Në tre vjetorin e vdekjes u kujtua ikona e valles së Karadakut Zija Aliu

Në një ceremoni të organizuar sot në Viti, u promovuan Monografia “Korifeu i valleve të Karadakut” dhe Filmi Dokumentar “Valltari që bëri epokë,” të cilat janë kushtuar ikonës së valleve popullore shqiptare, Zija Aliu. Ky event mblodhi shumë figura të njohura të artit dhe kulturës, duke nderuar një personalitet të shquar që ka dhënë kontribut të madh në zhvillimin dhe ruajtjen e traditës së valleve popullore.

Zija Aliu, i njohur për performancat e tij brilante në vallet tradicionale të Karadakut, ka qenë njëri prej figurave të dashura në botën e artit shqiptar. Për dekada të tëra të angazhimit, ai ka ndikuar thellë në përçimin e traditës së valleve, duke i dhënë një frymë të re dhe një energji të papërsëritshme këtij arti.

Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, shprehu mirënjohjen e tij për punën dhe përkushtimin e Zija Aliut ndaj artit dhe valleve popullore, duke theksuar rëndësinë e tij për kulturën shqiptare. “Zija Aliu ka lënë një trashëgimi të pashlyeshme për brezat e ardhshëm. Kontributi i tij për vallet e Karadakut është i një vlere të madhe kulturore, që do të jetojë përjetësisht në memorien tonë kombëtare,” theksoi Haliti.

Monografia “Korifeu i valleve të Karadakut,” e shkruar nga Lirije Aliu, ofron një përmbledhje të detajuar të jetës dhe veprimtarisë artistike të Zija Aliut, duke e paraqitur atë si një figurë të pazëvendësueshme në botën e valleve shqiptare. Ndërkohë, Filmi Dokumentar “Valltari që bëri epokë,” të producentit Tom Therçaj, përshkruan rrugëtimin artistik të Aliut përmes intervistave dhe xhirimeve unike që zbulojnë dimensionet e thella të angazhimit të tij artistik.

Në këtë takim folën edhe personalitete të tjera të njohura të artit shqiptar, si kompozitori Sami Piraj, i cili theksoi se muzika dhe vallet janë dy elementë që kanë bashkëshoqëruar përherë veprimtarinë artistike të Zija Aliut, duke vlerësuar bashkëpunimet e tij me artistët e tjerë të fushës. Dilaver Kryeziu, etno-koreograf, e cilësoi Aliun si një mjeshtër të rrallë që arriti të mbajë gjallë traditën e valleve popullore me përkushtim të jashtëzakonshëm. “Zija Aliu, përmes lëvizjeve të tij, arriti të përfaqësojë me dinjitet shpirtin e Karadakut dhe gjithë shqiptarisë,” tha Kryeziu.

Në përfundim të aktivitetit, të pranishmit shprehën vlerësimin e tyre për këto dy vepra të rëndësishme që dokumentojnë një epokë të artit popullor shqiptar dhe kontribuojnë në pasurimin e trashëgimisë kulturore të Vitisë dhe të gjithë Kosovës. Ndërsa kryetari i komunës Sokol Haliti, ndau mirënjohje post-mortum familjes së Zija Aliu dhe producentit të filmit dokumentar, Tom Therçaj.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …