Letërsisë shqiptare, iu shtua edhe një libër autobiografik i së burgosurës politike Ajshe Gjonbalaj, titulluar, “Jeta Ime dhe disa rrëfime nëpër burgjet Jugosllave.”
Në këtë vepër të rrallë faktografike, ofrohen disa pjesë nga rrëfimi i jetës së Ajshe Gjonbalajt, të një femre shqiptare, që ka kaluar një periudhë të mundimshme në burgjet e ish Jugosllavisë. Ky rrëfim jetësor i bazuar në fakte dhe ngjarje reale, na përshkruan rrugën e saj atje ku u ballafaqua me sfidat dhe torturat e burgut Jugosllav, në një kontekst historik dhe politik.
Kjo vepër shpalosë me objektivitet dhe pasion ngjarjet dhe rrethanat që formuan jetën e saj, duke na ofruar një portret autentik të një periudhe të vështirë dhe tejet të rëndë.
Meqë është një vepër dokumentare, biografike ajo shërben si një burim i rëndësishëm historik, duke sjellë në pah ngjarjet e një kohe të kaluar që shpesh herë harrohen. Kjo ndërthurje e historisë dhe e jetës individuale krijon një rrëfim të pasur, që të kuptojmë thellësisht sfidat dhe vuajtjet e saj.
Nëpërmjet kësaj vepre, autorja na bën dëshmitarë të ngjarjeve të mëdha historike dhe të gjithë atyre detajeve të jetës së një femre shqiptare. Përmes analizës objektive të ngjarjeve dhe ndjenjave të thella të protagonistes, ky portret i ndritur shërben si një mësim i hidhur por edhe krenar për lexuesin dhe e nxit atë të reflektojë mbi pasojat që ka përjetuar e burgosura politike me shkallën më të lartë të dënimit, të shqiptuar nga Gjykatat Jugosllave të kohës.
Ajshe Gjonbalaj, na rrëfehet me një pasqyrim të thellë të peripecive të saj në moshën e re, përvojave të saj në sistemin arsimor dhe ndikimin e regjimit Jugosllav në jetën e saj.
Ajo fillon rrëfimin e saj me një histori të thellë të përkushtimit të prindërve të saj ndaj arsimit të saj. Edhe pse prindërit e saj kishin vështirësi ekonomike dhe kanë qenë punëtorë krahu, ata iu përkushtuan arsimimit të saj. Ajshja është gjenerata e parë e vajzave të arsimuara në krahinën shqiptare në Malin e Zi.
Duke na rrëfyer historinë e saj, na sjell në një periudhë të ndërlikuar të historisë së Malit të Zi dhe të rajonit të Ballkanit. Përmes rrëfimit të saj, ne shohim vendosmërinë dhe rezistencën e individëve të zakonshëm kundër ndikimit të një regjimi të dhunshëm, dhe si ata janë përpjekur të ruajnë kulturën dhe identitetin e tyre, ndonëse nën presion të madh dhe me pasoja të pa imagjinueshme.
Pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1968, në Kosovë, në një kontekst të përditshëm represionist, burgosjes dhe dënimeve të liridashësve nga regjimi jugosllav, shumë liridashës pësuan vuajtje të mëdha dhe persekutime të ndryshme. Me gjithë këtë presion të fortë, disa prej tyre nuk ndalën veprimtarinë atdhetare, por për më tepër, organizuan grupe me qëllim të vazhdimësisë dhe konsolidimit të veprimtarisë atdhetare. Në këtë kontekst, Ajshe Gjonbalaj, ushtroi një ndikim të theksuar. Ajo ishte një vajzë me dëshirë të thellë për Atdheun, një atdhetare që nuk kishte motive të tjera për angazhimin e saj, veç pasionit të ndjenjës atdhetare.
Në këtë periudhë, përfshirja në veprimtari atdhetare kishte edhe pasojat e saj të rënda. Ajshe Gjonbalaj dhe të tjerë u përballën me persekutime, burgosje, dhe tortura nga regjimi jugosllav. Ajo dhe të tjerat edhe pse u përballën me tortura të rënda, mbajtën sekretin dhe nuk zbuluan asgjë, ishte kjo dëshira e tyre për të mbrojtur veprimtarinë atdhetare.
Autorja e rrëfimit përshkruan një këndvështrim mizor të burgut dhe të vuajtjeve të saj. Rrëfen, për kohën mizore që kaloi në burg dhe thellon më shumë ndjesitë e saj të izolimit dhe dhimbjes. Ajo përshkruan ambientin e zymtë, ku muret e burgut i shndërrojnë ëndrrat në vargjet e ndalura. Nëpërmjet fjalëve të saj, ajo sjell para syve të lexuesit një atmosferë të ndrojtur, ku çdo ditë është një betejë me veten dhe me kohën. Në rrëfimin e saj, ajo nuk tregon thjesht ngjarjet, por ndan me lexuesin një fragment të shpirtit të saj luftarak dhe të pa dorëzuar përballë shovinistëve serbë e jugosllavë të kohës.
Në shkrimet dhe përjetimet e saja del në pah qëndresa e Ajshe Gjonbalajt, e përkushtuar ndaj idealit të lirisë kombëtare dhe bashkimit të popullit për arritjen e këtij qëllimi. Ajo, është një dëshmi e fuqisë së aspiratave kombëtare dhe e unitetit të shoqërisë në kohët më të vështira.