Kaloi edhe një natë tjetër plot ankth, shqetësim dhe bezdi shpirtërore. Nga ndërrimi i temperaturës dhe nga fjetja në tokë kam marrë temperaturë. Nata në qiell të hapur në këto monopate malore është e rrezikshme.
Kthimi në tenda, sado që paraqet rrezik është e vetmja mundësi që na ka mbetur për të mbijetuar deri në momentin kur sërish duhet t iu qepemi maleve,
Për dy ditë të mungesës në tenda është krijuar rrëmujë. Nëpër to kanë kaluar natën ushtarë, familjarë që i ka zënë nata dhe të tjerë që kanë ardhur nga Duka e Karaçica. Ushtarët të cilët tanimë janë vendosur në pozicionet e reja përreth Grykës ndihen të lodhur e të sfilitur. Ka tri ditë që kanë ngrënë ndonjë kothere. Ata nuk kanë ngrënë fare bukë. Disa çlodhën gjatë ditës për t`i ndërruar ata që momentalisht janë në pika të vëzhgimit.
Tri katër orë pas kthimit Gryka fillon gjallërimin.
Ndizen shporetët, gatuhet buka, përgatitet gjella e patates apo e fasules, vlon uji për të pirë qajin nga i cili po thuaj se të gjithë janë të varur dhe kur nuk pinë qaj iu dhemb koka dhe iu humb disponimi.
Numri i qenve është shumëfishuar dhe ka rrezik të përhapjes së ndonjë sëmundje. Duhet bërë çmos që të largohen apo edhe të vriten dhe të hedhen në një gropë e pastaj të mbulohen. Banorët e Dukës kërkojnë miell meqë nuk kanë arritur të marrin nga shtëpitë gjatë largimit nëpër breshërinë e armëve të armikut.
Disa korrierë bëjnë të ditur se forcat serbe iu kanë afruar Kleçkës. Kjo është brenga më e rëndë, e cila do ta vështirësojë jetën në Grykë.
Elezi, së bashku me Sylën, Naimin, Jetën, Halilin, e të tjerë gjatë tërë ditës ka qenë i zënë me punë, në caktimin e pikave të reja të vëzhgimit.
Ramiz Qeriqi, më tregon se ka marrë një urdhër nga Komandant Çeliku, i cili kërkon që të përforcohen pikat në mbrojtje të popullatës civile, të mos provokohen forcat armike dhe të shtohen pikat e vëzhgimit.
Togu i ushtarëve tanë në Majën e Bigës, ku është edhe ushtari i përkushtuar Halil Olluri, ka vërejtur se forcat serbe kanë djegur disa shtëpi në Shalë dhe shumica dërrmuese e shtëpive të djegura janë të atyre që ai mendon se bashkëpunojnë me serbët, ose të atyre që mbajnë qëndrim asnjëjës. Nuk është djegur asnjë shtëpi e ushtarëve të UÇK-së, as rastësisht. Kështu përafërsisht ka ndodhur edhe në Pjetërshticë, Nekoc e Kizharekë.
Mjetet e informimit të pushtuesit raportojnë se luftëtarët shqiptarë ua kanë djegur shtëpitë shqiptarëve lojalë, për shkak se këta nuk po e përkrahin UÇK-në. Kjo luftë e turpshme propaganduese ka ngjallur dyshimi e atyre që kanë ikur dhe të atyre që edhe pse nuk i besojnë këtij versioni e interpretojnë për të vërtetë meqë iu përshtatet konceptit të tyre politik, pacifist. Edhe kësaj radhe serbët nuk po i ofrohen Krojmirit. Ndoshta këtë e bëjnë për të krijuar dyshime te ushtarët tanë po me të njëjtat qëllime, sepse fshatarët, shtëpitë e të cilëve janë djegur, bëjnë me gisht nga Krojmiri i cili ka shpëtuar edhe kësaj radhe, kur dihet se nga këtu është përhapur zjarri i luftës çlirimtare në tërë Drenicën jugore dhe në fshatrat rreth Blinajes.
Kam frikë se Krojmiri po rezervohet për ndonjë sulm të papritur diversant dhe këtu do të ndodh diçka e tmerrshme si në Likoshan, në Prekaz apo me përmasa edhe më tragjike. Mendoj se Shërbimi sekret serb ka të dhëna të sakta për vend-qëndrimin tonë madje edhe për të gjitha familjet e ushtarëve.
Heset Hamdiut, Ramadan Rizanit dhe Vehbi Qeriqit iu kam thënë që qysh në mëngjes ta bëjnë regjistrimin e popullatës, në mënyrë që ta dimë numrin e saktë të atyre, që ende nuk janë kthyer dhe të interesohemi për fatin e tyre.
Bëhet e ditur se në Grykën e Shalës janë grumbulluar me mijëra të zhvendosur nga fshatrat e Drenicës jugore dhe nga ato të Podgurit. Atje janë vendosur edhe 23 ushtarë të plagosur në mesin e tyre edhe ushtaraku, Naim Maloku., i cili është plagosur në Smolicën e pamposhtur të UÇK-së, për tre muaj rresht.
Serbët kanë filluar të granatojnë fshatin Javur dhe rrugën që shpie në Kleçkë si preventivë për ndonjë sulm apo ndonjë minim në rrugë. Po kuptohet se qëllimi i tyre është depërtimi në Shtabin e Kleçkës, edhe pse dyshoj se mund të qëndrojnë gjatë, meqë luftëtarët tanë do t i sulmojnë gjatë natës, forcat armike nuk e njohin terrenin.
Vapa përcëlluese, tymi i shtëpive dhe grunajave të djegura, helmet e luftës na kanë dezorientuar. Te secili vëren sytë e skuqur dhe kollitje. Por fati në fatkeqësi është uji i bollshëm në burime dhe hijet ku mund të gjendet freskia edhe pse krejt kjo është një hallakamë të tmerrshme për të zhvendosurit.