Në vitin jubilar të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kur qeveria “demokratike” e Shqipërisë ka marrë vendimin për ngritjen e përmendores së dytë të ish-mbretit diktator beut të Matit, Ahmet Zogu, tashmë në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, opinioni publik shqiptar është i interesuar të mësojë të vërtetën e veprimtarisë së tij gjatë Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare, Luftës së Parë Ballkanike dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Prandaj sot, më tepër se kurrë, historianët shqiptarë, përpara se të marrin penën për të shkruar, duhet t’i referohen thënies lapidare të filozofit të madh të antikitetit botëror, Aristotel: “E kam mik Platonin, por më mik kam të vërtetën.”>>>
Nё kuadrin e 80-vjetorit të shpalljes së Ahmet Bej Zogut “Mbret i shqiptarëve”, një shtëpi anonime botuese hodhi në tregun shqiptar një libër voluminoz me 721 faqe të formatit të madh, të autorit Hysen Selmani, me një titull të çuditshëm: “Nga notimet e Zogut I mbretit të shqiptarëve”, Tiranë, 2008. Fjala notimet në gjuhën shqipe është shumësi i shquar i emrit notim; i cili shpreh veprim sipas foljes me notue. Kemi garat e notimeve, notimet mbi ujë e nën ujë; notimet në bollëk, notimet në kujtime etj. Nëse nuk ësht fjala për pasurimin e gjuhës shqipe me ndonjë huazim të panevojshëm nga anglishtja, personalisht më pëlqen ta marr fjalën notimet, si një metaforë të bukur letrare që tregon se si ka notuar Ahmet Bej Zogu mbi ujrat dhe nën ujrat e historisë së Shqipërisë. Botimi “Nga notimet e Zogut…” mund të merret edhe si një testament. Hartuesi i tij deklaron:
Mbreti Zog nëpërmjet ndihmësit të tij, kolonel Hysen Selmanit, i le shqiptarëve edhe të huajve shënimet e Tij. Këto shënime, ne po ia paraqesim me kënaqësi popullit, të sigurtë se do të japim një kontribut për plotësimin e historisë, jo vetem asaj shqiptare, por edhe historisë ballkanike, europiane…(1)
Gjithsesi duhet thënë se këto shënime voluminoze të ish-mbretit Zog të paraqitura me firmën e Hysen Selmanit nuk janë as të parat e as të vetmet. Rrëfimin e parë të dokumetuar të ish-mbretit Zog e ka zbardhur në 30 faqe ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Herman Bernstein dhe është hedhur në internet nga albanologu i njohur Robert Elsie. Në shënimin paraqitës, Elsie thotë se Mbreti Zog nuk ka lënë asnjë shkrim me dorën e tij dhe më tej vazhdon:
I shkolluar në Stamboll dhe folës rrjedhshëm me gojë i disa gjuhëve, ai nuk kishte njohuri të mjaftueshme pë të shkruar shqip. Çatin Saraçi e cilëson atë pothuajse analfabet. Kjo histori është një nga dëshmitë më të afërta gojore të Zogut. Ajo është marrë me shënime në gjuhën angleze në vitin 1933 nga Herman Bernstein, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, i cili e quan atë “historinë e jetës së sundimtarit shqiptar, e treguar nga vetë ai në vetën e tretë (2).
Çatin Saraçi, një ndër ish-shokët dhe bashkëpuntorët më të ngushtë të Ahmet Zogut gjatë sundimit të tij në Shqipëri, në dorëshkrimin e tij të vitit 1940 dëshmon:
Zogu nuk e mësoi kurrë gramatikën shqipe dhe sot e kësaj dite ai nuk është në gjendje për të shkruar një rrjesht në gjuhën shqipe. Ai kurrë nuk ka shkruar një letër për dikë me shkrimin e tij. Është e vërtetë se ai mund të shkruajë në alfabetin e vjetër turk; por është fakt se shkruan shumë dobët, siç jam informuar nga Sulo Bogdo që e ka parë dorëshkrimin e tij…
Një nga bashkëkohësit e Zogut, patrioti i njohur Kadri Prishtina (Hoxhë Kadria) dëshmon se Ahmet bej Zogolli, më 1910–1911, ishte anëtar i klubit “Mahfel” të Stambollit, i cili kërkonte që gjuha shqipe të shkruhej me gërma arabe. Po ashtu, oficeri madhor Faik Quku në shënimet e tij historike shkruan:
Zogu nuk shkonte në shoqërinë “Bashkimi” që përpiqej për të drejtat shqiptare e për pavarësinë e Shqipërisë, por në shoqërinë “Mahfel”, e kryesuar prej Arif Hiqmet Kumanovës, e cila, në pagesë e në shërbim të qeverisë osmane, kundërshtonte shoqërinë “Bashkimi”, luftonte kundër pavarësisë së Shqipnisë dhe të drejtave të saj, si dhe pretendonte alfabetin arab për shkronjat shqipe (3).
Megjithatë, aftësia apo pamundësia gramatikore e Ahmet Zogut për të shkruar kujtimet e tij, nuk përbën ndonjë problem të madh, pasi shumë nga memorialet e personaliteteve historikë janë hedhur në letër nga ndihmësa profesionistë. Çështja e shënimeve të Ahmet Zogut qëndron tek paraqitja e tyre në vetën e tretë. Zakonisht njeriu rrëfen historinë e jetës së vet në vetën e parë, pasi mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për saktësinë, vërtetësinë apo fallcitetin e ngjarjeve që rrëfen; ndërsa kur tregimi bëhet në vetën e tretë le shteg për shumë abuzime, gënjeshtra e mashtrime. Në lidhje me Kryengritjen e Përgjithshme Shqiptare të korrik-gushtit të vitit 1912, sipas rrëfimit të Zogut më 1933, Bernstein shkruan:
Në vitin 1912, revolta ishte përsëri në ajër. Trupat shqiptare kapën Uskub-in [Shkupin] dhe marshuan në Manastir. Kudo, në male në veri, në fusha pjellore jugore, lëvizja nacionaliste ishte përhapur si flakë e tërbuar. Tani Ahmed Zogu nuk mund të rrinte duarkryq dhe të shikonte lëvizjen nga larg. Pëfundimisht, në korrik, menjëherë sapo një fuqi prej 20.000 shqiptarësh kishin hyrë në Shkup me triumf, ai u largua nga shkolla dhe shkoi në Mat për të ndihmuar popullin e tij në luftën për liri kombëtare…(4)
Bernstein ka dy pasaktësi dhe një pikëpyetje në shënimet e tij. Pasaktësia e parë lidhet me kohën kur kryengritësit shqiptarë hynë në Shkup: Mbreti Zog і ka thenë atij se kryengritësit shqiptarë kishin hyrë në Shkup në korrik, ndërsa dokumentet e kohës thuhet se ata kanë hyrë në periudhën 11-15 gusht. Zogu thotë po ashtu se ishin 20 mijë veta, ndërsa sipas botimet e ndryshme të Historisë së Shqipërisë shënohen mbi 30 mijë kryengritës. Pikëpyetja ka të bëjë me faktin në se vërtet nxënësi Ahmet e la shkollën në Stamboll “për të ndihmuar popullin e tij në luftën për liri kombëtare” apo për ta shuar atë luftë? Le t’i referohemi botimit “Nga notimet e Zogut…”, ku thuhet:
Më 20 korrik 1912, Zogu u nis nga Stambolli për në Shqipëri, i përcjellë nga një shumicë nacionalistësh në Sekercy, stacioni i trenit. Aty pasi u përshëndet me të gjithë hipi në tren me njerëzit e tij që i kishte me vete në Stamboll dhe që familja ia kishte lënë në dispozicion. Kur arritën në Drame (stacion treni në Maqedoninë e Greqisë – sh. i autorit), treni u ndal dhe zbritën të gjithë në stacion, por në atë kohë erdhi një tren tjetër, me të cilin po udhëtonte Myshir Ibrahim Pasha, i dërguar në Shqipëri nga Sulltani. Ky sapo e pa e ftoi Ahmet Zogun në vagonin e tij së bashku me tre personat që e shoqëronin, pasi e njihte mirë nga i biri, Mehdini, që kishte qenë mik i ngushtë në shkollë me Zogun dhe kishte qenë shumë herë në shtëpinë e tij. Zogu shkoi menjëherë dhe pasi u përshëndetën, Ibrahim Pasha i tregoi se po shkonte në Shkup e në Shqipëri për të këshilluar kryengritësit e Shkupit që ishin grumbulluar, e i tha që të udhëtonin bashkë për të pasur rastin të bisedojnë mbi ngjarjet në Shqipëri…(5)
E para pasaktësi e Selmanit lidhet me faktin se Marshall Ibrahim Pasha nuk kishte si të nisej për në Prishtinë më 20 korrik, vetëm tre ditë pas dorëheqjes kolektive të kabinetit xhonturk të Vezirit të Madh Mehmed Said Pasha; pasi, qeveria e re e koalicionit të partisë opozitare “Liri dhe marrëveshje” (“Hyrriet ve Ittilaf”) dhe “Grupit të oficerëve shpëtimtarë” (“Halasqar zabitan gurubu”) që e dërgoi titullarin e lartë Ibrahim Pasha për bisedime me kryengritësit shqiptarë, u miratua më 22 korrik 1912. Së dyti, Marshall Ibrahim Pasha nuk mund t’i ketë thënë Zogut se po shkonte “në Shkup e në Shqipëri për të këshilluar kryengritësit e Shkupit”, pasi më 20 korrik kryengritësit ishin në marshim nga Gjakova në Prishtinë. Realisht, qysh në ditën e parë të punës, pra më 23 korrik, Veziri i Madh, Ahmed Muhtar Pasha u dha urdhër forcave ushtarake osmane në Kosovë të mbylleshin nëpër gazerma dhe të shmangnin çdo konflikt të armatosur me kosovarët, pasi do të dërgonte një komision qeveritar për “të dëgjuar pretendimet e kryengritësve”. Komisioni qeveritar, i përbërë nga Ministri i Punëve të Brendshme, Ali Danish Prishtina, senatori Sulejman Pashë Kolonja dhe Avni bej Gjilani i filloi bisedimet me përfaqësuesit e kryengritjes më 27 korrik për t’i ndërprerë menjëherë, pasi kuvendi i kryengritësve në Prishtinë u kërkoi njëzëri shpërndarjen e Parlamentit Osman të dalë nga zgjedhjet e manipuluara, të vjedhuar e të dhunuara të prillit 1912. Sipas tre komisionerëve, shpërndarja e parlamentit binte ndesh me Kushtetutën Perandorake. Siç thuhet edhe në botimet e ndryshme të Historisë së Shqipërisë, më 29 korrik 250 përfaqësues të kryengritësve dhe paria e Prishtinës, Shkupit e Tetovës i dërguan Portës së Lartë një ultimatum ku thuhej: “Në qoftë se shpërndarja e parlamentit nuk bëhet brenda dyzet e tetë orëve, do të vazhdojmë marshimin.”
Veziri i Madh u ktheu përgjigje udhëheqësve të kryengritjes se vazhdimin e bisedimeve ia kishta ngarkuar Marshall Ibrahim Pashës, і emëruar kryetar i delegacionit osman dhe governator i vilajetit të Kosovës. Sipas dokumenteve historike, Marshall Ibrahim Pasha arriti në Prishtinë më 1 gusht 1912 dhe i rifilloi menjëherë bisedimet. Me këtë rast rrëfimi i Selmanit mbi veprimtarinë e Zogut në Selanik tingëllon krejt fals. Sipas tij:
Kur arritën në Selanik, aty u pritën nga Menduh Pasha, Komandanti i Koll Ordues Turke dhe autoritetet e larta ushtarake e civile. Pasi u përshëndetën, Zogun e ftuan për drekë, por ai kërkoi të falur duke thënë se e prisnin dhe menjëherë do të nisej për në Resnjë, Manastir, Ohër e Dibër. Ai shkoi në telegraf ku i dërgoi një telegram shtëpisë në Mat, një Sefedin Ag Pustinës në Dibër dhe një në Shkup për Riza Begun, Myrteza Begun, Bajram Currin, Isa Boletinin, Abdi Beg Toptanin, Kapedan Markgjonin (?!) (6)
Ndërkohë që Ahmet Zogolli bënte takime me paritë e Resnjes e Ohrit, Marshall Ibrahim Pasha vazhdonte bisedimet me përfaqësuesit e kryengritësve në Prishtinë. Udhëheqësi politik i krahut radikal të kryengritjes, ish-deputeti i Parlamentit Osman, Hasan beg Prishtina i parashtroi kërkesën për autonomi administrative të trojeve shqiptare, të formuluar nëpërmjet katër pikave:
- Kufijtë e Shqipërisë të njiheshin zyrtarisht.
- Nëpunësit civilë e ushtarakë të ishin me kombësi shqiptare.
- Ushtria shqiptare të shërbente në vend dhe të komandohej nga oficerë shqiptarë.
- Shqipja të ishte gjuhë zyrtare në Shqipëri.
Ibrahim Pasha i quajti kërkesat e formuluara nga ish-deputeti Prishtina të papranueshme dhe provokative. Ai i konsideroi katër pikat e Prishtinës si katër hapa të parë drejt shkëputjes së popullsisë myslimane shqiptare nga Perandoria Osmane. Përgjigja e njohur e Prishtinës ishte:
Pasha, feja nuk ka të bëjë me kombësinë. Shkëlqesia Juaj është prej Manastirit, që do të thote se edhe Ju jini shqiptar, siç edhe une jam. Ju duhet t’i konsideroni këto pika të lehta për t’i zgjidhur. Kjo do t’ju sigurojë Juve një emër të mirë në historinë e Shqipërisë.” (7)
Por veshët e Marshall Ibrahim Pashës nuk donin kurrsesi të dëgjonin emrat: shqiptar e Shqipëri; për të ekzistonte vetëm Islami, kombi mysliman, bashkimi dhe përparimi osman. Një argument tjetër i Ibrahim Pashës ishte se kërkesa për autonomi rrezikonte fatet e trojeve dhe të vetë kombit shqiptar në një kohë kur shtetet e krishtera ballkanike ishin gati t’i sulmonin dhe t’i copëtonin midis tyre. Me këtë argument, Ibrahim Pasha dhe ekipi i tij arritën t’i thyenin përfaqësuesit e parisë së Prishtinës, Shkupit e Tetovës, si dhe t’i lëkundnin edhe disa nga udhëheqësit kryesorë luftarakë të kryengritjes. Goditjen e tretë dërrmues për kërkesën e autonomisë së trojeve shqiptare e dha dekreti i Sulltan Mehmetit V, më 5 gusht 1912, mbi shpërndarjen e Parlamentit Osman dhe dekretimin e zgjedhjeve të reja. Në këto kushte, krahu radikal i kryengritjes u largua nga Prishtina drejt Ferizajt, si një nga qytetet me tradita për kuvendet antiosmane të shqiptarëve. Gjithsesi, Kuvendi i Ferizajt i datës 6 gusht 1912 ishte i detyruar t’i dorëzonte Marshall Ibrahim Pashës në Shkup 14 kërkesa shumë më të moderuara që njihen me emrin e Hasan Prishtinës. (8)
Ndërkohë, Ahmet bej Zogolli kishte arritur në Dibër të Madhe, ku ishte pritur “prej gjithë parisë së Dibrës e Matit”, siç thuhet në botimin “Nga notimet e Zogut”. Situata politike e ushtarake në zonat e Sanxhakut të Dibrës ishte po aq e acaruar sa edhe në krahinat e tjera shqiptare. Në Dibrën e Epërme kishin ngritur krye katundet Çidhnë, Arras e Muhurr, ndërsa në Dibrën e Poshtme ishin arratisur rreth 50 oficerë e ushtarë të Korpusit të 7-të Osman. Po ashtu, rreth 300 nizamë osmanë, të dërguar për të shtypur rrebelimin e malësorëve të Gjurasit, Homeshit, Dardhës e Reçit ishin detyruar të ktheheshin të mundur në gazermat e Dibrës së Madhe. Malësorët e Nëntë Maleve të Dibrës së Epërme e të Poshtme kishin mbajtur “Kuvendin e Dheut” te vendi i quajtur Gropa e Ujkut, prej ku i kishin dërguar sanxhakbeut një ultimatum për largimin e forcave ushtarake dhe postave të xhandarmërisë, kryerjen e shërbimit ushtarak në vend, hapjen e shkollave shqipe, anullimin e detyrimeve të vergjisë etj. Por Ahmet bej Zogolli u mjaftua me takimet e planifikuara me parinë e Dibrës e të Matit, të cilët ishin shprehës të interesave të pronarëve të mëdhenj të tokave, tregtarëve të lëndëve të para të lidhur me manifakturat e Stambollit, të klerit mysliman, kadijve e nëpunësve të sanxhakut të varur ekonomikisht nga administrata e Portës së Lartë. Për më tej le të ndjekim një fragment “Nga notimet e Zogut”:
Pasi u përshëndetën me mallëngjim u drejtuan për në shtëpinë e Sefedin Agë Pustinës, se aty do të qëndronte Zogu. Sefedin Agë Pustina për nder të Zogut kishte ftuar për darkë 54 burra bashkë me prefektin dhe komandantin turk të Dibrës. Mbasi mbaroi darka, në prezencë të prefektit dhje komandantit turk, Zogu, parisë së Dibrës dhe Matit u shpjegoi situatën dhe i vuri në dijeni rreth asaj që kishte biseduar me Ibrahim Pashën, i cili “ishte dërguar prej Sulltanit për të arritur marrëveshje me kryengritësit shqiptarë në Shkup”, -shtoi Zogu, duke vënë në dukje se kishte ardhur koha për liri ose vdekje, pasi situata ballkanike ishte krejtësisht në disfavor të Shqipërisë, dhe u bëri të kuptonin se besëlidhja ballkanike, e cila është njëqind përqind në dëm të shqiptarëve, shumë shpejt do të shpërthejë për ndarjen ndërmjet tyre. Pra, tha Zogu, koha nuk pret, kërkohet sa më shpejt të jemi të bashkuar e të përgatitur.” (9)
Në bisedimet e parive të Dibrës e Matit u vendos krijimi i një komisioni përgjegjës për të gjitha veprimtaritë sipas rasteve. Të nesërmen, Ahmet beu i shoqëruar nga anëtarët e tjerë të komisionit bëri vizitën e parë zyrtare te prefekti, për të cilin historiani britanik Owen Pearson thotë se e takoi jo thjesht për etiketë (etiquette), por për të patur një panoramë të qartë të situatës dhe të përcaktonte qëndrimin që do të mbante. Pas një diskutimi të gjatë mbi politikën e Portës së Lartë të Stambollit, Ahmet bej Zogolli i deklaroi prefektit vendimin e tij për të udhëhequr klanin e tij dhe gjithë krahinën e Matit në luftë për mbrojtjen e “atdheut të përbashkët” nga inkursionet e trupave të mbretërive serbe e malazeze. I prekur nga guximi i prijësit të ri matjan, prefekti i premtoi ndihmën e nevojshme me armë e municione. Në të vërtetë, në kohën e shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike, kur Ahmet Bej Zogolli dërgoi njerëzit e tij për të tërhequr armët dhe municionet për t’u nisur përkrah ushtrisë osmane në mbrojtje të Shkodrës, prefekti i Dibrës ia plotësoi të gjitha kërkesat.
“Nga notimet e Zogut…” merret vesh se Ahmet Bej Zogolli qëndroi në Dibër të Madhe deri sa mbërriti lajmi i marrëveshjes së krerëve të kryengritësve shqiptarë me Marshall Ibrahim Pasha, më 18 gusht 1912 në Shkup; mori pjesë në festën e dibranëve dhe atmosferën e saj e çoi edhe në Burgajet. (10)
(vijon me studimin “Ahmet bej Zogolli dhe Lufta e parë Ballkanike.”)
Shënimet:
1) Hysen Selmani, Nga notimet e Zogut I, mbretit të shqiptarëve, Tiranë, 2008,f. 5.
2) King Zog Tells his Story to Herman Bernstein, former United States Minister to Albania. Typescript in the: YIVO Institute for Jewish Research, New York. Record Group 713, Folder 760, 30 pp.
3) http://www.albanianhistory.net/ Chatin Sarachi, King Zog of the Albanians: the Inside Story, p.3. Pal Doçi, Hoxha Kadri Prishtina, Tiranë: Geer, 2005, f. 100; Faik Quku, Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, vëll. I, Tiranë: Ilar, 2006, f. 16.
4) H. Bernstein, Ahmet Zogu… chapter two –His boyhood: “Then, in 1912, revolt was again in the air. Albanians troops captured Uskub [Skopje], and then marched on Monastir. Everywhere, in the mountains to the north, in the fertile southern plains, the nationalist movement had spread like wildfire. Now Ahmed Zogu could no longer sit back and watch the movement from afar. Finally, in July, just after a force of 20,000 Albanians had entered Uskub in triumph, he left school and went to Mat to help his people fight for national liberty.
5) H. Selmani, Nga notimet e Zogut…, f. 27.
6) Po aty, f. 28. Shënim: Përveç faktit se të gjithë udhëheqësit luftarakë të kryengritjes së përgjithshme që përmenden ne tekst, në atë kohë ndodheshin në Prishtinë, Abdi Beg Toptani ndodhej në Krujë, ndërsa Kapedan Markgjoni në Mirditë. Sipas dokumenteve dhe kujtimeve të Hasan Prishtinës, përfaqësia e vilajetit të Shkodrës, e përbërë nga Abdi Toptani, Marka Gjoni, Mano bej Lezha dhe Mustafa Asim Kruja me 100 luftarë mbërritën në Shkup pas 18 gushtit 1912, datës së nënshkrimit të marrëveshjes së kryengritësve shqiptarë me të dërguarin e Portës së Lartë, Marshall Ibrahim Pasha.
7) Owen Pearson, Albania and king Zog, London, New York, I B Tauris Publishers & Co Ltd, 2004, p. 25-26; www.albanianhistory.net/ Robert Elsie/ Hasan bey Prishtina: Brief Memoir on the Albanian Uprising of 1912 (Nji shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vjetit 1912. Shkrue prej Hassan Prishtinës (Shkodra: Shtypshkroja Franciskane, 1921).
8) www.shqiperia.com/kryengritja e pergjithshme 1912/ kreu bisedimet shqiptaro-turke; www.albanur.eu/Historia e Shqipërisë/Kryengritja e Përgjithshme 1912, kreu XIII, kapitulli 5; Niko Koleci, “Kryngritet e vitit 1912″, Tiranë: “Naim Frashëri”, 1962. f. 80-81; Zekiria Cana, “Lëvizja kombëtare shqiptare në Kosovë 1908-1912″, Tiranë, SHB “8 Nëntori” 1982, f. 235-243.
9) H. Selmani, Nga notimet e Zogut…, f. 28-29.
10) Georges Castellan, Historia e Ballkanit, Tiranë: Çabej, 1991, f. 388; Sulejman Kylçe, Shqipëria në historinë osmane, Tiranë: Globus R, 2004, f. 231; Historia e Shqipërisë, vëll. II (2002), Kreu XIII, kapitulli 4; Owen Pearson, Albania and king Zog, p. 28; H. Selmani, Nga notimet e Zogut…, f. 29-30.