Prof. Agim ZOGAJ: Histori e anatemuar: Bashkëbisedim me Nexhmije Hoxhën?

Prof. Agim ZOGAJ: Histori e anatemuar: Bashkëbisedim me Nexhmije Hoxhën?

T: Në Shqipëri, me Qazim Bllacën

Mt: Çfarë më kishte thënë babai ?

         Për Nexhmije Hoxhën, gruan e Enver Hoxhës, për herë të parë kisha dëgjuar nga im atë, Rexhep Zogaj, i cili në vitet e shtatëdhjeta dhe deri në pranverë të vitit 1981, kur u shkarkua, në cilësi të drejtorit të përgjithshëm të shtëpisë botuese “Rilindja”, në vazhdimësi qëndronte për vizita dhe marrëveshje bashkëpunimi në Shqipëri. Në rrethinë e ngushtë të familjes sonë, disa herë kisha pasur rastin të dëgjoja rrëfimet e tij për Shqipërinë, Enver Hoxhën, pra edhe për Nexhmije Hoxhën. Kur fliste për Nexhmijen, veçonte se ajo ishte një grua e zonja, inteligjente, me kulturë të thellë intelektuale, dhe me ndikime të drejtpërdrejta në jetën politike, shtetërore, madje, sipas tij, si një grua që kishte ndikim të konsideruar, pozitiv në vendim marrjet politike, shtetërore të Enver Hoxhës. Natyrisht, edhe unë, si një djalosh i moshës së studimeve, e kisha krijuar një përshtypje të parë, për gruan e Enver Hoxhës, sepse, statusi i saj i bashkëshortësisë e determinonte mendimin tonë për te, por edhe fakti se  ajo ishte, drejtore e Institutit përkatës.

      Vonë, shumë vonë, në vizitën time të parë në Shqipëri, më 1992, në një nga takimet e mia me mikun tim, Kujtim Hysenaj, ambasadori i fundit i Shqipërisë socialiste në Jugosllavi e kujtoj fare mirë, dhe me shumë besnikëri  një dialog të drejtpërdrejt me te në Durrës, derisa më tha se:” Pas infarktit që pësoi Enver  Hoxha më 1972, Nexhmije Hoxha ishte personi i cili u dha udhë shumë proceseve shtetërore, madje, kishte ndikim në qëndrimet dhe veprimet politike, shtetërore e kombëtare të Enver Hoxhës”. Këto pikëpamje të ambasadorit Kujtim  Hysenaj, më plotësonin tablonë e kujtimeve, perceptimeve dhe përshtypjeve të im atë, i cili, theksonte se, Nexhmije Hoxha ishte një personalitet me ndikim dhe se, para së gjithash, duhej parë edhe si një grua intelektuale, ambicioze dhe shumë e vendosur në veprimet e saja shtetërore, kombëtare në të mirë të Shqipërisë. Kuptohet, në ato vitet e shtatëdhjeta, edhe pse , si kryeredaktor i gazetës së studentëve, “Bota e re”( 1976/1979) kisha plane ta vizitoja Shqipërinë, nuk  e mendoja se, një ditë, Nexhmije Hoxhën do ta takoja edhe unë.

     Gjithsesi, më kishin bërë përshtypjet rrëfimet, përshtypjet, imazhet  dhe atdhedashuria e babait tim për Shqipërinë, personalitetin e Enver Hoxhës, bashkëpunëtorëve të tij, pra edhe mendimet e tij për Nexhmijen. Për ato vite, ato kohëra, kur po lulëzonte bashkëpunimi, jo vetëm kulturor midis kombit tonë të ndarë, Shqipërisë dhe Kosovës  për të gjithë popullin e Kosovës, i madh e i vogël, Shqipëria ishte vendi, shteti të cilin e donim, i cili na jepte shpirt e shpresë, se edhe ne e kemi Atdheun tonë, se edhe ne e kemi Nënën tonë e cila, kujdesej për ne, që ishim në robëri, në sundimin serbo/jugosllav. Vetëm me atë moral, me atë vendosmëri e qëndresë të popullit të Kosovës, të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, pra, edhe me përkrahjen shpirtërore të Shqipërisë, ne ia dolëm, nën udhëheqjen e UÇK-së, t’i bënim ballë armikut më të përbetuar të kombit tonë shqiptar, serbëve!

             Konçertet e grupeve artistike, që vinin nga Shqipëria, ligjëratat e profesorëve nga  Tirana, vizita e shkrimtarëve, e Kadaresë po krijonin një atmosferë të re, shumë të veçantë nga aspekti  kombëtar, në vitet e 70-ta po ndodhte zgjimi i Kosovës dhe i mbarë popullit shqiptar në ish Jugosllavi. Veprat e Enver Hoxhës, së bashku me literaturën në gjuhën shqipe, ishin bërë stoli e zakonshme në ambientet e familjeve  tona anë e mbanë Kosovës, përcjellja e Televizionit shqiptar, dëgjimi i  pllakave të gramafonit me këngë shqipe, filmat, sidomos për fëmijë, sikur, Gjeneral gramafoni, Beni ecën vetëm  e shumë ngjarje të tjera, që, popullit të Kosovës i dhanë zemër, shpirt dhe forcim të atdhedashurisë. Ne, populli i Kosovës, në ato vite po përjetonim renesancë të fuqishme në kuptimin, jo vetëm kulturor, por, para së gjithash kombëtar. E përcillnim Radio Tiranën, i shihnim programet e Televizionit Shqiptar, po aq sa edhe Televizionin e Prishtinës. Shënimi i përbashkët i 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit(1978) në Kosovë dhe Shqipëri ishte një ngjarje madhore për kombin tonë. Më 1978, aso kohe në cilësi të kryeredaktorit të gazetës së studentëve, “Bota e Re”, kisha marrë ftesë nga ambasada e Shqipërisë në Beograd, për të marrë pjesë në festimin, shënimin e Ditës së Flamurit.

        Për herë të parë në Shqipëri kisha shkuar në nëntor të vitit 1992. Ndoshta, edhe për arsye se në Kosovë po përballeshim me aparthejdin serb/jugosllav, gjatë qëndrimit dy javor në Tiranë ngela i magjepsur. Unë, sikur edhe shumë shqiptarë të Kosovës, nuk kisha shkuar për të parë arritjet materiale, ekonomike, por kisha shkuar për ta mbushur shpirtin me liri, për ta prekur lirinë në Shqipërinë, që aq shumë e kishim ëndërruar dhe dashur. Nuk bëhej fjalë për reflektime ideologjike, siç propagandonte aso kohe regjimi serb/jugosllav, por edhe disa udhëheqës shqiptarë të Kosovës, pas vitit 1981. Ne e donim Shqipërinë si shtet amë, Atdhe i përbashkët i shqiptarëve dhe jo për kurrfarë ideologji apo model të socializmit. Në këtë kuptim, janë gënjeshtra edhe spekulimet, sikur shteti shqiptar po përpiqej që, përmes propagandës, rinisë së Kosovës t’ia impononte modelin e socializmit apo të ideologjisë së PPSH-së. Pra, kishte vite, që po gjurmoja pas historisë kombëtare, veçmas historisë së anatemuar, prandaj, që në atë vizitë, kisha shprehur dëshirën të takoja edhe ish udhëheqës të shtetit shqiptarë, të periudhës së komunizmit. Ndër ta, kisha dëshirë të takoja zonjën, Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alinë. Shumë shpjet do ta kuptoja se, për arsye të ditura, ndryshimi të sistemit, as që bëhej fjalë për t’i takuar ata të dy, përveç se, mu dha rasti ta takoja dhe bashkëbisedoja  një natë nëntori me Fadil Paqramin!

        Më 1996, sërish isha në Tiranë, kësaj radhe në shoqëri me Qazim Ballacën, isha anëtari i Kryesisë së Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ministër në Qeverinë e Rexhep Mitrovicës mik i familjes sonë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, meqë edhe isha në gjurmime historike, sërish mu shfaq, madje shumë fuqishëm dëshira për ta takuar dhe bashkëbiseduar me Nexhmije Hoxhën. Ishin vitet, kur intensivisht po punoja dhe po gjurmoja në temën time të disertacionit, Marrëdhëniet shqiptaro –jugosllave 1945 -1948. Duke u përpjekur për të gjetur rrugët më të sigurta të takimit me zonjën Nexhmije Hoxha, vendosa ta takoja një atë afërmin tim, i cili shërbente në Zyrën e Republikës së Kosovës në Tiranë. Një mbrëmje nëntori, u takuam  në një restorant në kryeqytetin shqiptar. E prisja, përkrahjen e tij dhe ndihmën që të më siguronte  takimin me Nexhmije Hoxhën. Menjëherë, me ta dëgjuar interesimin dhe kërkesën time, ai mu përgjigje se, kjo punë nuk bëhet, në radhë të parë për shkaqe sigurie, sepse sipas tij, gjithçka është në mbikëqyrjen e  sigurimit të vendosur nga demokratët në pushtet. Madje, për një moment, kur, sërish insistova, sepse nuk po e kuptoja  për se, është rrezik ta takoje Nxehmije  Hoxhën ai më shikoi dhe më pyeti: “ A mendon të kthehesh në Kosovë…”?!

        Si në vitin 1992, as në vitin 1996, nuk mundja ta zhvilloja takimin dhe bisedën me Nexhmije Hoxhën, edhe për arsye se, ajo, që nga viti 1991 – 1997 ishte e burgosur.

 

Duke pritur përgjigjen e Nexhmije Hoxhës

Në mendjen time, më erdhën shumë mendime për atë që ne e quajmë, hakmarrje politike e çka tjetër. Në  vete u mendova: vallë, këtë e quajnë regjim demokratik, këta janë demokratët e rinj shqiptarë? Zhgënjimi, dëshpërimi  ishte shumë i madh, sepse  dëshira  ime për të marrë kujtimet e Nexhmije Hoxhës po tretej! Vërtet, udhërrëfyes i vullnetit tim, ishte detyra ime  prej gjurmuesit të historisë më të re kombëtare, dhe se, fare nuk kishte të bënte me ndonjë nostalgji ideologjike e çka tjetër, që mund t’i  përshkruhej dëshirës, kërkesë sime.

Në gjurmimet e mia studimore për librin tim, Kosova:Të vërtetat e fshehura sërish më ishte shfaqur dëshira e madhe, kësaj here më reale për ta takuar dhe bashkëbiseduar me Nexhmije Hoxhën, të venë , siç e cilësonte literatura perëndimore të Enver Hoxhës. Fillimisht, çështjen e kisha biseduar me një personalitet eminent nga historia e jonë kombëtare, udhëheqës i lartë i UÇK-së, ish pjesëtar dhe drejtues i Grupeve ilegale. I pëlqeu ideja ime dhe më premtoi se, meqë kishte komunikime me familjen Hoxha, do të mendohej, për të më dalë në përkrahje. Ditët javët kalonin, unë prisja, ndërkohë që, më kishte thënë se, ndoshta edhe ai vetë do të vinte më takim. Dëshira e tij dhe gatishmëria që edhe ai të jetë së bashku në takim, për mua ishte edhe më shpresëdhënëse. Edhe kjo përpjekje dështoi, sepse, ndërkohë, asnjëherë nuk mora përgjigje të prerë. Prandaj, duke kërkuar zgjidhje, çështjen e bashkëbisedova me një ish koleg të studimeve, i cili, thjeshtë u entuziazmua. Një i afërm i tij ishte me detyrë shtetërore  në Tiranë, e dija, se po të donte do të mund të më siguronte lidhjen me Nexhmije Hoxhën, familjen Hoxha. Isha i bindur, se, në rast se ai do të ishte i gatshëm ta përkrahte interesimin tim, për të, edhe sot jam i bindur se, ajo çështje ishte fare e lehtë. Fjala ishte vetëm të na vente në kontakt, dhe asgjë më tepër. Deri atëherë, nuk kisha asnjë informacion në lidhje me vendbanimin e zonjës së nderuar, Hoxha. Meqë, përgjigja e mikut tim, e përcjellë nga shoku, miku i tij në Tiranë, ishte negative, mendova se, në lidhje me këtë mision tim gjurmues, gjithçka, një herë e përgjithmonë, mori fund!

    Ditët po kalonin, sërish e kisha ri marrë veten dhe, duke u menduar, duke kërkuar ide, plane, rrugë zgjidhje për të vënë  kontakt me bashkëbiseduesen time të radhës mu kujtua një  personalitet i kauzës sonë kombëtare, veprimtar, udhëheqës i lëvizjeve të caktuara të demonstratave dhe grupeve ilegale  atdhetare në Kosovë. E kisha informatën se, ai kishte lidhje me familjen Hoxha, madje raporte mjaft të besueshme me Ilirin, djalin e madh të Enver Hoxhës, Ilirin. E thirra për takim, në kabinetin tim në fakultet. Erdhi një pasdite të vonë vjeshte të vitit  2014. I shpjegova, hapur dhe me argumente objektivin e studimit tim, e librit, që aso kohe, dhe madje edhe sot kishte titull pune. E kuptoi sinqeritetin e një gjurmuesi, kishte besim të plotë tek  unë, sepse,nga viti 1990 kishim bashkëpunuar. Kishte qenë pjesë e grupeve të thella ilegale, i burgosur i vitit 1981, dikur kishte punuar me tim atë, në “Rilindje”. Mbajti qëndrim  korrekt, ma dha fjalën se, meqë po më mirëkuptonte, në emër të historisë kombëtare, ndriçimit të  fshehtave të saj, do të bënte gjithçka që ishte në mundësinë  tij. Unë, po i kërkoja vetëm, mundësinë e kontaktit, në cilën do mënyrë me Nexhmijen, dhe asgjë më tepër. Kaluan ditë, kaluan javë, më në fund, i nderuari mik, erdhi dhe më takoi në fakultet me lajme të mira. Nuk ma dha numrin e  telefonit kontaktues të Nexhmije Hoxhës, por, adresën elektronike të saj, me shpjegimin se, gjithçka është në rregull dhe mund t’i shkruaja lidhur me idenë time.  U gëzova pa masë, por, atë lajm, e mbaja vetëm për veten time!

Më në fund, shumë i menduar dhe me shumë emocione të trazuara,  i shkrova    emailin e parë, duke i bërë me dije , në detaje objektivin tim studimor dhe rëndësinë që, intervista shkencore, hulumtuese me Nexhmijen do ta kishte për përmbajtjen e librit tim. Meqë, kishte pranuar ta kontaktoja, pra, të filloja bashkëbisedim, e prisja një përgjigje pozitive. Në emalin e parë shpjegues, i kisha radhitur shumë fakte, argumente deri te mendimi se, Kosova e meriton një  bisedë, intervistë në hulumtim etj. Nuk vonoi dhe erdhi emalin i parë i saj. Përgjigja ishte e prerë, negative me shpjegimin se, çfarë kishte pasur për të thënë e kishte thënë në librat e saj dhe në shumë intervista.  U trazova shpirtërisht, sa që,një nate pranverore, e thirra nga Prizreni time bije  dhe i diktova drejtpërdrejt përmbajtjen e  një emaili për shoqen Nexhmije Hoxha. Përmbajtja e atij  e-maili shprehte zemrat dhe dëshpërim, thjeshtë, e kisha diktuar nën presion të jashtëzakonshëm të përgjigjes negative. Nexhmije Hoxhes, nuk po i thyhej zemra! Kuptohet, e kisha përshtypjen se, gjithçka po tretej  pa shpresë, por, megjithatë nuk dorëzohesha.

      Megjithatë, pas disa dite, ndoshta javëve, kisha vendosur sërish  t’i shkruaja, por kësaj radhe, duke mos i kërkuar as takim , as intervistë, as bashkëpunim në emër të brezave të ardhshëm shqiptarë. I shkruaja, për tema, krejt   të lira, për zhvillime aktuale, ndonjë libër historie, ndonjë punim timin së bashku me biografinë akademike etj. Ajo, për lumturinë time, filloi të kthente përgjigje, madje, i përcillte të fala edhe familjes sime, disa nga emrat e të cilëve i mbante mend. E vlerësoja atë komunikim dhe, vetes i kisha dhënë për obligim që, në komunikim me te të isha sa më i qytetëruar, edukuar, më së paku imponues, zemërthyer, kryengritës, ose, person që mund të hidhërohesha lehtë! Ky stil i imi i komunikimit, sikur i kishte pëlqyer të nderuarës Nexhmije, prandaj ne po vazhdonim të komunikonim, sikur të ishim njohur me vite. Formulimet e emailave të saj ishin  plot edukatë, të shkruar rrjedhshëm, për shumë çka bindës, edhe atëherë kur, ndonjë fragment nga  përmbajtja e tyre nuk më pëlqente. Më, intervistën shkencore me te, nuk e përmendja fare.

      Pas një kohe, ndoshta muajve të tërë të komunikimit tonë, dhe pasi ma dha edhe numrin  telefonit kontaktues të saj, unë vendosa që, t’i kërkoja të më pranonte në një takim kurtuazie, miqësor në Tiranë. Për gëzimin tim, ajo u përgjigj pozitivisht, ndaj menjëherë fillova ta mendoja edhe datën e udhëtimit tim në Tiranë. Ishte shenjë se, po bënim  përparim drejt realizimit të intervistës për librin tim të ardhshëm. I vetmi person, të cilit i tregoja për komunikimet me Nexhmije Hoxhën ishte ime shoqe.  Me te u pajtuam që, për këtë të mos e kuptonte asnjë person tjetër, qoftë nga familja ynë, pra, as  tre fëmijët tanë.

 

T: Ngrehina e vetmisë dhe e harresës

Me propozimin e saj, data 5 shtator 2015, ditë e shtunë,  u caktua takimin ynë i parë. Derisa po përgatitesha për udhëtimin në Tiranë, në një takim me një shok timin, besnik nga Prizreni nuk u përmbajta dhe, meqë e dija se do gëzohej, i tregova “fshehtësinë”. Ai, madje në disa takime radhazi, më kërkoi që ta merrja në takim. Rridhte  nga një familje  me traditë atdhetarie, me vëllezër që kishin kaluar nëpër ilegalen atdhetare, nëpër burgjet e Serbisë/Jugosllavisë, pjesëmarrës në luftën e UÇK-së. E meritonte ta nderoja, jo vetëm, atë, por edhe familjen e tyre. Nuk i dhashë përgjigje, sepse më duhej ta merrja edhe mendimin e  mikpritëses nga Tirana, ndërkohë që, isha marrë vesh se, do e merrja edhe time shoqe…

    Të premten e datës 4 shtator 2015 u nisëm për Tiranë, unë, ime shoqe, shoku im dhe një shok tjetër, i cili ishte në përcjellje, por se nuk do të merrte pjesë në takim. Atë natë, me të arritur, e përcollëm ndeshjen e Kombëtares me një ekip ndërkombëtar dhe pasi, Shqipëria e mori një pikë si mysafire, zbritëm në shesh dhe festuam deri vonë me vëllazëritë  dhe motrat shqiptare. Të nesërmen, me plot ndjena lumturie, u nisëm drejt rrugës, lagjes në të cilën gjendej  Pallati ku, Nexhmije Hoxha banonte. Nuk mund ta fsheh ndjenjën se,vetë fakti se po e takonim gruan e Enver Hoxhës, na jepte një nostalgji për kohën e atyre viteve kur Enver Hoxha e drejtonte shtetin shqiptar.

…U afruam tek lagja, nuk kishte nevojë ta pyesnim asnjeri, sepse, ashtu, siç zonja e nderuar ma kishte përshkruar vendndodhjen, ne ishim në vendin dhe kohën e duhur. Aty pranë, ndërtesës së ish Institutit të Pylltarisë, një rrugicë e vogël, ca shtëpi të vjetra përreth, pamje që nuk të përngjante se je në kryeqytetin shqiptar. Nga të gjitha komunikimet me email dhe përmes bisedave telefonike, e kisha krijuar bindjen se, ajo ishte një grua me standarde të elitës shqiptare, me kode të mirënjohura në bashkëbisedim, në qëndrime, në pyetje dhe në dhënien e përgjigjeve, thjesht, që, gjithçka e analizonte thellësisht, sikur veprimet e saja, ashtu edhe të bashkëbiseduesit. Ndaj, e prisja se, nuk është edhe aq e thjeshtë dhe e lehtë të komunikoje me te, për çka, në të kthyer për Kosovë, e kuptova se kisha pasur të drejtë.

     Po afroheshim, të tretë afër oborrit të Pallatit, në të cilin ishte vetëm një makinë, një shtëpi e ulët në të djathtë. Përballë pallati ngjyrë jeshile, i vjetër dhe i gëlqerosur, një Zot e di se kur ishte gëlqerosur. Oborri, i pa rregulluar, i tëri me pluhur vjeshte. Dielli i asaj vjeshte po shkëlqente, ashtu siç di të bëj mrekulli në Tiranë. Derisa, po afroheshim, për të hyrë brenda, edhe pse nën ndjenjën e emocioneve, arrita ta krijoja idenë për një Pallat, i cili të ngjante në një ngrehinë të boshatisur të  epokës së komunizmit, të lënë në harresë dhe në vetmi. Asnjë lëvizje, asnjë njeri, asnjë zog mali, vetëm shkëlqim i një dielli përcëllues, i cili nuk e dinte se kë e ngrohte…Unë, po ecja i pari, pas meje ata dy, në heshtje, pa folur asnjë fjalë. Hyra në  katin përdhes, pashë  në të djathtë shkallët, me pamje të një ndërtimi  tepër, tepër të vjetër. Vallë, u mendova, a është e  mundur që, shteti shqiptar nuk kishte pasur një hapësirë, godinë tjetër për ta sistemuar Nexhmije  Hoxhën, apo, qëllimisht ishte ky një dënim ! Nuk ishte kohë e as çast që, të merresha me krahasimin e epokave, me teket, inatet, mjerimet, kapriciozitetet  e sunduesve të tyre, me diktaturat e shndërruara gjoja në demokraci tekanjoze, e as me diktaturat që e lozin lojën e demokracive mashtruese, sepse, po prodhonin demokraci të diktaturës…

        Ishte e qartë, askush nuk kishte dalë  për të na pritur, prandaj, u mendova, nëse kemi hyrë në objekt të gabuar, apo zonja tek e cila ishim nisur, është nën arrest, me roje shteti, e çka tjetër bluante mendja ime. Heshtje e plotë, asnjeri për rreth, katet e boshatisura,  ne të tre ecnim nëpër shkallë për të mbërri  në katin e parë dhe, lirisht dukeshim sikur të humbur në hapësirë krejt të pa njohur. Një paradhomë e gjatë, e mbuluar me heshtje, vetëm në pjesën e djathtë kishte dyer që, dukeshin se nuk ishin hapur me vite. E vlerësoja se, nuk duhej trokitur në asnjë derë, sepse ato as nuk kishin mbishkrime dhe as numra, ashtu më dukej mua, nëse nuk  isha gabuar. Muret e vjetra, të pa gëlqerosura, heshtje, sikur në ngrehinat e lëna në harresë dhe pa asnjeri…Përtej, nga mesi i katit të parë, një derë ishte e hapur, sikur po priste mysafir të pa njohur, edhe pse, nuk po dëgjohej asnjë zë njeriu, absolut, asnjë lëvizje. Më shkoi mendja të  afrohesha, i rashë  ziles, duke mos pasur kurrfarë ideje se kush vallë mund  të na priste, apo, në rast e ia kisha qëlluar derës dhe banesës në të cilën banonte gruaja të cilën e kërkonim. Të heshtur, me një emocion të pa definuar, gjithsesi të hutuar, ndaluam para derës së hapur. Për një çast, një grua, e veshur me rroba ngjyrë të qelët, u afrua dhe më doli përballë. Nuk flisja, nga emocionin dhe frika që e ndjeja,  sepse prisja që ajo të shprehej e para. Pasi,  qetë, ngadalë dhe ëmbël na pyeti nëse jemi nga Kosova, ende pa e dëgjuar përgjigjen tonë, gjithçka u nënkuptua, mes  njerëzve që po shiheshim për herë të parë. Ajo ishte një e pa njohur për ne tre, kurse ne të tre, ishim tre të pa njohur për atë mikpritësen, që, duke se ishte më tepër seç duhej e heshtur, e trembur, e kujdesshme në komunikim. Isha i bindur se, kur ajo, u sigurua se ne jemi ata, që vinim nga Kosova, me dashamirësi na dëshiroi mirëseardhje. Ajo, pasi e lëshoi një buzëqeshje, krejtësisht të përgatitur,  arriti të thoshte vetëm një fjali: Urdhëroni, ju pret shoqja  Nexhmije…!?

      Ndoshta, po të kisha mundësi, do isha kthyer mbrapsht, për të rimarrë forcë dhe qetësi për takimin e paralajmëruar. Por, tani më, përballë e kisha zonjën, Nexhmije Hoxha, një copëz historie, e cila, edhe pse në vite të shkuara, po qëndronte në  këmbë për të na përshëndetur. Ishte në moshë, por impononte qëndrimi i saj, mendje kthjelltësia, kujtesa e jashtëzakonshme, veshja me rroba ngjyrë të  qelë, ato flokët e drejtuar, me shumë estetikë, sikur, dikur kishte qenë e re. Ne po qëndronim në këmbë, ndërsa u ulëm vetëm pasi e zonja e shtëpisë na luti që të uleshim, dhe patjetër. Dhe, edhe ajo, vetëm atëherë u  ul, në ulësen e saj, pranë shtratit të ditës, ngjitur me një tavolinë të vogël  mbuluar me libra. Flokët, siç e kishim parë shpesh në fotografitë e rinisë së saj, i kishte rregulluar, bukur dhe me harmoni në të majtë. Fytyra e saj, të jepte pamjen sikur, ajo ishte e lumtur për takimin, apo ndoshta,  tradita shqiptare e donte  që, mikpritësja të udhëhiqte bisedën dhe të rrezatonte dashamirësi. Filloi radhazi për të na dëshiruar mirëseardhje, duke pyetur për shëndetin tonë dhe të familjeve tona. Pyetjet për Kosovën, ecjet e saja, lirinë, fëmijët, gratë, ishin ndër pyetjet e para që, mikpritësja, Nexhmije Hoxha na i drejtoi…

 

Përballë Nexhmije Hoxhës

Nuk e la pa theksuar se, ndjehej e lumtur që po priste vëllezër dhe motra nga Kosova. Pastaj,  kur e prezantova shokun tim nga Prizreni, ajo mu drejtua me fjalët, nëse ky ishte ai shoku im nga Drenica. Kishte të drejtë, sepse, në komunikimet e para, një shoku im, koleg i studimeve nga  Drenica kishte qenë në plan të ishte me mua. E pranoj, ajo kujtesë dhe ndërhyrje e Nexhmijes më shpërqendroi, nuk dhashë asnjë detaj, asnjë shpjegim veçse i bëra me dije se  miku im  është nga Prizreni, i një familje me traditë atdhetarie.  Muret e dhomës ishin mbuluar me pamje, fotografi të familjes Hoxha, ndër të cilat, binin në sy fotografitë e Enver Hoxhës. Biblioteka familjare, ishte e vendosur me një standard të bibliotekave moderne. Ishte e qartë, Nexhmije Hoxha po jetonte edhe nga kujtimet për të kaluarën, edhe me fotografitë e Enverit dhe të familjes së ngushtë Hoxha. Gjithçka e kuptueshme dhe racionale, për një person që mbi jetën e saj e barte historinë e trazuar, të pa drejtë, të dhimbshme, por edhe krenare të Shqipërisë, të popullit tonë shqiptar. Më imponoi, se, për asnjë çast, për asnjë detaj, për asnjë pjesë të historisë, nuk tërhiqej, për tu dorëzuar para spekulimeve, falsifikimeve që tjerët i bëjnë historisë moderne të Shqipërisë. Por, po ashtu ishte e qartë se, mikpritësja e jonë, po jetonte, deri në idealizëm dhe me shumë krenari  me  historinë, veprën  e të shoqit të saj, Enver Hoxha. Konsideratën për Enverin, nuk e shprehte vetëm pse ai kishte qenë bashkëshorti i saj, as vetëm pse e kishte nderuar, dashur dhe respektuar shumë, por edhe, duke e pasur parasysh se ai ishte për mbi 50 vite në krye të shtetit shqiptar, prijës i shqiptarëve.

        Nexhmije Hoxha, nuk i frikësohej gjykimit objektiv të historisë së  viteve të udhëheqjes së Enverit. E përmendi se, Ramiz Alia ishte bashkëpunëtor besnik i Enver Hoxhës, se, Koçi Xoxe, Panojat Plaku dhe të tjerë, nga fillimi i themelimit të PKSH-së ishin bashkëpunëtorë të jugosllavëve dhe synonin ta rrëzonin Enverin nga pushteti. I shpalosi kujtimet për një darkë  me Hrushqovin, jugosllavët dhe reflektimet e Enverit dhe të saja gjatë takimit. Foli drejtpërdrejt edhe për miqësinë e tradhtuar nga Mehmet dhe Fiqerete Shehu…

Në bisedë e sipër, mund ta ndjeje se, Nexhmije Hoxha ishte përgatitur për takim, bashkëbisedim, se, ndër të tjera ishte e vendosur që, ti shpalos, ashtu siç e mendon ajo, idetë, pikëpamjet e veta, duke i mbrojtur me zgjuarsi  qëndrimet, vlerësimet,a analizat për historinë politike të kohës. Ishte e qartë, edhe nga shprehjet e saj, edhe nga vendosmëria në mbrojtjen e qëndrimeve të saja se, para veti kisha një personalitet me autoritet të madh, njerëzor, politik dhe kombëtar. Ishte po ajo Nexhmije  Hoxha, e cila aq fuqishëm dhe në mënyrë bindëse, kategorike i paraqiste pikëpamjet e saja politike  në vitet e 70-ta, 80-ta, por edhe pas lirimit të saj nga burgu. Një qëndrim i tillë, në shpjegimin e  situatave politike për të  cilat bisedonin, më impononte  të mendoja se, ajo shfaqet kulturë shumëdimensionale. I kishte faktet, i përsëriste me një kujtesë të paparë, i shtjellonte ngjarjet, zhvillimet dramatike politike me argumente, kryesisht me  pa anësi, objektivitet. Nuk i kishte ndryshuar qëndrimet, e ashpra, të drejta dhe të guximshme politike për prapaskenat e emisarëve jugosllavë, jo vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, por  edhe pas prishjes së marrëdhënieve me jugosllavët. Në momente të caktuar, ndërhyrja fare shkurtë, jepja mendimet e mia, për t’i dëshmuar se, e njihja ato zhvillimet nga literaturat dhe  burimet e arkivave perëndimore, shqiptare dhe jugosllave.

      Nuk flisja, dëgjoja derisa ajo e përcaktonte kahen e bashkëbisedimit për temat historike. Që në fillim e qartësoi se, nuk dëshironte  që biseda të  regjistrohej, por  më udhëzoi të merrja shënime dhe të pyesja sa herë të dëshiroja. Ngadalë, e rimerrja veten, i përcillja me shumë disiplinë mendimet, shpjegimet e saj, dhe në të njëjtën kohë edhe përgatitesha për pyetje eventuale, por gjithnjë për çështjet, nënçështjet, për të cilat e kuptoja se dëshironte të flitej.  Ajo foli gjatë dhe drejtpërdrejt për interesimin, kujdesin dhe kontributin e Enver Hoxhës për Kosovën. Madje, duke dashur të ishte edhe më e argumentuar, më bindëse, ndonëse këtë çështje as që e diskutoja, përmendi fjalinë e Enverit i cili me një rast i kishte thënë:”  Më vjen keq që, nuk kam mundur të bëjë më shumë për Kosovën”! E mendoja, pa të drejtë, se, ai takim mund të ishte i pari dhe i fundit me te, ndaj, i kisha në mendjen time çështjet të për të cilat kisha shumë interes  ta merrja mendimin  e saj. Në atë fushë ishin edhe  çështja e rrethanave politike në të cilat Enver  Hoxha u zgjodh në krye të PKSH-së, pastaj, kishte ose jo luftë civile në Shqipëri, roli i emisarëve jugosllavë, prapaskenat e Konferencës së Tiranës, prishja me sovjetikët, me kinezët, dalja nga traktati i Varshavës dhe guximi i madh i udhëheqjes shqiptare, e shumë tema të tjera.

Në momente, më krijohej bindja  sikur, fliste dhe fliste pa ndërpre, madhe e mbyllte një temë dhe kalonte në tjetrën, ndoshta për të mos pasur unë kohë të shtroja pyetje, që mund të mos i pëlqenin. Isha shumë i vëmendshëm, i kujdesshëm, sepse, ndër të tjera doja që ta nderoja autoritetin e saj, mikpritjen dhe  vullnetin për të më takuar. Ajo e dinte se, unë isha gjurmues i historisë, dhe se, misioni im parësor në atë takim me te ishte mbledhja e fakteve, të dhënave, burimeve të reja nga dora e parë, nga një prej protagonisteve të historisë moderne shqiptare. E prisja, se gjatë bisedës, do t’i mbronte pikëpamjet veprimet shtetërore të Enver Hoxhës, por, ndoshta jo me aq vendosmëri dhe në mënyrë kategorike. Në interpretimin, vlerësimin e saj për ngjarjet historike, të cilat i  kishte përcaktuar  Enver Hoxha, ajo ishte shumë e vendosur, i arsyetonte, i përkrahte dhe u jepte mbështetje, argumente historike, politike, kombëtare. U shpreh se, pas daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, udhëheqja shqiptare  kishte  pritur sinjale pozitive, së paku  shenja, manifestime respekti nga Perëndimi, por ajo konsideratë, ajo mbështetje kishte munguar. Mendimi i saj ishte se, gjatë epokës së Luftës së Ftohtë, Shqipëria u la në vetmi, sepse, Perëndimi nuk ishte i vendosur se çfarë do të bënte me Shqipërinë, dhe aq më tepër me çështjen shqiptare. Prandaj, me plot të drejtë më pyeti, përse sot, kur NATO është në Kosovë nuk u lejua bashkimi i Kosovës me Shqipërinë?

Shumë pikëpamje të saj, lidhur me ngjarjet historike  ishin reale dhe përputheshin me burimet e arkivave. Ishte bindëse dhe e faktuar edhe në lidhje me grupet diversante , të cilat në vitet 1949-1953 kishin hyrë nga ajri, deti dhe toka në Shqipëri për ta rrëzuar regjimin komunist. Ishin të faktuara edhe njohuritë, të dhënat për ndërhyrjen e personelit të ambasadës jugosllave në Tiranë, gjatë organizimit dhe mbajtjes së punimeve të Konferencës së Tiranës, më 1956. E dinte saktësisht rolin që, një person shqiptar i Kosovës, në ambasadën jugosllave e  kishte pasur në lidhje me ndërhyrjet flagrante të jugosllavëve në punimet e Konferencës së Tiranës. Unë, ia  përmenda emrin e atij personi, sepse në ato çaste asaj nuk i kujtohej…derisa fliste edhe për shumë detaje të ndërhyrjeve të jugosllavëve, veçmas nga viti 1941 -1948, e kuptoja dëshpërimin e saj të thellë me iluzionet që, udhëheqja shqiptare i kishte pasur  për atë bashkëpunim. Ndër personat jugosllav, sipas Nexhmije Hoxhës, të cilët kishin udhëhequr veprimet dhe politikën e ndërhyrjeve në Shqipëri, gjithnjë nën politikën e gllabërimit të Shqipërisë, veçonte Dushan Mugoshën, Svetozar Vukmanoviq – Tempon dhe Velimir Stojniqin. Nga kujtimet e Nexhmije Hoxhës, për ato vite dhe përplasje me jugosllavët, kuptohej se, udhëheqja komuniste dhe shtetërore e Shqipërisë e kishte idealizuar bashkëpunimin me jugosllavët, Titon, të shtytur nga internacionalizmi proletar e çka tjetër.

         Biseda zgjati mbi dy orë, bashkëbiseduesja dhe mikpritësja ishte shumë konkrete, kryesisht i përzgjidhte çështjet dhe temat për t’i diskutuar, shpjeguar, natyrisht duke u përqendruar në mënyrë korrekte edhe në temat, çështjet e specifikuara për të cilat shfaqja interesim. Një ndër çështjet e diskutuara, që më bëri përshtypje të veçantë ishte ajo në lidhje me demonstratat e vitit 1981 në Kosovë. Nexhmije Hoxha, duke folur në detaje për  çastet e para, kur  ajo ishte informuar për demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, jepte të kuptohej, se, Mehmet  Shehu  i kishte bërë asaj telefonatë gati dhjetë ditë pasi demonstratat kishin shpërthyer  në Kosovë. Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha ndërsa kishin qenë për pushime në Vlorë. Kryeartikulli i gazetës “Zëri i Popullit”, ku shteti shqiptar u delte në përkrahje  rinisë dhe popullit të Kosovës u botua më 8 prill 1981. Nexhmije Hoxha, disa herë më kishte thënë se, Enver Hoxha, edhe në muajt para se të vdiste, disa herë i kishte thënë Nexhmijes, : “ Më mundon se, nuk munda të bëja më shumë për Kosovën, për popullin martir të saj”!

Gjatë gjithë bisedës, takimit, mikpritësja, Nexhmije Hoxha ishte shumë dashamirëse, e sinqertë , krijova  përshtypjen reale se, kishte pasur  dëshirë të na takonte dhe për këtë ndjehej e lumtur. E kuptoja, i ndjeja fjalët, shprehjet plot emocion për Kosovën dhe popullin shqiptar. Në ndarje, na dhuroi me përkushtim  ca libra të saj të çmuar. Pasi u përshëndetëm, për pak çaste ajo ngeli me time shoqe, ne ndërsa po prisnim para shkallëve të katit të parë. Po afroheshim te hyrja për në Kosovë, unë ndërsa,  vazhdoja ta kisha një përshtypje midis reales dhe imagjinatës për takimin e asaj të shtune shtatori, të vitit 2015. Gjithsesi, ai takim i datës 5 shtator 2015, me Nexhmije Hoxhën ishte i mbarë, sepse i hapi rrugë komunikimit tonë të mëtejshëm, intervistës shkencore, dokumentare për librin e radhës,  Kosova: Të vërtetat  e fshehura.

Kontrolloni gjithashtu

Dokumente: Raport mbi punën e Komisionit të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës në vërtetimin e deformimeve dhe keqperdorimeve në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror në Kosovë, 1 nëntor 1966 (5)

Dokumente: Raport mbi punën e Komisionit të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës në vërtetimin e deformimeve dhe keqperdorimeve në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror në Kosovë, 1 nëntor 1966 (5)

T: UDB-a jepte vlerësime politike për situatën në Kosovë Moto: Mt:58,33% serbë dhe vetëm 13,33% …