Serbët kanë depërtuar në Kleçkë dhe i kanë dhënë zjarrin Shtabit. Ata po i djegin shtëpitë dhe po ripozicionohen në pika strategjike.
Sot në orën 10, Epiri dhe Faruku kanë depërtuar në Grykë të Shalës me qëllim që nga atje t`i ndihmojnë Zymrytes për të ardhur në Grykën e Krojmirit. Ajo mezi ecë, meqë e ka të lënduar kurrizin.
Në orën 14, 40 minuta, Zymryti, Epiri, Zamiri, Rrezja, në përcjellje të Faruk Gashit janë kthyer në tendë. Ata rrëfejnë për odesejadën e rrugëtimeve prej natës së 23 gushtit. Në orën 16.00 derisa po qëndronim të lodhur në tendë dëgjohen shpërthime të tmerrshme të Grykë të Shalës. Banorët e Grykës së Krojmirit shqetësohen dhe dalin për të parë se ç po bëhet. Unë nisem drejt tendës ku ndodhet Elezi. Disa granata të tjera godasin sërish në Grykë. E marr me mend se po bëhet hataja, dhe mendoj të dalim nga ana e epërme te Bigat për të vrojtuar apo për të marrë ndonjë lajm. Kam frikë pas granatimit, forcat serbe do të bëjnë përpjekje për të depërtuar me këmbësori…
Përmes radiolidhjeve ushtarët tanë në pozicionin te Bigat kanë lajmëruar se nga Kleçka bandat serbe kanë goditur me armë artilerie mu në mes të popullatës në Grykën e Shalës. Nuk dihet ende se kush ka pësuar por hetohet një ikje masive e popullatës nga tendat në drejtim të pyjeve.
Kemi biseduar lidhur me përforcimin e pozicioneve tona në kufi me Kleçkën, edhe pse atje kemi vendosur një njësit të fortë të ushtarëve, në mesin e tyre Selatin Rizani, Ushtari Fatmir Maliqi nga Busovata e Kamenicës dhe të tjerë.
Diku ka ora 18.oo në Grykën e Krojmirit ka ardhur, Tafë Avdull Shamolli, luftëtar i lirisë dhe ka lajmëruar se nga shpërthimi i granatave kanë pësuar dy veta, në mesin e tyre edhe Vehbi Shamolli, babai i bashkëshortes sime dhe një vajzë 27-vjeçare nga Komarani ndërsa plagë të lehta dhe të rënda kanë marrë 17 veta. Ekipi mjekësor me mjekun, luftëtar i lirisë, Fitim Selimin po i trajtojnë të plagosurit. Tafa saktëson se Vehbiu nuk ka ndonjë plagë të vërejtshme, por ka qenë shumë vjet i sëmurë nga zemra dhe shpërthimi befasishëm afër tendës, ka qenë fatal. Sulmi ka ndodhur vetëm një orë pasi vet Vehbiu e ka përcjellë Zymryten nga tenda e tij në Grykë të Shalës, përballë Kleçkës. Mustafa, ka shkuar ta marrë edhe Mulla Azemin, meqë sonte gjatë natës duhet të bëhet ceremonia e varrimit, të Vehbi Metit dhe në kushte të reduktimit të plotë të pjesëmarrësve, meqë serbët po godasin fshatrat Mirenë, Fushticë Risinovc dhe Shalë.
Nuk i kam treguar Zymrytit, sepse edhe ajo është e sëmurë nga zemra dhe gjatë tri ditëve të fundit është munduar dhe ka përjetuar shumë shqetësime. Së bashku me Elezin, Jetë Hasanin dhe Faruk Gashin jemi nisur këmbë, në drejtim të Shalës. Pasi e ngushëlluam, djalin e Vehbiut, Ademin dhe disa të pranishëm, u morëm vesh me Mulla Azemin që ceremonia të shkurtohet dhe trupin e pajetë të Vehbiut sa më parë ta çojmë te varrezat. Pasi hoxha e fal xhenazenë sipas traditës, vetëm dhjetëra veta nisemi në drejtim të varreve.
Duke qenë se forcat serbe po granatonin në drejtim të Shalës kemi vendosur që shumica e pjesëmarrësve në varrim të kthehen, meqë ushtarët serbë disponojnë tejqyre të natës dhe mund të na identifikojnë fare lehtë.
Nga frika e arsyeshme e ndonjë sulmi, jemi ndarë nga kortezhi: unë, Elezi, Jeta dhe Faruku. E dija se po të nisesha drejt varreve asnjëri nuk do të më linte vetëm dhe mu për këtë u larguam. I vdekuri e ka vendin në dhe, të gjallët në këso rrethana nuk bën të rrezikojnë për një ceremoni, e cila mund të kryhet me katër pesë vetë. Situatën e kishte lehtësuar vetë Hoxha, Mulla Azemi i Krojmirit, i cili kërkon që të mos rrezikohet asnjë nga ushtarët, as të tjerët. Më mjaftojnë dy tre vetë për ta bartur kufomën thotë prerë dhe nisen në rrugën për në varreza, pavarësisht se ajo po granatohej nga çasti në çast, nga baza serbe te Rusinovci.
Edhe Mulla Azemi po e kryen detyrën e tij, pa frikë nga vdekja. Ai po merr pjesë kudo në varrime dhe po i trimëron popullatën. Kur varros dëshmorë kërkon që të mos u hiqet uniforma, as të kryhen ritet e pastrimit. Ata janë shehidë, janë të pastër para Allahut, thotë dhe me të drejtë anashkalon ceremoninë fetare.
Situata është shumë alarmante. Tym, zjarr, duhmë e rëndë e kafshëve të mbytura nga granatat. Shtëpitë ende po digjen. Granatimet po vazhdojnë.
Ne kthehemi në rrugën për Krojmir të shqetësuar por edhe të vendosur për t`iu përballuar të gjitha sfidave me të cilat mund të na ballafaqojë bisha fashiste serbe.
Gjatë natës ka filluar të bjerë shi si me rrëshek.
Si do të vejë halli, në këto rrethana kur rrethi po na ngushtohet nga të gjitha anët, nga bishat fashiste, pastaj nga moti që ka filluar të prishet dhe nga mungesa e ushqimeve…