Sadiku dhe Gani Hajdari. Në mënyrë të veçantë, Morina theksoi brutalitetin e Gani Hajdarit, të cilin e cilësoi si “më të brutalin” ndër torturuesit. Ai shtoi se Hajdari ka shërbyer si një nga drejtuesit e Policisë së Kosovës me gradën kolonel dhe ka qenë i njohur për dhunën, gjatë kohës së tij në detyrë.