Roli i KOSTT në stabilitetin e sistemit elektroenergjetik i pazëvendësueshëm

Roli i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) në qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të vendit tonë është i pazëvendësueshëm. Kështu u vlerësua gjatë vizitës që Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci i bënë kësaj ndërmarrje publike, ku nga drejtuesit e saj u njoftuan për të arriturat dhe punën që po bëhet.

Kryeministri Mustafa vlerësoi organizimin dhe operimin shumë të suksesshëm të kësaj ndërmarrje publike në pikëpamje të detyrave dhe në pikëpamje financiare.

“Ka pasur investime të suksesshme në periudhën e kaluar rreth 200 milionë euro, dhe po ashtu ka pas një plan shumë konkret të investimeve në të ardhmen, se bashkërisht me Shqipërinë dhe me kyçjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik është arritur një projekt tepër i rëndësishëm i transmisionit të energjisë elektrike prej 400 kilovolt, i cili tani po mbetet peng i marrëveshjes që ne e kemi pasur me Serbinë për anëtarësimin e KOSTT-it në organizatën evropiane të Transmisionit të Energjisë”, tha kryeministri.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa tha se Qeveria do të bëjë maksimalen që të arrijë që KOSTT-i të operojë në tërë territorin e Republikë së Kosovës dhe po ashtu të jetë i barabartë me operatorët e tjerë evropianë në këtë operim.

Ndërsa, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, vlerësoi rolin domethënës dhe të pazëvendësueshëm të KOSTT-it në kuptimin e qëndrueshmërisë, stabilitetit që i jep sistemit elektroenergjetik të vendit tonë.

“Ju e dini që në muajin e kaluar në qershor dhe muaj më parë në dhjetor të vitit të kaluar kemi lansuar linjën e re interkonjektive, pra Autostradën Energjetike, që është njëra nga kryeveprat më të mëdha kapitale që është bërë në Republikën e Kosovës por edhe në Republikën e Shqipërisë dhe presim që ky projekt të operacionalizohet me fillimin e funksionimit të KOSTT-it si një bllok i pavarur”, tha ministri.

Më tej Savileci tha se si nënshkrues të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, Kosova ka një varg obligimesh duke theksuar edhe qëllimet e gjithë regjionit, por edhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të integrohen në të ashtuquajturin treg, rrjet transevropian të energjisë.

Kreu i MZHE-së tha se ndërmarrjet dhe institucionet tjera të ekosistemit të energjisë janë duke bërë një punë shumë të madhe, e cila i jep sistemit tonë një stabilitet dhe na mundëson që të jemi të gatshëm edhe për projektet e të ardhmes energjetike të vendit tonë dhe mbi të gjithë të projektit “Kosova e Re”, dhe do të jemi të gatshëm për sfidat e ardhshme në momentin që jemi pjesë integrale e tregut rajonal të energjisë elektrike.

Mustafë Hasani, kryeshef ekzekutiv i KOSTT-it, e ka njoftuar kryeministrin Mustafa dhe ministrin Stavileci me të arriturat e KOSTT-it, për zhvillimin e kapaciteteve, për planifikimin e zhvillimit dhe mirëmbajtjen e ndërmarrjes, të cilën ai e quajti një ndër më të mirat në Kosovë.

“Ne po punojmë edhe për investimet në vazhdim, për të cilat shfrytëzoj rastin të falënderoj edhe Bankën Botërore, USAID, Komisionin Evropian, Bankën për Zhvillim Gjerman, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që të gjitha këto kapacitete, kjo teknologji e avancuar dhe jashtëzakonisht bashkëkohore është në funksion të përditshëm të KOSTT-it”, tha Hasani.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …