Është e pakuptueshme për mua, si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, burgosja e ish-Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, i cili me besnikëri, trimëri dhe patriotizëm të lartë, drejtoi luftën historike për të çliruar vendin nga robëria shekullore e pushtuesit serb. Si komandant i përgjithshëm, Azem Syla diti të drejtojë në çdo rrethanë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët me bindje të palëkundur në fitoren mbi armikun, u rreshtuan për luftë dhe nuk u ndalën përballë forcës ushtarake, policore, paramilitare të armatosur serbe.
Luftëtarët e UÇK-së, nën udhëheqjen e komandantit të tyre, nuk kursyen as jetën për të dhënë kontributin më të lartë, duke u rreshtuar një pjesë prej tyre në piedestalin kombëtar si dëshmorë. Azemi diti të frymëzojë shpirtin liridashës të gjithë popullit të Kosovës, i cili u mobilizua i gatshëm për çdo sakrificë, për të luftuar me të gjitha mjetet kundër pushtuesit e për të arritur lirinë e merituar.
Debati që është ngritur vitet e fundit rreth luftës, nga ish-pjesëtarë të UÇK-së, është tentativë për të përgojuar Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe për të vënë në dyshim fitoret e saj historike, fitoret e lavdishme që i kthyen Kosovës lirinë dhe pavarësinë. Ishte udhëheqja e drejtë e Shtabit të UÇK-së dhe komandantit të saj të përgjithshëm, Azem Sula, që përballuan sukseshsëm 60 mijë trupa ushtarake, 12 mijë trupat policore, 6 mijë trupat paramilitare e kriminale, 63 mijë civilë serb të armatosur. Përballë tyre ishin burrat dhe gratë e Kosovës të rreshtuar në radhët e UÇK-së, e cila i dha lavdinë dhe lirinë këtij vendi e këtij populli heroik. Nuk mund të vihen në pikpyetje fitoret e luftës, sepse nuk e pranon dot këtë realitet Serbia. Ky është një intervecion i rrezikshëm i propagandës keqdashëse të UDB-së, e cila synon përçarjen e unitetit kombëtar dhe dëmtimin e interesave të së ardhmes së Kosovës
Nëse në luftë janë bërë edhe gabime, historia le t’i analizojë dhe të nxjerrë përfundimet përkatëse, pa e devijuar objektivin madhor të luftës tonë të shenjtë, pa bërë lojën e UDB -së me akuza të shëmtuara, për interesat e politikës së ditës. Si prej nëntoke, strukturat serbe të UDB-së, po vazhdojnë ta kryejnë misionin e tyre e tashmë shumë më ashpër, duke i vënë luftëtarët e djeshëm kundër njëri tjetrit.
Çdo përpjekje për të hedhur baltë mbi luftëtarët e asaj kohe të lavdishme të Luftës Çlirimtare, është baltë kundër Luftës tonë të shenjtë, të cilën Serbia nuk do ta pranojë kurrë. Kjo do të ishte katastrofike për Kosovën. Lufta Çlirimtare e Kosovës i përket historisë së Kosovës, hisorisë së popullit shqiptar. Në zemrën e komandantit tonë Azem Sylës, ne ndjenim se rrihte dashurinë për atdheun e kombin. Azem Syla do të mbetet një luftëtar dhe komandant i lavdishëm, që e deshi Kosovën dhe aspironte për zhvillimin e modernizimin e Kosovën tonë të lirë e sovrane, brenda kombeve të lirë të botës.
(Sherif Krasniqi, epror UÇK-së, i burgosur politik, baba i dëshmorit Fatos Krasniqi)