leoni

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: Paraqitja në televizion e të burgosurve politikë për shpalosjen e torturave nga udbashët, e duhur apo e tejkaluar?

Paraqitja në televizion e të burgosurve politikë për shpalosjen e torturave nga udbashët, e duhur apo e tejkaluar? Ky fenomen ndër shqiptarët krahasuar me popujt e tjerë nën pushtim, në radhë të parë donë trajtim të thellë shkencor, pastaj përcaktim e sanksionim ligjor kundër tradhtisë!

Paraqitja dhe rrëfimi do të lënë gjurmë në kujtesën e popullit tonë dhe të pasardhësve për të kaluarën e shëmtuar e mizore nën thundrën pushtuese!

Ky rrëfim pa efekte ndikuese dhe ndëshkuese mbi torturuesit, pasi që nuk ka ligje, nuk ekziston as ligji i lustracionit, le t’ia lënë të ndjehen njëzëri për torturat e dhunën mizore që u bënë veprimtarëve patriotë, politikës kombëtare!

Të gjitha këto i bënë me vullnet pasion, si dhe urrejtje të shfrenuar nga të qënurit shpirt shitur, e zemër djegur me shërbim dhe me lojalitet për pushtuesin!

Tani këtyre kriminelëve nuk u hakmerret askush, ata kanë mbetur me privilegjet e oligarkisë trashëgimore materiale, nga pushtuesit dhe regjimi i tyre! Fëmijët i kanë shkolluar duke qenë në nomenklaturën e ish-pushtetit, pasi ishin të pajisur me kushte banimi dhe rezerva prej oligarkëve!

Tani fëmijët e tyre janë ngjitur në majat e pushtetit aktual, janë shtresa e oligarkisë me privilegje edhe nëse dëgjojnë emrat e baballarëve të tyre, që duhej të ishin shtytja që të distancoheshin nga prindërit kriminelë, për të cilat i edukon dhe i bind shoqëria jonë të mos ndjekin rrugën e prindërve! Derisa ne u themi trim kriminelit, i themi i zoti hajdutit, i themi politikan i rrencit, i themi i mirë të pasurit dhe i keq të varfërit, respektojmë forcën, jo dijen!

Kameleonët i shfrytëzuan dobësitë e lakmitarëve të pushtetarëve pas luftës dhe ata aktual, që të ngritën në pushtet me apo pa meritë, blenë nga ata rehabilitimin, jo vetëm për të barazuar ata në shoqëri, por edhe për të supermacionuar dhe të privilegjuar, tani në emër të përvojës për pushtet, si dhe në emër të intelektualizmit dhe modernizmit!

Çfarë ju mbetet pushtetarëve të rinj, çka nuk shiten nga vlerat e tyre të fituara me luftën dhe gjakun e luftëtarëve të sinqertë dhe të vërtetë, që i falën jetën e tyre lirisë për Atdhe dhe i lanë gjymtyrët, fushave dhe maleve të Kosovës!

Akrobatët e marrjes së pushtetit ishin brenda këtyre luftërave të maskuara dhe të verbuara për pushtetin, harruan shokët e tyre bashkëluftëtarë dhe u pasuruan duke shitur rehabilitimin këtyre spiuneve udbashëve dhe kolaboracionistëve!

Çka ju ngeli nga vlerat e fituara me luftë, për veten e tyre? Asgjë! I harxhuan të gjitha dhe i kënduan me udbashët!

Tani mediat bëjnë punën e tyre, dëshirojnë të dinë dhe t’i shpalosin ngjarjet sensacionale, edhe pse shumë të dhimbshme dhe tronditëse, sidomos për rinin dhe pasardhësit e të torturuarve!

Të torturuarit përpiqen ta tregojnë me arsye e emocione egërsinë e torturave të tyre!

Të torturuarit përpiqen t’i kthejnë në kujtesën e tyre se sa shufra dhe gome i kanë dhënë, si dhe ku dhe kur!

Ndonjëri shfaq pak heroizëm sikur ka rezistuar sado pak, tjerët kalojnë në melankoli dhe vet-viktimizim të skajshëm, me siguri me bindjen që dikush do të kuptojë vuajtjen dhe të gjejë solidaritet e përkrahje në masë!

Ndoshta kurrë dhe asnjëherë nuk mund të shprehen të gjitha përjetimet shpirtërore dhe fizike, bile disa mund të jenë brutale për t’u thënë fare, pasi etika e atyre shprehjeve nuk i lejon nëse shumica janë të njerëzishme dhe parimore!

Por edhe nëse i thonë të gjitha edhe të gjithë torturuesit, efekti do të jetë sa? Udbashët i shohin në TV dhe vetëm vetëm apo në biseda mes tyre, thonë “uh, këtyre duhet t’u prishim rahatinë dhe privilegjet, u dhashë javë të thyer kockat e më ju marrë jetën, kësaj fare të pa dal fare kurrë!”

Pasi që ligji nuk i godet torturuesit dhe hakmarrja nuk bie mbi ta, për etikën morale udbashët janë të shpërlarë nga humanizmi, për nga karakteri janë shpirtra të djegura me helm në zemër, krejt energji negative!

Ne ish-të burgosurit dhe të torturuarit sa do të ankohemi dhe vajtojmë, tashmë po çmohen dhe vlerësohen torturuesit se sa i torturuar! Edhe pse emrat e tyre i përmendë çdo i torturuar me dhjetëra e qindra udbash askush nuk i liston, prokuroria aktuale duhet të hapë hetime që një ditë të bie ligji mbi kriminelet torturues që bëjnë krime kundër njerëzimit!

Ne të gjithë kemi pasur mundësi të hakmerrmi individualisht për çdo udbash torturues, por nuk kemi dashur të eskalojmë luftën vëllavrasëse, para se të luftonim dhe të shporrim pushtuesin!

Krejt kjo ndodhi për kauzën tonë për çlirim dhe liri! Nuk deshëm të bënim gjakderdhje mes shqiptarëve, as gjatë luftës nuk deshëm ta ftojmë frymën përçarëse!

Nuk i vramë torturuesit tanë, por na duhej t’i rrëzojmë pushtuesin kur e hoqëm nga qafa, menduam se këto peshq do të shkuan vetëm në ujërat e turbullta në shërbim të armiqve!

Spiuni, një herë spiun, përherë poli spiun, deri në vdekje!

Tani, këto rrëfime kujt i shërbejnë? Mos vallë fusin urrejtje dhe mbjellin mallkim e vuajtje ndër breza? Të gjitha kalojnë, por urrejtja mbetet përherë në mes të shqiptarëve!

Nuk themi se duhet të pajtohemi dhe t’ua falim torturat e dhunën, jo kurrë, por duhet të veprojnë ligjet e Kosovës së lirë!

Njëkohësisht, kurrë nuk duhet t’i falim ata që shitën rehabilitimin dhe kurrë nuk bën të ketë ligje, sidomos ato ligje që i bënë shumë shtete pas luftës dhe pas monizmit, si ligjin e lustracionit!

Të torturuarit, të burgosurit e ndërgjegjes kombëtare, krejtësisht të pafajshëm, veçse e deshën lirinë e tyre dhe të popullit, pa dashur kurrë t’ua marrin lirinë të tjerëve!

Kam pritur deklarime më dinjitoze, më krenare! Torturuesi të rreh e të torturon, por nuk të ligëson dhe dobëson nëse ti nuk ia jep mundësinë të zbulojë atë që kërkonin nga ne!

Nëse nuk ke dhënë asnjë emër të asnjë shoku, nuk ke dorëzuar asnjë provë, asnjë argument që i kërkonin torturuesit, ti mbetesh krenar gjithsesi, sepse ke bërë qëndresë, sakrificë dhe heroizëm që të ruhet veprimtaria dhe të vazhdojnë shokët deri në çlirim!

Nëse je ligur dhe je thyer, gjë që edhe kjo është njerëzore, pse prapë tani ligesh duke e arsyetuar thyerjen e atëhershme, sikur se paska qenë e pamundur t’u rezistohej torturave të llahtarshme?

Them një “jo” të madhe, sepse edhe unë isha tri herë i burgosur, i torturuar deri në alivanosje! Në JNA më kanë nxjerrë në mal për pushkatim me skuadër të pushkatimit!

Jo kurrë, asnjë shok, asnjë kërkesë të udbashëve torturues nuk e pranova, edhe pse kam qenë i organizuar nga niveli i qelizave, i rrethit, e deri në nivelin qendror, me përgjegjësi organizative!

Por, UDB-a gjithmonë ka mbetur me fletë të bardhë pranë meje!

Nëse del një udbash në ballafaqim dhe thotë se Sadiku ka treguar diçka, sado të vogël, unë i tregova edhe në Hagë torturuesit, por nuk pata rast t’u tregoj të gjithëve!

Nuk duhet t’i fshehim para popullit, duhet t’i zhveshim tërësisht, por kam frikë se shumë të palara do t’u dalin edhe shokëve tanë të veprimtarive kombëtare politike!

Sado që po përpiqen të torturuarit të tregojnë se kanë rezistuar, del që disa janë dorëzuar në betejën e parë, në turën e parë të shufrave, dhe kjo thyerje u ka shkaktuar torturë të vazhdueshme, sepse sapo e kanë hapur thesin, u është dashur të nxjerrin të gjitha nga thesi. Disa janë ndalur me dy e tre shokë, të tjerët me dhjetë e më shumë, disa me njëqind e më shumë!

Tek të parët ka mjaftuar hapja apo zgjidhja e grykës së thesit. Hajt, veç një apo dy shokë i kanë treguar, e ata secili nga dy e tre të tjerë. Ka ndodhur shpesh që zbuluesi me dhunë të bëhet i torturuari, dhe me atë që ka treguar ka ndaluar kontinuitetin e veprimtarëve e të lëvizjeve për revolucion e çlirim kombëtar!

E këtyre zbuluesve të torturuar u është rritur nami se kishin pasur shumë shokë të organizuar në veprimtari të përbashkët. Bile edhe sot i vlerësojnë e çmojnë, pa ua llogaritur pasojat torturuese të shokëve dhe veprimtarëve që u ka shkaktuar thyerja para udbashëve hetues e torturues! Si pasojë e kësaj ka ardhur rënia e shokëve të zbuluar!

Ne që mbetëm enigmatikë për UDB-në dhe për popullin, ne bartim barrën e vazhdimësisë së veprimtarive të organizimeve deri te lufta çlirimtare!

Poshtë udbashët, torturuesit e kriminelët!

Respekt për veprimtarët kombëtarë të të gjitha kohërave!

Lavdi çlirimtarëve!

01-09-2024
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Qeverisja ekonomike në shifra

Një përshkrim i asaj çfarë ka  në ekonomi brenda këtyre katër viteve : Po fillojmë …