Remzi Sadri Ukshini (17.1.1977 - 22.7.1998)

Remzi Sadri Ukshini (17.1.1977 – 22.7.1998)

Prej 16 korrikut të vitit 1998, “Rrasat e Rahavecit” u bënë pozicionet më të rëndësishme prandaj edhe më të vlefshme për të cilat luftonin Forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe forcat paramilitare e civilët e armatosur serbë, të mbështetur prej ushtrisë dhe plicisë serbe të Rahavecit. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me marrjen e “Rrasave” pretendonte për t’u shtrirë kah Fortesa, Xërxa, Rogova e Kushnini, por edhe forcat paramilitare serboçetnike lakmonin që me çdo kusht t’i ruanin pozicionet afër “Rrasave” dhe kështu ta vazhdojnë ushtrimin e kontrollit mbi aksin e magjistrales Prishtinë-Malishevë-Rahavec. Forcat serboçetnike, me vrasjen e popullatës civile, me masakrimet e kufomave por edhe me aranzhimet e tyre bri “Rrasave” e për aksi të amgjistrales do të bënin dy punë: do ta prishnin sigurinë në aksin e përmendur dhe do ta akuzonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e pastaj të trumbetonin nëpër Rahavec sikur Ushtria Çlirimtare po vriste shqiptarë të pafajshëm e po i linte bri rrugës për të përhapur frikë e trishtim. Së këtejmi “Rrasat” u bënë pikë më e rrezikuar, prandaj luftëtarët e lirisë përpiqeshin që në çdo mënyrë dhe me çdo mjet t’i mbanin dhe t’i mbronin. Nga Veriu, “Rrasat” me zjarr i mbulonte “Maja e Shkodranit” në të cilën qenë vendosur: Arian Brahimi-Shkodrani, Mizahir e Bekim Isma, Eshrafedin Kastrati, Bilall Durguti e Kujtim Shaba, ndërsa në të djathtë mbulohej nga pozicioni “Vlora” në “Majën e Zezë” të Zatriqit. Pasi që Ushtria Çlirimtare e Kosovës i kishte majat dhe kodrat, fronti zgjerohej kah brendia në drejtim, bri “Ujësjellësit” kah Fortesa e kah “Vorret e Shkijeve”. Në Fortesë më 18 korrik organiozohet një rezistencë e pathyeshme dhe forcat serboçetnike që vinin prej Prizreni e Gjakove nuk arrijnë menjëherë në Rahavec, por në këto luftime përjetësohen: Gani Paçarizi, Agim Kelmendi, Tafil Zyberaj e Skënder Kastrati dhe më 19 korrik forcat pretendente serboçetnike depërtojnë deri në afërsi të “Ujësjellësit” të Rahavecit.
Edhe këtu sërish betejë e përgjakshme, madje në afërsi të madhe. Në rezistencën “Te Ujësjellësi” përjetësohen dëshmorët: Agim Çela, Sadik Shala, Limon Gega, Afrim Krasniqi, Hamdi Berisha e Gëzim Hamza ndërsa kah “Bllata” edhe Bajram Veliu, kurse pa gjurmë mbetën: Faik Rama e Remzi Ukshini. Trupat e pajetë, të Agim Çelës e të Faik Ramës u zbuluan shumë vonë në Rahavec, ndërsa të dëshmorëve Limon Destan Gega e Remzi Sadri Ukshini ende kërkohen me shpresë se një ditë do të gjenden prandaj Destan Gega, i Zogajt të Malishevës e Sadri Ukshini i Rahavecit, kërkojnë ende me shpresë mu sikurse dikur Hysen Smajli i rapsodive për Mic Sokolin e Smajl Hysenin.
Remzi Ukshini, i vëllai i luftëtarit Sabit Ukshini, kushërir i dëshmores Afërditë, kushërir i luftëtarëve Sulejman e Fatmir Ukshini, tashmë të ndjerë e i Mahmutit, luftëtar i lirisë, është i lindur më 17 janar të vitit 1977 në Rahavec. Shkollën fillore dhe të mesmën i mbaroi në vendlindje me dëshirë që të studiojë në ndonjërin prej fakulteteve të Univeristetit të Prishtinës. Por menjëherë pas një vizite që i bëri në fshatin Burim i Epërm Xhelal Hajdës-Tonit i cili kishte ardhur në përcjellje e nderime ushtarake të dëshmorit Sakip Xhemali Bellaqa, Remzi Ukshini zë të shtyhet me të vëllain Sabitin se cili do të radhitet në njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila për çdo ditë e më shumë i afrohej Rahavecit, veçanërisht “Rrasave të Rahavecit”. Xhelal Hajda-Toni me stafin komandues të Shtabit të Batalionit të “Rahavecit” nuk rekrutonte nga dy vëllezër në formacion, madje as “hasretët”, por dëshira e madhe e Vëllezërve Ukshini, Remziut dhe Sabitit, e detyroi Selajdin Mullabazin-Micin që të lëshojë pe, prandaj edhe Sabiti e Remziu aktivizohen në skuadrën e djelmoshave më të rinj të këtij batalioni që vepronte sa në rrugën Rahavec-Drenaj aq edhe në brendi të Rahavecit kah Lagja “Ambulanca” ku tashmë kishte filluar veprimtaria logjistike për mbledhjen e armatimit në këtë lagje mjaft kompakte e tejet të organizuar.
Vëllezërit Ukshini, bij të mërgimtarit të përjetshëm Sadri Ukshini, i cili në martesë me Shehribane Delibeqën kishte tre djem, kishin një përvojë të konsiderueshme në veprimtari ilegale dhe janë kushërinj të Sulejman Ukshinit, njërit prej veprimtarëve të shquar të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Kështu, Remziu së bashku me Sulejmanin dhe Afërditën, që në ditët e parë iu bashkuan pikave të organizimit të rezistencës së armatosur në Lagjen “Rrasat e Rahavecit”, prandaj aktivizimi në Batalionin e Rahavecit shënon një hap më parë por edhe më konkret të veprimtarisë, prandaj edhe u bashkohen shokëve të idealit: Xhelal Bajram Hajdës, Selajdin Hamid Mullabazit, Gëzim Salih Hamzës, Abdullah Zijajdin Bugarit, Sabit Ahmet Shabandulës, Mizahir Jetullah Ismës, Bekim Abdullah Sylkës, Samir Selim Nurkasës, Xhafer Zenel Nurkasës, Bajram Hysen Veliut, Faik Hajredin Ramës, Sadedin Bajram Hajdës, Xhevat Ymer Kasapit, Mexhit Murtezan Mustafës, Gëzim Fahredin Mullabazit, Jahja Rejhan Danuzës, Hadije Mustafë Spahiut, Asllan Destan Kleçkës e Shkëlzim Halit Zllanogës, sot të gjithë dëshmorë të kombit, por ja që një ditë korriku, në Rahavecin e vapës u zhdukën gjurmët për Faik Hajredin Ramën, Agim Çelën, Liman Gegën dhe Remzi Ukshinin. Falë angazhimit të bashkëluftëtarëve, Tonit e Micit, pas zbulimit të trupit të pajetë të Skënder Jahë Kastratit në “Livadhet e Ferizit” bri aksit të magjistrales në Fortesë, u zbuluan edhe mbetjet mortore të Faik Hajredin Ramës, jo larg vendit të rënies në një varr të improvizuar, buzë lumit Remnik të Rahavecit, ndërsa gjatë vitit 2007 u zbuluan edhe mbetjet mortore të Agim Çelës e shenjat për Liman Gegën e Remzi Ukshinin janë shumë të zbehta, prandaj edhe “shpresa vdes e fundit”. Loket e Remziut dhe e Limanit, ende presin te porta, në prak të derës e në dritare me shpresë se një ditë do ta dëgjojnë zërin e bijve, se një ditë do t’i shohin fytyrat e njoma tashmë të pjekura pas rrafsh dhjetë vitesh kërkimi e bredhjesh pas shpresave.
Remzi Ukshini, në çdo istikam e kompensonte të vëllajn Sabitin të cilin e konsideronte më të ri, e donte shmë dhe ishte i gatshëm ta zëvendësonte dhe në “Majën e Shkodranit” më 20-21 korrik të vitit 1998, edhe te “Krahishtet”, edhe te “Vorret e Shkijeve”, por edhe te “Ujësjellësi i Rahavecit” ku mbetën: Agim Çela, Sadik Shala, Faik Rama, Afrim Krasniqi, Hamdi Berisha, Gëzim Hamza e Liman Gega, prej nga nuk ka më gjurmë për Remziun. Por sipas një shënimi, Remziu ose Sabiti, janë parë në fshatin Dragabil edhe më 22 korrik, prandaj gjurmët vijnë deri më 22 korrik, ose deri në përjetësimin e dëshmorit Ramadan Morina, në “Llazet e Rrembellanit”, rrëzë “Lugut të Shqipeve”. Të gjithë bashkëluftëtarët e Remziut e të Sabitit, kishin njohuri për aktivitetin e Vëllezërve Ukshini gjatë atyre ditëve të korrikut të vitit 1998, dinë se njëri prej tyre ka qenë më 22 korrik afër Shkollës Fillore “Emin Duraku” të Dragabilit, mirëpo pikërisht gjatë atyre ditëve, pas rënies së Rahavecit, ishin sajuar kodra të tëra të thashethemnajave rreth Rahavecit, rreth luftëtarëve, rreth të rënëve, masakrimeve dhe djegieve të luftëtarëve të lirisë, veçanërisht të të rënëve në “Majën e Shkodranit”. Ato ditë konsiderohej i vrarë edhe Enver Maloku i Bushatit (ish-Kamaranit) të Drenasit, por Enveri i mbijetoi ditët e rrethimit të “Ujësjellësit” duke jetuar rrafsh një javë në shtëpizën verore të Neki Demës duke mbajtur shpirtin me miell e me molla; konsiderohej i zhdukur edhe Ramadan Morina, i cili vazhdoi luftën deri më 22 korrik; i tillë konsiderohej edhe Bilall Durguti që luftoi edhe më 21 korrik, mirëpo të gjithëve në një mënyrë apo në tjetrën u është rënë në gjurmë, por për Remzi Ukshinin, atyre ditëve e sot ka vetëm shpresa. Dhe kështu të gjithë shpresojnë: i ati Sadiu, nëna Shehribane, vëllezërit Sabiti e Haxhiu, shpresojnë edhe bashkëluftëtarët e Brigadës 124 “Gani Paçarizi” të Zonës Operative të Pashtrikut dhe shpresojnë edhe për shokët e tjerë edhe të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …