Bedri Halimi: DISA FJALË RRETH DISA PASAKTËSIVE TË ANALIZËS SË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS

Bedri Halimi: SHPËRNDARJA E MJEGULLËS NGA QËLLIMI APO MOSDIJA, NGA ish UDB-ashi NAFI ÇEGRANI

 

  1. Në vend të prologut

Emri i Nafi Çegranit u bë i njohur pas daljes së tij në opinion me disa libra të tij. Dy nga këta libra, nga kureshtja i lexova dhe pasi shkrova nga disa rreshta për secilin libër, nuk e pashë të udhës ta postoj apo botoj diku. Por pas daljes së tij publike edhe në një emision “Kojshiashow”, vendosa ta shikoj se çfarë do të thoshte ky ish UDB-ash, për të cilën gjë tregon vetë, dhe me shumë lehtësi, madje edhe me mburrje, se ka qenë në UDB në sektorin e caktuar. Nga ky kënd, si duket e ka mveshur vetën me “patriotizëm” aq shumë, sa që i jep vetës të drejtë aq shumë, që të flas e të përgojoj emra personash e personalitetesh, duke pohuar se kanë qenë në shërbim të UDB-së. Por, ky “profesor” siç çuditërisht e quan udhëheqësi i emisionit, duket sikur me shumë lehtësi flet duke bërë kualifikime të çuditshme për rolin dhe veprimtarinë e disa personaliteteve si I. Kelmendi, R. Qosja, A. Vinca, I. Kadare etj…, ku diku pohon drejtpërdrejtë, e diku lë për të nënkuptuar, që dikush ishte me UDB-në, dikush e paska spinuar madje edhe Ali Hadrin, dikush paska qenë me KGB-në etj, xhevahire të tilla të thëna kuturu, në mënyrë të pazgjedhur, të bluara trashë, madje shumë trashë, sikur të ishin të thëna të grumbulluara nga qarshia e qytetit…

Ky emision më bindi ta shfaq mendimin për dy libra të tij.

  1. DISA FJALË PËR LIBRIN “UDB-A DHE SPIUNËT” (HISTORI DHE FATE TRAGJIKE NJERËZISH), TË AUTORIT NAFI ÇEGRANI

Vetë titulli i këtij libri që përmban 302 faqe, ishte provokativ sa që më bëri kureshtar për ta lexuar (ndonëse edhe me çmim nuk ishte bash i lirë, e madje as i arsyeshëm – kushtonte 15 euro).

Gjatë leximit dhe pas leximit mendimi im është si vijon:

  1. Fillimisht, ky libër përmban disa të dhëna historike, madje empirike rreth historisë së formimit të OZNA, përkatësisht UDB-së, gjëra këto që mund të hasen edhe në literaturën e botuar qoftë në gjuhën shqipe, qoftë në atë serbe, qoftë edhe në ndonjë gjuhë tjetër.
  2. Më tej autori shpjegon përbërjen e shërbimit të UDB-së përkatësisht strukturën e saj, format e veprimit, rekrutimit, survejimit, krijimit të dosjeve, shantazhimit etj etj. Për më tepër, këto të dhëna më shumë të karakterit teorik, që u hyjnë në punë, më shumë njerëzve që janë të interesuar të dinë si funksionojnë shërbimet e fshehta…
  3. Në këtë libër me një titull provokativ, por edhe pretencioz, më tej jepen disa emra, shifra të bashkëpunëtorëve të UDB-së, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre dihet se kanë qenë personalitete politike.
  4. Janë interesante të theksohen disa emra të cilët sipas autorit kanë qenë në ndjekje të organeve të UDB-së, e që kryesisht kanë punuar për mediume të ndryshme si Rilindje, Flaka e Vllazërimit etj. Kështu përmenden si persona të ndjekur p.sh Jusuf Gërvalla, Teki Dervishi, Ibrahim Kadriu, Daut Demaku, Beqir Musliu etj. Por nuk sqaron se çfarë rrezikshmërie ka mundur të paraqes asnjëri nga këta, e veçmas ndonjë shkrimtar hermetik p. sh si Beqir Musliu. Për asnjë rast nuk sjell dëshmi.
  5. Gjithashtu jepen edhe emra të personave të caktuar, gazetarë, shkrimtarë, që kanë punuar në këto media e të cilët, sipas autorit, kanë qenë bashkëpunëtorë të UDB-së si: Fahredin Gunga, Adem Gajtani, Ali Aliu, Rexhep Zllatku, Sefedin Sylejmani, Hasan Hasani, Mustafa Rushiti, Agim Zatriqi etj., ndonëse shumica e këtyre personave pak a shumë janë të njohur edhe nga burime të tjera të shkrimeve të ndryshme në literaturë të botuar më herët.
  6. Më tej autori përmend shumë emra, kryesisht të ish Republikës së Maqedonisë, e në veçanti në komunën e Gostivarit, si dhe në komunat e afërta me të. Sa do që përmenden gjithë këta emra, nuk jepen të dhëna për veprimtarinë e secilit, përpos në në ndonjë rast të rrallë.
  7. Më tej jepen të dhëna rreth emigracionit shqiptar në perëndim, e në veçanti në SHBA ku përmenden emra të shumta të organizatave që kanë funksionuar, e që të gjitha këto si pikë primare të veprimtarisë e kanë pasur rrëzimin e pushtetit në Shqipëri dhe jo çështjen e shqiptarëve dhe pozitën e tyre në ish Jugosllavi. Në fakt përmenden edhe gjendja e shqiptarëve në ish Jugosllavi, vetëm si nevojë e kamuflimit apo edhe si rrjedhojë e afrimit të një numri të madh të antarëve nga radhët e shqiptarëve nga këto organizata.
  8. Në shumëçka që u tha, duhet potencuar se në shumë raste, gjërat jepen në mënyrë fragmentare, si copëza mendimesh, copëza informacionesh, copëza të dhënash. Për të dalë pastaj nga një temë në temën tjetër, të cilat nuk kanë lidhshmëri mes vete dhe nuk janë paraqitur sipas rrjedhës kronologjike siç e kërkon një redaktim profesional.
  9. Shumë të dhëna janë gjysmake, përmes të cilave, në vend se të orientohet lexuesi për t’u njoftuar, në fakt krijohet hamendësim te lexuesi se si ka mundur të jetë e vërteta.
  10. Ka raste kur për ndonjë person të caktuar jepet mendim se qenka shoqëruar shumë p.sh me Fahredin Gungën dhe pastaj, lë për t’u nënkuptuar sikur ai person është rekrutuar nga shërbimi i UDB-së. Për më keq, për të njëtin rast, i njëjti autor në shkrim publicistik në media të ndryshme jep mendim krejt tjetër, duke theksuar se i njëjti ka qenë qenë i ndjekur nga UDB-ja.
  11. Në materialet e prezantuara në këtë libër, që në titull autori paralajmëron se flet për UDB-në, por për çudi, autori del nga tema duke folur për pozitën e të burgosurve politik në burgjet e Shqipërisë. Pra në këtë rast, çdo gjë është jashtë temes të cilën autori e paralajmëron që të titull të librit.
  12. Duke bërë analiza vetë autori, i jep vetes të drejt të gjykoj edhe çështje të historisë, natyrisht pa sjellë të dhëna, dhe as referenca shkencore si dhe as dokumente përkatëse. Por vazhdon për ta ndjekur modën në njëfar mënyre se çka shkruan ndonjë historian i tipit të Uran Butkës në Shqipëri, rreth ta zëmë “Mbledhjes së Mukjes” apo “Konferencës së Pezës”. Natyrisht se të gjitha këto të dhëna duhet t’i nënshtrohen ndonjë gjykimi të përpiktë.
  13. Kur flet për personat e caktuar, apo për ndonjë rast të caktuar, siç është p.sh gjykimi i parë i Adem Demaçit, autori jep gjëra të pjesëshme, duke sjellë vetëm dëshminë e një dëshmitari dhe jo dëshmitë e të gjithë dëshmitarëve, emrat e të cilëve tashmë janë të njohur dhe janë të botuar në librat si të Dr. Hakif Bajramit, Selatin Novosellës etj.
  14. Kur flet për persona të caktuar, sipas autorit të rekrutuar nga UDB-ja, si Martin Camajn, Hasan Kaleshin etj., nuk është i qartë në formulimin e fjalive dhe as konciz në përmendjen e dëshmive.
  15. Në shumë fjali e fjalë ka shumë gabime gjuhësore, e mungesë shkronjash, që d.m.th se ky libër nuk është lekturuar fare, ndonëse që në fillim përmendet emri i lektorit, përkatësisht lektores.
  16. Gjatë përpilimit të fjalive, shihet se në disa raste fjalitë nuk janë të thurura me kuptim, por janë të lëna konfuze, të cilat te lexuesi mund të shkaktojnë huti, se çka ka dashur të thotë autori në këtë rast, siç është rasti me Ismail Kadarenë, si psh. Në një rast lihet për t’u keqinterpretuar se edhe Ismail Kadare është njëri nga të rektutuarait e UDB-së edhe pse kjo nuk është e thënë decidivisht.
  17. Disa të dhëna që jepen p.sh për Kapllan Resulin, apo ndonjë person tjetër, autori i referohet citateve të gazetarëve të ndryshëm të cilët kanë shkruar nëpër mediumet e caktuara si p.sh Sheradin Berisha, Dukagjin Gorani, Fehmi Ajvazi etj.
  18. Ndonëse edhe vetë autori e pranon në ndonjë rresht duke potencuar se është vështirë të gjenden dokumente sekrete për shumë gjëra, por paraqitja e gjërave pa ndonjë kriter profesional duke mos i ndarë në kapituj si duhet, të lë të kuptosh si dhe të lë për të dëshiruar, se këtu kemi të bëjmë qoftë me mungesë të të dhënave të mjaftueshme, qoftë edhe me dije të kufizuar në fushën e shkrimit. Nëse do të ishte forma e tillë e prezentimit të këtyre materialeve e qëllimtë (gjë që nuk do të dëshiroja ta besoj), kjo do ta dëmtonte tërë temën, dhe materien që prezantohet në këtë libër. Prandaj uroj që autori këto gjëra t’i rishikoj për t’i rishkruar dhe për t’i formuluar gjërat më qartë.

III. MJEGULLA E NAFI ÇEGRANIT PËRMES DISA LIBRAVE TË TIJ

Pasi kisha lexuar librin e Nafi Çegranit me titull provoktaiv “UDB-ja dhe Spiunët”, me të cilin libër nuk u ndava shumë i kënaqur, për të mos thënë i zhgënjyer, në librarinë “Artini” në Prishtinë duke kërkuar disa libra, që do të më hynin në punë, hasa në librin tjetër të autorit Nafi Çegrani me titull “UDB-a dhe Diktatura” dhe nëntitullin “Furtunat e spiunazhit jugosllav”.

Gjatë leximit të këtij libri, zhgënjimi i fituar në librin paraprak, në këtë rast u bë edhe më i madh, sepse e krijova bindjen se autori nuk ia ka shumë zanat punës së shkrimit, e madje as materies të cilën tenton ta paraqes përmes këtij libri.

Kështu sërish edhe në këtë libër, autori gjërat i thotë në mënyrë shumë të mjegulluar, të përgjithësuar dhe më e keqja edhe të përziera.

Kështu duke folur për një periudhë kohore, autori për një moment del në kohën tjetër, në decenien tjetër.

Një pjesë e konsiderueshme e materialeve të cilat mundohet t’i prezantoj në këtë libër, ky autor i ka të përsëritura edhe nga libri paraprak. Supozoj që këtë gjë mund ta ketë bërë edhe në librat e tjerë të tij.

Përkundër faktit se në këtë libër figuron emri i një redaktori dhe një recensenti, nuk e dimë se ç’punë dhe çfarë sugjerimesh i kanë dhënë autorit ky redaktor dhe ky recensent? Apo edhe këta janë “po aq profesional” në këtë çështje, dhe njohës të rrethanave sa vetë autori i këtij libri!

Ndërkaq materiali i prezantuar në këtë libër, përkundër faktit se figuron emri i personit që e paskësh kryer lekturën, lë shumë për të dëshiruar. Këtu nuk ka faqe ku nuk ka shumë gabime gjuhësore, dhe nuk ka fjali ku nuk ka gabime logjike. Prandaj rrjedhimisht shtrohet pyetja: Cili është roli i autorit Nafi Çegrani? Cili është mesazhi i librit të fundit si dhe të parafundit të tij?

Në këtë libër ka edhe pasuse fëminore, përmes të cilave autori tenton t’i varë medalje në qafë vetes. Pretendimi për një gjë të tillë, të bën jo vetëm të dyshosh por edhe të mendosh në qëllimin dhe misionin e vetë autorit.

Nuk ka në këtë libër ndarje të materies në kapituj.

Nuk ka kronologji të zhvillimit të ngjarjeve, nuk ka të dhëna që të bën të besosh se “argumenti” i sjellë në këtë libër mund të jetë valid.

Duke i përzier gjërat ose nga joprofesionalizimi, ose nga mosdija, apo edhe më keq, nga qëllimi, shumë gjëra janë konfuze dhe si të tilla, vetëm njeriu naiv mund t’i besojë kaq lehtë.

Kjo logjikë e të shtjelluarit të çështjeve të ndjeshme të zhvillimit të ngjarjeve të nëntokës, të çon në konkludimin deri në zhbërjen e argumenteve të mirëfillta, para pseudo argumenteve të ngatërruara në këtë libër.

Pse i duhet autorit t’i përsëris të njëjtat të dhëna për personalitete të caktuara në disa libra, pa sjellur asgjë të re në rastin e dytë? Aq më keq kur për të njëjtin personalitet duke folur se dikush ka qenë bashkëpunëtor i UDB-së, pas disa faqeve, për të njëjtin njeri, po i njëjti autor thotë se ka qenë i ndjekur nga UDB-a.

Autori me vetë faktin që disa gjëra nuk i njeh as gjeografikisht, dhe gabimisht i prezanton në këtë libër, të bën të dyshosh edhe në vërtetësinë e gjërave të tjera të pretenduara për të sjellë argumente për kohëra dhe njerëz që kanë vepruar gjatë periudhave të ndryshme historike.

Autori edhe kur i përmend me emra disa ish pushtetar apo disa intelektual, të gjithë i fut në një thes. Nuk bën ndarje, qoftë sipas veprimtarisë politike, qoftë sipas veprimtarisë në shërbim të shërbimit të caktuar informativ.

Autori edhe në këtë libër, ashtu si edhe në librin tjetër paraprak, gjërat i ngatërron e i përzien, siç do të thoshte Adem Demaçi në titullin e romanit të tij të shkruar ndër të parët si dorëshkrim e të botuar pas vdekjes së tij “Drith e miell bashkë”.

Por, në këtë rast nuk kemi të bëjmë vetëm me drith e miell, sepse këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me lloje të ndryshme të drithrave, të grumbulluara në një thes, por fatkeqësisht kemi të bëjmë edhe me shumë egjër brenda këtij thesi.

Prandaj, Nafi Çegrani nuk e dimë për ku është nisur, me këta libra të këtij niveli dhe më këto të dhëna që askush nuk të merr vesh.

  1. Në vend të epilogut

Nga të gjitha këto që u thanë, duhet të sqarojmë se për disa emra ka të dhëna edhe nga burime të tjera tashmë të botuara. Por përmendja e disa emrave të rinj, pa sjellë dëshmi, apo madje edhe të thëna trashë, sikur aq lehtë mund të besohet se vrasës i Jusuf Gërvallës qenka I. Kelmendi, ua fyen inteligjencën edhe njerëzve të thjeshtë por që kanë sado pak rezon njerëzor e kombëtar. Së pari, pas vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës, flitej me të madhe, për shumë njerëz se si filani apo fisteku janë vrasës të Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës. Nëpër shumë qytete të Kosovës, përflitej për involvimin e individëve të caktuar nga ai qytet, në këtë vrasje. Kështu, numri i tërsishëm i vrasësve potencial të vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës u bë shumë i madh. Kush i lansoi emrat e vrasësve potencial në secilin qytet dhe për cilën arsye? Cili ishte vrasësi i vërtetë? A kishte UDB-ja sektor të vrasjeve apo, vet UDB-ja i kryente këto punë bashibuzukqe, duke e përdorur secilin që mundëte? Secilin që mundëte vërtet ka mundur ta përdor për grumbullim të të dhënave, por jo edhe për vrasje. Cili shërbim, që pretendon se është serioz, vepron si mundet e kur të mundet, duke mos i llogaritur pasojat e komprometimit? Edhe diçka: po supozojmë që e ka mirë Nafi Çegrani. Po përse për shembull në një dosje të publikuar para shumë vitesh, në gazetën Infopress, Sejfullah Sahatçiu dhe Enver Prekadinaj i japin këtë detyrë Kobrës, si vijon:

“Detyrë e ‘Kobrës’: Ta përhap lajmin se Ibrahim Kelmendi ka marrë pjesë në vrasjen e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës

Sekretariati Krahinor për Punë të Brendshme

Shërbimi i Sigurimit Shtetëror

Drejtori-Gjakovë

punt.op. Sejfullah Sahatçiu

Më 24.05.1985.

IV

Vërejtjet e punëtorit operativ:

Bashkëpunëtori i sigurt shënimet pjesërisht të vërtetuara. Lidhur me këtë jeni njoftuar me depeshen tonë nr. 188/09.05.1985. në bisedë me bashkëpunëtorin i është dhënë detyrë që në mesin e punëtorëve tanë të punësuar në Zvicër-Bern dhe qytete tjera të përhap lajmin dezinformues gjoja se Ibrahim Kelmendi është ai njeri që ka marrë pjesë në vrasjen e vëllezërve Gërvalla, se si gjatë kohës sa ka qenë në Kosovë është shoqëruar me organet e sigurimit dhe se Ibrahim Kelmendin do ta vrasin vëllezërit tjerë Gërvalla apo dikush tjetër nga LRSSHJ. Këto detyra i janë dhënë ‘Kobrës’ me sugjerimin e kryeshefit të sektorit të II të SKPB – SHSSH, Enver Prekadinaj”.

Kush e ka mirë në këtë rast? Ish udbashi Nafi Çegrani apo udbashët Sefullah Sahatçiu e Enver Prekadinaj? Në këtë kohë, pra në vitin 1985 ku ishte Nafi Çegrani? Cilit burim i referohet Nafi Çegrani kur në këtë kohë për të cilën flet dokumenti i UDB-së në Gjakovë, Nafi Çegrani ishte në burgun e Zenicës apo jo?

Pastaj, Nafi Çegrani në emision të shout të kojshisë (Kojshiashow) thotë se Rexhep Qosja e paska spiunuar Ali Hadrin? Dihet se Ali Hadri, Rexhep Qosja e Fehmi Agani ishin ndër më të ndjekurit pas vitit 1981. Nga dokumentet e diferencimeve flitet për disa emra të tjerë që kishin bërë diferencimin e secilit prej këtyre dhe jo të këtyre kundër njëri tjetrit. Dhe kjo thuhet disa ditë pas arrestimit të dy njerëzve me akuzën së janë pjesë e BIA-s serbe, ku njeri prej tyre (duke ju referuar avokatit të tij B.Berisha në një emision) paska thënë se në doganë paska punuar bashkë me vëllaun e Rexhep Qosjes. Ndërkohë po aty, (në emision) nga analistë u potencua se R. Qosja ka vetëm një vëlla dhe ai është regjisori i njohur Isa Qosja, dhe dihet mirëfilli se kurrë nuk ka punuar në doganë. Përse emri i Qosjes përmendet në të dy këto emisione edhe nga Nafi Çegrani, por edhe nga i arrestuari si spiun i BIA-s?

Pastaj, Nafi Çegrani kur e përmend emrin e Kadaresë, në këtë emision, lë për të kuptuar sikur kur u bënë ngjarjet e vitit 1981, Kadare paska qenë në Serbi duke pirë me shkrimtarë serb?

Ata që i kanë përcjellë zhvillimin e ngjarjeve politike e kulturore, nuk mund të mos e dinë se kur ka qenë Kadare në Serbi, e që gjithësesi nuk qëndron konstatimi i Nafi Çegranit se Kadare paska qenë në Serbi kur kanë ndodhur ngjarjet e vitit 1981. Kadare ishte më 1987 në Bor e Majdanpek, dhe dihen deklarimet e Kadaresë si për shkrimtarët shqiptarë të Kosovës ashtu edhe për Kapllan Resulin, kur pyetet nga gazetarët serb.

E tash, trego ku don ta vendosësh Kadarenë, o Nafi? Te UDB-a, te KGB-ja apo te të dyja bashkë?

PS

Qëllimi i shkrimit s’ka të bëjë asgjë me personale. Por librat janë publike, siç u bënë publike edhe disa nga deklarimet e Nafi Çegranit. Ky shkrim imi do të doja të merrej si ftesë për t’i qartësuar gjërat në ribotimin eventual të librave të tij dhe jo të mbeten ashtu të mjegulluara, copëza dhe me të dhëna gjysmake.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Qeverisja ekonomike në shifra

Një përshkrim i asaj çfarë ka  në ekonomi brenda këtyre katër viteve : Po fillojmë …