Edhe sot kemi pasur një ditë të rëndë dhe me shqetësime.
Qysh në mëngjes së bashku me Elezin kemi identifikuar një vend special te një lis i zgavëruar në Lanë, ku në rast nevoje do t`i fshehim të gjitha materialet e shkruara dhe dokumentet, në rast të luftimeve apo të ndonjë tërheqje të popullatës civile. Aty i kam lënë edhe të gjitha fletët e shkruara deri tani të kësaj kronike. Jemi marrë vesh që për këto gjëra të mos dijë askush përveç ne të dyve dhe Sylës, i cili e di vendin, sepse këtu edhe më parë është shfrytëzuar për fshehje të armëve. Mundet që edhe ndokush tjetër e di këtë vend, thotë Elezi dhe që të dy fillojmë të dyshojmë nga frika se nëse detyrohemi të largohemi materialet dhe dokumentet mund të humbasin apo mund të asgjësohen.
Pasi e kemi shqyrtuar mirë e mirë situatën kemi vendosur që disa nga materialet t`i lëmë në një zgavër tjetër në çantën e fortë ushtarake, ndërsa fletoren time të shënimeve kam vendosur që tani e tutje ta marre me vete kudo ku të shkoj. Në moment të caktuar do të vendos se ç` do të bëj me te. Jam tejet i preokupuar me këto shënime, të cilat edhe në rast se biem, do të duhet të mos humbnin, në mënyrë që të njoftohet opinioni me zhvillimet hallet dhe shqetësimet tona…
Në orët e pas ditës te tenda e Elezit kanë ardhur vëllezërit Naser dhe Gafurr Dugolli nga Nekovci, të njohur të Elezit. Ata kanë treguar se në dy grykat e Nekovcit janë kthyer shumica e popullatës. Atje gjendja është shumë e rëndë meqë sipas tyre nuk ka organizim, nuk ka ndarje të drejtë të ndihmave, ka përçarje dhe natyrisht frikë të arsyeshme nga ndonjë sulm i mundshëm i bandave serbe që janë pozicionuar në Kleçkë.
Ata na bëjnë me dije se në Grykën e Kizharekës, te mrizet e Berishës është koncentruar një masë e madhe e të zhvendosurve. Edhe atje gjendja përshkruhet alarmante. Mungojnë ushqimet, mungon najloni për tenda. Ata thonë se shumica e kasolleve janë të mbuluara vetëm me dushk bungu dhe në kohë shiu uji depërton në të gjitha anët.