Qysh në mëngjes Shyqri Iballi, Idriz Qeriqi vëllai i Luanit, Ramadan Rizani e të tjerë kanë shkuar në Nekovc, pasi është bërë me dije se atje kanë arritur dy kontingjente me ndihma humanitare dhe artikuj ushqimorë për popullatën e zhvendosur.
Këtu ka arritur edhe një ekip gazetarësh nga Asoshieted Pres. Vazhdimisht kam dyshuar në ta, sepse fare lehtë në mesin e tyre mund të kontrabandohet ndonjë gazetar amerikan me origjinë serbe, ndërsa ne as iu kërkojmë letërnjoftimet, të cilat mund të jenë edhe të falsifikuara.
Elezi i ka stopuar në Grykë derisa më ka pyetur se si të veprojmë me ta. Duke qenë se ndodhemi të rrezikuar, iu kam bërë me dije se nuk do t ishte mirë të dinë për numrin e të zhvendosurve. Elezi i ka përcjellë në Grykën anësore Te Lana, duke iu treguar se tani për tani popullata jeton e izoluar për shkak të rrezikut nga serbët, kur iu ka treguar se serbët ndodhen në dy kilometra vijë ajrore ata të befasuar kanë kërkuar të tërhiqen. Kudi ç`është tërë kjo sorollatje e tyre. Ata e kanë filmuar terrenin por nuk kanë bërë intervista me të zhvendosur.
Në orët e pas ditës ka arritur një sasi e ndihmave: 70 pako ushqimore dhe 80 batanie, të cilat as përafërsisht nuk i përmbushin nevojat tona, mirëpo rrojmë me shpresë se do të vijnë edhe ndihma të tjera. Shyqa me të tjerët na lajmërojnë se në Nekovc janë zbarkuar dy kamionë me ndihma dhe artikuj ushqimorë, mirëpo si duket janë rezervuar për ushtrinë dhe për popullatën që është e zhvendosur edhe në Grykë të Kizharekës.
Ndihma humanitare është ndarë me korrektësi duke iu dhënë prioritet familjeve që kanë ardhur nga Duka e Karaçica.
Në mbrëmje sërish gjallëri. Tubohemi nëpër tenda, ia shtojmë bisedës me çajin pranë.
Ditët po kalojnë, ne po adaptohemi gjithnjë e më shumë me jetën në tenda.
Sot kemi pasur një ditë relativisht të qetë.
Në mbrëmje kanë ardhur Syla, Elezi. Luani e të tjerë.
Kemi biseduar për problemet aktuale dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohemi. Kemi diskutuar edhe për shumimin enrom të qenve endacakë dhe ka mbetur të caktohet një ekip për t`i asgjësuar.
Qentë zakonisht ikin në kohë të granatimeve por nga krismat e fuqishme bëhen të pandjeshëm. Ata vetëm lehin por nuk janë agresivë. Mirëpo gjatë natës ulërijnë dhe na pengojnë për të pushuar. Për më keq na zbulojnë edhe vendqëndrimin sepse të lehurat ushtojnë nëpër luginë dhe dëgjohen larg.
…